Re: te pakten nje gje eshte e sakte: askush nuk do te kete mundesi te kontestoje rezultat
Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon KQZ-së që të pezullojë numërimin e votave në proporcional
LSI: Nuk e njohim rezultatin në proporcional
Darina Tanushi
TIRANË – Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi dje KQZ-së të pezullojë numërimin e votave në proporcional dhe të konsiderojë këtë pjesë të procesit elektoral të pavlefshëm. Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i LSI-së, Sokol Dervishaj, u shpreh se, “për shkak të shkeljes së hapur të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe thellimit të manipulimit masiv që po ndodh, veçanërisht me votat e sistemit proporcional, LSI-ja i kërkon KQZ-së të pezullojë numërimin e votave në proporcional dhe të konsiderojë këtë pjesë të procesit elektoral si të pavlefshëm”. Dervishaj tha se LSI-ja deklaron se komisionerët e PS-së po braktisin vendnumërimet e votave, çka u ka hapur rrugë komisionerëve të PD-së dhe partive të tjera të numërojnë votat në favor të partive fantazmë. Ky akt i paprecendet që ka cënuar rëndë procesin zgjedhor, po tjetërson votat e shqiptarëve dhe votuesve të LSI-së në favor të PR-së, PSD-së, PAA-së e disa partive të tjera, ka thënë Dervishaj. LSI-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të konsideruar këtë proces si antikushtetues dhe të pavlefshëm, pasi ai cënon hapur prerogativat kushtetuese dhe përkatësisht nenin 64, pika 2 të Kushtetutës. Po kështu LSI-ja u kërkon të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që kanë ndjekur ecurinë e këtij procesi, të ndërhyjnë energjikisht për delegjitimin e këtij manipulimi të paprecedent që rrezikon rëndë të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. LSI-ja u kërkon gjithashtu realizuesve të deforimimit të votës, të heqin dorë sa më parë nga ky turp që po u lënë mbi shpinë shqiptarëve. Burime nga LSI-ja bënë të ditur se ka qenë pikërisht fenomeni i Dushkut ai që e ka dëmtuar këtë parti. “LSI-ja hyri në këto zgjedhje e vetme, duke bërë një garë elektorale të ndershme në të 100 zonat zgjedhore dhe ka dalë prej votimit të datës 3 korrik si forca e tretë politike kryesore në vend, por rezultati i saj nuk do të gjejë pasqyrim real në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, pasi, për shkak të lojës antikushtetuese dhe politikisht të pamoralshme të PS-së dhe PD-së për devijimin e votës së shqiptarëve, veçanërisht listat e votimit në proporcional. Forca politike që nuk e kanë kaluar kurrë kufirin e 1 apo 2% do të rezultojnë, falë zbatimit të paskrupullt të skemës së Dushkut të Madh, të jenë shndërruar në protagoniste të Parlamentit të ardhshëm, ndërsa PS-ja e PD-ja do të jenë në nivelin e 10 %”. “Kjo situatë ka kompromentuar rëndë të gjithë procesin zgjedhor, duke shkelur hapur Kushtetutën, neni 64, pika 2 e tij, duke nxjerrë në dritë një Parlament virtual, i cili nuk krijon garanci për një qeverisje të qëndrueshme dhe në shërbim të popullit shqiptar. Ky do të jetë një Parlament klientelist, i cili do të jetë përsëri në shërbim të atyre që e krijuan dhe zbatuan këtë fenomen”, - tha zëdhënësi i LSI-së. Nga rezultatet paraprake të KQZ-së në proporcional përqindja e marrë nga LSI-ja si subjekt, kap një shifër tek 8,49%, që në fakt nuk korrespondon me planin e kësaj partie.
