Veriu i Shqiperise

AnaBlue

Forumium maestatis
Veriu i Shqiperise

Indro Montanelli

Në shqip nga Aurel Plasari. Sipas origjinalit "Albania una e mille",
G.B. Paravia & C, 1939.

2. Shqipëria e veriut

Bekoj çastin kur më tha mendja të shtyhesha në Malësi. Po ta kisha përjashtuar nga itineraret e mia këtë etapë të lodhshme dhe rrëmbyese, nuk
do ta dija ç’është Shqipëria. Ngase ç’është Shqipëria e shpjegon më shumë një kullë malësore se të gjitha bulevardet e kryeqytetit.
Nuk do të tregoj tani për fije e për pe udhëtimin që bëra, edhe sepse, me thënë të drejtën, nuk e mbaj mend itinerarin dhe as emrin e fshatrave që vizitova. Shpesh emrin e atyre fshatrave nuk më ra në mend as ta kërkoja dhe, sa për itinerarin, si kisha programuar një të tillë, ndoqa një tjetër të ndryshëm, siç e diktonin rrugët dhe trilli i fatit. As
mund të shtie në punë bllokun e zakonshëm të shënimeve. Bllokun e mora me vete, nga zakoni i gazetarit, por në të nuk shkrova asgjë, i bindur se nga sa shihja dhe dëgjoja do të mbaja mend gjithçka.
Ajo që vizitova është “Shqipëria e vjetër”. Kështu e quajnë të gjithë.
Por unë do ta quaja më fort një Shqipëri jashtë kohe, as e vjetër dhe as e re, një Shqipëri që këtu e dhjetë shekuj të shkuar, kur ishte njëzet vjeçe, i tha ndal diellit dhe historisë edhe qysh atëherë nuk është rritur më. Jeton qysh atëherë në patëkeqësinë e rinisë së saj të lume
duke shpërfillur gjithçka, përplot me virtytet e me të metat e përbashkëta për çdo rini në të cilën edhe të metat janë virtyte.
Doemos Malësia rëndon në jetën praktike të Shqipërisë së sotme, prirë ndaj rindërtimit të vetvetes në kuptim modern e perëndimor. Rëndon si elementi më tradicional dhe i pabindur ndaj programit të përtëritjes, rëndon me padepërtueshmërinë e saj fizike edhe rëndon me
padepërtueshmërinë e saj psikologjike. Në të vërtetë, me të mbërritur në ato bjeshkë – dhe të mbërriturit aty nuk është sipërmarrje e lehtë –e ndien veten të bartur në një tjetër botë, ku masa e vlerave është e ndryshme dhe i ndryshëm është boshti në të cilin vërtitet jeta e përditshme.
Edhe peizazhi të befason, jo aq me bukurinë e tij sa me veçanësinë e kësaj bukurie. Nuk dallohet prej rrafshultës për kalim të butë, si
gjetiu. Ai teptis befasisht, me maja të ashpra, me mure të mëdha kineze që u shërbejnë si ledh “bijve të shqipes”: shkëmbinj të bardhë ose të përhimë mbërthyer mes luginash të gjelbra si perla mes smeraldesh. Por më kot do të orvateshe ta mësyeje drejtazi, nga jugu, atë brofje kas të
maleve. Lypset t’i biesh qark me durim nga perëndimi dhe të kërkosh shtigje të mistershme që vetëm udhërrëfyesit i njohin, shtigjet e mistershme që përbëjnë etiketën me të cilën këta masivë viganë mbrojnë prestigjin e vetmisë së tyre hijerëndë. Dhe besoj të ketë në këtë mister një gjësend me dashje, njëfarë ruajtjeje të qëllimshme të tij nga ana e malësorëve.
Qysh në Shkodër plani për t’u ngjitur atje lart nuk kishte ngjallur veçse nënqeshje skeptike: jo këshilla ose sugjerime, por vërejtje të
dyshimta dhe heshtje shkurajuese: “Duhet një udhërrëfyes, duhen mushkat… shumë kasavete… është udhëtim i gjatë e i mundimshëm… udhërrëfyesi do zgjedhur me kujdes…”.
Udhërrëfyesin e zgjodha me kujdes, domethënë ma zgjodhi Ahmeti, shoferi: një mik i tiji me ardhje që andej së larti, i krishterë ortodoks, aq ortodoks sa quhej Kristo. Dhe qe kjo e para herë në jetën time që pashë Krishtin dhe Muhametin të shkonin krah-për-krah duke kuvenduar paqësisht mes tyre. Por në Shqipëri kjo ndodh rëndom.
Kështu u nisëm, biblikisht: Kristoja, dy mushkat dhe unë, për të pushtuar Malësinë.

