Zbulohet skandali i qeverisë, Taçi-ARMO, dëmi 2.6 miliardë lekë

Zbulohet skandali i qeverisë, Taçi-ARMO, dëmi 2.6 miliardë lekë

TIRANË- Veprimet e qeverisë në shitjen e kompanisë ARMO tek Rezart Taçi mund të quhen një katastrofë e vërtetë ku abuzimet financiare arrijnë shifrën e 2.6 miliardë lekëve. I gjithë ky dëm i është shkaktuar buxhetit të shtetit shqiptar nga mos shlyerja e detyrimeve që kompania ARMO i ka shtetit.
Skandali më i fundit i qeverisë me Rezart Taçin është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas raportit të KLSH-së për periudhën janar-shtator 2009, përgjatë gjithë vitit 2008 kompania ARMO ka akumuluar ndaj kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol një borxh prej 2.6 miliardë lekësh. Ky borxh përbën një të tretën e të gjithë dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit. “Dëmi shkaktuar kompanisë Albpetrol sh.a ,është në vlerën 2 610 563 000 lekë, i cili përfaqëson moslikuidimin e faturave të shitjeve të produkteve nga ARMO sh.a. deri në fund të vitit 2008 dhe diferenca në çmim të këtyre shitjeve”,- citohet në raport.
Kompania ARMO është përballur së fundmi edhe me sanksione të vendosura nga Drejtoria e Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj të Fierit me arsyetimin se nuk ka shlyer detyrimet ndaj shtetit.
Odiseja e mos shlyerjes së detyrimeve që ARMO i ka Albpetrolit prej të cilit blen naftën bruto ka filluar prej kohësh. Që në momentin e privatizimi kjo kompani i ka pasur disa miliona dollarë borxh Albpetrolit. Madje drejtues të kompanisë kanë deklaruar se borxhi është shtuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit duke u bërë shkak edhe për kriza financiare.

Policia: Rezart Taçi, në paraburgim. Avokati Haxhia: Do apelojmë

TIRANË (UPDATE) – Biznesmeni Rezart Taçi është vetëdorëzuar në polici pak orë pasi gjykata vendosi në mungesë masën e sigurisë ‘burg pa afat’ për të dhe dy truprojat. Ai akuzohet për rrahjen për shkak të detyrës të gazetarit Mero Baze, 4 netë më parë në Tiranë.

Taçi doli me një deklarate për mediat, para se ti dorëzohej policisë duke u shprehur se “jam i gatshëm të respektoj çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se e gjitha kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj”. Ai mohoi të ketë qëlluar mbi Bazen, duke u shprehur se “nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave, prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj personit tim”.

Ndërkohë, avokati i tij, Maks Haxhia është shprehur se do të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. “Klienti im nuk është njohur ende me vendimin e gjykatës, por sapo ta kemi ne dore atë, do te apelojmë për ndryshimin e masës se sigurisë”, tha Haxhia.

Ndërkohe ka mbërritur edhe njoftimi i Drejtorisë se Policisë së Tiranës, që bën me dije se ne bazë te vendimit te gjykatës, Rezart Taçi po mbahet në paraburgim. “Sot në orën 16.00 u vetëdorëzua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë shtetasi Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, me detyrë President i Kompanisë ‘Taci Oil’. Për këtë shtetas u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet ne njoftimin e policisë.

Siç deklaroi edhe vete biznesmeni, ai u dorëzua pasi Gjykata e Tiranës vendosi në mesditë, ‘burg pa afat’. E njëjta masë sigurie u dha sot edhe për dy truprojat e tij, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, të cilët u ndaluan një ditë pas dhunës ndaj Bazes.

Organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Tako ndërsa gjyqtarja që vendosi të lërë burg Tacin është Fahrie Budo. Ndaj tre të dyshuarve është ngritur akuza e “goditjes për shkak të detyrës” të parashikuar nga Neni 237 i Kodit Penal, që nëse rezultojnë fajtor të dyshuarit rrezikojnë të dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Sipas akuzës, katër ditë më parë, konkretisht mbrëmjen e së hënës në një nga lokalet e bllokut është rrahur dhe goditur me sende të forta gazetari Mero Baze. Sipas dëshmitarëve, gazetari Baze është qëlluar fillimisht nga presidenti Taçi dhe më pas nga shoqëruesit e tij Lilo dhe Selfo.

Dhuna ndaj Bazes, protestojnë gazetarët. Topi: Të ndryshojë ligji i mediave

Presidenti Bamir Topi ka kërkuar ndryshimin e legjislacionit për mediat duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj gazetarëve, siç ishte rasti i Mero Bazes.

