Re: Vrasja e Xhinxhiçit dhe mesimet qe duhet te nxjerrin shqiptaret prej saj
SERBOFILËVE SHQIPTAR U VDIQ KRYEMINSTRI
Politika dhe një pjesë e madhe e medias në Shqipëri e trajtoi vdekjen me vrasje të kryeminsitrit nacional-shovinist serb si vdekje te kryeminstrit të vet, me të vetmin përjashtim se nuk u shpallën tri ditë zije. Por edhe kjo e ka shpjegimin e vet. Kryeministri i vërtetë i Shqipërisë nuk është në një, por në dy persona: kryeminstri grek dhe kryeminstri serb. Me vdekjen e kryeminstrit serb, pra, ka vdekë “gjysma e kryeminstrit” ose ½ e kryeminstrit të Shqipërisë, prandaj nderimi zyrtar mbetet paksa i paplotë: u mbajt zi në Kuvend, por nuk u shpall ditë zije kombëtare, ose tri ditë zije kombëtare.
Sjellja e politikanëve dhe pjesës më të madhe të medias së Shqipërisë si t’u kishte vdekë kryeminsitri i vetë është “normale”, në kuptimin e pritëshme: kushdo që e ka ndjekë veprimtarinë e këtyre dhjetë vjetëve e di se politikanët e Shqipërisë, Nano-Berisha dhe gjithë aleatët e tyre politik, mediatik e “intelekrual”, janë thjeshtë në shërbim të nacional-shovinizmave grekë e serbë, qeveri kuislinge të vendosura në pushtet e në krye të shoqërisë dhe të mbajtura në pushtet me mbështetjen e Serbisë e të Greqisë.
Sjellja kundër interesave të vendit të vet, të Shqipërisë dhe popullit shqiptar ka filluar t’ua shpifë edhe antinacionalistëve dhe kozmopolitëve të botës. Para dy vitesh raportuesit e ICG (2001:27) të njohur për antinacionalzimin dhe kozmopolitizmin e tyre dukej sikur kanë mbetë të shtangur me antinacionalizmin dhe internacionalizmin e politikanëve të Shqipërisë: “qeveria e tashme shqiptare e ka rrokë internacionalizmin me aq lakmi sa ka dështuar të artikuloj edhe çka konsiderohet një program kombëtar legjitim”; historiani amerikan, Bernd Fisher, që është marrë me historinë e Shqipërisë konstaton (sipas një interviste dhënë VOA) se politikanëve shqiptar u mungon çdo nacionalizëm ose “çka ne në SHBA e quajmë patriotizëm”; këto ditë, vetë shefi i ICG përsëriti në VOA se politikanëve shqiptar u mungon dashuria për atdheun (VOA, 13.03.2003).
Por, derisa politikanët shqiptar (lexo gjithnjë “Bashkimi për Fitore” dhe “Aleanca për shtetin”, si edhe “intelektualët” e media që i mbështetë) nuk kanë asnjë pikë nacionalizmi dhe atdhedashurie për kombin dhe atdheun e vetë, gjatë gjithë veprimtarisë së tyre i janë bashkuar nacional-shovinizmit grek dhe serb. Në këtë rast ata u bashkuan në dhimbjen e zinë për vdekjen e kryeminsitrit nacional-shovinist serb, Zoran Xhinxhiç.
Zi “shqiptare” për nacional-shovinistin serb
Nga vajtuesit shqiptar të Xhinxhiçit, kryeministri serb është paraqitë si properëndimor, reformist, pragmatist në vend se nacionalist, kundërshtar i Millosheviçit, demokrat, njeri me të cilin mund të bisedohej. Këto cilësi të tij janë paraqitë si arsye “e dhimbjes shqiptare” dhe e të mbajturit zi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ky lloj arsyetimi i “zisë shqiptare” për Xhinxhiçin është i pabesueshëm për shqiptarët dhe për këdo që mendon:
Së pari, properëndimor, reformist, pragmatist në vend se nacionalist, kundërshtar i Millosheviçit, demokrat etj., kanë qenë edhe Arben Broci, edhe Azem Hajdari, por Kuvendi i Shqipërisë (socialistët dhe aleatët e tyre) nuk ka pranuar të mbaj zi për vdekjen e tyre tragjike. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka mbajtë zi as për vdekjen tragjike të Fehmi Aganit dhe shumë politikanëve të tjerë të shquar shqiptar jashtë kufijve politik. Por derisa Kuvendi i Shqipërisë nuk ka pranuar të mbaj zi për vdekjen e politikanëve shqiptarë si Arben Broci, Azem Hajdari etj., po e bën traditë të mbaj zi për vdekjen e nacional-shovinistëve të ndryshëm sllav si Lenini, Stalini e deri tek Xhinxhiçi.
