Zbulohet intervista e Ismail Qemalit më 1916, për gazetën amerikane Christian Science Monitor

Zbulohet intervista e Ismail Qemalit më 1916, për gazetën amerikane Christian Science Monitor

ismail-qemali.jpg
Në vitin 1916 Shqipëria nuk ishte vetëm një shesh beteje, ku ushtritë huaja bënin luftë. Sipas medias amerikane, kjo tokë kishte një burrë të shquar shteti me emrin Ismail Qemal Bej Vlora, që i qëndroi konsekuent idesë së tij të pavarësisë së Shqipërisë deri në fund. Gazeta shumë e njohur amerikane me qendër në Boston, “Christian Science Monitor”, ka nxjerrë së fundi nga arkivat e saj një intervistë historike. Ka zhvilluar në Paris, më 18 mars të vitit 1916, një bisedë me kryeministrin e parë të shtetit shqiptar, pra vetëm dy vjet nga largimi i tij nga ai post.</p>


Në faqen e arkivit thuhet se ajo është intervistë dhe ne nuk duhet të befasohemi se nuk kemi pyetje-përgjigje strikte, por një shkrim i bazuar mbi këtë intervistë. Madje aty botohet edhe një fotografi e rrallë, e panjohur për publikun shqiptar, por e njohur për arkivat e “Christian Science Monitor”, ku kjo fotografi ende fle në sirtarët e saj. Jemi në një situatë ku Shqipëria me të vërtetë rrezikonte integritetin e saj territorial, madje edhe pavarësinë e fituar me aq mund. Jo vetëm princ Wiedi, por edhe forcat dhe Fuqitë e Mëdha në atë periudhë pak kishin mundësi të bënin për Shqipërinë që u kthye në një vend ku hynin e dilnin ushtri, luftonin me njëra-tjetrën si të ishte një tokë pa zot. Madje, sipas historianëve, Shqipëria është në vend të parë në Evropë për nga numri i ushtrive të huaja që kanë luftuar këtu. Një gazetar i “Christian Science Monitor” arriti jo vetëm të takohet, t’i bëjë fotografi dhe të bisedojë për çështjen e Shqipërisë dhe Ballkanit me plakun flokëbardhë. Është interesant fakti se Ismail Bej ka treguar të dhëna që botohen për herë të parë dhe ashtu ato i ka zënë pluhuri i arkivit. Falë hapjes së arkivave të gazetës, tashmë historia shqiptare dhe e Ismail Qemalit ka një dëshmi më shumë. Ai flet aty për kontributin që dha në Turqi, fundin e perandorisë turke dhe përpjekjet e tij për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë ai rrëfen momentin si e shpalli në Vlorë Pavarësinë, ecejaket, shtetet që e ndihmuan por edhe interesat e tyre. Një fakt i panjohur më parë është ndihma që ka dhënë princ Mirko i Malit të Zi, duke i vënë në dispozicion Ismail Qemalit edhe materiale ndihmë. Por që më shumë se kaq, ai parashikonte dhe besonte se vetëm Anglia do të ishte shteti që do ndihmonte dhe mbështeste Shqipërinë në lirinë e të ardhmes. Një intervistë që po e ribotojmë ashtu siç është botuar 93 vjet më parë.</p>


