Re: The Pew Global Attitudes Project
Nga:
http://www.peshkupauje.com/?p=1405
<b>Përkrahja ndaj ShBA në rënie</b>
Një studim i ri i publikut në 15 vende të ndryshme të botës thotë se ndërsa lufta në Irak vazhdon akoma për një vit të katërt përkrahja e botës ndaj ShBA po bie, duke përfshirë edhe vendet aleate. Për shëmbull, në Spanjë përqindja e publikut që kishte një mendim të mirë për ShBA ra këtë vit në 23% krahasuar me 41% në 2005-ën. Studimi u krye nga Qendra e Kërkimeve Pew në Britaninë e Madhe e vë në dukje që mbështetja për Amerikën ngelet në 50 e ca përqind, krahasuar me 75% në vitin 2002.
Përveç Spanjës, mbështetja ndaj ShBA ra në mënyrë të theksuar në Indi (56% krahasuar me 71% një vit më parë), Rusi (43%, krahasuar me 52%) dhe Indonezi (30% krahasuar me 38%). Në Turqi, aleaten e ShBA në NATO, vetëm 12% e popullsisë u shprehën se kishin një mendim të mirë për ShBA, krahasuar kjo me 23% vitin e kaluar. Në Francë, Gjermani dhe Jordani kishte rënie më të pakta të mbështetjes së publikut ndërsa në Kinë dhe Pakistan, njerzit i shikojnë ShBA pak më mirë se vjet.
Kjo rënie e mbështetjes për ShBA përkon me një rritje në mendimin që lufta në Irak e ka bërë botën më të rrezikshme. Kështu mendojnë shumica e të pyeturve në 10 vende, duke përfshirë edhe Britaninë ku 60% thanë që bota është bërë më e rrezikshme që nga rrëzimi nga pushteti i Sadam Hussein në vitin 2003. Gjithashtu, studimi i Pew, tregon se mbështetja për luftën kundra terrorizmit është në rënie.
Pakësimi i mbështetjes vjen pas një viti kur ndjenjat anti-Amerikane ishin pakësuar disi falë ndihmës së ShBA për viktimat e tsunamit në Azi si dhe falë përparimeve politike në Irak. Shumë prej të pyeturve bëjnë dallim midis ndjenjave në përgjithsi kundra Presidentit George W. Bush, si dhe ndjenjave për Amerikanët e thjeshtë. Shumica në 7 vende, me në krye Japoninë me 82% dhe Britaninë me 69%, kishin mendim të mirë për Amerikanët. Por kur vjen tek Bush punët ndryshojnë, vetëm në Indi dhe Nigeri ka një shumicë të pyeturish që ka besim tek ai. Në Spanjë ata që kanë besim janë vetëm 1 në 14 të pyetur (7.1%) ndërsa në Turqi ata që kanë besim janë vetëm 1 në 33 të pyetur (3%).
Pas një viti të turbullt si në Irak, ashtu edhe në Afganistan, lufta kundra terrorizmit mbështetet tani nga më shumë se 50% në Rusi dhe në Indi ndërsa s’ka pothuajse fare mbështetje në Japoni dhe vetëm 20% e mbështesin në Spanjë.
Shumë janë pesimistë përsa i përket të ardhmes të Irakut. Të gjithë grupet e pyetur, përveç Gjermanëve dhe Amerikanëve, e shikojnë praninë Amerikane në Irak si një rrezik më të madh për paqen sesa kërcënimi nga Irani që po ndjek një program pasurimi uraniumi. ShBA dhe vendet e tjera perëndimore e shikojnë këtë program si një pararendës të armëve bërthamore. Në Rusi ata që e shikojnë Iranin si më pak të rrezikshëm janë 66% ndërsa në Britani janë pak më shumë se 50%.
Sipas presidentit të Qendrës e Kërkimeve Pew, Andrew Kohut, “natyrisht që kur ke shumë më tepër njerëz që thonë që prania Amerikane në Irak është një kërcënim më i madh për paqen sesa Irani, ky është një tregues se sa shumë humbje të përkrahjes i shkakton Iraku Shteteve të Bashkuara.”
Megjithatë, studimi tregon se shumica e popullsisë në Europën Perëndimore, Japoni, dhe Indi kanë të njëjtin shqetësim ndaj programit të Iranit si edhe ShBA. Përqindja e njerzve në Britani, Francë dhe Spanjë që e shikojnë Iranin si një kërcënim është trefishuar gjatë tri viteve të fundit.
Gjithsej u pyetën 16,710 njerëz në Britani, Egjipt, Kinë, Francë, Gjermani, Indi, Indonezi, Japoni, Jordani, Nigeri, Pakistan, Rusi, Spanjë, Turqi dhe ShBA gjatë periudhës nga 31 Mars deri më 14 Maj.
Fitorja në zgjedhjet Palestineze e Hamas ngriti shqetësime të reja. Për herë të parë, Gjermanët thanë që mbështesnin më shumë Izraelin se Palestinezët e mbështetja për Izraelin u rrit edhe në Francë. Megjithatë, në vendet Myslimane, shumica e mbështesin fitoren e Hamas.