Pastaj po të ishte se i duan kaq shumë reformat e reformistët, politikanët shqiptar do t’i kishin realizuar reformat në vendin e vet, në Shqipëri; po të ishin kaq simpatizant të demokracisë, do ta kishin vendosë demokracinë në Shqipëri; po të ishin kaq simpatizant të bisedimeve dhe njerëzve “me të cilët mund të bisedohet” do të bisedonin më njëri-tjetrin; po të ishin kaq antinacionalistë, nuk do të bashkoheshin me nacional-shovinizmin serb e grek; dhe po të ishin kaq anti-Millosheviq as nuk e kishin takuar dhe as nuk kishin mbështetë shumë ide dhe veprime të tij të mbrapshta.
Së dyti, Xhinxhiçi ka qenë nacionalist-pragmatist serb si gjithë kryeministrat e Serbisë dhe asgjë të veçantë nuk ka në te, veç imoralitetit dhe pabesisë universale të tij.
I lindur në Bosnjë si bir i një oficeri serb të ushtrisë jugosllave, gjatë dhjetëvjetëshit të luftrave në ish-Jugosllavi, Xhinxhiç ka mbështetë kriminelët më të mëdhenjë serbë të luftës. Ai ka qenë aleat i ngushtë dhe bashkëpunëtor me Radovan Karaxhiçin, Vesna Peshiçin, Zheljo Razhnjatoviçin – Arakanin, Vuk Drashkoviçin etj., etj.
Nacional-shovinizmi i Xhinxhiçit është i dëshmuar gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit:
Kështu p.sh. edhe pse ka dalë si kundërshtar i Millosheviçit, “më 1994, kur Sllobodan Millosheviçi u dha para presionit të NATO-s, Xhinxhiç udhëtoi për në Pale dhe e solidarizoi veten demonstrativisht me nacionalistin serb Radovan Karaxhiç” . Kur Karaxhiçi kryente plojën e përgjakshme kundër popullsisë civile joserbe në Bosnjë-Hercegovinë, Xhinxhiç, përkundër Millosheviçit shkoi dhe e mbështeti Karaxhiçin e maskrat e tij. Dhe siç e përshkruan edhe Tim Judah, gazetar i BBC (6.3.2001, 13:47 GMT), është bërë e famshme pjekja e një kau për të festuar bashkë me Karaxhiçin, me mish kau të pjekur e raki ‘shlivovicë’ plojën, masakrën etnocide kundër popujve joserbë në Bosnjë-Hercegovinë. “Kryeminstri Xhinxhiç njëherë ishte krah për krah me serbët e Bosnjes në kodrat jashtë Sarajevës kur këto forca bluan pa mëshirë (“mercilessly pounded”) popullsinë civile të qytetit” (Jeffrey Gedmin: The Ëall Street Journal, 2.4.2001).
Në këtë logjikë etnocide Xhinxhiç ka kërkuar frenimin e shtimit të popullsisë shqiptare në Kosovë (Peter Schëarz).
Në vitin 1997, “kërksat e tij të mëhershme demokratike ishin zevendësuar shpejt me sloganet nacionaliste. “Sot unë nuk jamë më politikan i parimeve. Unë përpiqem të ndërtoj një politikë realiste, dhe e di çmimin e kësaj” i tha në janar 1997 revistës Die Ëelt. “Unë e di se askush nuk mund të bëj një politikë që do të drejtonte vullnetin e shumicës së Serbisë pa marrë parasysh frikën kombëtare të popullsisë. Nëse ky është nacionalizëm, atëherë unë jam nacionalist” (Peter Schëarz: ËSËS: 30. 07. 1999).