Kreu i vendit e bëri deklaratën sot pasdite në një takim për gazetarine në Europën Juglindore, duke folur drejtpërdrejt për incidentin me Bazes, ndërsa dje ishte shprehur vetëm përmes një njoftimi të shkruar.

Sipas Topit, liria e medias është diçka thelbësore në një shtet demokratik ndaj duhet reformë në legjislacionin për këtë sektor. “Ngjarja me gazetarin Mero Baze është e papranueshme. Nuk ka demokraci pa media te lira. Rruga ne vite nuk ka qene e lehte për median dhe reforma ne legjislacionin për to eshte e nevojshme”, ka deklaruar Topi.

Po kështu, ai ka tërhequr edhe vëmendjen e politikës që përzihet rëndom në punët e medias. Disa media janë të influencuara nga politika dhe kjo e fundit, duhet të heqë dorë nga diktati mbi gazetat dhe TV”, tha Topi.

Protestë kundër dhunës ndaj Mero Bazes: Të ndalohet autori i vërtetë

Shoqatat e gazetarëve dhe qytetarë u mblodhën në protestë para godinës së Kryeministrisë, në shenjë solidarizimi kundër dhunimit të Mero Bazes, drejtorit të gazetës “TemA” dhe drejtuesit të emisionit politiko-investigativ “Faktori +”.

Ylli Rakipi ka kërkuar nga qeveria të lirojë dy truprojat dhe të vërë para përgjegjësisë agresorin e vërtetë.

Të turpshëm e ka quajtur dhunimin e Mero Bazes edhe gazetari Andrea Stefani, i cili ka kërkuar që media duhet të mbrohet pavarësisht bindjeve.

Aleksandër Çipa në fjalën e tij deklaroi se protesta behet per te mbrojtur fjalen e lire dhe nuk ka ngjyrime politike.

Gazetari Filip Çakuli ka qenë gjithashtu i ashpër ne deklaratën e tij. Ai akuzoi direkt kryeministrin Sali Berisha për ngjarjen me Mero Bazen. “Vetëm një agresor është, dhe ai e ka emrin Sali Berisha. Me vjen keq që gazetarët nuk e thonë tamam emrin e agresorit të vetëm, i cili e ka treguar me fakte agresivitetin e tij jo vetëm ndaj gazetarëve”- tha ai.

Të mbështetur edhe nga qytetarë dhe deputetë të PS-së, ata kërkojnë vënien para përgjegjësisë së autorit të këtij akti shumë të rëndë, cenues ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së medias në Shqipëri.

Një ditë më parë, shoqatat e gazetarëve, duke dënuar ashpër dhunimin e Bazes, deklaruan se ofrojnë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion mbi vendndodhjen e Rezart Taçit, i cili është shpallur nga policia si person në kërkim.
“Shoqatat ndihmojnë kështu forcat e rendit, që ky kriminel të vihet sa më shpejt përpara drejtësisë, në një kohë kur Rezart Taçi shpërndan përmes zëdhënësit të tij deklarata false duke mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze”, thuhet në deklaratën e shoqatave të gazetarëve shqiptarë.

Baze: Taçi mbështetet nga kryeministri. Berisha për liri njeh vetëm të shoqen

INTERVISTE – Mero Baze shprehet mosbesues ndaj policisë, duke thënë se “policët janë të aftë por të diktuar”. Sipas tij në krye të Ministrisë së Brendshme është një ministër nën akuzë, tek i cili nuk beson se do të ndalojë agresorin Rezart Taçi.

Zoti Baze, një përshkrim të shkurtër të ngjarjes?

Dy kolegët e mi, Andi Bushati dhe Arban Hasani, më ftuan për një kafe pasi përfundoi emisioni “Zonë e Ndaluar”. Shkova rreth orës 23 tek lokali ku po më prisnin, diku afër bllokut. Ndërsa po bisedonim normalisht, në tavolinë shfaqet Rezart Taçi nga errësira e fundit të lokalit. U gjendëm shumë të papërgatitur dhe thjesht tentova të tërhiqem pas kur ai më qëlloi duke më sharë. Por befas pashë që tavolina ishte rrethuar nga bodyguard-ë të tij, të cilët nën shembullin e pronarit të vet nisën të gjuajnë. Nuk mbaj mend shumë detaje se humba vetëdijen për pak çaste, por me ç’pashë më vonë, pozicioni ku isha, më kishte mbrojtur nga ndonjë dëmtim fatal. Po ashtu kolegu im Bushati, që ishte para meje, ishte bërë në një farë mënyre barrikadë për të mos më qëlluar dot në pjesën përpara.

