Re: Turpi i Korridorit 8: Nga Gjergj Buzuku
pasi te lexoni kete, mendoni se sa do te ndikoheshim nga te huajt po te kishim edhe korridorin 8
Presionet e ardhura nga institucionet e Brukselit, të përforcuara nga FMN-ja dhe të pakundërshtuara nga qeveria, heqin taksën e posaçme të lindur për financimin e rrugës Durrës-Kukës
Genti Xhaferraj / Data (31-10-2003)
Një ndër objektivat e përcaktuar nga qeveria dhe të miratuar nga FMN-ja për vitin 2004 është heqja e taksës së rrugës Durrës-Kukës. Një gjë e tillë është kërkuar nga Bashkimi Europian dhe është mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të fillimit të negociatave për tregtinë e lirë me BE-në. Kjo taksë është doganore dhe aplikohet mbi gjithë importet, dhe pikërisht një gjë e tillë ka rënë ndesh me kushtin për uljen e tarifave doganore që duhet plotësuar për tregtinë e lirë me BE-në. Ka qenë qeveria shqiptare ajo që ka përcaktuar si objektiv për vitin 2004 heqjen e taksave me destinacion, ku e vetmja e këtij lloji në Shqipëri është ajo e rrugës Durrës-Kukës. Ky veprim, i ndërmarrë me “bekimin” dhe mbështetjen e FMN-së, nuk është frymëzuar aspak nga meraku i qeverisë apo i FMN-së për barrën fiskale që rëndon bizneset shqiptare, pasi një merak të tillë ato e treguan hapur para dy ditësh që nuk e kanë. Argumentet për heqjen e kësaj takse specifike si rezultat i presioneve të ndërkombëtarëve, nuk mund të qëndrojnë po të kihet parasysh morali i vendosjes së saj. Ajo taksë u caktua e posaçme për të siguruar paprekshmërinë e financimit të kësaj rruge, të cilësuar si shumë e rëndësishme për të gjithë faktorët e jetës politike-ekonomike-sociale shqiptare. Ndërkohë, FMN-ja ka thënë para ca kohësh se, në rast se qeveria do me të vërtetë ta ndërtojë këtë rrugë, mund të hapë një zë të veçantë në buxhetin e shtetit për financimin e saj, gjë që nuk duket aspak të ketë ndodhur. Sidoqoftë, nëse do t’i besohej qeverisë menaxhimi i fondeve të kësaj rruge, taksa nuk do të ishte vendosur e posaçme. “Mënyra e financimit të rrugës Durrës-Kukës si zë i veçantë nga buxheti i shtetit, është zgjedhur e tillë për të qenë sa më e qëndrueshme nga vendimmarrjet politike të kabineteve qeveritare, që ndryshojnë shpesh,” thotë Gjergj Buxhuku, analist ekonomik dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Politikave Antidumping. Madje, nuk janë të rrallë zërat që akuzojnë qeverinë se i ka përdorur edhe paratë e mbledhura nga kjo taksë për mbushjen e boshllëqeve në buxhetin e shtetit. Sipas Edmond Spahos, ekonomist dhe funksionar i Partisë Demokratike, arsyeja e heqjes së taksës së rrugës Durrës-Kukës është vetëm një pretekst për të mbuluar keqpërdorimet e kësaj takse. “Vitin e kaluar ajo ka shërbyer për financimin e deficitit buxhetor,” u shpreh ai. “Taksa speciale e rrugës Durrës –Morinë nuk paguhet nga biznesi shqiptar, - thotë Gjergj Buxhuku, - ajo merret përsipër dhe përballohet nga qytetarët shqiptarë, që paguajnë gjithçka”.
Taksa përbëhet nga:
a. mbitaksa në masën 1 për qind të vlerës doganore dhe aplikohet mbi të gjitha mallrat e taksueshme të importit
b. taksa mbi karburantet e importuara (si gazoil, benzinë dhe benzol) dhe të prodhuara në vend në masën 3 lekë/litër (këto produkte taksohen dyfish nga kjo taksë, 1 për qind në doganë dhe 3 lekë/litër në shitje.
c. taksa vjetore prej 30 mijë lekësh mbi tatimpaguesit e TVSH-së
Ndërtimi i rrugës: kompanitë shqiptare apo të huajat?