06/07/2005
KATEGORIA: Politike
Zona 100, edhe 22 qendra për t’u numëruar. Kandidati i pavarur Thoma Miço: Parregullsi në votime
Sarandë, rivali i Stefan Çipës kërkon rivotime
Thoma Nika
SARANDË- Zona zgjedhore 100, që është fundore në kuptimin gjeografik, por edhe atë rendor, duket se ka mbetur e fundit dhe në numërimin e votave. As dita e djeshme nuk ka mjaftuar për t’i dhënë fund procesit të numërimit të votave. Deri në mbrëmjen e djeshme, sipas kryetarit të kësaj KZZ-je, Resmi Iljazi, ishte bërë i mundur përpunimi i rezultateve të votimit vetëm në 47 qendra, nga 69 të tilla që ajo numëron, si një zonë me një shtrirje të gjerë gjeografike. Tashmë presin numërimin dhe 22 qendra të tjera votimi. Rezultati i pjesshëm ka nxjerrë fitues kandidatin socialist Stefan Cipa, i cili nëse është kështu deri në përfundim të numërimit, merr mandatin e tretë. Rivali i tij në këtë garë, Thoma Miço, kandidat i pavarur, por i mbështetur nga PBDNJ dhe OMONIA ka përsëritur kontestimet për ato që ai i quan parregullsi të procesit të votimit. Madje dje ai ka kërkuar përsëritjen e votimeve duke shkuar dje deri në kërkesën për t’u përsëritur nga e para votimit. Edhe ditën e djeshme Miço u ka shtuar episode të tjera precedenteve të denoncuara prej tij më parë, siç janë ai i hedhjes së dhunshme të votave në fshatin Çukë, Shalës etj.
Zona 98, fitues Spiro Peçi
Në orën 13.00 të ditës së djeshme KZZ e zonës 98 që përfshin zonat nga Delvina në Himarë, ka komunikuar përfundimin e procesit të numërimit të votave. Sipas kryetarit të këtij koimisioni zonal, Josif Proda, fitues ka dalë kandidati i pavarur Spiro Peçi, i mbështetur nga PBDNJ e Omonia, por që njëherësh ka pasur edhe përkrahjen e elektoratit socialist, të cilit i është bërë thirrje të votojë për të, duke lënë në hije Vladimir Demajn, kandidatin e vërtetë të PS-së që ishte në garë përballë tij. Por në fakt Peçi ka pasur rival kadidatin e PR-së të mbështetur nga PD-ja Arjan Dhimërtika, i cili mori 3736 vota kundrejt 5171 që fitoi Peçi. Deri dje në mbrëmje, Dhimërtika nuk kishte drejtuar ndonjë kontestim të rezultatit apo ndonjë denoncim për parregullsi në zgjedhje.
Zona 99: më e votuara, partia më e re
Në këtë zonë fitoi kandidati i PS-së, Fatos Nano, kundrejt atij demokrat Besnik Aliaj. Ky rezultat është kontestuar prej Aliajt me argumentin se janë përdorur çertifikata false ditën e votimit. Referuar komunikatës së KZZ-së së kësaj zone elektorale, rezulton se kandidati i LSI-së, Flamur Hysi, ka mundur të marrë vetëm 540 vota, i pasuar nga Mihal Naco i PBDNJ-së me 268 vota, për të mbërritur te 52 votat e marra prek kandidatit të LZHK-së, Shkëlqim Selmani. Surpriza e votimit në zonën 99 është ndarja e votave të proporcionalit. Në krye të listës së partive më të votuara ka qenë subjekti më i ri politik, PDI, e cila ka marrë 2200 të votave. Pas saj është renditur PR, me 1250 vota. Surpriza tjetër vjen nga zona 100, e banuar në shumicë nga popullsia çame. Megjithatë, nga numërimi i deritanishëm i kutive të votimit rezulton se votat më të shumta nuk kanë shkuar për PDI, por në drejtim të partisë agrare ambientaliste, duke qenë se për të kandidoi inxhinieri Durim Bajo. Numërimi i deridjeshëm ka nxjerrë se PAA ka marrë më shumë se rreth 1000 vota dhe se pasohet nga PBDNJ.
