Tirana mbetet pa ujë

Copy-of-TIRANA-PERMBYTJET-1.jpg


Bashkia e Tiranës kërkon nga banorët e kryeqytetit të mos përdorin ujin e ujësjellësit për shkak të ndotjes.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Eno Bozdo, në burimet e Shën Mërisë dhe të Bovillës balta dhe llumrat e shumtë për shkak të përmbytjes dhe reshjeve e kanë nxjerrë jashtë funksionit ujësjellësin.

Një ditë pas vërshimit të ujërave, daljes së Lanës nga shtrati dhe përmbytjes që ndodhi në shumë lagje të kryeqytetit, Bashkia kërkon ndihmën e qeverisë për të hapur disa rrugë e për të hequr sasinë e madhe të inerteve.

Ndërkohë, disa shkolla dhe kopshte janë dëmtuar nga ujërat dhe sot janë të mbyllura.

Më herët, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në kryeqytet njoftoi se për shkak të stuhisë së mbrëmjes së të martës, që solli reshje të dendura e që përmbyti thuajse gjysmën e vendit, në kryeqytet do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Moti i keq, siç njofton UKT, ka shkaktuar avari të rëndë në linjën kryesore që furnizon me ujë kryeqytetin, ndërkohë që po punohet për riparimin e këtij difekti. Gjithashtu punime po kryhen edhe në rrjetin kryesor të Selitës.

Kufizimet me furnizimin me ujë do të prekin zonat e Komunës së Parisit, Bllokut të Vilave amerikane, Tiranën e Re, Shkozën, Saukun, ish-Bllokun, ish-Qytetin e Nxënësve dhe Yzberishtin.

Po ashtu është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm edhe për zonat periferike, si Babrruja dhe e gjithë zona nga reparti 3700 deri në Kinostudio, kjo sepse sipas UKT janë turbulluar burimet e Bovillës së vjetër nga reshjet e dendura gjatë natës.

Ndërkohë, Shtabi i Emergjencës në bashkëpunim me policinë kanë dhënë ndihmën e shpejtë të nevojshme për disa prej zonave më të rrezikuara të Tiranës. Sipas njoftimit të grupit të punës, në krye të të cilit janë drejtues të lartë të policisë, është normalizuar situata në 240 banesa dhe 3 dyqane që rrezikonin përmbytjen.

Ndëhyrjet janë bërë në zonat e Shkozës, Farkës dhe Kamzës, siç bëhet e ditur nga Shtabi i Emergjencës. / Top Channel
 

Universal

AnonymouS
Tre viktima nga përmbytjet
Përmbytjet e mbrëmjes së të martës në Qarkun e Lezhës kanë shkaktuar tre viktima.

Ujërat rrëmbyen katër persona, por një 15-vjeçar mundi të dalë vetë me not. Fatkeqësisht, Gjon Zef Kola, 60 vjeç nga Laçi, dhe vajza e tij, 26-vjeçarja Dorina Kola, u rrëmbyen nga uji, ndërsa gjendeshin duke lëvizur me automjet në qendër të qytetit.


Policia gjeti në automjet të mbytur 60-vjeçarin dhe më pas në një distancë më të madhe është gjetur në orën 1 të mëngjesit trupi i 26-vjeçares.

Ndërkohë, rreth orës 23:30, në fshatin Gallatë të Kurbinit, dy të rinj, një 15-vjeçar dhe shoku i tij 21-vjeçar Liman Balloku, po udhëtonin me një motor kur janë rrëmbyer nga ujërat në rrugë.

15-vjeçari mundi të shpëtojë edhe me ndihmën e banorëve, ndërsa 21-vjeçari u gjet i vdekur pas një ore nga ana e policisë. Reshjet në gjithë Qarkun e Lezhës nisën rreth orës 15 të ditës së djeshme.

Menjëherë është ngritur Shtabi i Emergjencës dhe në terren janë angazhuar 300 forca policie, zjarrfikësit dhe punonjësit e bashkive. Niveli i ujit është rritur me shpejtësi, duke përmbytur edhe nënstacionin elektrik, që më pas është stakuar.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, asnjë nga hidrovoret nuk punonte ndërkohë që sasia e reshjeve ishte shumë e madhe, duke nxjerrë jashtë shtratit të gjithë përrenjtë e lumenjtë.

Rrugët në Bashkinë e Lezhës, në Laç, Mamurras dhe në shumë fshatra të zonës janë kthyer në lumenj të vërtetë. Vërshimi i ujërave i mori jetën tre personave, ndërkohë që dëmet materiale nëpër banesa janë shumë të mëdha.

Pas largimit të ujit nga nënstacioni është lëshuar energjia për hidrovoret, që kanë nisur të punojnë. Situata sot po shkon drejt normalizimit, ndërsa moti në gjithë zonën është i kthjellët dhe i ngrohtë.

/ Top Channel
 
Top