Ismail Qemali: “Une dhe pavaresia e shqiperise”</p>


Paris, Francë – Në prag të një interviste premtuar përfaqësuesit të “The Christian Science Monitor”, burri i shtetit i njohur shqiptar, Ismail Qemal Bej, i cili shkroi pavarësinë e vendit të tij pas shekujsh në sundimin turk, shpjegon me detaje historinë e brendshme të ngjarjeve që çuan në ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë, në Nëntor 1912. Këto detaje, sipas tij, nuk janë publikuar asnjëherë.
Gjithë jeta publike e Ismail Qemalit është bazuar në idenë e zhvillimit të Shqipërisë dhe progresit krah për krah me Turqinë e begatë dhe të mirë-administruar. Këto dy elementë, sipas tij, ishin themelorë për një zgjidhje të fortë të çështjes së Ballkanit. Ai është mbase i vetmi burrë shteti i mbijetuar, i cili deri në momentin e fundit punoi në mënyrë konsekuente dhe konstante për mbajtjen e Turqisë dhe sigurimin e gjithë kombësive në perandori të së drejtës për të marrë pjesë në qeverisje dhe gëzimin e drejtësisë së plotë. Turqia, sipas tij, është devijuar nga rruga e drejtë prej Partisë së Re Turke, e cila ka ndaluar zbatimin e politikës së vetme nga e cila do ishte rigjeneruar, duke e zëvendësuar me një politikë që e kishte çuar në shkatërrim të plotë moral.
Në verë të vitit 1912, kur Lufta e Ballkanit dukej e paevitueshme, Qemal Bej bëri një përpjekje finale për të ndryshuar drejtimin e fatit të Turqisë. Gjërat në ato kohë lëviznin me shpejtësi dhe tendenca e përgjithshme e ngjarjeve rezultoi në një ligë të shteteve ballkanike për të rrëzuar Turqinë. Rreth kësaj periudhe mbreti i Malit të Zi kishte hapur negociatat me synimin që të bindte Ismail Qemalin ta vizitonte për një konferencë. Ky i fundit u takua me gjeneral Becel, i dërguari i mbretit i cili e nxiti të shkonte në Cetinjë për të takuar mbretin, por Ismail Qemali e konsideroi të paarsyeshme, parë nga këndvështrimi politik i momentit. Sidoqoftë, ai ra dakord që të shoqëronte gjeneralin Becel në Shën Porta Rosa, ku takoi trashëgimtarin, princin Mirka, dhe përfundimisht vendosi të mos e vizitonte mbretin. Në mënyrë që të parandalonte Shqipërinë të përzihej në Luftën e Ballkanit që ishte në prag, princi Mirka nxiti Ismail Qemalin të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Sipas princit Mirka, Mali i Zi do të lejonte kalimin e gjithë mjeteve të nevojshme në territorin e tij dhe gjithashtu do furnizonte me materialet e nevojshme të luftës Shqipërinë, në mënyrë që ajo të mbronte, nëse do ishte e nevojshme, interesat e saj ndaj pushtuesit turk dhe mbi të gjitha Shqipëria të ndërmjetësonte me Rusinë për të përtuar pranimin e saj të heshtur për autonominë e Shqipërisë. Ismail Qemali, që pa se Turqia ishte drejt fundit të saj dhe se Shqipëria gjithashtu do të vuante pasojat nëse s’bëheshin disa ndryshime, parashikoi gjithashtu se do ishte e padobishme të deklaronte pavarësinë e Shqipërisë nëse ajo më vonë do përballej me kapriçot e Rusisë, pasi ishte një ligj i pashkruar rus për të mos përkrahur asnjë shtet jo-sllav në Ballkan. Gjatë negociatave ishte kuptuar gjithmonë se ndërkohë që rivendosja e territoreve në Ballkan ishte e paevitueshme dhe disa popuj duhej të liroheshin nga sundimi turk nëse ai s’reformonte politikat në mënyrë urgjente, por Turqia nga ana tjetër nuk do merrte fund. Pas këtij diskutimi, Ismail Qemali u kthye në Kostandinopojë për të bërë përpjekjen më supreme të jetës së tij për ta kthyer Turqinë nga rruga që kishte marrë. Fakti se ai mund ta shihte Turqinë nga një këndvështrim i jashtëm dhe, se e dinte ekzaktësisht cili ishte plani i shteteve ballkanike, e vendoste atë në një pozicion unik nga ku mund të shihte qartë dhe të kishte parasysh se si shpërthimi kërcënues mund të shmangej. Ai kishte përpjekje të mëdha për të bindur qeverinë të ndryshonte programin teksa ishte akoma në kohë për të shpëtuar Turqinë, por ato kishin rezultuar të padobishme, ndaj ai bëri më të mirën që mundte në ato rrethana për Shqipërinë.
Pikërisht në këtë kohë Qamil Bej, anglofili i madh, ishte vezir i madh dhe i ofroi Ismail Qemalit vendin e presidentit të “Conseil D’Etat”, por duke qenë se dhe vetë i madhi Qamil Bej nuk ishte në gjendje të kryente ndonjë reformë reale dhe Partia e Turqve të Rinj ishin të përkushtuar ndaj politikave të tyre. Ismail Qemali e refuzoi emërimin dhe përpara se të largohej nga Kostandinopoja kishte shpërthyer Lufta e Ballkanit. U bë e detyrueshme që Ismail Qemali të kthehej në vendin e tij sa më shpejt të ishte e mundur dhe ai u largua nëpërmjet Vjenës, ku pati një intervistë me kontin Berehtold. Armiqtë e Ismail Qemalit nuk hezitojnë të thonë se ai ia shiti Shqipërinë Vjenës, çka ai thotë jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është një shpifje dashakeqe mesa kanë dëshmuar faktet.
