Tradita të kulturës shqiptare: Aleksander Moisiu dhe Amerika

Mirditor

Primus registratum
Tradita të kulturës shqiptare: Aleksander Moisiu dhe Amerika

Tradita të kulturës shqiptare

ALEKSADER MOISIU DHE AMERIKA

Prof. Dr. Vangjel Moisiu
Amerika - vendi i qëndrave të mëdha kulturore, i teatrove dhe filarmonive gjigande, muzeumeve madhështore, i Hollivudit dhe shoqërive kinematografike të famës botërore etj. – ka tërhequr gjithmone simpatinë dhe admirimin e njerëzve të artit , kulturës në gjithë botën.

Aleksandër Moisiu e adhuronte popullin amerikan, mahnitej për zhvillimet ekonomike e kulturore të këtij vendi të madh e demokratik.

Aleksandër Moisiu kish interpretuar, plot sukses kryerolet e dramave klasike e kontemporane në amfiteatrot antike të Athinës, në sheshet e mëdha përpara katedraleve të Salsburgut dhe të Milanos, në arenat gjigande të cirqeve të Berlinit dhe të Moskës, në sallat luksoze të Parisit, të Vjenës dhe Londrës duke marrë nga publiku i këtyre vëndeve admirimin e pafund dhe kurorën e lavdisë si artisti më i madh i kohës së tij. Erdhi koha që Moisiu të paraqitej përpara publikut artëdashës amerikan… Dhe kjo ndodhi në nëntorin e vitit 1927.


Maks Rajnhardi dhe Aleksandër Moisiu kishin kohë që mendonin dhe ishin pregatitur seriozisht për organizimin e sezonit teatral në SHBA. Sipas marrëveshjes, trupa e Rajhardit, ku bënin pjesë aktorë të shkëlqyer, do të jepte tre spektakle kryesoe në teatrot e qyteteve të mëdha të Amerikës. Moisiu do të interpretonte Fedian në dramen “Kufoma e Gjallë” të Tolstoit, Hamletin e Shekspirit dhe Oberonin nga “Endra e një nate vere” të Shekspirit.

Shtypi amerikan dhe veçanërisht ai i Nju Jorkut, Cikagos, Bostonit (për të cilët nuk ishin të panjohura triumfet e këtij aktori shqiptar me famë botërore) i kushtoi një vëmendje të veçantë organizimit dhe vlerave artistike të këtij turneu. “Fjala përfundimtare në lidhje me Moisiun – shkruante në atë kohë kritiku i shquar amerikan L. Untermeier – është se ai përfaqëson një triumf të virtuozitetit. Bota e ka parë Rajnhardin si krijues të spektakleve madhështore. Pasi zbuloi mrekullinë e Moisiut ai e dërgoi atë në skenat e botës duke qenë i bindur se aktorët dhe kritika do të kenë një symbol të ri dhe të lartë drejt të cilit duhet të synojmë.(Lonis Untermayer. “A poet Describes Mid. Europes Graeter Actor”.)

Gazeta “The New York Times” duke përshkruar portretin e Aleksander Moisiut ndër të tjera shkruante: “Koka e tij është e mbushur me flokë të zinj, të gjatë e të pabindur, që rrethojnë një fytyrë ovale, ndërsa buzëqeshja e tij e sinqertë dhë e përzemërt përfshinë mjekrën dhe rregullon në çast konturret. Nën sytë e hijeshuar, mollzat e faqeve janë të larta dhe hunda, një hundë e admirueshme aktori lejojnë një kufi të gjërë makjazhesh… Shtoi kësa një mjekër të rrumbullakosur me një gropë në mes dhe ju do të keni portretin e një burri. Buzet dhe tiparet e tij rrallë janë të deformuara dhe maska plastike në dispozicin të tij mbetet elirë për hijen e mendimit të cilin ai është i aftë ta nxjerrë nga ajo… Do të ishte tepër e nevojshme për Aleksandër Moisiun - pëfundon gazeta - që t’ju shpjegonte me kujdes amerikanëve se ai nuk është gjerman me gjithë faktin që ai interpreton në këtë gjuhë… Moisiu duhet ta ndjejë vehten në Nju Jork si në shtëpinë e tij”.( Gazeta “The New York Times” 22 Nëntor 1927)

Tuneu në Amerikë filloi me shfaqjen e dramës “Kufoma e Gjallë” në sallat e mëdha “Sençëri Thietër” dhe “Metropolitan” të Nju Jorkut. Biletat ishin angazhuar me kohë dhe njerëzit pritnin me padurim këtë mrekulli arti. Publiku amerikan, njerëz të shquar dhe artëdashës u njohën për herë të parë me Fedian e Moisiut dhe mbetën të shtangur nga kjo mrekulli e artit skenik.

