Thashethemet, kjo sëmundje e pashërueshme

Thashethemet, kjo sëmundje e pashërueshme

psikologji-150x150.jpg
Nuk ka njeri që të mos ketë kureshtje për të dëgjuar diçka mbi kolegun, mikun, fqinjin apo për një të njohur të tij të çfarëdoshëm. Kureshtja e ligë arrin deri në ekstreme të paimagjinueshme, ku njerëzit shkojnë te fallxhoret për të mësuar thashetheme apo të vërteta të pathëna e të pazbuluara. Me vetëdije apo pa vetëdije të gjithë jemi bërë pjese e thashethemeve, duke folur mbi të tjerët, duke deformuar realitetin real për ta veshur me një realitet imagjinar, të cilin ne nuk e  perceptojmë. Edhe pse nuk kemi parë apo dëgjuar diçka drejtpërdrejt në lidhje me një person, sërish ne flasim e përcjellim informacion, ndoshta pa e kuptuar efektin që mund të shkaktojë te referenti kjo bisedë.
Në gjuhën shqipe kjo situatë është përcaktuar me termin thashethem, që ndërtohet nga kontaminimi i dy foljeve të së njëjtës fushë semantike: foljes thënë në kohën e kryer të thjeshtë dhe në kohën e tashme, e cila ndërtohet nga bashkimi i trajtës foljore të dy kohëve në vetën e parë njëjës, pra unë thashë dhe them. Bashkimi i dy trajtave foljore të së njëjtës formë semantike është tregues i vazhdimësisë së veprimit, por mbi të gjitha është edhe përçues i idesë se kohët shkrihen me njëra-tjetrën dhe fenomeni mbetet në tejkohësi.
Në kuptimin e përgjithshëm thashethemet janë fjalë të pathemelta, zakonisht të këqija për dikë a për diçka, që pëshpëriten e përhapen nga njerëz llafazanë, shpirtvegjël, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë.
Paradoksi qëndron se edhe pse dihet se thashethemet janë të dëmshme dhe duhet tu qëndrojmë sa më larg, të gjithë kemi një tërheqje magnetike ndaj tyre. Nuk ka njeri që të mos ketë kureshtje për të dëgjuar diçka mbi kolegun, mikun, fqinjin apo për një të njohur të tij të çfarëdoshëm. Kureshtja e ligë arrin deri në ekstreme të paimagjinueshme, ku njerëzit shkojnë te fallxhoret për të mësuar thashetheme apo të vërteta të pathëna e tëpazbuluara.
Shoqëria shqiptare dhe individët janë ende të burgosur të vetvetes, ku e mbajnë peng veten dhe të tjerët, nën dhunë të thashethemeve, nën dhunë të shpifjeve, apo të inateve banale egoiste, armë me të cilat ia vrasin jetën çdo ditë njëri-tjetrit më shumë se sa vret çdo krizë ekonomike apo politike.
Realisht edhe në shoqëritë evropiane ekzistojnë thashethemet, por mënyra e konceptimit të tyre është krejtësisht e ndryshme nga ajo që ndodh në realitetin shqiptar, sepse emancipimi social dhe mënyra e këndvështrimit të jetës tek ata,  e vret fenomenin e thashethemeve pa u formësuar ende.  Duke qenë se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë një shoqëri e izoluar, ku numri i të papunëve kap shifra alarmante dhe ku përqindja më e lartë e grave i përket kategorisë së shtëpiakeve, kuptohet vetvetiu që në fokus të përditshmërisë së tyre do të jetë tjetri. Fakti që nuk janë të motivuar në jetë, ku gjithë kohën të kenë në vëmendje aspektin profesional e më pas edhe familjar, është faktor kryesor që thashethemet të jenë më të  ndjeshme. Edhe pse mungojnë krejtësisht statistikat zyrtare në lidhje me këtë fenomen, të gjithë biem dakord në një pikë: Njerëzit e pamotivuar, që nuk kanë një vend pune dhe që shumicën e kohës e kalojnë në shtëpi, janë më të predispozuar për të prodhuar dhe për ti përjetuar më keq thashethemet. Për shumë njerëz, thashethemet që dëgjojnë rreth vetes shkaktojnë një stres të jashtëzakonshëm.  Nuk janë të rralla rastet kur vetëm për shkak të thashethemeve janë shkaktuar konflikte, të cilat kanë përfunduar edhe në humbje të jetëve njerëzore. I tillë ishte rasti i ndodhur disa muaj më parë në një fshat të Bulqizës, ku një emigrant i sapokthyer nga Greqia me inicialet M. D. vret bashkëshorten e tij, nënë e një fëmije 5-vjeçar, me motivin e tradhtisë bashkëshortore. I vetmi fakt i tij ishin thashethemet nga gojët e liga dhe asgjë tjetër, por ai u mjaftua me inatet personale të njerëzve mediokër për të zhdukur një qenie të pafajshme. Sot, ai i penduar dergjet në qelinë e burgut të Tiranës, ndërsa gruaja e tij e pafajshme kalbet nën dheun e zi, ndërkohë fëmija po rritet jetim pa e kuptuar arsyen e ironisë së fatit të tij.
Këto janë pasojat e thashethemeve, të cilat ju mund ti thoni pa i menduar, pa i përpunuar dhe pa e kuptuar se po shkatërroni jetë njerëzish të pafajshëm. Edhe Kurani i madhërishëm në lidhje me thashethemet thotë, O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, se vërtet disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i  pendimit dhe Mëshirëplotë. Por edhe në Bibël kritikohen thashethemet dhe veçanërisht gratë si mbartëse të tyre: Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota. Pra, thashethemet konsiderohen si element negative edhe në besimet e ndryshme fetare.
Shqiptarët për çështje të mentalitetit të sëmurë ngjasojnë shumë me vendet e Lindjes së Mesme, ku primare e të përditshmeve në ato vende  (disa prej gazetave kryesore) është thashethemi dhe futja në punët e brendshme të familjes së tjetrit. Kjo gjë nuk ndodh në vendet ballkanike si Greqia, Rumania, Bullgaria, apo vendet e ish-Jugosllavisë, e aq më pak në Evropën qendrore. Shqiptarëve u duhet të luftojnë për të pastruar mentalitetet e vetvetes, ku çdo individ duhet të punojë për vete, për të larguar mentalitetin e thashethemeve, shpifjeve, marrjes nëpër goje, deri edhe tek gjërat më diskriminuese për njeriun, sepse kjo sjell vetëm regres dhe trishtim.</p>


Jolanda Lila</p>

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=22463. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=22463
 
Top