KANUNI
Kur i kisha kujtuar mos qe e udhës të merrnim me vete së paku një pisqollë, Kristoja më qe përgjigjur: “Nuk hyn në punë. Le që për ju janë
pushkët e malësorëve”. Aty për aty mbeta ligsht, ngase fjalia m’u duk së paku dykuptimshe. Mandej, në rrugë e sipër, udhërrëfyesi qe shpjeguar më mirë. “Miku është i shenjtë, - më tha, - dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit. Askush nuk mund të të bëjë gjë, sepse çdo dëmtim që mund t’i bëhet mikut paguhet me jetë”. Nuk tha pikërisht kështu,
por pothuajse: italishten e fliste keq, por me stilin madhështor, që mandej e kuptova se ishte karakteristik i gjithë Malësisë.
Ligji simbas të cilit “miku është i shenjtë” dhe “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit” është një ligj tradicional ose më mirë një doke e kodifikuar nga Lekë Dukagjini, bashkëkohës dhe këshilltar i Skënderbeut: diçka mes poemës, digjestit dhe një përmbledhjeje fjalësh t’urta popullore. Ky kod, i quajtur Kanun, u njoh edhe nga Qeveria turke dhe është i rrënjosur prej shekujsh në ndërgjegjet, aq i rrënjosur sa të sfidojë ngadhënjyeshmërisht konkurencën e reformës legjislative,
moderne dhe perëndimore, të Shqipërisë së re. U orvatën ta asgjësonin edhe Turqit e Rinj. Dhe rrjedhojë e parë e kësaj orvatjeje qe anarkia;
rrjedhoja e dytë qe kryengritja, një kryengritje që shenjoi fillimin e mbarimit të Perandorisë osmane të Europës. Besnikëria ndaj Kanunit është për çdo malësor të mirë çështje nderi kombëtar dhe vetjak. Me ardhje prej fiseve dukagjinase të krahut të majtë të Drinit, Kanuni mandej u shtri
në mbarë Shqipërinë. Dhe mbeti gjithnjë gojor, i bartur nga ati te biri. I vetmi tejshkrim prej tij është shumë i vonët, i botuar në një
revistë të Shkodrës.Mbi atë mbështetet organizimi i fisit, i fisit patriarkor shqiptar,
mbajtur në këmbë prej këshillit të pleqve, depozitues të drejtësisë, vendimet e të cilëve jepen në vende të shenjta. Edhe nuk ka gjë më
magjepsëse se ajo gjykatë e lartë pleqsh, të cilëve Kanuni u beson rolin e rregulluesve të jetës dhe të dokeve të Malësisë. Kam qenë i pranishëm, në Rjoll, në një prej këtyre mbledhjeve edhe asnjë gjyq e asnjë gjykatore
nuk më ka bërë ndonjëherë aq përshtypje: rituali, shumë i lashtë, seç kishte diçka homerike, dhe me ëndje të plotë harrova që kriteret, në bazë të të cilave gjyqtarët e paapelueshëm gjykonin e urdhëronin, mund edhe
t’ia shpifnin një ndërgjegjeje moderne e perëndimore. Tekefundit, më vonë, këtë opinion ndjellakeq mbi kriteret e drejtësisë ndjekur prej gjykatoreve që zbatojnë këtë ligj m’u desh ta rishikoj disi dhe ta qortoj.
Kanuni buron drejtpërsëdrejti prej adetit, d.m.th. prej dokes së Malësisë; është e drejtë ndëshkimore dhe civile njëherësh dhe bazohet mbi
institucionin e gjakut, d.m.th gjakmarrjen, që është ndëshkimi i parashikuar jo vetëm për vrasjen, por edhe për shumë fyerje të tjera lloji të ndryshëm. Është detyrë që i bie fisit bashkërisht, atëherë kur njëri prej
anëtarëve të tij të jetë cenuar në nder, edhe ka rreze veprimi dhe mënyrë zbatimi të ndryshueshme simbas llojit të dëmit të pësuar. Më i rëndi
i këtyre dëmeve është vrasja e një miku. Rregullimi me të holla ose, gjithsesi, nëpërmjet pajtimit të gjakut, që disa herë pranohet, në një rast të tillë përjashtohet: detyra e marrjes së gjakut të mikut është kategorike dhe mund të ushtrohet, përpos se mbi vrasësin, edhe mbi të
afërmit e tij meshkuj deri te fëmijët tre vjeç. Disa vite më parë në një fis, më duket se të Toplanës, kundër një familjeje, një prej anëtarëve të së cilës kishte vrarë mikun, u ngrit në luftë e tërë bashkësia duke lënë për truall shtatëdhjetë e katër të vrarë.
