Re: Vrasja e Xhinxhiçit dhe mesimet qe duhet te nxjerrin shqiptaret prej saj
Artikulli i meposhtem na jep mundesine te kuptojme "dhimbjen" qe ndjejne pushtetaret(hajdutet) tane per vrasjen e kryeministrit serb
KOSOVË: DIALOGU ME BEOGRADIN – NJË PARADOKS I KULLUAR
Problemi i statusit të Kosovës sa vjen e po bëhet një çështje e mprehtë në mjediset e politikës së Beogradit. Madje ky problem kaq shumë ua ka turbulluar mendjen një takëmi politikanësh serbë, saqë këta nuk i fshehin dot as afshet e tyre shoviniste, të cilat nuk kanë kurrfarë dallimi nga shovinizmi i kulluar i Millosheviçit. Për arritjen e pikësynimeve të veta, të cilat reduktohen në rikolonizimin e Kosovës nga Serbia, Beogradin e ka kapluar keq një valë e fuqishme histerizmi diplomatik. Për këtë qëllim Beogradi s’po lë gur pa lëvizur në të gjitha kontaktet me diplomacinë ndërkombëtare, duke vepruar veçanërisht ethshëm për aktivizimin e taborreve të veta antishqiptare në mjediset e politikës së Tiranës dhe të Prishtinës,
Në mjediset e Tiranës zyrtare Beogradi ka një mbështetje të fuqishme për politikën e vet koloniale ndaj Kosovës. Neokomunistët socialistë në pushtet janë trashëgimtarë të zellshëm të tradhëtisë kombëtare të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila e lidhi Shqipërinë pas qerres së politikës jugosllave dhe Kosovës i ktheu krahët poshtërsisht që në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Djaloshi i politikës dhe i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, një ditë të bukur, kur sapo qe detyruar të zbriste nga kolltuku i kryeministrit, u gjend për vizitë në beograd nuk dihet se me çfarë statusi, se asokohe ishte thjesht deputet i parlamentit shqiptar. Por, për çudi, këtë djalosh, thjesht me status deputeti, Beogradi e priti dhe e përcolli me shumë nderime, pa respektuar kurrfarë protokolli diplomatik. Me sa duket, djaloshi – deputet i parlamentit shqiptar në Beograd gëzon kredencialet e një personaliteti me moshë fort të pjekur dhe me një stazh bukur të gjatë në politikën zyrtare të Tiranës sa herë që është fjala për pazare në dëm të çështjes kombëtare shqiptare në Europën Juglindore. Ilir Metën e pritën në takime të veçanta vetë Xhinxhiçi dhe Koshtunica. Madje drejt Beogradit asokohe u sul turravrap të takohej me Metën edhe kryeministri grek Simitis duke harruar që Athina, gjeografikisht, është më afër Tiranës, sesa Beogradi, dhe s’kishte pse bënte gjithë ato harxhe deri në brigjet e Danubit. Me sa duket, problemi ishte që djaloshi politikan Meta duhej të ndodhej detyrimisht midis krerëve kryesorë të politikës serbo-greke për të bërë pazare vesh më vesh për të ardhmen e Kosovës. Meta as u skuq e as u zverdh para faktit që Beogradi zyrtar nuk ka kërkuar ndjesë publike për krimet e kryera në Kosovë nga Millosheviçi gjatë spastrimit etnik të vitit 1998 dhe në muajt e parë të vitit 1999.
Vizita e beftë e Metës në Beograd, si përfaqësues zyrtar i neokomunistëve socialistë në pushtet, të bën të dyshosh se ai shkoi atje për të siguruar Beogradin, Moskën dhe Athinën se Tirana zyrtare është në të njëjtën gjatësi vale me sllavo-grekët për të ardhmen e Kosovës.
Problemi rreth të cilit vërtitet sot edhe politika europiane për çështjen e Kosovës reduktohet vetëm në një pikë – në bisedimet e drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit. Për këto bisedime zoti Abdi Baleta në një shkrim të paracaditshëm është shprehur fare shkoqur: “Beogradit i duhet dhënë gjithnjë përgjigje e qartë. Midis Kosovës e Serbisë bisedimet kanë kuptim vetëm si midis dy shtetesh të pavarura, që kanë dëshirë, vullnet, gadishmëri të rregullojnë problemet e ndryshme të marrëdhënieve të ndërsjellta, si fqinj të drejtëpërdrejtë në rajon”. (“Rimëkëmbja”, 18 shkurt 2003, fq. 11).
Ndërkohë, zoti Blerim Shala, botues i gazetës “Zëri i Kosovës”, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” më 03 shkurt 2003, deklaroi: “Kosova mund të hyjë në bisedime me Beogradin vetëm si shtet i pavarur”.