A dukej se sulmi ishte i menduar apo i çastit?

Nuk di të them sa kohë më parë ka qenë i menduar, por natyrisht që ka qenë diçka që mund ta kenë menduar dhe kanë pritur të gjejnë rastin. Mënyra si u sollën me dy kolegët e mi, duke bërë kujdes të mos i preknin, do të thotë se nuk janë sjellë si vrasës të papërgjegjshëm, por si mafiozë të mirëinstruktuar. Dhe përpjekja për të qëlluar vetëm në pjesën e pasme të kokës, ku dhe mund të traumatizohesh përjetë, ishte kriminale. Mendoj se ata kanë vendosur të qëllojnë kur kanë parë që unë hyra në lokalin ku ata rrinin. Ndoshta pas 20 minutash ata vendosën të sulmojnë, dhe na rrethuan papritur duke më sulmuar.

Sa i vetëdijshëm keni qenë për rrezikun për shkak të profesionit?

Rreziku i shoqëron gazetarët si ndryshku hekurin. Sa herë që shoqëria degradon, sa herë për lirinë ka mjedis të papërshtatshëm, aq herë ky ndryshk priret të sulmojë që të brejë profesionin e gazetarit. Nuk është në dorën tonë shmangim rreziqet. Jemi të dënuar të bashkëjetojmë me to. Në dorën tonë është të bëjmë punën tonë. Rrezikun nga mjedisi ynë duhet ta zhdukë shteti ligjor dhe një qeverisje që jep shembull frymëzimi kundër krimit, kundër këtyre personave dhe pro standardeve të lirisë për median. Fatkeqësisht qeveria ime dhe e bashkëqytetarëve të mi është aleate e këtij banditi, frymëzuese e keqe kundër lirisë së medias dhe degraduese e standardeve të lirisë në këtë vend.

Kryeministri bëri një deklaratë ku dënoi aktin e dhunës?

E dëgjova dhe mu dhimbs sa i pafuqishëm është të përmendë emrin e Rezart Taçit. E di që emri i viktimës i krijon probleme, por së paku emrin e kriminelit duhet ta përmendte dhe ta dënonte. S’ka denjuar as vetë të bëjë deklaratë, por zyra e tij ka bërë një deklaratë të modës kineze të viteve ‘70 ku në vend që tu adresohet problemeve, flet për parime që i shkel nga mëngjesi në mbrëmje. Është e dhimbshme të shikosh kryeministrin e vendit tënd në atë pozicion, peng të një njeriu të përzgjedhur prej familjes së tij për tu bërë miliarder brenda natës.

Ç’mund të thoni për reagimin politik në përgjithësi?

Nuk pres të ngushëllohem nga reagimi politik, por nga shteti ligjor. Reagimi politik vlen vetëm për të kuptuar sa e inkriminuar është politika me krimin dhe sa fuqi ka të ndahet prej tij. Po të lexosh deklaratat e partisë së Berishës dhe partisë së Ilir Metës, e kupton sa të pafuqishëm janë të zënë në gojë emrin e kriminelit dhe t’i adresohen problemit me kurajë. Për kaq vlen reagimi politik. Vlen për të qenë shembull frymëzimi ose model i bashkëjetesës me krimin. Ajo ç’më kujton reagimi i partisë së Berishës dhe partisë së Ilir Metës është reagimi i njeriut në hall, kur djali i shtëpisë kapet në krim dhe përpiqesh të mos flasësh më për djalin, por për atë çfarë atij duhet t’i mësojnë në shkollë. Ato po sillen si njerëz në hall. Por shteti ligjor duhet të sillet më me dinjitet se pushteti politik.

Si ka qenë reagimi i forcave të rendit?

Nëse ka njerëz në hall pas gazetarëve në këtë vend, janë ata. Ekziston një polici që kërkon të bëjë detyrën e saj dhe një frymëzim politik kundër misionit të saj. Nuk mund të thuash asgjë të qortueshme për policët e Tiranës si profesionistë ose njerëz kurajozë. Ata janë shumë të mirë. Por ata nuk janë të lirë të jenë policë. Dhe ndryshe nga ne gazetarët që e kemi në dorë lirinë tonë, për ta mbrojtur apo dorëzuar, ata nuk e kanë dhe aq në dorë lirinë e tyre për të qenë profesionistë. Ata u sollën shumë korrekt me ngjarjen, erdhën në vendngjarje, më shoqëruan në spital dhe më dorëzuan tek mjekët. Morën provat dhe u larguan. Drejtori i policisë së Tiranës dhe Drejtori i Përgjithshëm më vizituan dhe në spital. Pastaj më tej ata s’kanë asgjë në dorë. Të vinte keq për ta. Rezart Taçin nuk kishin fuqi ta arrestonin. Ai i merrte në telefon dhe u tregonte se kur mund të kishte kohë të shkonte t’i takonte. Përfytyroni një shtet që nuk ndalon dot një miliarder, që i ka zyrat në mes të Tiranës dhe që nga mëngjesi në mbrëmje përmend vetëm emrin e kryeministrit. Si mund të afrohet polici tek një njeri që sapo i afrohesh, bën sikur flet në telefon me Sali Berishën.