Sipas studimit, njerzit në shumicën e 15 vendeve janë të pakënaqur me kushtet kombëtare. Në Kinë ama, ku po vazhdon rritja e fuqishme ekonomike, 80% janë të kënaqur me kushtet e deritanishme. Gjithashtu pak më shumë se 50% e të pyeturve në Egjipt, Jordani dhe Spanjë ishin të kënaqur.
Një vit pas revoltës së imigrantëve dhe protestave për punë në Francë, të pyeturit në të gjithë vendet, përveçse në ShBA, thanë se se kishin pikpamje më pak të mira për Francën. Ndërkohë numri i Amerikanëve që mendojnë mirë për Francën u rrit në 52%, krahasuar kjo me 28% në 2003-shin kur Franca zemëroi Amerikanët duke mos pranuar të mbështeste vendimin e qeverisë Bush për luftën në Irak.
Shumica ndajnë mendime të njëjta mbi Iranin, mëse 90% e Amerikanëve, Gjermanëve, Japonezëve dhe Francezëve, janë kundër zotërimit të armëve bërthamore nga Irani. Shumica e shikojnë Presidentin Iranian Mahmoud Ahmadinejad, si jo të besueshëm dhe thanë që nqs Tehran do të kishte armë bërthamore s’do të ishte çudi nëse do t’ja jepte terroristëve si dhe do ti përdorte për të sulmuar Izraelin. Vetëm 1 në 25 Spanjollë (4%) kanë besim tek drejtuesi Iranian.
Në vendet Myslimane ama mendimet ishin të ndryshme; Pak më tepër se 50% e Pakistanezve, që janë shumë krenarë për programin e tyre bërthamor, mbështesin përpjekjet e Iranit për të zotëruar armë bërthamore e më tepër se 40% e të pyeturve në Egjipt dhe Jordani janë dakort me ta. Publiku Mysliman beson se Irani do ti përdorë armët bërthamore për vetmbrojtje.
Ndryshimet rajonale u shfaqën edhe në vende të tjera. Kështu numri i Japonezëve që e shikojnë Korenë e Veriut si kërcënim është dy herë më i lartë se ata që e shikojnë Iranin si kërcënim. Ndërkohë në Kinë, vetëm 10% e shikojnë Korenë e Veriut si një kërcënim.
Megjithë plagët e luftës, Amerikanët duket se po i kushtojnë më pak vëmendje se të tjerët pikpyetjeve të ngritura nga lufta. 3 në 4 Amerikanë (75%) kishin dëgjuar për keqtrajtimet e të burgosurve në burgun Abu Ghraib dhe në bazën Guantanamo ndërsa shumë më tepër Japonezë dhe Europianë, 90%, ishin në dijeni për ndodhitë.
Njohuritë për ngrohjen e globit janë pak a shumë njësoj të përhapura në të gjitha vendet e industrializuara por shqetësimi për pasojat ishte më i theksuar në Indi dhe Japoni ku dy të tretat e të pyeturve shprehën shqetësim të madh. Njohuritë ishin më të ulta në vendet që krijojnë më shumë gaze ndotëse, Kina dhe ShBA, dhe vetëm 20% e të pyeturve ishin të shqetësuar në këto vende.
Pak a shumë të gjithë dinin për gripin e zogjve. Shqetësimi më i madh ishte në Azi, ku edhe lindi sëmundja, si dhe në Afrikë. Vetëm 10% e Amerikanëve ishin të shqetësuar e po kështu edhe Europianët.
Ndërkohë pikpamjet e Amerikanëve ndaj disa vendeve të tjera janë përmirsuar, mbase si pasojë e përpjekjeve për pajtim midis ShBA dhe disa vendeve kritike të luftës në Irak si dhe në saj të bashkëpunimit mbi çështjet e Iranit dhe Koresë së Veriut. Sipas Kohut, “kjo është në kundërshtim me idenë që jemi kthyer në ksenofobë”.
Inate të vjetra lufte akoma jehojnë midis Japonisë dhe Kinës ndërsa Gjermania dhe Franca kanë ndjenja të mira ndaj njëra-tjetrës. Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, gëzon mbështetje të lartë prej 80% jo vetëm në Gjermani por edhe në Francë ku mbështetësit e saj janë pothuajse në të njëjtën përqindje.
Së fundmi, diçka që duhet të shqetësojë Republikanët dhe Bushin në ShBA, lufta dhe çmimet në rritje të naftës kanë filluar të ndikojnë Amerikanët megjithë përmirsimin e ekonomisë. Gjysma e Amerikanëve ishin të kënaqur me kushtet në ShBA në vitin 2003 ndërsa sot kjo përqindje ka rënë në 29%.
Studimi ka një gabim prej 2-4% sipas vendeve përveçse në ShBA dhe Britani ku gabimi është 6%. Megjithatë, Kohut thotë se gabimi prej 6% nuk e bën të pavlefshëm një studim kaq të gjërë.
Brian Knowlton
International Herald Tribune
13 Qershor 2006
Titulli në origjinal: Image of U.S. falls again