Për ta zbutur këtë rregull ka përjashtime të ndryshme: besa për shembull, d.m.th. pushimi i armëve që në përgjithësi vendoset për një vit dhe realizohet me ndërmjetësi miqsh të të dyja palëve. Fyes dhe i fyer puthen dhe fyesi shkon në shtëpinë e të fyerit me qengja dhe deshinj për dhantí. Shtrohet një drekë e madhe, si vulosje paqeje. Dhe më në fund vepron bamirësisht gruaja, e cila gëzon njëfarë bese përjetë dhe, nën mburojën e kësaj paprekshmërie, ushtron në shumë raste funksionet e pajtuesit
E gjitha kjo pasqyron doket homerike dhe kalorësiake të Shqipërisë së Veriut, të organizuar në fise, simbas ligjesh të sajat, shumë të lashta, me të cilat ligjet e sunduesve të ndryshëm, që erdhën një-mbas-një në kohë, bashkëjetuan pa iu mbivendosur njëri-tjetrit. Është një organizim i thjeshtë, aristokratik, me një këshill të pleqve që mban autoritetin absolut, një organizim patriarkor në të cilin pleqëri e përvojë ngrenë peshë më shumë se çdo tjetër cilësi censi ose lindjeje edhe që ka një
bazë të tijën morale, sociale e ekonomike, një arsye të tijën ekzistimi ende sot kur kushtet nuk janë krijuar për një revolucion ose për një
evolucion në kuptim modern. Merret vesh që ky regjim është i paracaktuar të zhduket; por merret vesh edhe që kjo zhdukje nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë para se të dhënat sociale që e përligjin të mos jenë zhdukur edhe ato.
Janë kund pesëdhjetë fiset e veriut, të mbledhura çdonjëri rreth një bajraku ose flamuri, me një bajraktar ose flamurmbajtës. Fisi është një organizëm mjaft autonom, në kujtim të kohës kur tribuja nuk qe përbërë
ende në njësi. Por brenda fisit, ende sot, martesat ndalohen. Nga fisi zbritet në organizma edhe më fillestarë, që janë mëhallat apo
grupshtëpitë.
Fisi është shprehja më e lartë e ndijes sociale të malësorëve që, përtej fisit, nuk shohin asgjë. Bajraktari, këshilli i pleqve dhe kuvendi
janë të vetmet autoritete në përkim me të cilat malësori përshtat të vepruarit e tij. Janë bajraktarët ata që vendosin për luftë dhe për paqe, që përpunojnë doket simbas normave të traditës dhe gjykojnë simbas atyreve të Kanunit. Vetë turqit që, nga të gjithë sunduesit e huaj, patën qenë ata që në Shqipëri zgjatën më shumë e ndikuan më thellë, nuk mund ta kapërcenin autoritetin e këtyre krerëve duke iu sjellë drejtpërsëdrejti malësorëve. Duhej t’i drejtoheshin bylykbashit, njëfarë ministri
fuqiplotë i deleguar i përhershëm i bajraktarëve pranë qeveritarëve osmanë të qyteteve të ndryshme, ngase çdo urdhër, prej cilësdo anë që të vijë, nuk është i vlefshëm në Malësi pa dorëzaninë e pleqve. Ata janë konsuj dhe kapedanë, me një autoritet që mbështetet sidomos në meritat e tyre vetjake dhe, pra, ndryshon nga njëri te tjetri. Ata kanë si sovranë flamurmbajtësit e çdo fisi dhe si vasalë krenët që janë kryetarët e mëhallave dhe që përbëjnë në paqe këshilltarët e tyre ndërsa në luftë mëkëmbësit e tyre; dhe kanë gjobarët si përmbarues të vendimeve të tyre1.
Vetëm në raste të jashtëzakonshme thirret kuvendi, d.m.th. këshilli i përgjithshëm i fisit, në të cilin marrin pjesë, nën dënim me gjobë, tërë kryefamiljarët e armatosur.
E gjitha kjo ngjan e largët në kohë, një mbetëz feudale, një tepricë antikiteti e ruajtur artificialisht si një eshtërmbajtës mermernash në një nekropol. Kurse në të vërtetë është një realitet ende i sotëm, i gjallë, i ngërthyer në jetën malësore. Shumë pak orë nga Tirana dhe pak orë nga Italia është një botë që jeton me këtë regjim, me këto ligje, një botë poetike e mbetur gjallë përanash progresit. Kujtimi që ruaj nga kjo botë është më i bukuri nga të gjitha kujtimet që, edhe ato shumë të bukura, ruaj prej Shqipërie.

