Urtësi psikopatësh - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Rruga drejt një posti është e vështirë, e përjetë. Ajo mund të krahasohet me një shtyllë të lyer me graso, në majë të së cilës qëndron shpërblimi.
Për t’u ngjitur, njeriut i duhet të jete i përqëndruar, këmbëngulës, egocentrist, i pamëshirshëm, pa empathi, të harrojë çdo vlerë veç asaj materiale; të tjerët t’i shtyjë a t’i shkelë; dhe këta të mos e kundërshtojnë pasi nga fitorja e tij mund të vjelin ndonjë përfitim.
Kjo është psikologjia e garës drejt postit në shekullin e 21, ku mirësjellja, dashamirësia, etika, aftësia, intelekti, të gjitha dalin në vend të dytë.
Shfrytëzimi i mirësisë së tjetrit – e marë për dobësi – idea e fitores me çdo kusht a mjet janë “veti”, megjithëse nxisin, përdoren a motivojnë njësoj edhe një vrasës – me përjashtim se ky i fundit ka zgjedhur rrugën e krimit dhe jo atë të politikës.
Psikopatët janë njësoj, ata ndahen vetëm në varësi të rrugës që zgjedhin – funksionalë dhe jo-funksionalë. Kjo, pak-a-shumë është edhe linja i librit “Wisdom of Psychopaths”, ku autori Kevin Dutton, doktor psikolog në universitetin e Oksfordit, Angli, bën një udhëtim tërheqës në jetën e psikopatëve dhe sjelljet e tyre tepër dinake e të përllogaritura.
Duke u mbështetur në kërkime e studime mjekësore e shoqërore, autori zbulon se të gjithë njerëzit deri-diku kanë një shkallë “çmendurie”.
Duke ndërthurur përparimet më të fundit në teknologjinë e skanimit të trurit dhe në neuroshkencë, Dr. Dutton thotë se një drejtues maniak, një neurokirurg i shkëlqyer a një polic i tejzellshëm kanë shumë gjëra të përbashkëta me një “Ted Bundy” që vret për kënaqësi, ose me një shofer që zihet a vret për një vend parkimi. Në fakt ky i fundit ka të njëjtën shkallë sjelljeje të papërmbajtur me një “psikopat funksional”, që ua bën vartësve jetën në punë të padurueshme, ose shfrytëzon gjendjen e tyre nevojtare për t’i shërbyer egos së vet a për t’iu gëzuar pushtetit. Por ndryshe nga homologët e tyre vrasës, në disa fusha, sa më shumë “psikopatë” këta funksionarë janë, aq më shumë të ngjarë ka që të ngjiten në pozita a poste më të larta.
Duke shtjelluar teorinë e tij se të gjithë njerëzit kanë prirje psikopatie, Dr. Kevin Dutton vë përpara argumentin që shoqëria si tërësi është sot më shumë se kurrë e “çmendur”, ku njerëzit priren të jenë të guximshëm, vetë-vlerësues, karizmatikë të sipërfaqshëm, të pandjeshëm-të pamëshirshëm, të pangopur, egocentristë, amoralë dhe të fiksuar në një ide, “cilësi” që rekomandohen për të patur sukses në kohën tonë.
Duke përcjellë optimizëm përmes një rruge të errët, siç është sëmundja e psikopatisë, dhe njëkohësisht duke nxitur mendimin nga faqja-në-faqe (280), libri “Wisdom of Psycopaths” botuar nga Scientific American 2012, duket se është për çdo njeri që kërkon të njohë më shumë veten dhe të tjerët ose që përpiqet të gjejë çelësin e suksesit.

b.gif
 
Top