Cilat mund të jenë shkaqet që Rezart Taçi nuk u ndalua qysh në fillim?

Ata duan të shkatërrojnë provat. Mos harroni që tani Ministër i Rendit është një person në kërkim, që i ka shpëtuar një dënimi me procedurë. Ata thjesht duan të shikojnë dëshmitë tona dhe pastaj të shpikin ose shkatërrojnë prova të reja për rrethana lehtësuese për të. Ky është regjimi që ka shpikur mosndëshkimin me ligj, por me vetëgjyqësi. Vetëm ky regjim ka mundur të mbyll çështje të mëdha, për të cilat bota mund të kishte bërë luftëra civile, me procedura afatesh apo imunitete ministrash. Vetëm ky regjim ka mundur të mbyllë me procedurë gjykimin për vrasje të 26 personave apo pastrime të pastra paresh përmes sekserëve të familjes në pushtet. Mosndëshkueshmëria e krimit është identiteti i këtij regjimi. Lexoni progres-raportin e Bashkimit Europian se sa qartë e ka theksuar me dëshpërim faktin që në Shqipëri po krijohet modeli i të pandëshkueshmëve. Rezart Taçi, nëse më lejohet në krahasim, në këtë rast, është “kriminel race”.

Si e gjykoni solidaritetin e medias?

As që kam dyshuar ndonjëherë tek solidariteti i kolegëve të mi. Nuk më ka munguar kurrë. Edhe kur regjimet në këtë vend janë përpjekur të izolojnë gazetarë të veçantë përmes trustit mediatik, gazetarët nuk e kanë braktisur njëri- tjetrin. Në këtë rast duhet që solidariteti të mos jetë një gjest në mbështetje time, por një instrument për të vrarë frikën dhe për tu shkuar deri në fund të vërtetave të hidhura të këtij regjim. Solidariteti më i madh për mua, është që të shikoj sa më pak lajme të gënjeshtra për Rezart Taçin, sa më pak gënjeshtra të paguara prej tij, sa më pak përpjekje për të penguar shtetin të hetojë evazionin e tij fiskal prej qindra miliona eurosh për shkak të lidhjeve me pushtetin. Solidaritet për mua është që kolegët e mi të kenë mundësinë të thonë të vërtetën për këtë njeri që ka blerë pushtetin politik dhe atë publik me para që ua merr nga xhepat taksapaguesve shqiptarë. Ky solidaritet më bën të ndjehem i dobishëm për kolegët e mi.

Rezart Taçi në TV: Nuk po fshihem. Policia: Është person në kërkim

Biznesmeni Rezart Taçi ka duke deklaruar ne linje telefonike per disa TV se “une nuk po fshihem dhe jam gati te perballem me drejtesine”.

Ndersa policia e Tiranes thote se e ka shpallur person ne kerkim, per rrahjen e gazetarit Mero Baze. Në pranga jane qe prej mengjesit dy nga agresorët e gazetarit Mero Baze Bledar Lilo dhe Jurgen Selfo . Sipas policisë dy personat qëlluan Bazen për shkak të detyrës. Policia e Tiranës ka bërë me dije se gazetari Mero Baze ka bërë kallëzim penal për ngjarjen.

Z.Taçi pretendoi se kanë qenë bodygard-et ata që kanë qëlluar, pas provokacioneve, sipas tij, të Bazes në lokalin ku kishin rastisur se bashku mbremjen e së hënës.

Ai mohon te kete qelluar vete mbi Bazen. “Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim”, tha Rezart Taçi.

Më parë, policia e Tiranës, informoi se pas kallëzimit të bërë nga Mero Baze, policia ka ndaluar dy persona të akuzuar si agresorët e gazetarit dhe ka shpallur në kërkim policor Rezart Taçin.

Gjatë një konference për shtyp, zedhenesia e Policise, tha se “janë shoqëruar shtetasit Bledar Lilo dhe Jurgen Selfo, punonjës te kompanisë “Taçi Oil”, truproja te Taçit.(Shekulli)

o_pefHYGAUU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25800. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25800

Top