MALËSORI
Malësori i veriut është burrë fizikisht i bukur, i bukur pa spitullime: shtatlartë, i prerë në tiparet e gjalla, mashkullor në të gjitha
shprehjet e tij, i drejtpërdrejtë; insktinkti dhe veprimi i shkrehen thuajse njëkohësisht pa diafragmën e të menduarit. Është burrë i ashpër,
shkëmbor, i dalluar vetëm paksa nga flora dhe nga fauna që e rrethojnë. I vobegtë shumë dhe zotëri i madh, ka një prerje të vetën gjithë hijeshi, një denjësi edhe fizike të pacenuar aspak prej varfërisë së petkave të tij dhe prej përkorjes së jetës që çon. Për nga tradita është blegtor, ndërsa për nga instinkti dhe nga natyra, fjalëpak. Shqetësimi i tij kryesor është t’i mjaftojë vetvetes, dhe kjo shpjegohet po të mbahet parasysh ngadalësia e lidhjeve sociale. Për një pjesë të mirë të ekzistimit të tij, ai është i vetëm, i vetëm si person ose si
kryefamiljar, përpara Zotit. Në dimrat e gjatë, kur dëborat zënë qafat malore, çdo marrëdhënie mes njerëzve bëhet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Malësori i plotëson vetë të gjitha nevojat e jetës, robinson i përjetshëm, por robinson më shumë i plogët se kërkues. Bën dru dhe qymyr, farkëton vetë kazanin për të zier misrin, ushqim i tiji kryesor, ngre me mur oxhakun e vet, e ndërton vetë shtëpinë, e pasjis atë vetë me orendi në mënyrë shumë të thjeshtuar, por jo pa një kriter estetik: të shpeshta janë punimet e gdhendjes ose të argjendarisë që takon në këto banesa dhe shpesh janë punime me vlerë, të punuara me durim vitesh nga duar artizane të prira vetvetishëm drejt bukurisë, një bukuri e qashtër, njomëzake, gjithë ndjesi, pa aspak tru, pikërisht si i shkon përshtat bukurisë së vërtetë. Mbeta
i befasuar dhe i tronditur para do përdorësesh blegtorire që stolisnin banesat e mirditorëve: gjethe fiku me lakuriqësi spartane. Do të kisha
dashur të blija disa syresh, por kur ua kërkova këtë zotërve të shtëpisë, ata u nxituan të m’i bënin dhuratë, dhe atëherë m’u desh të
heshtja. Sepse ky shqiptar i veriut, ky bari mjeran është, në mjerimin e tij, zotëri i madh. Është estet, jo tregtar. Nuk e kupton paranë dhe, tekefundit, nuk do të dinte çfarë të bënte me të: ai nuk shet, dhuron.
Dhe ti, borgjez perëndimor, mbetesh i druajtur e plot nderim para kësaj bujarie krejt të vetvetishme, të çiltër, pa kurrfarë dëshire për t’u dukur. Edhe të vjen turp që je njeri iqytetëruar.Një jetë e këtillë, vetmitare dhe e ashpër, e zhvillon tejmase personalitetin vetjak të këtyre njerëzve. Çdo njeri ka një botë dhe në këtë botë është despot absolut. Tek i qasesh pranë, ndien menjëherë, ti europiani i zvogëluar nga shoqëria, gjigantizmin e kësaj njerëzie parake, edhe i nënshtrohesh asaj pa mundësi të maturi apo të gjykuari. Vetëm si të jesh kthyer në Europën tiranase, në të cilën e gjen së rishti kuptimin e jetës moderne, mund të bësh bilancin e një shoqërie me malësorët dhe
t’ia përvijosh asaj një skicë të pashtrembëruar ngashërie. Për sa kohë të qëndrosh me ta, kësaj ngashërie nuk i ikën: ajo t’i përmbys të gjitha
kriteret e gjykimit moral dhe civil mbas të cilave truri yt deri më tani qe mbajtur ngërthyer, koncepti i së mirës dhe i së keqes të kthehet kokëposhtë, ti vë në dyshim progresin, qytetërimin, ligjet, bota malësore të magjeps me padepërtueshmërinë e saj, me misterin e saj të thellë, me mohimin e saj goditës të gjithçkaje që deri aty më parë përbënte botën tënde.
Shqiptari i veriut ka virtytet e tij të veçanta, që janë virtytet homerike të kurajës dhe trimërisë. Ashtu si te grekët e vjetër, për
malësorët fuqi dhe mirësi janë e njëjta gjë, si edhe dobësi dhe ligësi. Simbas kodit të tyre moral, cubnia ndaj të tjerëve, vrasja e armikut, pretimi janë gjeste shoqërisht të vlerësuara, si përforcime të mëtejshme të këtyre virtyteve. Luftëtarë dhe poetë nga prirja natyrore, çdo heroizëm është lëndë për këngë dhe çdo këngë është nxitje për heroizmin e kuptuar kësisoj. Aspirata e madhe e çdo malësori është të kujtohet edhe mbas vdekjes si protagonist aventuarsh të rrezikshme, të bëhet objekt i një
kënge popullore. Çdonjëri prej tyre, me t’u lindur, vë kandidaturën për pavdekësi.