“Stina e Maks Rajnhardit në Nju Jork – shkruante gazeta e madhe ‘The Nju Jork’ – arriti kulmin. Moisiu në rol të famshëm botëror ka çuar peshë emocionet e një million njerëzve. Në këtë rol, pikërisht përpara se të vinte në New York Moisiu korri një triumph të madh si Fedia në Paris. Vajza e Tolstoit, Tatiana, shkroi: ‘Ta shikosh atë është gjëja më e madhe që teatri mund të të ofroj të shikosh”.(Gazeta “The New York Times” 18 Nëntor 1927)

Fedia i Moisiut shënoi fillimin triumphal në Nju Jork. Aleksandër Moisiu e interpretoi Fedian, burrin endacak jo me një pamje të ashpër e të vrazhdë por me një butësi sentimentale. Ai nuk e idealizoi atë. Moisiu e interpretoi heroin e Tolstoit siç ish në të vërtetë : një krijesë impulsive mjaft e fortë për tu kënaqur në jetë. Fedia i moisiut ishte prekës, një njeri i mashtruar, i munduar, që nuk e do të keqen, por as që di ta luftojë atë. Fedia Protasov nuk di as ku ndodhet e mira, prandaj ai ndihet e jeton i vetmuar në botën e tij të zbrazur si një njeri i humbur, pa plang e shtëpi, si një kufomë e gjallë.

Në mbarim të çdo shfaqjeje dhjetra mijra vetë që mbushnin platetë dhe lozhat e “Metropolitan” dhe “Sënçëri Thiatër” për minutia të tëra qëndronin në eksatazëm e ovacioneve përballë artit të madh moisian.

Në skenë, Aleksandër Moisiu ky almaz i tokës shqiptare paraqiste aktorin që tërë shpirtin e tij, nervat, gjakun, ndjenjat, lëkurën, flokët dhe zërin e tij, të gjitha i vërtit furishëm në shtratin e veprës dramatike. Fjala, gjesti, lëvizja, mimika dhe mbi çdo gjë zëri i tij magjepës bënin që të drithëronin zemrat njerzore. “Zërin e Moisiut - shkruante kritiku amerikan L. Untermejer – njeriu e ka gjithnjë në vesh. I butë dhe përkëdhelës. Moisiu, ky belkantist i teatrit, diti t’ia sjellë këtë zë skenës gjermane. Në melodinë e tij të mbytur e plot kolorite të errta dhe lekundëse, shpërthenin në raste të volitshme tonë acute të një fanfare me një forcë të mprehtë si të rrahura kamzhiku, duke u tërhequr përsëri në vibracione qetësuese të organos.”( Cituar sipas Hans Bohm “Moisi der Menseh und der Kunsteler”. Berlin 1927)

Duke evidentuar harmoninë e bukur e të mahnitëshme të zërit të Aleksandër Moisiut, kritiku amerikan William Smuser në një artikull shkruar në gazetën “New York Times” e vinte theksin tek origjina e aktorit. “Gjuhët natyrore të origjinës së tij janë mesdhetare sepse babai i tij ishte shqiptar ndërsa nëna me origjinë italjane”.

Një triumf të vërtëtë korri Moisiu në rolin e Oberonit në pjesën poetike Shekspiriane ‘Ёndrra e një nate vere'. Publiku më i zgjedhur i Nju Jorkut i magjepsur nga bukuria e gjuhës së tij e brohoriti pa mbarim këtë superstar të artit skenik botëror.

“Thirrje të forta dhe duartrokitje të parreshtura kumbuan mbrëmë në Sençëri Thietër dhe përsëri e përsëri perdja finale ngrihej lart, dhe trupa e aktorëve gjermanë përkulej për të përshëndetur – shkruante ato ditë gazeta ‘New York Evening Journal’. Publiku më i mirë i Nju Jorkut natën e parë u derdh në Teatër. Aleksandër Moisiu, favorit i Gjermanisë, si Oberon, mjeshtër i shqiptimit, gjeniu që e bente gjermanishten të tingëllonte më bukur se sa e ka bërë ndonjë actor tjetër mori duartrokitje nga një publik i ngritur në këmbë i rrëmbyer nga arti i tij i mrekullueshëm. Aleksandër Moisiu - përfundonte gazeta – ishte i shkëlqyer”.

Sesioni teatral i A. Moisiut në amerikë më 1927 ishte një triumph i vërtetë. Me artin e tij ai shpërndau në zëmrat dhe ndjenjat e njerëzve gëzimet më të bukura, ndjenjat më të pastërta, dëshirat humane për progresin e shoqërisë njerëzore. Publiku artëdashës amerikan e mbajti në zemër me dashuri imazhin artistic të Aleksandër Moisiut ashtu siç i ruajti edhe ai në kujtesën dhe ndjenjat e tij emocionet e thella të amerikanëve, te këtij populli të madh artëdashës. A. Moisiu, pas një viti shkoi përsëri në Amerikë duke ringjallur admirime dhe triumfe të reja

Për Albanian Time
Prof. Dr. Vangjel Moisiu

--------------------------------------------------------------------------------
 

Vis Elbasani

Forumium praecox
Re: Tradita të kulturës shqiptare: Aleksander Moisiu dhe Amerika

Po Ardjan Klosit, qe thote se Alfred Moisiu, presidenti i Shqiperise, eshte nje kusheri i aktorit austriak(???) Aleksander Moisiu, cfare pergjigje duhet t'i japim?

Shenim. Klosi eshte shprehur keshtu ne nje artikull te gazetes Shekulli, ne fundvitin 2002.
 
Top