Gjatë gjithë kësaj periudhe Xhinxhiç mbante lidhje dhe “kishte takime të herë pas herëshme me Zheljko Razhnjatoviçin, udhëheqësin e vrarë të paramilitarëve dhe shefin mafioz me pseudonimin Arkan, që drejtoi majën e heshtës së disa fushatave të spastrimit etnik në Koraci dhe Bosnjë” (Tim Judah, BBC, 6.3.2001, 13:47 GMT).
Xhinxhiç ishte një nga miqtë dhe mbështetësit e Zheljko Razhnjatoviç - Arakanit shefit të paramilitarëve serb dhe mafizo që udhëhoqi masakrat, përdhunimet e femrave shqiptare, prerjet e kokave të burrave dhe fëmijëve shqiptar në Kosovë gjatë etnocidit serb kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999.
Gjatë vitit të fundit Xhinxhiç ndërmori një fushatë të gjërë nacionaliste serbe kundër faktorit ndërkombëtar, UNMIK, KFOR etj., dhe shqiptarëve në Kosovë. Ai realizoj një fushatë të ethëshme nacional-shoviniste me vizita nëpër kancelaritë e Evropës, SHBA-ve, Rusisë etj., dhe letra drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bushit, Putinit, Shirakut, Shroedeerit, Blerit etj., kundër Kosovës. Programi i Xhinxhiçit i shprehur në gjithë këto veprimtari përfshinë, ndër të tjera: “federalizimin” e Kosovës, krijimin e njesisë politike serbe mbrenda Kosovës; rikthimin e Kosovës nën pushtetin e Serbisë; pengimin e bartjes së kompetencave nga UNMIK dhe KFOR tek institucionet e Kosovës; nxitjen e serbëve të Kosovës kundër institucioneve të Kosovës dhe për krijimin e njesive politike serbe në Kosovë.
Për realizmin e programit nacionalist serb Xhinxhiç kishte filluar një fushatë për demonizimin e Kosovës e të shqiptarëve dhe për prekjen e ndjeshmërisë pernëdimore ndaj reformave dhe stabilitetit të rajonit: në veprimtarinë propagandistike të Xhinxhiçit fillon paraqitja e Kosovës si faktor destabilizimi për gjithë rajonin; paraqitja e Kosovës si shkak pse nuk ecin reformat në Serbi dhe përgjithësisht si shkak i trazirave në Serbi; përshkrimin e Kosovës si qendër terrorizmi, deri analogjitë e Kosovës me Irakun: “Kryeminstri serb Zoran Xhnxhiç tha se Kosova është problem kombëtar dhe i sigursë që duhet zgjidhë”. Ai e barazoi rëndësinë e Kosovës për Beogradin me rëndësinë e tashme të Irakut për administratën e Bushit” (RFE/RL, Pragë, 27.02.2003).
Megjithë këto qëndrime nacionaliste dhe renditjen e tij krah për krah nacional-shovinizmit më të egër serb, fushatave të spastrimit etnik dhe masakrave masive ndaj popullsive civile joserbe, kroate, boshnjake e shqiptare disa përpiqen ta portretojnë si jonacionalist ose ta zvoglojnë, ose ta legjitimojnë prirjen nacional-shoviniste të Xhinxhiçit. Kështu p.sh. analisti i BBC, Gabriel Partosh, thotë se: Xhinxhiç “nuk kishte ndonjë ndjenjë të theksuar nacionaliste apo angazhimi të mirëfilltë që Kosova të mbetej nën Serbi. Sigurisht ai nuk mund ta thoshte këtë publikisht, por z. Xhinxhiç hodhi disa propozime që tregojnë një shkallë fleksibiliteti për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Në komentin e vet Partosh pranon se Xhinxhiç kohët e fundit ka filluar një fushatë nacionaliste serbe, por shton se: “komentet e tij të fundit, bëheshin thjeshtë për qëllime pragmatike në kuadrin e fushatës për zgjedhjet e ardhëshme” dhe “synonin të bënin për vete nacionalistët serbë” (Partosh, BBC, 13.03.2003).