Pikërisht këtë problemin e dialogut me beogradin mundohet të na e sqarojë edhe zoti Veton Surroi në një artikull me titullin “Pse insistohet në dialogun Kosovë-Serbi?”, botuar në gazetën “Shekulli” të datës 09 dhjetor 2002. Artikullin zoti Surroi e paska shkruar pas një mbledhjeje në Athinë të një të ashtuquajturi Klub Ballkanik, ku paskan marrë pjesë kryesisht ish-kryetarë, kryeministra dhe prijësa politikë të vëndeve ballkanike. Nga artikulli nuk del e qartë se me çfarë statusi paska qenë i ftuar zoti Surroi edhe në takimin e paradokohshëm që u zhvillua në Pogradec mes kryetarëve të tri partive shqiptare – Fatos Nano, Ali Ahmetit dhe Arbër Xhaferrit, ashtu siç mbetet i paqartë deri më sot statusi i tij edhe në përbërjen e delegacionit shqiptar të Kosovës në Rambuje.
Para disa muajsh zoti Surroi bëri një vizitë në Tiranë, ku foli për shoqëritë shqiptare në Ballkan dhe jo për një komb shqiptar që jeton në trojet e veta kompakte në Europën Juglindore dhe që aspiron të ketë një shtet të unifikuar kombëtar. Cila është arsyeja që zoti Surroi ka frikadrojë t’a përdorë termin “komb shqiptar”? Për shoqëritë shqiptare, madje multietnike, flasin në të gjitha udhëkryqet sot Beogradi dhe Athina. Atë, Kosovën, ku punon dhe jeton zoti Surroi, gjithandej po na emërtojnë si multietnike, paçka se ajo ka një përbërje të pastër etnike shqiptare në masën deri në 90 përqind. Termi “shoqëritë shqiptare” në Ballkan është një term i stisur, i cili është hedhur në tregun e propagandës antishqiptare me sponsorizimin e Beogradit, Athinës, Moskës dhe të disa qarqeve europianoperëndimore, por është fatkeqësi kur këtë term antishqiptar e pranon dhe madje e propagandon një intelektual i njohur, si zoti Veto Surroi.
Në mbledhjen e Klubit Ballkanik në Athinë zoti Surroi paska deklaruar: “..... po qe se ky klub.... e mban mbledhjen në Beograd, atëbotë nuk mund të llogaritet në pjesëmarrjen time në këtë mbedhje për shkaqe të thella morale. Beogradi është vendi, i cili ende nuk e ka spastruar historinë e luftës dhe të krimeve në Kosovë, ende mban në gjirin e vet kriminelë të luftës dhe se do të ishte e pamoralshme prej meje që të shkoj në një mbeldhje në një vend të tillë”.
Pra, zoti Surroi e pranon që Beogradi ende mbaka në gjirin e vet kriminelë të luftës që i shkaktuan gjëma aq të rënda popullit shqiptar të Kosovës, e megjithatë, në përputhje me rekomandimet e Dragolub Miçunoviçit, pjesëmarrës në mbledhjen e Klubit Ballkanik në Athinë, ai këmbëngul për fillimin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit.
Mbrojtja e kriminelëve të tjerë të luftës nga udhëheqësit e tanishëm të Beogradit a nuk dëshmon se këta të fundit janë po aq shovinistë, sa edhe Millosheviçi, veçse dallojnë prej tij thjesht se kanë veshur një mantel demokratik? Fotografia e famshme e Koshtunicës, ku kishte dalë me një kallashnikov në dorë tek ngazëllehej me buzët vesh më vesh mes ushtarëve agresorë serbë gjatë luftërave agresive që kreu Serbia në vitet 1990, është fakti më kuptimplotë që i çjerr maskën “demokratit” Koshtunica dhe nxjerr në pah shovinizmin e tij të pastër.
Në artikullin e lartpërmendur zoti Surroi e quan Koshtunicën nacionalist. Me sa duket, zoti Surroi i trembet këtij termi si djalli vetëtimës kur është fjala për nacionalizmine shqiptarëve.
Prandaj zotit Surroi i intereson që ta stigmatizojë “nacionalizmin” e Koshtunicës për t’ua ç’rrënjosur nga zemra shqiptarëve të ndershëm nacionalizmin e tyre i cili është shpëtimtar për kombin shqiptar në Europën Juglindore. Por i ashtuquajturi nacionalizëm koshtunician është shovinizëm qelibar, derisa vazhdon të mbajë në gjirin e vet kriminelë lufte.
