Tuneli, i mbyllur edhe për autoritetet

Tuneli, i mbyllur edhe për autoritetet

Prefekti i Kukësit dhe një ambulancë nuk u lejuan dje të kalonin nëpër galeri

Pavarësisht deklaratave të autoriteteve, situata në tunelin Thirrë-Kalimash nuk është aspak normale. Firma që kryen ende punime në tunelin e inauguruar përpara zgjedhjeve të qershorit të këtij viti, nuk ka lejuar dje autoritetin më të lartë shtetëror të zonës, prefektin e Kukësit, që të afrohej në galerinë ku thuhet se ka ndodhur një shembje serioze.

Prefekti i Kukësit, Elez Maçi, udhëtoi mesditën e djeshme te kampi i “Bechtel-Enkës” në Fushë-Dukagjin, për të ndërmjetësuar kalimin e ambulancës së Kukësit me një fëmijë të sëmurë, shëndeti i të cilit nuk mund ta përballonte rrugën e vjetër prej 7 orësh apo më shumë nga Kukësi në Tiranë në një mot të tillë. Por, siç u shpreh vetë Maçi, ishte e pamundur të bëhej një gjë e tillë.

Në të dy galeritë, siç sqaruan specialistët që e pritën prefektin e Kukësit në kantier, po punohet dhe teknikisht ishte e pamundur të bëhej ky “lëshim”. Kështu që ambulanca me fëmijën e sëmurë përshkoi majën e malit në atë që mund të quhet tashmë “by pass”-i i Kalimashit, në një terren tepër të vështirë.

Aktualisht në tunel punojnë, sipas burimeve jo zyrtare, mbi 200 punëtorë e specialistë dhe numri i tyre mund të shtohet në ditët e ardhshme. Në pjesën e pabetonuar të galerisë veriore, e cila funksionoi që nga qershori, punohet me betonim duke avancuar nga 12 metra në ditë, ndërsa në atë jugore, ku thuhet se ndodhi shembja, duke krijuar një hinkë problematike në mes të malit, punohet në dy drejtime: duke hequr materialin e rënë, si dhe duke mbushur hinkën e krijuar. Specialistët thanë se nuk ishte një gjë krejt e papritur dhe se të angazhuar riparimin e gjendjes, askush nuk e vriste mendjen më për ta përdorur galerinë për depërtime udhëtarësh deri në përfundimin e plotë të veprës.

Ndërkohë, shoferët që kalojnë në rrugën mbi mal përdorin litarë për të tërhequr njëri-tjetrin, deri edhe zinxhirë, vetëm e vetëm për të shmangur rrugën e vjetër.

Rruga nacionale Kukës-Tiranë, nëpër të cilën lëvizin edhe mjetet që kanë për drejtim apo kthehen nga Kosova, që nga dita e mbylljes së tunelit është kthyer në arterien e vetme të qarkullimit rrugor. Periudha e funksionimit të njërës prej galerive të tunelit nuk zgjati shumë dhe qe një ëndërr e shkurtër, e cila zgjoi te mijëra shqiptarë ndjenjën e të qenit element i metropolit të përbashkët, Tiranës. Për aq kohë sa funksionoi tuneli, rrugën e vjetër nuk e shkeli askush, duke bërë që erozioni të bëjë punën e vet.

Përpos kësaj, reshjet e ditëve të fundit e kanë shndërruar rrugën e vjetër nacionale në një rrugë me baltë, si ato të komunave të thella. Në Qafë-Mali, Shëmri dhe Qafë-Shllak punojnë një numër fadromash që pastrojnë dheun e skrapatave dhe prurjet e erozionit, duke bërë që të mos ndërpritet qarkullimi. Megjithatë, ideja se përtej malit të Kalimashit është autostrada, po tërheq në mënyrë aventurore qindra e qindra drejtues mjetesh, saqë të krijohet përshtypja se tuneli u krijua thjesht për tu kujtuar njerëzve se ekziston ky “by-pass”. Aty sheh një numër të madh mjetesh, që nga furgonët e fuoristradat e deri tek autoveturat dhe kamionët. Javën e parë pas mbylljes së tunelit, “by pass”-in e kaluan vetëm fuoristradat, por më pas gati çdo mjet udhëtarësh preferon ti kalojë asaj rruge. Nga rruga e vjetër sheh vetëm ndonjë autobus të rrallë të kosovarëve, të cilët nuk mbushen më si më parë. Shumë pak udhëtarë zgjedhin rrugën e vjetër, për të thonë se “është tepër shkatërruese dhe e rrezikshme”. Ndërsa “by pass”-i zgjat vetëm 50 minuta, sepse një nga tri variantet, ai që shkelet prej të gjithëve, është vetëm 14 km dhe është shumë i rrezikshëm. Ka edhe variante të tjerë më të gjatë e më pak të rrezikshëm që i bien nga Arrni (Qafa e Kombit), apo ajo e Qafës së Kumbullës te Laku i Qershisë.(shqip)

M36i_vxg-NM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26179. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26179

Top