Ky është edhe përfytyrimi dhe bindja që janë përpjekë të krijojnë për Xhinxhiçin edhe politikanët, media dhe “intelektualët” në Shqipëri dhe tek shqiptarët. Ky është një shembull i përpjekjeve për të legjitimuar nacionalizmin serb me çdo mjet, me çdo kusht dhe me çdo çmim, edhe me çmimin për të dalë mashtrues, të paditur, inkoherentë dhe imoral. Është pikërisht kjo rrymë mendore e politike që po t’u thuash se populli, votuesit serb janë nacional-shovinist kundërshtojnë me argumentin se “nuk janë populli, votuesit serbë nacional-shovinist, por elita politike që e manipulon, ndërsa populli është i mirë”. Ndërsa kur u thuhet se elita serbe, duke përfshi edhe Xhinxhiçin, është nacionaliste dalin e thonë se “elita, Xhinxhiçi, nuk janë nacionalist por hiqen si të tillë sepse kështu i do elektorati, populli, votuesit”. Është imorale, ose padituri e thellë, të fshihen faktet që u përmendën më sipër se Xhinxhiçi ka qenë krah për krah me kriminelët më të egër të luftë serbe si Karaxhiçi e Arakani, se ka festuar me ta shfarosjen e popujve joserbë duke përfshi edhe shqiptarët, se vetë ka kërkuar paksimin e shtimit të popullsisë shqiptare si rrugë për zhdukjen e tyre të plotë etj. Është imorale të fshihet fakti se këto shfaqje të Xhinxhiçit nuk janë vetëm të kohëve të fundit dhe në prag fushatash zgjedhore, por se nga viti 1994 e deri tek fushata e fundit nacionaliste shtrihen plot nëntë vjet të veprimtarisë nacionaliste dhe etnocide të tij. Krejt në këtë logjikë njeriu mund të thotë se Hitleri nuk ka qenë antiçifut, por këtë nuk guxonte të thoshte; se Stalini nuk ka qenë për diktaturën e proletariatit, por këtë nuk guxonte ta thoshte, se Bin Ladeni është pro-çifut por këtë nuk guxon ta thotë etj. (Dhe pastaj ka njerëz që e mbajnë Partoshin ose të ngjashmit si analistë të thellë!).
Por duket se për legjitimimin e sforcuar, me çdo kusht, me çdo mjet e me çdo çmim të Xhinxhiçit është gjetur fjala magjike: Xhinxhiçi ka qenë pragmatist: “por mbi të gjitha ai është një politikan pragamtist, ose, siç do të thoshin zvogluesit e tij, një oportunist politik imoral” (Tim Judah)
Xhinxhiçi – njeriu me të cilin nuk mund të bisedohet
Portretin e Xhinxhiçit, krejt në pajtim me gjithë analistët dhe njohësit e tij, e ka dhënë shkurt dhe saktë edhe një prej analistëve shqiptar mjaft i ngjashëm me te, V. Surroi: “Me të ecur të kohës, u bë bashkëbisedues dhe pjesmarrës në marrëveshje të fshehta me shumë njerëz, prej Millosheviçit e deri te njësitë sepciale të njohura për vrasje në Koraci, Bosnjë e Kosovë. Prej bindjeve demokratike kaloi në ato të pragmatizmit të përditshëm: çfarëdo aleati është i mirë për qëllimin. Qoftë ai liberal-demokrat, shkrimtar, vrasës apo kontrabandist me cigare... Vazhdonte me një dualitet: do të mund të zhvillonte njëkohësisht bisedë të thellë intelektuale dhe bisedë biznesi që i afrohej skemave kontrabandë” Se ai ishte “largë imazhit të një demokrati e më afër të një njeriu që bën pakt edhe me dreqin” (Veton Surroi, Tema, 14.03.2003).
