Vëllezërit Rexh e Roxher dhe nëna e tyre amerikane

shqipguest

Primus registratum
Vëllezërit Rexh e Roxher dhe nëna e tyre amerikane

Vëllezërit Rexh e Roxher dhe nëna e tyre amerikane
nga Astrit Lulushi, SHBA

Komuniteti shqiptaro amerikan është hallka kryesore që i lidh shqiptarët në Ballkan me Hemisferën Perëndimore. Por në plan personal këta dy popuj u afruan më shume se kurrë, ndoshta falë zemrës së një gruaje, Rose Wilder Lane, jo sepse ajo ishte një shkrimtare e njohur dhe mikeshë e shqiptarëve, por sepse në kohë e rrethana të ndryshme ajo birësoi dy djem; shqiptarin Rexh dhe amerikanin Roxher. Shqiptarin e birësoi, pas luftës së parë, kur ky i shpëtoi jeten, ndërsa amerikanin menjëherë pas luftës së dytë, kur ky kishte nevojë për nxitje në jetë.

Biri i saj shqiptar, Rexh Meta, njihet si një nga themeluesit e Lidhjes se dytë te Prizrenit, organizatë politike-luftarake, e krijuar në vitin 1943 me synim clirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët. Ndërsa biri amerikan, Roger Lea MacBride, njihet si një nga themeluesit e partisë Libertariane, e krijuar në vitin 1971, dhe që sot shikohet si partia e tretë më e madhe politike në Shtetet e Bashkuara. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976, Roger Lea MacBride, vëllai i Rexhës, ishte kandidat i partisë libertariane për postin në Shtëpinë e Bardhë. Por ai nuk fitoi, ashtu si edhe Rexha në luftën e tij.

Thuajse cdo amerikan i lindur pas luftës së dytë botërore i ruan të gjalla imazhet e serialit të njohur televiziv "Little House on the Prairie” mbështetur në një varg vellimesh të letërsisë për fëmijë, ku autorja tregon mbi fëmijërinë e saj gjate mesit te shekullit të XIX në perëndimin amerikan. Librat mbajnë emrin e shkrimtares Laura Ingalls Wilder, por nga kritika është pranuar gjërësisht, se ato jane shkruar nën nxitjen dhe kujdesin redaktues të vajzës së saj, Rose Wilder Lane.

Rose, vdiq me 1968, ne moshën 82 vjecare dhe la pas shumë vepra; libra mbi jeten e personaliteteve si Herbert Hoover, Henry Ford, Charli Chaplin e Xhek London; dhe një letërkëmbim të pasur e shënime udhëtimesh vecanerisht në trojet shqiptare. Këto shënime të pa botuara, ruhen në formë dorëshkrimesh në bibliotekën presidenciale Herbert Hoover në West Branch të shtetit Ajova.
Gjatë luftës së parë botërore, Shqipëria u bë një vend-kalim për shumë ushtri të huaja. Kjo ishte arsyeja që organizata të Kryqit të Kuq i shtrinë veprimtaritë e tyre në rajon per t’u ardhur në ndihmë jo vetem ushtarëve të plagosur, por edhe banorëve, viktima të luftës. Rose Wilder Lane shërbeu si infermiere e Kryqit të Kuq amerikan, ekipe të të cilit erdhën edhe në Shqipëri. Mes tyre ndodhej Rose Wilder Lane. Ky duket se ishte edhe takimi i saj i parë me banorët dhe natyrën e këtyre trojeve. “Kalifornia, Mizuri dhe Ballkani janë vendet e mia”, do të thoshte ajo më pas.

Në vitin 1921, Rose, vizitoi luginën e Shalës në Shqipërinë veriore së bashku me disa punonjës të Kryqit të Kuq me shpresë për të krijuar një rrjet shkollash në këtë rajon të thellë malor. Mendohet se gjatë ngjitjes në udhët e thepisura, Rose rrëshqiti dhe ndërsa ishte gati të binte në humnerë, ajo u kap pa pritur nga duart e një djali 12 vjecar, Rexh Meta, banor i atyre anëve, që së bashku me të atin shoqëronte vizitorët amerikanë në këtë udhëtim. Rose nuk do t’a harronte kurrë këtë akt dhe me pelqimin e familjes, e birësoi malësorin e vogël shaljan, i cili do të rritej e shkollohej nën kujdesin e amerikanes së njohur. Kur Rexh Meta përfundoi shkollën teknike të Fulzit në Tiranë më 1927, Rose Wilder Lane, i siguroi atij një bursë studimi për në Universitetin e Kembrixhit në Angli. Pas diplomimit, Rexha kthehet në Shqipëri, ku martohet dhe bëhet me fëmijë, vajzë që ia vuri emrin, Bora Rose. Kur filloi lufta e Dytë botërore, lidhjet e Rose Wilder Lane me djalin e saj të birësuar u ndërprenë. Në vitin 1945, kur vendi dukej se cfarë drejtimi po merrte, Rose i kërkoi ish presidentit Herbert Hoover, që t’a ndihmonte për të tërhequr familjen e Rexhës nga Shqipëria. Por përpjekjet e saj nuk patën sukses.

Gjatë qëndrimit të dytë në Shqipëri, në vitin 1922, shkrimtarja amerikane arriti të njihej nga afër edhe me Ahmet Zogun, atëhere 27 vjecar dhe minister i Brendshëm. Thuhet se ata ranë në dashuri ose të paktën historianët thonë se mbreti i ardhshem i shqiptarëve ra në dashuri me shkrimtaren amerikane. Në fakt, në një letër që Rose i shkruante nënës së saj në Amerikë, ajo thotë se Zogu i kishte propozuar të martoheshin. Por në vitin 1922, Rose largohet nga Shqipëria për shkak të trazirave që kishin filluar në mars të atij viti.

Në vitin 1928, Rose Wilder Lane niset përsëri drejt Shqipërisë. Këtë here, ndoshta e ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Zogut të Parë si Mbret i Shqiptarëve. Në fund të po atij viti, Rose kthehet në Amerike dhe shënimet e këtij udhëtimi të tretë dhe fundit në Shqipëri, ajo i përmblodhi në librin “Travels With Zenobia: Paris to Albania by Model T Ford”.
 
Top