Thjesht, Pessoa...

atman

Forumium maestatis
Thjesht, Pessoa...

Fernando Antonio Nogueira Pessoa, thjesht, Pessoa, ( 1888 - 1935). Një nga figurat poetike më të mëdha të kulturës portugeze, tashmë përkatësi botërore. Shumica e veprës është një mozaik që duhet rivendosur në vendin e vet. Poezia e tij është zbuluar më 1970 dhe dallohet nga një freski lirike, dramacitet, pasqyrim filozofik, rrëfim poetik, sintezë e një mendimi të shqetësuar në një botë gjithaq të trazuar.
Përktheva disa nga poezitë e tij që për mua janë mbresëlënëse, gjithçka tjetër ia le përshtypjes vetiake të lexuesit, kushdoqoftë.

Lodhja
Kjo që tek unë është, mbi të gjitha është lodhje
Jo nga kjo ose ajo
As nga gjithçka ose hiçgjë:
Lodhje thjesht, në vetvete
Lodhje.
Çikërrima mbresash të kota,
Dhunë pasioni për asgjë,
Dashuritë e thella që hamendësohen për dikë
Gjithë këto –
Këto dhe çfarë mungon përjetësisht në to
Të gjitha lodhje lentojnë,
Kjo lodhje,
Lodhje.
Është, padyshim dikush që do pafundësinë
Është , padyshim dikush që të pamundurën dëshiron
Është, padyshim dikush që asgjënë kërkon –
Tre lloje idealistësh, dhe unë asnjëri nga ata:
Sepse unë fundin dua pafundësisht,
Sepse unë të mundurën dëshiroj pamundësisht,
Sepse dua gjithë, ose akoma më shumë, nëse mund të jetë,
Ose edhe sikur të mos jetë...
Dhe përfundimi?
Për ata jeta e jetuar ose e ëndëruar,
Për ata ëndra e ëndëruar ose e jetuar,
Për ata, mesatarja midis asgjëse dhe gjithçka,
domethënë jeta...
Për mua vetëm një të madhe, të thellë,
dhe, ah, me kë lumturi kryqëzohet lodhja,
një lodhje madhështore,
ore, ore, ore,
lodhje...



Ke ndoshta një sekret?



Ke ndoshta një sekret?
besoma,
Që unë të di gjithçka për ty
Nëse ma rrëfen me shpirt.
mund ta thuash edhe me fjalë të vështira
Unë të kuptoj vetëm ngaqë me ty jam dashuruar.
Nëse sekreti tënd është i trishtuar,
Me ty do të qaj derisa ta kesh
Harruar.
E nëse s’më tregon
Thuaj që më dashuron
Dhe unë do të kuptoj pa e dëshiruar
Sekretin tënd zbuluar.




Asgjë

Ëngjëjt erdhën për ta kërkuar
E gjetën në krahun tim
Aty ku krahët e saj e kishin çuar.
Ëngjëjt erdhën për ta marrë
Shtëpinë e tyre e kishte lëshuar
Në një ditë të bardhë
Dhe kishte ardhur tek unë për të banuar.

Më donte, sepse dashuria
Nuk do përsosmërira
Ëngjëjt për ta marrë erdhën nga lart
Dhe nga unë e çuan larg.
E morën përgjithmonë
Mes krahësh që ndriçojnë.
* * *
Është e vërtetë se, motra e tyre qe
Dhe kaq pranë Zotit si ata ishte
Por më dashuronte sepse
Zemra ime një motër s’kishte.
E morën. Kjo është e tëra ç’ndodhi.



Të gjitha letrat e dashurisë



Të gjitha letrat e dashurisë janë
Qesharake.
S’do të ishin letra dashurie, nëse qesharake
S’do të qenë.
Edhe unë, në kohët e mia shkruajta letra dashurie,
Si të tjerat
Qesharake.
Letrat e dashurisë, ku dashuria është,
Duhet të jenë
Qesharake.
E mbi të gjitha,
Vetëm ata që kurrë nuk kanë shkruar
Letra dashurie
Janë qesharakë.
Sikur të ishte akoma koha kur shkruaja
Pa e kuptuar
Letra dashurie
Qesharake.
E vërteta është që sot
kujtimet e mia për ato letra
janë qesharake.
(Të gjitha fjalët rrëshqitëse
Si të gjitha ndjenjat rrëshqitëse
Janë natyrisht
Qesharake)



Poeti eshte nje shtinjak

Poeti është një shtinjak
Shtiret kaq saktësisht
Sa arrin të hiqet se është dhimbje
Dhimbja që vërtetë sëmbon.


Dhe kur ata lexojnë çfarë ka shkruar
Në dhimbjen e lexuar ndiejnë pikërisht
Jo të dyja që ai ka provuar
Por vetëm atë që atyre u ka munguar.

E kështu mbi binarë rrethorë
Sillet dhe arsyen gënjen
Treni me zemberek
I quajtur zemër.
 
Top