Gjatë jetës së tij Xhinxhiç ishte bashkuar me të gjithë, dhe i kishte tradhtuar të gjithë. Gjatë qëndrimit në Gjermani, si i ndjekur nga regjimi i Millosheviçit, merrej njëkohësisht me filozofi e mbrojtjen e doktoraturës dhe me tregtinë e makinerive dhe prodhimeve tekstile. Ishte admirues i ideve të majta të Jürgen Habermaas dhe bashkohet me grupet ekstreme Baader-Meinhof. Gazeta gjemane “Die Zeit” që në qershor 1997 duke konstatuar etjen për pushtet me çdo mjet e me çdo aleat parashikon se Drashkoviç dhe Xhinxhiç: “të dy, edhe në të ardhmen nuk do të mund të udhëhiqen nga asgjë tjetër veçse nga vullneti i tyre për pushtet”. Po ashtu gazeta “Tages Anzeiger” konstatonte se shqetësimi i tyre ishte “shumë më pak për të drejtat e njeriut dhe demokracinë se sa për pushtetin e vet” (Peter Schëarz).
Shkurt, Xhinxhiç, ishte njeri që bënte alencë dhe marrëveshje me të gjithë, intelektual dhe kontrabandistë, të majtë dhe të djathtë, liberal dhe fashistë, me Millosheviqin dhe armiqtë e tij, me kriminelët e luftës dhe gjykatën e Hagës ku i dërgonte këta aleatë, me kontrbandistët dhe policinë që i luftonte ata dhe të gjithë i tradhtonte duke u bashkuar me kundërshtarët e tyre.
Tani ky njeri që nuk kishte lënë marrveshje pa bërë dhe që i kishte tradhtuar të gjitha, aleancë pa bërë dhe të gjitha i kishte tradhtuar, paraqitet si njeriu me të cilin mund të bisedohej dhe se prandaj vdekja e tij është humbje e madhe për Serbinë e rajonin! Nuk është çudi aspak që një njeri që i ka tradhtuar të gjithë, i ka prerë në besë të gjithë të vritet një ditë. Çudi është që ka jetuar deri tani.
Por çudia (në fakt imoraliteti) më e madhe është kur Xhinxhiçi paraqitet si “njeriu me të cilin mund të bisedohej”. Një njeri gjithë jeta e të cilit ka qenë tradhti e fjalës së dhënë, që nuk mban asnjë premtim, asnjë aleancë, që i tradhton të gjithë e gjithëçka, që duket sikur bën marrveshje dhe e jep fjalën pikërisht për ta tradhtuar, gjithçka mund të jetë, por vetëm njeri me të cilin mund të bisedohet e me të cilin mund të bëhet marrëveshje nuk mund të jetë. Vetë faktori ndërkombëtar deklaronte për Millosheviçin se me te nuk bisedohet mbasi ai nuk i mban premtimet, se Perëndimi është lodhur nga mosmbajtja e fjalës nga Millosheviçi etj. Po ashtu tani deklarojnë se Sadamit nuk i besohet, se Sadami nuk i mbanë premtimet dhe angazhimet para faktorit ndërkombëtar etj. Ndërsa Xhinxhiçit pikërisht këto tipare që Millosheviçit i quheshin ves, atij i quhen virtyt, pragmatizëm.
Kështu edhe argumenti i politikanëve shqiptar se mbajnë zi për Xhinxhiçin sepse kanë humbur një njeri me të cilin mund të bisedohej hidhet poshtë: Xhinxhiçi ishte një njeri me të cilin nuk mund të bisedohej, nuk mund t’i besohej asnjë bisede me te, sepse tipari më i theksuar i personalitetit të tij ishte tradhtia e çdo marrëveshjeje dhe bisede.
“Pro-perëndimori” si kontrbandistë dhe imoral
Politikanët, media dhe “intelektualët” në Shqipëri thonë se mbajnë zi për Xhinxhiçin sepse ishte politikan pro-perëndimor.
