Vllaznia-Tirana, për Mukajn është një derbi, por del 2

Vllaznia-Tirana, për Mukajn është një derbi, por del 2

Java e nëntë e sezonit 2009-2010 propozon një nga përballjet më klasike të viteve të fundit, ku sfidojnë njëra-tjetrën dy rivalet më të spikatura në këtë 20-vjeçar, Vllaznia dhe Tirana. Kjo sfidë do të luhet sot në orën 17.00 në stadiumin më të nxehtë shqiptar, “Loro Boriçi”. Ajo është konsideruar si një ndeshje përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të të dy ekipeve në këtë sezon, ku, është për tu thënë se kanë bërë një start që ka lënë shumë për të dëshiruar. Në kampin shkodran gjërat po përgatiten në heshtje. Të pakta kanë qenë deklaratat për shtyp, ku është vënë re edhe një lloj pesimizmi në radhët e kuqebluve, që gjithsesi nuk harrojnë të përdorin shprehjen standarde se “me Tiranën duhet të shënojmë kthesën dhe të ruajmë ende shpresat për të luftuar për titullin kampion. Pas shumë kohësh është shfaqur dje në shtyp edhe presidenti Valter Fusha se “një humbje e mundshme me Tiranën do të ishte fatale për Vllazninë, që do ti thoshte lamtumirë titullit”. Por një atmosferë më e ndezur është në radhët e bardhebluve, të cilat besojnë se mund të përsërisin suksesin e viteve të fundit në shtëpinë e kuqebluve. Skuadra duket se e ka kaluar momentin e vështirë të javëve të para të sezonit dhe tashmë duket më e kolauduar në kërkim të rikuperimit të pikëve drejt kreut. Tiranasve u buzëqeshin edhe statistikat e fundit të përballjeve mes dy ekipeve në “Loro Boriçi” dhe objektivi është që të ruajnë këtë traditë edhe në ndeshjen e sotme.
Vetëm 24 orë para superndeshjes së javës së 10, është kapiteni i bardhebluve, Devis Mukaj, ai që ka hedhur dorashkën e sfidës në shtëpinë e shkodranëve. “Historiku i përballjeve mes nesh ka folur vitet e fundit për ne. Gjithmonë në Loro Boriçi jemi ndierë si në fushën tonë dhe unë kam besim të madh se edhe këtë herë do të jemi ne fituesit”, u shpreh dje Mukaj. Ai thekson se sot në “Loro Boriçi” kampionët duhet të luajnë me kujdes, të mbrohen mirë dhe të kërkojnë të realizojnë të parët në portën e kundërshtare. Këto ishin disa nga këshillat e tij për shokët e skuadrës, të cilët dëshiron ti shikojë të luajnë sot në lartësinë e duhur. “Pa dyshim që Vllaznia është skuadër e shkëlqyer dhe pavarësisht problemeve që ata kanë, ndaj nesh kanë prodhuar gjithmonë futboll të bukur”, komplimenton kapiteni i bardhebluve kundërshtarët.
Sipas tij, Tirana vjen në këtë sfidë më e qetë, pavarësisht vështirësisë së fushës dhe faktit që ashtu si bardheblutë, edhe shkodranët do të kërkojnë fitoren. “Sidoqoftë, vazhdon më tej vlonjati i Tiranës, kam bindjen e plotë se në këtë ndeshje do të fitojmë ne. Kjo është një përballje përcaktuese për ecurinë dhe ne e kemi të qartë rëndësinë e saj. Por kemi dy mungesa të rëndësishme në këtë ndeshje, Osmanin dhe Abilaliajn, dy lojtarë të formacionit bazë, që kanë peshën e tyre specifike në repartet respektive. Me Osmanin në mbrojtje ndiheshim më mirë, por unë kam besim se edhe lojtarët e tjerë do ta justifikojnë besimin e stafit. Por ashtu, në mungesë të Abilaliajt në sulm, Memellit i bie përgjegjësia të tregojë vlerat e veta në këtë sfidë”.
Faktin se kjo është një ndër sfidat më interesante të viteve të fundit e konfirmon edhe vetë Mukaj. “Nga çdo pikëpamje ta shohësh, ky do të jetë një derbi i madh kombëtar, pasi e tillë ka qenë gjithnjë në vitet e fundit, por një peshë edhe më specifike ia kanë dhënë edhe pozicionet që mbajnë skuadrat, gjë që do të diktojë spektaklin sot në fushë”. Barazimi është një rezultat që nuk i intereson asnjërës skuadër, ndaj në këtë përballje pritet një lojë e hapur. Si ne ashtu edhe kundërshtarët, do të synojmë fitoren. Ndeshja i mbart të tri rezultatet dhe kjo është e kuptueshme, megjithatë, unë besoj te Tirana dhe fitorja e saj”, ka përfunduar Mukaj, i cili ka shënuar në shumicën e takimeve të luajtura në “Loro Boriçi”.(Shqip)</p>
5nK7_ZJt61o

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25131. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25131
 
Top