SHTËPIA DHE FSHATI
Jetojnë në shtëpi rudimentare, por me muraturë, të quajtura kulla.Një kohë, çdo fis kishte vetëm një ose pak kësi kullash, të caktuara për të shërbyer si fortesa. Pjesa tjetër e banesave përbëhej prej kasollesh, prej staneve, thurima kallamash të mbushura me droçka balte, ndërtuar prej vetë atyre që banonin në to. Muratorë të specializuar këtu lart nuk ka, ngase malësori e ka zët kriterin e profesionizmit, të zanatit.
Bën punën e blegtorit, sepse blegtoria është art, një art i palëvizshëm, art i lirë, që nuk e mban peng mendimin duke e shtrënguar mbas ndonjë
rregulloreje. Malësori është gjithë fantazi. Ata ta jugut nxënë dhe ushtrojnë zanate, ata të Dibrës dhe të Korçës bëjnë punën e muratorëve.
Ata, në shtegtimet e tyre, sollën edhe në male vesin e tullës e të llaçit dhe atë të gjeometrisë. Por malësorët edhe kësaj shpikjeje të borgjezëve jugorë i kanë vënë një mbresë të tyren, luftarake, duke ua përshtatur arkitekturën ndërtimore shijeve dhe nevojave të tyre të veçanta. Kulla ka formë katrore, më shumë e lartë se e gjerë, me mure të trasha, me
një derë të ngushtë e të rëndë, të mbathur në hekur, ndërsa përreth me një mur të thatë që të shërbejë si ledh mbrojtës. Çatia është një
rreshpe pa tjegulla; dritare ka pak e edhe ato ta pakta ndodhen në katin e parë dhe janë të vockëla fare, më shumë frëngji se dritare. Ka vetëm dy kate: përdhesin dhe të parin, të errëta për shkak të hapjeve të pakta dhe shpesh të tymosura për mungesë të oxhakut. Dhe shpesh aty jetohet, në harmoni biblike, bashkë me kafshët, që janë pjesë përbërëse e familjes. Orenditë janë më shumë ndërmendje se orendi: rrogozë për të ndenjur dhe për të fjetur. Vetëm kaq.
Por, të merremi vesh, ky është vetëm një përshkrim skematik, një lloj ideal i kullës. Në të vërtetë ajo ndryshon simbas pikës ku ngrihet dhe nevojave që duhet të përmbushë. Kështu, simbas mundësive ekonomike të pronarit, ka përbri kullës edhe stalla e magaze që lejojnë tanimë një dallim të qartë mes jetesës së njerëzve dhe asaj të shtazëve. Ka mandej
kulla me dy kate dhe atëherë kati përdhes shërben si magaze materialesh, ndërsa pjesa tjetër, kur është fjala për banesa muslimane, ndahet në selamllëk dhe haremllëk. Ka më në fund edhe kështjella, kështjella të vërteta e të mirëfillta, si ato që kam parë në Dibër: castrae të njëmendëta, të përforcuara mirë, me një gjerdan kullash përqark, brenda cakut të ledhit rrethues: ajo për shërbëtorët, ajo për kafshët, ajo për magazet, ndërsa në qendër ndodhet saraji, i vangti i vranti i frikti saraj.
Katundi ka lindur kështu: nga takimi i rastësishëm i disa kullave që në
një çast të caktuar u ndodhën, nuk po them të bashkuara, por më pak të hapërdara nga të tjerat në një territor të dhënë. Më shumë kulla
formuan mëhallën, më shumë mëhalla formuan një katund. Mos u kërkoni këtyre katundeve një plan rregullues. Plani rregullues parakupton një program, programi parakupton një pikësynim, ndërsa katundet malësore janë jashtësynimore, d.m.th. banorët e tyre kanë dëshirë për gjithçka, përpos se për jetë sociale. Në të vërtetë, përbrenda këtyre lidhnive çdo kullë
është pjesë më vete dhe, e skajuar, i bie ndesh lidhnisë brenda pritës së murit të saj të thatë, në qendër të hinterlandit të saj, me ekonominë e
saj, ligjin e saj moral, kreun e saj, kafshët e saj, tokën e saj, misrin e saj. Katundi është një organizim ideal, abstrakt, i përbërë nga
shuma e këtyre mikrobotëve të padepërtueshme, që shkoklohen, duke fyer rëndshëm logjikë e gjeometri, me largësi të stërmëdha. Do ta kërkoje më kot një qendër, gjithçka është jashtëqendrore, rrethinore, përfshi kishën
dhe xhaminë të cilat gjithashtu jetojnë të mënjanuara, të mbyllura në korracën e tyre prej muri të thatë: janë kisha dhe xhami luftarake,
sikurse qenë Krishti dhe Muhameti këtu e njëmijë vjet të shkuar. Pasiguria e shkaktuar nga të luftuarit pritash dhe të ndeshurit e vijueshëm fis me fis, burrë me burrë i ka bindur malësorët të zgjedhin për ndeja vendbanime tanimë të pajisura nga nëna natyrë me mjete mbrojtjeje: i duan shumë kreshtat e thikta, i urrejnë fundet e luginave; parapëlqejnë qafëmalet, i kanë zët pyjet. Dhe sa më larg të jetë e mundur nga deti.


