Topi: Mediu ministër? Kostoja e Berishës

Albforumi

Primus registratum
Topi: Mediu ministër? Kostoja e Berishës

Kreu i shtetit deklaron se ai është i vendosur të zbatojë vetëm Kushtetutën</p>


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment në lidhje me emrat që Kryeministri Berisha i ka propozuar për të miratuar si pjesë e kabinetit të ri qeverisës. Duke theksuar se ai respekton vetëm Kushtetutën në ushtrimin e detyrës së tij, Presidenti Topi ka theksuar se ai do ta dekretojë kabinetin e ri, pavarësisht se në të ka emra si ai i ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili është nën hetim. Sipas Presidentit Topi, në Shqipëri pushtetet janë të ndara, Kryeministri propozon emrat e qeverisë dhe mban koston morale dhe politike, ndërsa Presidenti thjesht ushtron detyrën në funksion të Kushtetutës së vendit. Në lidhje me dekretimin ose jo të emrit të ministrit Mediu, duke u dhënë përgjigje më të drejtpërdrejtë mediave, Topi thekson se, “sikurse jam shprehur edhe në shumë momente të tjera, preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e Presidentit në raport edhe me çështjen në fjalë. Çka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit, unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa për sa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri”. Mosdekretimi i emrave të ministrave është një precedent që ka ndodhur më parë nga paraardhësit e Presidentit Topi, por kreu i shtetit u ka kujtuar gazetarëve se ai gjatë punës së tij nuk ecën me precedentë. “Unë eci me atë kuadër kushtetues e ligjor që kam në punën time. Nëse do të veproj ndryshe, do të jeni ju të parët që do të ngrini pyetjen përse unë lëviz nga Kushtetuta. Por jam shumë i kujdesshëm. Në punën time jam shumë i ftohtë, jam pa emocione. Dikur kam qenë edhe unë në politikë dhe jo në pak raste kam folur edhe me emocione. Sot nuk më lejohet, kështu që të jeni të sigurt se pushtetet janë të ndara sikurse thashë. Morali politik është diku tjetër, aty ku bëhet politika. Presidenti ecën me ligjin dhe me kuadrin kushtetues”, nënvizoi Presidenti Topi. Para tri ditësh në Presidencë mbërritën emrat e kabinetit të ri qeverisës, të cilët prisnin dekretin e kreut të shtetit. Një ndër emrat që u diskutua më shumë nëse do të dekretohej apo jo nga Presidenti Topi ishte ai i ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili është nën hetim nga gjykata për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Por kreu i shtetit nuk bëri asnjë koment në lidhje me emrat e propozuar për ministra, duke u mjaftuar vetëm me faktin se ai nuk i përzgjedh dhe nuk mban kosto politike për propozimet e qeverisë, pasi është vetë Kryeministri ai që bën një veprim të tillë dhe për rrjedhojë mban edhe koston morale dhe politike. Pas dekretimit të emrave të ministrave nga Presidenti Topi, kabineti qeverisës kalon për votim në Kuvend dhe më pas ministrat marrin në dorëzim zyrat e reja për të nisur punën normalisht. Tashmë Presidenti ka bërë gjuajtjen e tij, duke e hedhur topin në fushën e Kuvendit, i cili do të votojë kabinetin e ri qeverisës pa votat e opozitës.(Shqip)</p>
45NSO96iTO8

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22336. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22336
 
Top