Topi, kundër enciklopedisë maqedonase

Topi, kundër enciklopedisë maqedonase

Presidenti Bamir Topi reagoi për herë të parë për enciklopedinë maqedonase, e cila deformon historinë e popullit shqiptar. Ai zgjodhi diplomimin e brezit të tretë të shkollës politike për të lëshuar mesazhin se politika duhet ti mbajë duart larg nga akademikët. Për kreun e shtetit, enciklopedia nuk ishte thjesht një lajthitje e akademikëve maqedonas, por më gjerë, një aleancë patologjike mes rretheve shkencore dhe politikës së Shkupit. Deklarata e Topit pati nënkuptim edhe për çështjen e shumë debatuar të Historisë së Shqipërisë 12, në tekstin e së cilës përveç shumë gabimeve të gjetura nga ekspertët, ka edhe komente politike mbi ngjarje të caktuara të pas viteve 1990 në vendin tonë. “Historia nuk bëhet me emocione politike, por me një mendim të qartë. Politika duhet të dijë të respektojë institucionet akademike dhe mjerë ai akademik që është i infiltruar nga ideologji politike, apo partiake aq më keq”, tha Presidenti. Sipas tij, akademiku nuk është i tillë në rast se brenda tij bashkëjeton objektiviteti dhe subjektiviteti partiak dhe aq më shumë ai partiak. “Historia nuk është pesë vjet! Historia nuk është njëzet vjet! Historia është mijëravjeçare dhe ne nuk duhet të lejojmë jo vetëm shfaqje, qofshin këto dhe segmentare të qarqeve të caktuara që kërkojnë të rikthejnë tensione në Ballkan, por në çdo lloj konteksti nuk duhet që ti japim pjesës akademike, sepse nuk përfaqësojnë interesa partiake, por përfaqësojnë interesa kombëtare”, tha Topi. Presidenti Bamir Topi ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të brezit të tretë të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin dhe kreu i Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Helmut Lohan, koordinatori i Përgjithshëm i programit “Shkollat Politike”, Fransua Fridrih, drejtues dhe pedagogë të kësaj shkolle, studentë dhe ish-studentë të saj.</p>


Presidenti Topi vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin.</p>


“Unë asnjëherë nuk kam qenë për bojkot, asnjëherë në jetën time”, është shprehur kreu i shtetit. Pa dashur të komentojë më gjerë vendimin e Partisë Socialiste, Presidenti theksoi se “kam pasur një parim dhe vetë kur isha në politikë, nuk e komentoja vendimmarrjen e opozitës, apo të mazhorancës kur ne ishim në opozitë, aq më shumë sot që jam President. Mesazhin tim e keni pikërisht në momentin e inaugurimit të Parlamentit të ri. Aty është një koncentrat i gjithçkaje që unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj. Përgjigjen e keni në mesazhin që unë kam dhënë”. Për sa u takon nxënësve të shkollës politike, Topi tha se “e kam thënë edhe njëherë tjetër, në mos gaboj një vit më parë, se kjo shkollë nuk fabrikon politikanë”. Kjo shkollë, vijoi ai, jep mundësi që në eksperiencën e jetës, të karrierës, pavarësisht se ku tenton të shkosh, natyrisht jo vetëm drejt politikave partiake dhe ideologjike, por edhe në administratë, në institucionet e rëndësishëm të Shqipërisë, aty ku diskutohet për të ardhmen europiane të Shqipërisë, aty ku diskutohet për standarde, besoj që ju atje do të jeni të gjithë të vlefshëm.(Shqip)</p>
H_J7dm71cnQ

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23407. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23407
 
Top