Vetvrasje e paralajmëruar

Vetvrasje e paralajmëruar

Zenel Llapushi është gjetur në grahmat e fundit të jetës tek amfiteatri i Liqenit Artificial


I kishte shkruar ministrit Besnik Dervishi: Më mashtrove, do të vetvritem

Ardita Bala

TIRANË – Zenel Llapushi, 62-vjeçar, i ka dhënë fund halleve të shumta që e kishin ndjekur në jetë duke gëlltitur disa kokrra fotoksinë. Ai ka vdekur pasditen e së premtes në duart e mjekëve të pavionit toksikologjik pranë spitalit ushtarak. Vetëvrasja më e fundit e ndodhur në kryeqytet është pothuajse një kronikë e plotë e një vetëvrasjeje të paralajmëruar. Babai i katër fëmijëve, që kishte humbur shtëpinë dhe çdo kursim të jetës së tij në firmat piramidale 6 vjet më parë, kishte kohë që mendonte për t’i dhënë fund jetës së tij. Shumë herë duket se ai ka paralajmëruar në mënyra të ndryshme njerëzit tek të cilët ka kërkuar ndihmë. Shumëkush, përfshirë dhe instancat më të larta shtetërore, ishin në dijeni se 63-vjeçari ishte në ditë të hallit dhe mund të bënte të fundit.Të vetmit që ai nuk ka shqetësuar asnjëherë me idenë e tij për t’i dhënë fund jetës kanë qenë familjarët e tij e cilët e kanë marrë të vdekur të afërmin e tyre që në mëngjes kishte dalë nga shtëpia me fijen e fundit të shpresës.
Ngjarja
Ka qenë një telefonatë e një kalimtari të rastësishëm e bërë në numrin 219 të sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ajo që pak pas mesditës së të premtes vë në lëvizje policinë e Tiranës. Telefonuesi ka informuar se kishte gjetur të shtrirë tek amfiteatri i liqenit artificial një person që duket si i vdekur. Pas dhënies së sinjalit, në drejtim të kodrave të liqenit kanë shkuar një grup punonjësish të policisë për të verifikuar informacionin, i cili kësaj radhe nuk ka rezultuar i rremë si në jo pak raste të tjera. Menjëherë pas mbërritjes së grupit të gatshëm të policisë së komisariatit nr.2 në kryeqytet është bërë dhe dërgimi i 63-vjeçarit që ishte në grahmat e fundit të jetës për në spitalin ushtarak. Atje megjithë ndihmën e menjëhershme që i është dhënë nga mjekët, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi sasia e fotoksinës e konsumuar nga Llapushi ka qenë vdekjeprurëse. Pas vdekjes, trupi i është kthyer familjarëve të tij për të kryer ceremoninë mortore.
Motivi
Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, bëhet e ditur se 63-vjeçari me origjinë nga Gramshi dhe banues në Tiranë nuk ka kryer një akt të pamenduar më parë. Ai ka shkruar një letër para se të pinte barin e miut ku ka sqaruar arsyen e vërtetë që e kishte çuar deri në kryerjen e aktit ekstrem. Po sipas të njëjtave burime zyrtare mësohet se nga kontrolli që i është bërë rrobave të të vetëvrarit policia ka gjetur një letër ku ai deklaronte se po i jepte fund jetës së tij pasi kishte humbur të ardhurat e tij financiare në firmat piramidale në vitin 1996. Pas kryerjes së veprimeve proceduriale nga ana e policisë, materialet e kësaj çështjeje i kanë kaluar prokurorisë së Rrethit Tiranë.


16/11/2003
KATEGORIA: Kronikë nga Tirana
 

Guest
Re: Vetvrasje e paralajmëruar

U prehe ne paqe i shkreti , paste qetesi atje ku eshte dhe lumturi qe se pati ketu .
 
Top