Me mbërritjen e tij në Vlorë, në Nëntor të vitit 1912, ai gjeti jo më pak se 60 delegatë që përfaqësonin jo vetëm qarqet e vendit, por edhe pasuesit të katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve, të cilët morën pjesë në një konferencë kombëtare, ku ishin të pranishëm gjithë krerët e rëndësishëm të Shqipërisë. U votua pavarësia e Shqipërisë dhe Ismail Qemal Bej u emërua kreu i qeverisë së re dhe ministër i Jashtëm. Kushtetuta u hartua sipas modelit zviceran. Ismail Qemali qëndroi kreu i qeverisë për 14 muaj. Në përgjigje të pyetjes se pse gjithë Fuqitë e Mëdha po kacafyteshin për Shqipërinë, Ismail Qemali iu përgjigj se çështja shqiptare përmblidhet me pak fjalë. Fillimisht ishte një marrëveshje mes Austrisë dhe Italisë, të cilat siguruan që pavarësisht asaj që ndodhte, ata do insistonin që status quo-ja e Shqipërisë të vazhdonte. Nuk duhet të imagjinohet se kjo marrëveshje ishte në interes të Shqipërisë, pasi në të kundërt, të dy këto vende lakmonin portet e Adriatikut shqiptar, pavarësisht se secili prej këtyre dy vendeve preferonte të mos i kishte nëse do ishte e nevojshme për të mos i pasur vendi tjetër. Këto porte në duart e Austrisë ose Italisë do të përcaktonin virtualisht kontrollin e Shqipërisë, e cila kishte shërbyer si kocka e sherrit ndërmjet Austrisë dhe Italisë, ndaj dhe çështja e Shqipërisë u la për një kohë të gjatë e pazgjidhur. I pyetur se cila ishte politika e duhur për të ardhmen e Shqipërisë, Ismail Qemali u shpreh se shpresa për të ardhmen e vendit të tij ishte në Angli. Ai kishte si synim të vazhdonte të punonte për një Shqipëri të lirë me autonominë e saj. Ajo çka donin shqiptarët ishte të liheshin në punën e tyre. Ishte e rëndësishme që bota të njihte faktin se Shqipëria ishte raca më e vjetër në Evropë dhe duhej lënë të çonte përpara civilizimin e saj. Ndërkohë që ata s’ishin një popull i madh tregtar, ata kishin qenë të mëdhenj në shumë forma të tjera. Shumë prej burrave të shtetit dhe gjeneralëve të Orientit e kishin prejardhjen në Shqipëri dhe ky vend ishte akoma në gjendje t’i jepte Orientit atë cilësi intelekti që ishte e nevojshme dhe që do kishte qenë e vështirë të gjendej diku tjetër. Për momentin ato ishin privuar nga një pjesë e madhe e territorit që u takonte, pasi fqinjët e tyre kishin marrë territore të mëdha me anë të pretendimeve jo shumë bindëse, duke u lënë vetëm malet. Një pjesë e madhe territori ishte marrë për shembull nga Mali i Zi, me pretendimin se dikur në atë territor ishte një manastir murgjish malazezë. Njerëzit kërkuan që territori të kthehej. Nëse Shqipëria do ruhej, nuk bëhej fjalë që ajo të përfshihej në Serbi, Greqi apo Maqedoni, pa përmendur Italinë. Populli donte kufijtë e tij bazuar në fakte etnike. Aty ku territori përfshinte 80 për qind e më shumë subjekte shqiptare, atëherë ajo pjesë duhej përfshirë në kufijtë e vendit. Në Shkodër për shembull, nëntë të dhjetat e popullsisë ishin shqiptare dhe sërish Mali i Zi pretendonte ta merrte. Shqiptarët nuk ishin vetëm në këtë ditë shumicë në këtë pjesë të vendit, për të cilën ata pretendojnë se do jetë Shqipëria e së ardhmes, por ata kishin qenë aty që prej lashtësisë. I pyetur se si priste që të viheshin në vend kërkesat e popullit të tij, Ismail Qemali u përgjigj se shpresa e tij e madhe ishte ndërhyrja e Anglisë për zgjidhjen finale. Vetëm nëse e shkuara e saj do të ishte një hipokrizi e madhe, të cilën ai s’e besonte, përndryshe Anglia ishte e detyruar të mbronte kombet e vogla. Burrat e shtetit anglez e dinin shumë mirë se në momentin që ato do hiqnin dorë nga ideja e dhënies së një ndihme të tillë, Anglia do humbiste atë që ishte elementi kryesor i madhështisë së saj. Edhe pse kishte parë fakte që dëshmonin të kundërtën, Ismail Qemali deklaroi: “Unë vazhdoj të kem besim se influenca e Anglisë do të përdoret për t’i siguruar Shqipërisë lirinë”.</p>

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=24123. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=24123
 
Top