Mijëra vota “të djegura”
Ajo që vihet re gjatë numërimit të votave në të tria zonat zgjedhore të Sarandës dhe rrethinave të saj, me numër 98, 99 dhe 100, është “dashuria” e pakufishme për partitë e mëdha. Besnikët, fanatikë, të PS-së dhe PD-së, edhe pse me dhjetëra herë u është përsëritur se vota për ta shkon dëm, prandaj janë këshilluar për t’ua dhënë ato aleatëve në të dy krahët. Por nga statistikat e KZZ-ve rezulton se janë disa mijëra militantë që dhënien e votës së tyre partive të vogla, e kanë quajtur “tradhti” ndaj saj dhe thyerje të besës. Kjo ka bërë që këto mijëra vota të “rrjedhin” nga totali dhe të marrin pavlefshmëri për të vegjëlit e kësaj fushate.
Zona 98
Fitues rezulton të jetë kandidati i pavarur Spiro Peçi, i mbështetur nga PBDNJ e Omonia. Peçi mori 5171 vota
Zona 99
Kandidati i PS-së, Fatos Nano, fitues ndaj kandidatit të PD-së Besnik Aliaj. Ky i fundit ka kontestuar rezultatin
Zona 100
Gara vazhdon të jetë e hapur. Deri dje në mbrëmje ishin pa u numëruar dhe 22 qendra. Rivalë janë Çipa dhe Miço
06/07/2005
KATEGORIA: Kronike nga rrethet
Kreu i PD: PS, tentativa me Gjykatën Kushtetuese për të ndërhyrë te rezultatet
N. P
TIRANË- Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje dje kandidatëve socialistë, që kanë kontestuar rezultatin në zonat ku ata kandidojnë, që të mos i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pasi ky do të ishte një gabim fatal. „Konstatoj se njerëz afër tij, që kanë humbur thellë, që kanë pranuar humbjen, tani janë ngritur dhe përpiqen që të kontestojnë zonat e humbura, sikundër janë bërë përpjekje dhe tratativa me eksponentë të caktuar të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka asnjë autoritet mbi këto zgjedhje për të mundur që të ndërhyjnë në rezultatin e tyre. Do të ishte një gabim, do ta theksoj këtu, fatal, për atë që mund të imagjinojë hapa të tillë“,- tha ai. Berisha shtoi se është në detyrën e politikanëve shqiptarë që të angazhohen për një tranzicion të butë dhe të qytetëruar. „Sovrani ka folur. Shqipëria nuk ka asnjë ditë për të humbur“, - tha ai. Sipas Kodit Zgjedhor, ata kandidatë që kanë ankesa dhe pretendime për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve në zonat përkatëse, mund t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor, një strukturë kjo e krijuar posaçërisht me gjykatës të Apelit për të shqyrtuar pretendimet e kandidatëve në garë.
06/07/2005
KATEGORIA: Politike
Kandidatët socialistë që kanë humbur, thonë se do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor dhe në ndonjë rast Kushtetueses
PS konteston zgjedhjet në 10 zona
Islami, Ahmetaj, Angjeli, Traga, Isaku, Koja etj. pretendojnë parregullsi në zonat ku kanë dalë humbës
Darina Tanushi
TIRANË – Socialistët kanë filluar dje të kontestojnë në masë rezultatet e dala nga komisionet zonale zgjedhore. Kjo në fakt është një taktikë e re e PS-së, e cila mësohet se është diskutuar gjatë paradites së djeshme në zyrat e selisë së PS-së, ku kanë qenë të mbledhur për një kohë të gjatë drejtues të PS-së që tashmë kanë përvojë në përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si Kastriot Islami, Ylli Bufi, të cilët së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë diskutuar, sipas burimeve, se cili do të ishte reagimi në disa prej zonave ku kandidatët socialistë kanë qenë në diskutim përballë kandidatëve të PD-së. Gjatë gjithë ditës së djeshme asnjë shifër e saktë nuk ëhstë deklaruar nga PS-ja, përveçse kandidatë të ndryshëm kanë dalë çdo një orë për të denoncuar bllokimin e procesit të numërimit ose në raste të tjera mosshpalljen e vendimit që i bënte fitues ata. Kështu u vendos që rreth 10 kandidatë për deputetë t’i drejtoheshin KQZ-së e më pas edhe Kolegjit Zgjedhor e në ndonjë rast edhe Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e kontestimeve të tyre.
