Topalli kundër Topit: Anashkaloni Kuvendin, veproni pa ligj!

Topalli kundër Topit: Anashkaloni Kuvendin, veproni pa ligj!

TIRANË- Ngërçi që ka krijuar bojkoti i opozitës në të gjithë piramidën shtetërore ka detyruar mazhorancën të lëshojë disa nga kompetencat që Kushtetuta ia njeh vetëm Kuvendit. Bëhet fjalë për kompetencat ligjvënëse, që ligji themeltar i shtetit ia njeh vetëm institucionit legjislativ. Në kushtet kur opozita ka vendosur të qëndrojë jashtë këtij institucioni, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si përfaqësuese e mazhorancës, në pamundësi për të miratuar ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç është edhe ai “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore” të cilin e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, ka pranuar që t’i njohë të drejtën përfaqësuesve të institucioneve gjyqësore që të vendosin vet lidhur me organizimin dhe funksionimin e këtij organizmi. Në një takim të zhvilluar me të zgjedhurit e Kuvendit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka mbështetur vendimin e dy ditëve më parë të një tryeze informale të drejtuesve të gjykatave në vend për të mbledhur gjyqtarët me qellim mbledhjen e Konferencës Kombëtare të Gjyqtarëve, pavarësisht se tashmë nuk ka një ligj që mund të normojë funksionimin e saj.

Topalli në një deklaratë të shpërndarë edhe për mediat, pranon se në kushtet kur opozita bojkoton Kuvendin dhe miratimi i ligjit të ri “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës së Kryetarëve” kërkon 3/5 e votave, për të zhbllokuar situatën mbetet si rrugë e vetme vetorganizimi i gjyqësorit për të mbledhur Konferencën e Gjyqësore Kombëtare dhe për të zgjedhur prej aty 4 përfaqësuesit e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD.

Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë.

Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD”, – thotë Topalli në deklaratën e shpërndarë për mediat pas takimit me të zgjedhurit e Kuvendit në KLD, pavarësisht se zëvendëskryetari i këtij institucioni Kreshnik Spahiu është shprehur kundra një zgjidhje të tillë. Por duket se debati i krijuar për këtë çështje ka si prapavijë të tij pikërisht vendosjen e një balance të re në institucionin e KLD-së, ku pothuajse gjatë gjithë viteve të fundit mazhoranca e djathtë ka qenë në minorancë. Në funksion të këtij qëllimi, Topalli nuk ka nguruar ti përcjellë një mesazh të qartë edhe kreut të KLD-së, pavarësisht se nuk ka folur me emër të përveçëm, duke vlerësuar se çdo veprim që kërkon të pengojë një zgjidhje të tillë nga ana e vet gjyqësorit është i papranueshëm. “Të drejtat e Gjyqësorit për t’u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush.

Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD. Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e Trupës është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim nuk mund të cenohet nga askush. Cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, – shprehet Topalli në letrën e vet. Një debat i tillë ka lindur pikërisht sepse Konferenca Kombëtare Gjyqësore për shkak të rrëzimit të ligjit të saj nga ana e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të mblidhet për të zgjedhur 4 përfaqësuesit e saj në KLD, ku aktualisht dy vende kanë mbetur vakante dhe ku dy anëtarëve të tjerë u ka mbaruar koha e ushtrimit të kësaj detyre.

Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.

Gjyqtarët: Do të vetadministrohemi

Gjyqtarët kërkojnë që politika të arrijë konsensusin me qëllim miratimin e draftit për Konferencën Gjyqësore

TIRANË- Pas qëndrimit të ambasadorëve dy ditë më parë, thirrja e dytë për zgjidhjen e krizës politike në vend vjen nga radhët e gjyqësorit.

Kanë qenë krerët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit në vend si dhe përfaqësuesit e shoqatave të gjyqtarëve, të cilët pas një tryeze të rrumbullakët të mbledhur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Shpresa Beçaj, kanë apeluar për një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të arritur plotësimin e reformave në drejtësi.

“I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e projektligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti”, – thuhet në deklaratën e lëshuar paraditen e djeshme nga krerët e gjyqësorit në vend dhe shoqatat, që i përfaqësojnë ata.

Pas takimit të dytë të mbajtur paraditen e djeshme, pjesëmarrësit e kësaj tryeze të rrumbullakët kanë pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë.

Katër anëtarëve të KLD-së që dalin nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare u ka mbaruar mandati, por anëtarët e rinj nuk mund të zgjidhen për shkak se mungon kuadri ligjor për funksionimin e saj. Për zgjidhjen e kësaj situate në Kuvend nevojiten edhe votat e opozitës.

“Pas këtij takimi dy ditor u arrit në një përfundim nga të gjithë pjesëmarrësit duke iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projekt-ligjin për KGJK.

I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.

Si dhe u vendos në unanimitet që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vete administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtaret e Republikës së Shqipërisë më datën 5 dhjetor 2009″, -thuhet në deklaratë.

Meta: Kutitë e votimit nuk hapen

BRUKSEL- Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikolaos Chountis -i, deklaroi se qytetarët dhe partitë politike shqiptare duhet të zgjidhin krizën politike që është krijuar në vend.

Gjatë takimit me kreun e diplomacisë shqiptare, Ilir Metën, Chountis theksoi se problemet politike midis mazhorancës dhe opozitës duhet të zgjidhen në mënyrë të përgjegjshme, me qëllim që të arrihen objektivat evropianë që synon Shqipëria. “Shpresojmë shumë që problemet e brendshme në Shqipëri do të zgjidhen shpejt, në mënyrë të përgjegjshme nga qytetarët dhe partitë politike shqiptare me qëllim që të arrihen më mirë objektivat e tyre”,- tha dje Chountis -i.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e qeverisë shqiptare, lidhur me bojkotin që po zhvillon opozita parlamentare, e cila kërkon hapjen e kutive të votimit. Sipas Metës, qeveria është e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime që vijnë nga opozita, por me kushtin që të mos preken vendimet e gjykatave dhe pavarësia e gjyqësorit.

“Kam shprehur vullnetin e qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime, të arsyeshme dhe konstruktive që vijnë nga opozita, por pa marrë përsipër për të ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pacenuar pavarësinë e gjyqësorit, që është një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, të cilin na e kërkon ta ndërtojmë edhe Bashkimi Evropian”, – u shpreh Meta.(Shekulli)

pC-9WYFA48s

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26367. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26367

Top