FAMILJA
Duke strehuar një familje dhe duke pasur vetëm marrëdhënie të pakta me familjet e kullave të tjera, çdo kullë kuptohet si bërthama e vërtetë e organizmit social ose si familja.
Ajo është një organizëm i ngjeshët, moralisht i shëndoshë, i mbajtur bashkë nga autoriteti i gjithëfuqishëm i kreut që ngjan aty si despot. Regjimi i saj është patriarkor. Dhe, sikurse ndodh në të gjitha regjimet patriarkore të popujve burrërorë, gruaja ngre mjaft peshë dhe urdhëron shumë, krejt në të kundërt të regjimeve nordike matriarkore të popujve të femërsuar në të cilat gruaja ka vetëm një iluzion legalitar të urdhëruari. Doemos në Shqipërinë e veriut këtë e kupton vetëm duke jetuar aty. Përshtypja e parë është që pozita e gruas qenkësh aty siç është në të gjitha vendet me qytetërim të llojit musliman. Me të mysafiri i huaj nuk jep e merr, ngase kryefamiljari, që është sidomos burrë krenar, ia njeh vetes detyrën e politikës së jashtme. Parballë cilitdo të huaj, zotnia është ai, dhe do të ishte mungesë e rëndë korrektese t’i drejtoheshe drejtpërsëdrejti zonjës së shpís duke kapërcyer autoritetin burrëror. Por brendapërbrenda familjes është ajo që udhëron dhe drejton, është ajo deus ex machina, motori i palëvizshëm i gjithësisë së vogël që i rrotullohet qark. Ajo është e lirë, mbulesën nuk e ka mbajtur kurrë, dhe është e pagojë përballë burrit që, për traditë, duhet të ketë pamjen se
urdhëron. Dhe punon. Detyrat më të mundimshme i janë lënë asaj: të bëjë dru, të bartë ujë, të punojë arat. Dhe kjo për tri arsye: pikësëpari,
sepse malësori nuk mund të bëjë veçse punën e blegtorit; së dyti, ngase gruaja, duke qenë e shenjtë, mund të dalë jashtë pa drojë pritash nga ana e armiqve; së treti, ngase kjo shërben për të përforcuar konceptin tradicional të burrit-zot dhe për t’i siguruar, së paku në dukje, mbijetesën këtij koncepti.
Porse, për ta zbutur këtë doke që mund të zvetënohej më së fundi në një trajtë skllavërie të gruas, ka një marrëdhënie shumë të hollë, tejmase nazike, mes burri dhe gruaje, mes nëne dhe bijsh, marrëdhënie e padallueshme së jashtmi ngase është e pashprehur: dashuria. Të merremi vesh: është një dashuri jo si e konceptojmë ne, të lindur nga mishi, sepse shqiptari në përgjithësi dhe malësori veçanërisht janë shumë pak epshorë dhe ndjenjat e tyre janë të gjitha të përbrendshme, jo përmbi lëkurë; por një dashuri që lindet çikë-nga-një-çikë, mbas martesës, nga bashkëjetesa e ngushtë, nga simpatia e detyruar që mugullon mes dy qeniesh të cilat ndihen jo të vetëm mes të tjerëve, por të vetëm kundër të tjerëve, kundër natyrës koprace, edhe që mbrojnë e mbështesin shoqi-shoqin duke mos qenë gratë në këtë detyrë aspak më të ulta nga burrat.
Në Europën tonë, ku dashuria është një lëndë që negociohet dhe tregtohet kaq lehtë, ku jemi të prirur të pandehim se a jo qenkësh monopol i yni dhe i kohëve tona civile, rrallë kam parë një solidarësi mes bashkëshortësh të ngulitur kaq thellësisht. E, megjithëkëtë, për të nuk flitet.
Nëse një poet i këtushëm (por kush këtu nuk është poet?) të këndon një këngë, dashuri aty s’të ka. Gjak po, pretime, dyluftime, rrëmbime, gjakmarrje; por dashuri jo aspak. Dhe kurrë nuk më ka qëlluar të dëgjoja të shqiptohej nga ndonjëri prej zotërve të shtëpisë ku bueja emri i së shoqes, a një lëvdatë për të, a një fjalë me ndjenjë. Kurrë. Do të ishte dobësi dhe malësori nuk mund të jetë i dobët, nuk duhet të jetë i dobët, në do të jetë burrë. Ndjenjat e tij për të shoqen i mban të varrosura në më të thellin fund të vetes, të pashprehura dhe ndoshta të pashprehshme. Por malësori e do gruan e tij, e do për gjithë jetën, nuk ia nxë mendja pabesinë në martesë, është bashkëshort mjaft i mirë dhe at mjaft i mirë. Kërkon shumë, kërkon sidomos shumë bij, por edhe jep shumë, jep sidomos shembullin. Dhe, në të vërtetë, s’ka gjë më të lidhur e të bashkuar se familja malësore, ku kreu vendos për gjithçka, edhe për martesën e bijve.