Në artikullin e vet zoti Surroi shkruan se njërin nga rrafshet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit e përbën integrimi europian, “pra, - thotë ai, - si të prjektohet ardhëmira e Kosovës dhe e Serbisë brenda këtij dhjetëvjeçari, kur çdonjëri prej këtyre shteteve objektivisht do të ketë, ndonëse me rrugë të ndara, ardhmëri të përbashkët si anëtarë të BE-së”.
Kësisoj, zoti Surroi, me rekomandimet e veta për dialog me Beogradin, na del para opinionit publik shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë Londineze si zëdhenës i drejtpërdrejtë i politikës serbe, sipas së cilës rruga e Kosovës për në Europë kaloka nga Serbia.
Një gjë të tillë e pohoi vetë Xhinxhiçi në një intervistë që i dha zotit Fari Musliu për emisionin e “Zërit të Amerikës” të datës 14 shkurt 2003, në të cilën deklaroi: “Rruga e Kosovës për në Europë kalon nga Beogradi”.
Paturpësia e sllavoserbëve nuk njeh kufi. Deri më 12 qershor 1999 Beogradi, për gati një shekull të tërë, e kolonizoi dhe e shtypi egërsisht popullin shqiptar të Kosovës, u përpoq t’a asimilonte, t’a përzinte krejtësisht nga trojet e veta stërgjyshore apo edhe t’a zhdukte fizikisht, kurse tani kërkon të marrë përsipër rolin e dados për ta futur Kosovën në Europë. Besoj se një cinizëm i tillë është sa revoltuese, aq dhe i pakundshoq. Fatkeqëisht, një cinizëm të tillë e ysht edhe zoti Surroi, i cili rreshtohet në taborrin e atyre intelektualëve shqiptarë, që hanë bukën e Shqipërisë dhe bëjnë duanë e Serbisë.
Politikanët shqiptarë të Kosovës, siç mësuam tani vonë, paskan pranuar të hyjnë në bisedime me Beogradin, me ftesë të Misionit të OKB-së dhe nxitjen e drejtpërdrejtë të Shtajnerit. Punë për ta! Populli shqiptar i Kosovës ruan thellë në kujtesën e vet aktin e rëndë të tradhëtisë kombëtare që kryen deputetët e parlamentit të Krahinës Autonome të Kosovës në vitin 1989, kur nën diktatin e Millosheviçit, si frikacakë të pështirë, votuan për heqjen e statusit të autonomisë.
Bisedimet e tanishme me Beogadin do të jenë një akt i turpshëm i politikanëve shqiptarë të Kosovës, aq më tepër kur dihet që autoritetet legjislative dhe ekzekutive të Kosovës nuk gëzojnë asnjë kopetencë, kur Kuvendi i Kosovës dhe qeveria nuk marrin dot asnjë vendim, se gjithçka e ka përqëndruar në duart e veta Shtajneri.
Politikanët e Prishtinës, Misioni i OKB-së dhe Shtajneri i kanë katandisur në enukë të mjerë dhe tani kërkon t’i ulë në bisedime të drejtpërdrejta me hamshorët e Beogradit. Shtajneri kërkon ta zhgënjejë popullin shqiptar të Kosovës nga politikanët e tij, me qëllim që ta hedhë në pasivitet dhe ta lërë veten në mëshirën e fatit, i cili nuk i premton gjë tjetër, veç “parajsës” së dikurshme serbe. Bisedimet e Prishtinës me Beogradin do të jenë një poshtërim i radhës i dinjitetit kombëtar të popullit shqiptar të Kosovës para një shteti kriminel, si Serbia, e cila jo vetëm nuk ka dalë me ndjesë publike para opinionit botëror për krimet e kryera në Kosovë, por, siç pohon edhe vetë zoti Surroi, vazhdon të mbajë në gjirin e vet kriminelë të luftës. Fakti që sot bredhin lirshëm nëpër Serbi kriminelë të tillë me damkë, si Karaxhiçi dhe Mlladiçi, përbën një turp të radhës të Europës.
Për fatkeqësinë e kombit shqiptar në Europën Juglindore, politikanët shqiptarë të Prishtinës dhe të Tiranës janë kaq të zhveshur nga dinjiteti kombëtar, saqë pranojnë të hyjnë në dialog viktima me xhelatin.
Prishtina duhet të hyjë në bisedime me Beogradin vetëm kur Kosova të jetë shtet i pavarur dhe parakushti për fillimin e tyre duhet të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje paraprake nga ana e Serbisë për pagimin e reparacioneve për shkatërrimet e rënda që i shkaktoi ekonomisë shqiptare të Kosovës dhe për mijëra viktimat e pafajshme në radhët e popullsisë civile.
Eshref Ymeri