Parë nga interesat shqiptare në qoftë se Xhinxhiç ishte pro-perëndimor dhe i llastuari i Perëndimit kjo do të ishte në dëm të pavarësisë së Kosovës, sepse Xhinxhiçi mund ta përdorte simpatinë e Perëndimit për t’i bërë lëshime në Kosovë. Pikërisht këtë strategji është përpjekë ta përdorë Xhinxhiç: gjithë fushata e tij e fundit propagandonte se reformat që kërkon Perëndimi në Serbi nuk mund të zbatohen pa u kthyer Kosova nën Serbinë demokratike. Ndarja e Xhinxhiqit me Millosheviçin nuk ka qenë se njëri ishte nacionalist dhe tjetri nuk ishte, por se Xhinxhiç mendonte se sundimi i Serbisë mbi Kosovën nuk mund të mbahet me luftë kundër Perëndimit, por mbahet më mirë duke e bindë Perëndimin se Kosova nuk ka asnjë arsye të dalë jashtë Serbisë në qoftë se Serbia është demokratike dhe respekton të drejtat e njeriut dhe të minioritetit. Perëndimi nuk do të kishte “asnjë arsye” t’i jepte Kosovës pavarësinë nga një Serbi demokratike dhe evropiane. Xhinxhiç është ndarë nga Millosheviçi, sepse mendonte se e realizon më mirë nacional-shovinizmin serb për të mbajtë Kosovën të lidhur me Serbinë.
Këtu nuk është vendi të bëhet analizë e gjatë se Xhinxhiç nuk është shquar për reformator dhe zbatim të standartave të demokracisë as mbrenda Serbisë. Siç ankohej shoqta serbe e mediave, partia e Xhinxhiçit nuk sillej më mirë se Millosheviçi p.sh. as ndaj lirisë së shtypit dhe se: “Zoran Xhinxhiç, madje, e kalon edhe vetë Millosheviçin (Yumediacenter 4.12.2002, qendra mediatike Beograd).
Më tepër, në rast se Xhinxhiç është pamja e politikanit pro-perëndimor, atëherë termi “pro-perëndimor” del së shënon tipin e politikanit të korruptuar, të pabesë, që lidhë çdo lloj aleance dhe e tradhton atë, që bashkohet me vrasësit që kryejnë spastrime etnike dhe pastaj i dorëzon në gjykatën ndërkombëtare, që lidhet me grupet mafioze dhe shefat e tyre dhe pastaj i vret, që lidhet me kontrabandistë dhe pastaj u lëshon në kurriz policinë, që lidhet me policinë dhe pastaj u lëshon në shpinë kontrabandistët etj., etj.
Dhe, vërtetë, po krijohen secilën herë e më shumë të dhëna për të shkuar në përfundimin përgjithësues se “politikan pro-perëndimor” do të thotë politikan i korruptuar, kontrabandistë, i lidhur me krimin e organizuar. Kështu p.sh. Xhinxhiç është quajtur pro-perëndimor dhe ka pasë lidhje me krimin e organizuar dhe kontrabandën mafioze (p.sh. me Araknin); në Mal të Zi si politikan pro-perëndimor dhe reformist është paraqitë Milo Gjukanoviç, i cili, po ashtu është përfolur publikisht dhe është akuzuar për kontrabandë cigaresh dhe krime të tjera të organizuara; në Shqipëri të gjithë janë mbajtë si pro-perëndimor dhe të gjithë është dëshmuar se kanë lidhje me kontrabandën, krimin e organizuar dhe se e kanë zhytë gjithë vendin në korrupsionin më te thellë të përjetuar ndjonjëherë. Kështu ndoshta edhe një studim sistematik mund të tregoj se vërtetë termi shpreh një barazim: poltikan pro-perëndimor = i korruptuar + kontrabandist + i lidhur me krimin e organizuar. Në qoftë se ky është kuptimi i “politikanit pro-perëndimor” atëherë Xhinxhiç ka qenë vërtetë politikan pro-perëndimor.
Ndoshta politikanët, mediat dhe “intelektualët” shiptar mbajtën zi për Xhinxhiçin pikërisht edhe sepse ai është shëmbëlltyra e tyre, karakteri i lakmuar, lloji i lakmuar i personalitetit dhe politikanit. Të gjithë politikanët shqiptar, media dhe “intelektualët” do të dëshironin të jenë kampion të tradhtisë, të aleancave edhe me dreqin vetëm për të arritë ose për të mbetë në pushtet, i lidhjes me kontrabandistë dhe krimin e organizuar etj., etj. Merre me mend, ka shqiptar që e mbajnë poltikan të zotin Sabri Godon, sepse Godo i ndërron shpesh aleancat, i tradhton aleatët e dikurshëm dhe pastaj bashkohet prap me ta. Si kudo, kampion i tradhtisë së çdo marrveshjeje, fjale dhe aleance po përpiqet të bëhet Berisha.
