Truri dhe alkooli - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri sugjeron se truri i alkoolikëve i përshtatet pijes duke kthyer alkoolin në burim energjie. Megjithatë, truri bëhet i varur në këtë lloj energjie dhe personi e ka më të vështirë për të lënë pijen.

Pas konsumimit të alkoolit, mëlçia fillon me shpejtësi konvertimin e etanolit të alkoolit në acetat, një kimikat që zakonisht gjendet në uthull. Acetati pastaj qarkullon nëpërmjet gjakut në të gjithë trupin. Nivele të larta acetatesh shkaktojnë pezmatim të mëlçisë ku alkooli zbërthehet. Sipas studimit, ekzpozimi i organizmit për një kohë të gjatë ndaj acetatit e dëmton trurin në periudhë afatgjatë - edhe pse nxit metabolizmin. Metabolizëm është proces transformimesh kimikë brenda qelizave që ndihmon rritjen, riprodhimin dhe ruajtjen e strukturave të organizmave dhe për t’iu përgjigjur mjedisit.
Konsumi i etanolit mund të shkaktojë rënie të shpejtë të nivelit të glukozës në gjak, dhe përderisa glukoza (sheqeri) është burimi kryesor i energjisë së qelizave të trupit, acetati kompenson nivelin e ulët të sheqerit dhe bëhet ushqim zevendësues për trurin dhe organe të tjera.
Një ekip i studiuesish pranë universitetit Yale (SHBA) zbuloi se pirja afat-gjatë dhe me tepri i alkoolit rrit metabolizmin dhe shpejtësinë e asimilimit të acetatit, çka do të thotë se alkoolikët mbështeten gjithnjë e më shumë në acetat për energji. Studimi u botua në numrin e fundit të Revistës së Clinical Investigation
Përveç rritjes së metabolizmit që vjen nga acetati, shkencëtarët zbuluan se zbërthimi i acetatit prodhon adenosinë, një kimikat që e bën të vështirë për personin të shkëputet nga ndikimi apo varësia e alkoolit.
Këto gjetje ishin befasuese, sepse shkencëtarët kryesisht mendojnë se glukoza është i vetmi burim i mundshëm i energjisë për trurin.
Në vazhdim të kërkimeve shkencëtarët shpresojnë të përcaktojnë nëse marrja e tabletave shtesë acetat dhe adenosin mund të lehtësojë simptomat e heqjes dorë nga pija për personat e alkoolizuar, si dhe të ndihmojë de-toksifikimin e një të dehuri. Ata mendojnë se acetati shtesë mund të pakësojë joshjen e trupit për t’a kthyer alkoolin në burim energjie.

b.gif
 
Top