Islami
I pari që ka nisur serinë e kontestimeve të rezultateve ka qenë kandidati për deputet i zonës 73, Kastriot
Islami, i cili e shpalli veten fitues të zonës, ndonëse me një rezultat të ngushtë mbi 60 vota, por, sipas tij, “anëtarët e komisionit zonal zgjedhor, në mënyrë të veçantë kryetari i KZZ-së, i cili është një shef komisariati policie, ku gjatë regjimit të Berishës ka bllokuar mbrëmë vonë (të hënën në darkë) numërimin e votave në dy qendra votimi, ka bllokuar nxjerrjen e procesverbalit përfundimtar dhe, pasi ka komunikuar me KQZ-në për të dërguar në Tiranë numërimin e këtyre dy qendrave të votimit, sot me udhëzime nga selia e PD-së ka ndërruar mendim dhe ka menduar që duhet të mbyllë pjesërisht procesverbalin dhe njëkohësisht ka këkruar mendim se çfarë duhet të bëjë me dy qendrat e votimit”. Islami ka këkruar prani të vëzhguesve në zonën e tij. Ai ka thënë se shqetësime të tilla paraqiteshin edhe në zonat nr. 2, nr. 36, nr. 37, nr. 64, nr. 85, nr. 90, nr. 92, nr. 99 dhe nr.100, ku procesi, tha ai, është bllokuar, sepse dihet qartësisht që fitues janë kandidatët e PS-së. “Në momentin e duhur do t’i drejtohemi edhe gjykatës”, - ka thënë Islami.
Ulqini
Kandidati për deputet dhe njëkohësisht kryetar i PS-së së Tiranës, Musa Ulqini, denoncoi bllokimin e procesit në zonat nr. 36 dhe nr. 37, ku ende në mesditë nuk ishin numëruar 5 apo 6 qendra votimi. Ai kërkoi që të ndalej presioni dhe dhuna fizike ndaj komisionerëve në këto KZZ dhe të përfundonte procesi. Pas kërkesës së rivalit të tij demokrat, Neritan Sejamini, Ulqini u shpreh se, “nëse ai do të kërkojë rinumërim votash, ju garantoj publikisht që nuk do të dalë rezultati, diferenca 23 vota, por do të jetë shumë më tepër se sa 23 vota dhe do të jetë një nder që do të më bëhet mua”.
Angjeli
Kandidati socialist për deputet Anastas Angjeli, tha gjithashtu se do të kontestojë rezultatin e zonës 38 në Tiranë, ku pretendohet se ka fituar Ylli Pango. "Kemi nisur të gjitha procedurat për kontestimin e rezultatit në zonen 38, unë si kandidat dhe partia si subjekt. Deklaroj se procesi zgjedhor është manipuluar totalisht nga ana e demokratëve, pasi zona 38 është zonë socialiste, ku PS-ja ka fituar katër herë. Është manipuluar procesi i numërimit, nuk u zbatua Kodi i Etikës dhe ai Elektoral, tha Angjeli, duke shtuar se është tentuar të manipulohet edhe me listat e studentëve. "Kemi përgatitur materialin për ankim, kontestimi im është i pakundërshtueshëm", - tha Angjeli.
Arben Ahmetaj
Kandidati socialist në zonën 33 në Tiranë, Arben Ahmetaj, ka akuzuar drejtpërdrejt demokratët për manipulim të procesit të votimit. "Ka qenë një skenar fitoreje i përgatitur prej muajsh. Më vjen keq që e vërtetova kaq vonë masakrën që u bë me çertifikata të falsifikuara, dokumete të dyshimta që janë paraqitur nga njerëz po aq të dyshimtë e të panjohur për zonën time, që kanë votuar gjatë orëve të fundit, pak para mbylljes së kutive të votimit", - tha Ahmetaj.
