Re: Tragjedi në Liqenin e Farkës
Rrëfimi i Rominës, njërës prej të mbijetuarve: U mbytën duke shpëtuar njëri-tjetrin
Përpara se të jepnin shpirt luftuan me thonj, por jo për kokën e tyre
Në varkën e vogël që u përmbys dje në liqenin e Farkës, kishte shumë dashuri. Askush nga ata që ishin brenda nuk mendonte të dilte vetë, por kërkonte të nxirrte nga uji njeriun e dashur që kishte pranë. Askush nuk e merrte guximin të bënte për lart nga ajri, pa u siguruar se lart po shkonte edhe fëmija, nëna, babai, motra, vëllai.
Ekspertët e mjekësisë ligjore thanë dje se në trupat e 16 të mbyturve janë gjetur gërvishtje thonjsh. Ata pak që shpëtuan tregojnë se këto shenja nuk janë shkaktuar nga lufta për mbijetesë, por nga lufta për të shpëtuar tjetrin.
Atje poshtë, në errësirë të plotë, nënat u kanë dhënë duart djemve për t‘i shtyrë drejt sipërfaqes, por djemtë i kanë mbërthyer fort, për t‘i tërhequr lart. Ashtu duke luftuar gjithsecili për të mos shpëtuar vetë, kanë humbur ndjenjat. Kanë dhënë shpirt të kapur me thonj pas njëri-tjetrit dhe pastaj janë lëshuar drejt fundit si në një vallëzim të fundit, pranë e pranë njëri-tjetrit.
Babai i dy fëmijëve trevjeçarë kishte arritur të dilte në sipërfaqe, bashkë me vogëlushët. Ishte munduar t‘i shtynte të dy drejt bregut, por njëri i kishte shpëtuar. Ishte munduar ta kapte njërin, pa e lëshuar tjetrin, derisa fuqitë e kishin lënë. Kjo skenë tronditëse është parë nga ata që vrapuan nga bregu për të dhënë ndihmë.
Romina Hysa, e vetmja e mbijetuar e familjes me katër anëtarë, nuk ishte në gjendje të tregonte detaje dje, kur mbërriti në shtëpinë e saj në Berat. Ashtu e përhumbur, ajo mundi të thoshte vetëm pak nga "përleshja" nën ujë: Nuk e di si dola në sipërfaqe. Aty një burrë më kapi e më ndihmoi të hipja mbi varkën e përmbysur. Pashë që pranë varkës ishte vajza e hallës sime, të cilën e kapa për flokësh dhe e ngrita lart", ka thënë Romina, e cila ndihej në faj pse ishte ende gjallë, kur nëna, babai dhe vëllai nuk ishin më.
Të tre ata që patën aq instinkte të forta sa të dilnin në sipërfaqe, nuk donin të flisnin dje. Jo vetëm sepse janë të tronditur nga humbja e tmerrshme e njerëzve të dashur, por edhe pse janë gjallë pa dëshirën e tyre. Do të donin të ishin vetë në vend të atyre që prekën fundin e liqenit.
Kush e di se çfarë është humbja e njeriut të dashur, mund ta kuptojë shumë mirë se sa pa gajle e kanë marrë vendimin për të mos luftuar për vete, ata burra, ato gra e ata të rinj, që humbën jetën në errësirën e ftohtë të liqenit të Farkës.
Ndihma
Policia nuk
mundi të
bënte asgjë
Mine Dibra, gruaja e pronarit të lokalit "Liqeni", i cili humbi jetën dje, tha se kishte njoftuar policinë, me të dëgjuar britmat e atyre që ndodheshin në varkë. Por gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Varka është përmbysur menjëherë dhe janë dashur vetëm pak minuta që tragjedia të vulosej. 16 trupa të pajetë prekën fundin e liqenit përpara se policët të mbërrinin në breg. E keqja ndodhi aq shpejt, sa kur një varkë e nisur menjëherë nga bregu mbërriti në mes të liqenit të vogël, ata që dukeshin ende në sipërfaqe të ujit numëroheshin me gishtat e njërës dorë.
Reagimi i uniformave blu ishte i menjëhershëm. Por gjithë ngjarja u konsumua në kohën që policët ishin duke udhëtuar për në vendngjarje. Kur kanë mbërritur aty, ata nuk mund të bënin tjetër veçse të kujdeseshin për të mbijetuarit dhe të nisnin kërkimin e të mbyturve, që tashmë nuk mund të ktheheshin më në jetë. Në pak minuta, në liqenin e Farkës kanë mbërritur dhjetëra policë të pajisur edhe me mjetet e zhytjes, që u nevojitën vetëm për të nxjerrë trupa pa jetë.
Në vend kanë shkuar natën edhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit. Ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët nuk mund të bënin më asgjë, sepse nuk mund të urdhëronin Zotin të kthente kohën pas.
Të mbijetuarit
LUENA SPAHIU
Luena Behar Spahiu, 20 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë shpëtoi gjallë nga tragjedia, por la në liqen nënën, vëllain, dajën, nusen e dajës dhe djalin e dajës
ROMINA HYSA
Romina Pëllumb Hysa, 17 vjeç, lindur e banuese në Berat, arriti të shpëtonte nga mbytja edhe Luenën, por humbi nënën, babanë, vëllain, hallën dhe djalin e hallës
BEQIR SINANI
Beqir Sinani, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan, ishte shok i Alban Hysajt. Në këtë tragjedi ai humbi edhe shokun tjetër, Erjon Blamo
Dëshmia
Mina Dibra: Kur kërkuan
ndihmë, njoftova policinë
Gruaja e pronarit të lokalit, i cili gjeti vdekjen në varkë, ka qenë ajo e cila ka njoftuar policinë për tragjedinë. Mina Dibra ka rrëfyer se kishte dëgjuar klithmat e njerëzve në bordin e varkës që kërkonin ndihmë dhe menjëherë ka nisur një varkë tjetër për t‘u ardhur në ndihmë. Nga ana tjetër, ajo ka njoftuar policinë, duke u kërkuar ndihmë sa më të shpejtë, pasi varka po mbytej në mes të liqenit. "Dëgjova njerëzit teksa bërtisnin për ndihmë dhe menjëherë njoftova policinë. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër. Pastaj u nisa për t‘i ndihmuar, por nuk ia arritëm dot. Nuk di çfarë të them tjetër", është shprehur Mina Dibra, ndërsa sytë i ishin mbuluar me lot që nuk mund t‘i mbante as për një çast të vetëm. Ndërkohë, ajo është thirrur edhe në polici, ku ka rrëfyer variantin e saj të ngjarjes në lidhje me mbingarkesën e varkës. Sipas saj, personat që kanë qenë duke festuar datëlindjen, i kanë kërkuar Agimit, që të ngjiteshin të gjithë në barkë, së bashku e jo ta bënin rrugën veç e veç. Në dëshminë e saj, ajo tregon se i shoqi e kishte kundërshtuar këtë gjë, por këmbëngulja e klientëve ka bërë që ata të ngjiten të gjithë në bordin e varkës. "Ai nuk donte se kishte frikë, por ata nuk pranuan, kështu që të gjithë hipën në një varkë të vetme, e cila që në fillim dukej se kishte shumë ngarkesë", mësohet se është shprehur bashkëshortja e pronarit të lokalit "Liqeni", i cili u mbyt bashkë me personat e tjerë pas përmbysjes së varkës.
Marre nga :
http://www.gazeta-shqip.com/
Ne linkun:
http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=38073