Edhe argumentis e Xhinxhiç ka qenë pro-perëndimor bie: ai ka qenë shëmbëlltyrë e politikani imoral, të lidhur me krimin e luftës dhe krimin ekonomik. Është ky imoralitet dhe kjo politikë kriminalo-mafioze që e kanë bërë të dashur për politikanët e Shqipërisë, median dhe intelektualët që i mbështesin ata dhe nje nga arsyet e mbajtjes zi.
Intermexo: privilegjimi evropian i sllavëve përballë shqiptarëve
Vrasja e Xhinxhiçit dhe qëndrimi i BE ndaj vrasjes është edhe një shembull i dashurisë së veçantë evropiane për serbët në krahasim me shqiptarët. Po të kishte ndodhë një vrasje edhe më e vogël në Shqipëri, BE menjëherë do ta ndëshkonte me sanksione, do të shtynte shumë marrëveshje dhe gati sa nuk do ta izolonte. Ndërsa në Serbi pikërisht se ndodhi një vrasje politike BE nxitoj t’i gjendet pranë, i ofroi ndihma, shpejtimin e antarësimit të plotë në Këshillin e Evropës etj.
Po kështu, derisa nënshkrimi marrëveshjes së shoqërimit me BE për Shqipërinë u shty gjatë sepse ishte karaterizuar nga konfliktet, për FYROM nëshkrimi u shpejtua pikërisht sepse kishte konflikte dhe u nënshkrua para afatit kur shpërtheu lufta ndërmjet shqiptarëve e sllavo-maqedonasve. Kështu për të njëjtat dukuri që shqiptarët ndëshkohen nga BE, sllavët e rajonit shpërblehen nga BE.
Një komb, një qëndrim: të përulemi përballë nacional-shovinizmit serb
Kur shpërtheu lufta serbo-shqiptare në Kosovë dhe kur filloi bombardimi nga NATO shumë parti politike u mblodhën për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahej në këtë luftë. Motoja e takimit u bë parulla “një komb, një qëndrim”, por se cili do të ishte qëndrimi nuk u tha asnjëherë dhe nuk u arrit të mbahet një qëndrim. Kur u vranë tragjikisht Arben Broci dhe më vonë Azem Hajdari në Kuvendin e Shqipërisë nuk arrit të mbahet një qëndrim, të mbahej zi për vrasjet e tyre tragjike, por u ndanë në ata që kërkonin të mbahet zi dhe në ata që nuk pranonin.
Por kur erdhi radha për mbajtjen zi për një nacional-shovinist të dëshmuar serb, dhe për një kontrbandist e tradhtues të çdo fjale të dhënë e të çdo marrveshjeje të bërë të gjitha partitë politike parlamentare të Shqipërisë u bashkuan dhe mbajtën zi. Kështu, parulla një komb një qëndrim më në fund u konkretizua: partitë u bashkuan në idenë se duhet mbajtë zi për një nacional-shovinist serb, për njeriun që kishte festuar dhe mbështetë etnocidin ndaj shqiptarëve e popujve të tjerë të rajonit. Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës u përulën dhe mbajtën heshtje në shenjë nderimi të nacional-shovinizmit serb dhe “pragamtizmit politik”.