Kontestime kanë paraqitur dje edhe kandidatët socialistë në zonën 29, Gjergj Koja, në zonën 27 Lulëzim Traga, në zonën 87 Agim Isaku dhe Makbule Çeço në zonën 90. Koja tha dje se „shkeljet e bëra në zonën 29 i japin fitoren kandidatëve të pamerituar“, - ndaj ai kërkoi rinumërimin e votave.
Edhe kandidati socialist për deputet i zonës 27 në Durrës, Lulëzim Traga, deklaroi se në zonën e tij ka pasur paregullsi të shumta që kanë prishur procesin zgjedhor. Kandidati për deputet i PS-së, Agim Isaku, ka kontestuar procesin zgjedhor duke depozituar ankesat në KQZ, pasi, sipas tij, ka patuar parregullsi dhe manipulime të qarta nga kandidati dhe komisionerët e PD-së. Isaku thotë se ka marrë si kandidat rreth 2 000 vota më pak se subjekti politik që përfaqëson, gjë që tregon qartë manipulimin skandaloz
Sekretari i përgjithshëm i PS tha se kandidatët e PS do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor
Ruçi: S’pranojmë asnjë rezultat, pa u shprehur gjykatat
TIRANË – “Ne nuk do të pranojmë asnjë rezultat derisa të shprehen institucionet zyrtare të ngarkuara për këtë qëllim", - tha dje në mbrëmje sekretari i përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se tashmë PS-ja dhe kandidatët e saj, që kanë pakënaqësi për procesin e numërimit në zonat e tyre, do t’i drejtohen organeve kushtetuese. “Po realizohen dhe kristalizohen një numër kontestesh në zona të caktuara nga kandidatët tanë, konteste të cilat ne po i adresojmë në mënyrë institucionale në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Kjo është pjesë e respektit që ne kemi për votën e lirë dhe institucionet. Berisha duhet të dijë se është pjesë që e ngarkon ligji KQZ-në të administrojë rezultatet në mazhoritar dhe proporcional, si dhe të administrojë, të shqyrtojë dhe të shprehet për të gjitha kontestet që kanë kandidatët apo subjektet politike”, - ka thënë Ruçi. Më pas, tha ai, vazhdon puna e gjykatës së ngritur enkas për procesin zgjedhor. “Vetëm kur të shprehet ajo quhet kontesti i mbyllur. Ne do t’i qëndrojmë fort dhe deri në fund principit dhe nuk do të pranojmë asnjë rezultat për të cilat nuk janë shprehur institucionet që janë ngarkuar për to”, - ka theksuar Ruçi. Sipas Ruçit, “Kodi elektoral e Kushtetuta e vendit është parimi ynë që po shkelet nga Sali Berisha”. “Ai nuk e fsheh gëzimin të jetë kryeministër, dhe në vend të mesazheve për administratën apo të padurimin të tij për të zënë karrigen e kryeministrit, le t'u kërkojë komisonerëve dhe njerëzve të tij që të mos ushtrojnë presion në qendrat zonale zgjedhore", - tha sekretari i përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi. Sipas tij, Berisha duhet të informohet se është pjesë e ligjit që të mos shpallë fitore, pa u shqyrtuar kontestet e kandidatëve të partive politike. Ruçi u bëri thirrje vëzhguesve të verifikojnë dy zona në Tiranë, ku po ushtrohet presion nga njerëzit e Berishës.
Sekretari socialist ka bërë të ditur se janë rreth 10 komisione të zonave zgjedhore të cilat janë në diskutim, ku procesi është bllokuar nga komisionerët e PD-së, për shkak se atje janë në favor kandidatët socialistë.
06/07/2005
www.shekulli.com.al