TEPOSHTJE DHE RILINDJE
Tani, të merremi vesh: ky regjim fisnor dhe patriarkor i Shqipërisë së veriut nuk është më aq i fortë sa njëherë, ndoshta tanimë vetëm sa ka mbetur gjallë mbas vdekjes së vet, i brejtur pak-nga-pak prej evoluimit të ngadalshëm të jetës së vendit drejt formash dhe kriteresh me të përditësuara. Tirana, dalgadalë por pamëshirëshëm, i shtyn kthetrat e saj deri këtu lart, me prefektët e saj dhe ligjet e saj, ajo tërheq, përthith, shthur, shpërbën. Malësia mbetet ende e paarritshme, por jo më si këtu e tridhjetë vjet të shkuar, në kohën e turkut. Të rinjtë, këta rabdomantë të përjetshëm të përparimit, i shkepen traditës, hapin sy e mendje ndaj ideve të reja sociale, vënë në diskutim autoritetin e bajraktarit, u vënë minat paragjykimeve dhe bindjeve që deri më tani janë vendosur si rregulla të dokeve malësore. Ata bëjnë, me një fjalë, atë që kanë bërë gjithnjë të rinjtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: shembin.
Ndërsa pleqtë bëjnë atë që kanë bërë gjithnjë pleqtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: mbajnë me pajandra. I vetmi ndryshim, ndoshta, është sot se të rinjtë e kanë një çikë më pak gabim, kurse pleqtë kanë një çikë më pak të drejtë se ngaherë. Një i huaj i çinteresuar, që ta dojë shumë Shqipërinë, siç mund të jetë një italian, edhe që beson vendosmërisht te Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj, politikisht nuk mund të jetë veçse me të rinjtë. Por për nga ndjenjat nuk mund të jetë veçse me pleqtë, së paku në keqardhjen parandaluese për atë që deri më tani ka qenë dhe ende pjesërisht është poezia e kulluar dhe qëndrueshmëria morale e jetës malësore. Është një mësim i madh njerëzor ai i malësorëve, një mësim i madh virtytesh vatjake, që do të doja t’i shihja jo të shkatërruara në emër të një virtyti social, qoftë edhe më i lartë, por vetëm të harmonizuara me të. Ndoshta është e pamundur. Dhe, në qoftë e pamundur, është e drejtë që ato virtyte të biren. Por është gjithaq e drejtë që atij që ka jetuar pakëz mes këtyre malësorëve të rreptë e krenarë, mes këtyre kullave të hapërdara malesh që të huajit ia hapin dyert për ta mbështjellë me një afsh të ngrohtë mikpritjeje të përzemërt; që atij që ka mundur t’i masë vetë çiltërinë e këtyre shpirtrave të thjeshtë e të fuqishëm edhe flijimin e përditshëm edhe besnikërinë e papërkulshme ndaj dokeve të veta edhe lidhninë e thellë mbas familjes edhe shenjtërinë e fjalës së dhënë të malësorëve; është gjithaq e drejtë them që atij t’i vijë keq për bjerjen e tërë kësaj, për zvogëlimin e pashmangshëm të cilit Malësisë do t’i duhet t’i nënshtrohet për t’u bërë një krahinë e Shqipërisë një dhe të madhe, për të përmbushur procesin e përbashkët kombëtar tanimë në zhvillim të plotë.
Flijim edhe më i lavdërueshëm për sa malësorët, duke humbur fizionominë e tyre, do të humbin diçka përnjëmend fisnike, një shënjesë aristokratike, një stemë bujarie.