Mediat, analistët dhe “intelektualët” nuk deshën të mbeten mbrapa. Sidoqoftë në krye u vu kompania mediatike “Klan”: TV Klan, gazetat “Panorama” dhe “Korieri” që janë nën patronazhin e filoserbit francez Zhylien Rosh dhe që dallohen për prirjet filoserbe më shumë se çdo media tjetër në Shqipëri. TV Klan e dha drejtpërdrejtë ceremoninë e varrimit, në mbrëmje transmetoi një dokumentar për rënjen e Millosheviçitë për të kontrastuar me meritën e Xhinxhiçitë për rrëzimin e tij. Ditën e vdekjes së Xhinxhiç, TV Klan nga gjithë analistët e Kosovës kishte zgjedhë për të bërë komentin e rastit të parapëlqyerin e tij dhe serbofilin e njohur të Kosovës, Baton Haxhiu. Në fund të fundit, TV Klan është i njohur si media e cila synon të bëhet tribunë dhe të ofrojë rreth vetes të gjithë njerëzit me qëndrime filofranceze dhe filoserbe dhe Baton Haxhiu, prandaj, është i parapëlqyeri tij.
Komenti i Haxhiut është në pajtim me gjithë ata që mbajtën zi për Xhinxhiçin, por ka një ide shtesë: Sipas Batonit, Xhinxhiçi po na çonte drejtë qytetërimit. Në komentin në TV Klan më 13.3.2003, Baton Haxhiu veç vajtimeve për vrasjen e Xhinxhiçit dhe humbjen që ka gjithë rajoni nga kjo vrasje shtoi edhe se “ne kemi humbë një proces dialogu që do të na fuste në civilizim”. Kështu, sipas Baton Haxhiut shqiptarët do t’i fuste në civilizm nacional-shovinisti serb, Zorna Xhinxhiç.
Këtu nuk është vendi të analizohen gjithë detajet e rrymës serbofile që ekziston në vetë radhët e shqiptarëve, në Kosovë e Shqipëri, por vetëm të tërhiqet vëmendja edhe një herë ndaj kësaj rryme, ndaj forcave politike që e përfaqësojnë dhe këto janë Alenaca për Shtetin në krye me Partinë Socialiste e Fatos Nanon dhe Bashkimi për Fitore në krye me Partinë Demokratike e Berishën, kompania mediatike Klan dhe pjesa më e madhe e medias në Shqipëri, kuptohet Fatos Lubonja dhe shumë “intelektual” të tjerë. Edhe në Kosovë qoftë dhimbja, qoftë hipokrizia e dhimbjes e shprehur nga qeveria dhe kryetari i Paralamentit (Daci) ishte e tepruar. Ndërsa Demaçi pritej të pikëllohej më shumë se kushdo për humbjen e popullit shovinist serb nga vrasja e kryeminsitrit shovinist serb. Duke folë për zinë “shqiptare” për Xhinxhiçin një analist me të drejtë shtronte pyetjen se do ta shohim se a do të mbaj zi Kuvendi i Serbisë dhe Malit të Zi kur të vdesin Demaçi, Nano, apo Berisha. Mirëpo edhe sikur Kuvendi i Serbisë e Malit të Zi të mbaj zi për këta politikan shqiptar, çështja nuk është njëlloj: Serbia e Mali i Zi kanë të drejtë të mbajnë zi për vdekjen e politikanëve si Nano, Berisha, Demaçi etj., sepse këta i kanë shërbyer shumë nacional-shovinizmit serb dhe janë ndodhë krah për krah tij që kur kanë hyrë në politikën shqiptare, ndërsa as Xhinxhiç dhe as ndonjë politikan tjetër serb dhe asnjëherë nuk i kanë sjellë ndonjë të mirë popullit shqiptar dhe nuk i kanë shërbyer ndonjë interesi shqiptar. Xhinxhiç është vetëm një prej nacional-shovinistëve serbë. Në fund të fundit, të vënë në shërbim të nacional-shovinizmit serb për shumë vite, politikanët dhe media shqiptare kishin të drejtë që mbajtën zi: serbofilëve shqiptar u vdiç kryeminstri i vërtetë dhe u takonte ta respektojnë kryeminsitrin e vet edhe pse shpejt do ta kenë tjetrin. Puna është vetëm që shqiptarët si komb e si popull, si votues e si taksapagues të marrin vesh servilizmin, nënshtrimin dhe bindjen deri në përshtirosje të politikanëve shqiptarë, partive politike, Kuvendit të Shqipërisë, medias dhe disa “intelektualëve” ndaj nacional-shovinizmit serb dhe kriminelëve serb ndaj popullit shqiptar.
Hysamedin Feraj