Sipërmarrësit shqiptarë të ndërtimit prej kohësh pengohen për të marrë pjesë në tenderat ndërkombëtarë që organizon shteti shqiptar për ndërtimin e rrugëve nacionale, të cilat financohen nga Banka Botërore e donatorë të tjerë. Ky shqetësim është ngritur edhe nga Bardhyl Çeku, inxhinier rrugësh dhe specialist tunelesh, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rrugëve, mbledhje ku u miratua varianti përfundimtar i ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Çeku shprehu pakënaqësi për faktin se për problemet teknike dhe profesionale mendimi i specialistëve shqiptarë pothuajse nuk është marrë fare parasysh nga konsulentët e huaj që kanë bërë studimin e fizibilitetit. “Kjo është një rrugë që do t’i përkasë kombit shqiptar, dhe si e tillë, duhet ndërtuar po nga ekspertë dhe specialistë të këtij kombi,” tha Çeku. Sipas tij, shteti shqiptar duhet të ndërpresë diskriminimin ekonomik si ndaj kompanive tregtare, ashtu edhe ndaj kompanive të ndërtimit. Ndërkohë, kryeministri Nano është shprehur se qeveria po i heq barrierat diskriminuese dhe se askush nuk i ka penguar kompanitë shqiptare të marrin pjesë në projektimin e kësaj rruge. “Kombin e kemi futur në tregje, dhe në tregje ka konkurrencë,” tha kryeministri në lidhje me kërkesën e inxhinierit për ndërtimin e rrugës nga kompanitë vendase.
Komuniteti i biznesit: ”Durrës-Kukës-Morinë, efekt të madh në ekonominë e rajonit”
Flet Koço Kokëdhima, kryetar i BOBSH-it
Heqja e taksës Durrës-Kukës-Morinë ka vetëm një qëllim: sabotimin e ndërtimit të kësaj rruge që lidh Shqipërinë me Kosovën. Kjo rrugë përbën një shqetësim të madh për të gjithë armiqtë e zhvillimit të interesave shqiptare në Ballkan dhe veprimi i qeverisë shqiptare është thjesht një shërbim që u bëhet këtyre armiqve. Teoria për të financuar me paratë e buxhetit të shtetit është një mashtrim i pastër që bën Fatos Nano dhe Kastriot Islami, të cilët dëshirojnë që kjo rrugë të mos ndërtohet kurrë. Deputetët e parlamentit shqiptar, të mazhorancës dhe opozitës, duhet të hedhin poshtë këtë përpjekje antishqiptare që bëhet nën ombrellën e FMN-së. Dhe paratë që janë mbledhur gjatë dy vjetëve nga taksa “Majko”, janë harxhuar që të gjitha për të mbyllur vrimat e zeza që bënë Nano e Islami në buxhetin e shtetit, përmes kontrabandës në dogana, evazionit fiskal dhe politikave të shkatërrimit të ekonomisë kombëtare. Fatos Nano dhe Kastriot Islami, së bashku me plaçkitësit e huaj të vendit tonë, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët, duke u thënë se do ta ndërtojnë rrugën Durrës-Kukës-Morinë me fadromat e xhenios dhe me paratë e buxhetit të shtetit të tyre. Në qoftë se kjo mazhorancë do të sabotojë këtë vepër të bashkimit tonë kombëtar, ajo do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe përgjigjet e duhura nga elektorati shqiptar në një kohë shumë të shpejtë.
Agim Rrapaj: ”Jemi kundër çdo veprimi për heqjen e kësaj takse”
Komuniteti i biznesit kundërshton me forcë heqjen e taksës së rrugës Durrës-Kukës-Morinë, pjesë e Korridorit 5. Heqja e kësaj takse, e njohur ndryshe si taksa “Majko”, është ndër objektivat e përcaktuar nga qeveria për vitin 2004 edhe me sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bashkimit Europian. Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), shprehet për “Biznesin” se “ne jemi dakord që kjo taksë të vazhdojë të vilet dhe ne si komunitet kemi qenë iniciues të vendosjes së saj”. “Ne jemi kundër çdo veprimi për heqjen e kësaj takse,” shprehet ai. Për sa i përket rëndësisë së ndërtimit të kësaj rruge, Rrapaj tregon se realizimi i saj do të ketë efekt shumë të madh si në Shqipëri, ashtu edhe në rajon. Hajri Elezi, pronar i stabilimentit të ujit “Lajthiza”, thotë se “kjo rrugë është më e vlefshme se çdo aks tjetër, pasi ajo u shërben 50 milionë banorëve në Bullgari, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri”. Sipas tij, ky është aksi më i përshtatshëm për importin dhe eksportin e mallrave dhe janë interesat e disave ato që e kanë lënë në harresë ndërtimin e saj. “Me anën e kësaj rruge, të gjitha këto shtete kanë mundësinë e daljes në det, që është një gjë shumë e rëndësishme,” përfundon Elezi. Këtij mendimi i bashkohet edhe drejtori i “Birra Tiranës” Enea Janko. Ai shprehet: ”Kjo rrugë nuk është e rëndësishme vetëm për ne, pasi zgjerohet tregu, por edhe për të gjithë komunitetin e biznesit. Ky është një investim strategjik dhe qeveria ka mundësi që në zërin ku parashikohen këto shpenzime, të krijojë fonde për financimin në një nivel të kënaqshëm të kësaj rruge”. Sipas tij, duhet që buxheti i shtetit të menaxhohet sa më mirë.