1 Në origjinal kjo kalesë është e çalë, ndoshta me gabime shtypi; këtu është dhënë përkthimi i mundshëm (shën. i përkth.)
 

Rambo

Primus registratum
Re: Veriu i Shqiperise

kete artikull do ta quaja: RIKTHIM NE SHQIPERINE KU ORA KA NGELUR!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
 

marina s.

Forumium maestatis
Re: Veriu i Shqiperise

Fillimisht postuar nga AnaBlue:
[qb] Indro Montanelli

Në shqip nga Aurel Plasari. Sipas origjinalit "Albania una e mille",
G.B. Paravia & C, 1939.

2. Shqipëria e veriut
është gjithaq e drejtë them që atij t’i vijë keq për bjerjen e tërë kësaj, për zvogëlimin e pashmangshëm të cilit Malësisë do t’i duhet t’i nënshtrohet për t’u bërë një krahinë e Shqipërisë një dhe të madhe, për të përmbushur procesin e përbashkët kombëtar tanimë në zhvillim të plotë.
Flijim edhe më i lavdërueshëm për sa malësorët, duke humbur fizionominë e tyre, do të humbin diçka përnjëmend fisnike, një shënjesë aristokratike, një stemë bujarie.
[/qb]
shko re qerohu!do i tregoje italiani shqiptareve se çfare humbin.i qan syu per nje Shqiperi me konflikte te brendshme e te prapambetur prandaj bejne kesisoj shkrimesh,me nez fitilat.
 

arbi

Primus registratum
Re: Veriu i Shqiperise

indro montanelli eshte nje nga baballaret gazetarise italiane dhe kete shkrim e ka bere ne 1938-1939....
 
Top