Tragjedi në Mesdhe, mbyten 54 refugjatë

thumbnail.php
Rikthehen tragjeditë në përpjekjet e mijëra refugjatëve afrikano-veriorë për të mbërritur në brigjet italiane. Të paktën 54 persona kanë gjetur vdekjen në përpjekje për t’u larguar nga vendi i tyre e në kërkim të një jete më të mirë.
Lajmi konfirmohet nga organizmi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR. Sipas UNHCR në varkën e nisur nga brigjet libiane kanë qenë 55 persona, pjesa më e madhe të të cilëve nga Eritrea. 54 prej tyre kanë gjetur vdekjen dhe vetëm njëri ka mundur t`i shpëtojë kalvarit të mundimeve. Ky i fundit është shndërruar në të mbijetuarin dhe dëshmitarin e vetëm të tragjedisë. Pjesa më e madhe e refugjatëve kanë gjetur vdekjen si pasojë e dehidratimit dhe mungesës së ushqimit.
Ai rrëfeu për UNHCR se si kishte humbur bashkë-udhëtarët e tij një e nga një në odisenë e udhëtimit 15-ditor nëpër Mesdhe drejt brigjeve italiane. I mbijetuari u shpëtua nga roja bregdetare tuniziane mbrëmjen e ditës së hënë. Ai u transportua menjëherë në spital dhe pasi mblodhi energjitë e humbura rrëfeu gjithë historinë.
Komisari i Lartë për të Drejtat e Refugjatëve në OKB, Alexander Aleinikoff tha se bëhej fjalë për një tragjedi të vërtetë dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që patrullojnë në detin Mesdhe të bëjnë kujdes me varkat që mbartin emigrantë klandestinë për të shmangur të tilla ndodhi.//
 
Top