Te bejme te njohur Shqiperine

TheWanderer

Primus registratum
Te bejme te njohur Shqiperine

Lexova temen e hapur nga Mandi mbi faqen ne yahoo, mbi iliret dhe qe ironikisht eshte e hapur nga nje grek qe manipulon historine si te doje.

Sot, ne kushtet qe Kosova fitoi pavarsine, ata qe po perhapin nje histori te rreme e plot mashtrime jane serbet. Te kerkosh mbi historine e Kosoves apo te Shqiperise ne internet nuk mund te gjesh shume. Aq me teper te huajt lexojne faqet ne anglisht, frengjisht apo gjuhe te tjera te shkruara nga serbet.

Mendoj se do te ishte mire te ndertonim nje faqe (ndoshta te krijonim grupe ne yahoo, google, msn etj., ose faqe te tjera falas) me historine e Shqiperise. Ketu ne forum antaret flasin shumellojshmeri te madhe gjuhesh te huaja dhe nese do te arrinim
te krijonim nje histori te unifikuar (citime nga historiane te huaj apo shqiptare, pjese te marra nga faqe te ndryshme interneti, citime nga libra apo enciklopedi qe perfaqesojne realisht dhe pa gabime historine e Shqiperise) atehere mund te perkthenim variantin e vetem qe do te krijonim, ne gjuhe te ndryshme e ta publikonim ne internet. Me pas mund te shperndajme sa me shume te jete e mundur link-et dhe te fillojme ta bejme Shqiperine sa me te njohur ne bote.

Ky eshte vetem nje mendim fillestar per nje ide qe ndoshta do te kete zhvillim dhe me pjesemarrjen e te gjithe atyre qe mendojne se mund te ndihmojne. Nese kene ide te tjera dhe mendoni se dicka mund te behet ne kete drjetim, postoni ketu ose me dergoni PM.
 

marina s.

Forumium maestatis
Re: Te bejme te njohur Shqiperine

Ne yahoo, kam pare vetem kete faqe http://www.geocities.com/protoillyrian mbi iliret. Kjo eshte ajo per te cilen behet fjale dhe qe drejtohet nga nje grek?
Te them te drejten, nuk kam arritur te lexoj cdo material qe permban kjo faqe, por me aq sa kam lexuar nuk mund te flas per manipulime. /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/shrug.gif


Ideja e krijimit te grupeve ne Yahoo, Google, etj me duket e mire...edhe pse mendoj se ndertimi i nje nje faqeje te veçante eshte me e pershtatshme. Materialet mund te vendosen ne 6 gjuhe anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe, normalisht shqip. Personalisht jam gati te ndihmoj qofte me gjetje materialesh, qofte me perkthimet ne anglisht, italisht e spanjisht.
Mendoj se nuk do te ishte aspak keq edhe sikur te shtohej me shume material mbi historine ne faqen shqip te Wikipedias.
 

2celjan-fr3

Primus registratum
Re: Te bejme te njohur Shqiperine

Wikipedia eshte shume here me e vizituar dhe atje duhet derguar komenti mendoj
 

xixa1956

Primus registratum
Kosovë – udhë paralele(1/8).

Kush e pati në zemër,
trokiti gotën pêr Pavarërsinë e saj.
Po a e dimë se ç’Kalvar,
Ka jetuar për t’ju qasur kësaj dite ?


Nën peshën e dhunës komuniste.

Fundi i Luftës së Dytë botërore në Kosovë pati shijen e hidhur të zhgënjimit dhe të disfatës. Fillimisht për faj të divizioneve partizane të Titos që çliruan provincën – me të drejtë, kosovarët do të thonë që e pushtuan - të cilat ndoqën sipas të gjitha rregullave të artit ushtarak adeptët shqiptarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit si edhe guerriljet e vjetra ish-komuniste, që të gjithë besnikë të « Shqipërisë së Madhe » efemere. Ndërkohë që administrata e re vendosej në qytete dhe që instancat qeveritare përgatisnin statutin e provincës tashmë të gëlltitur, një kryengritje e vërtetë nën Shaban Polluzhën shpërtheu në fillim të vitit 1945 në zonën e Drenicës. Ndërmjet shkurtit dhe marsit 1945, luftimet bënë kërdinë mes kryengritësve dhe njësive të ushtrisë jugosllave, duke shkaktuar me mijra të vrarë mes « rrebelëve » dhe popullsisë civile (1). Megjithë bazën e saj të gjerë popullore, kryengritja i ngjante më tepër një akti të dëshpëruar të kosovarëve përballë kthimit të pashmangshëm në « ferrin serb » ndërkohë që Nëna Shqipëri tashmë nën kontrollin e komunistëve i kish braktisur në fatin e tyre të hidhur (2).
Vendosja e një administrate ushtarake në Prishtinë përbënte vetëm aspektin e dukshëm të gjendjes së shtetrrethimit që mbretëronte në provincë : ndërkohë që ushtria shtypte pa mëshirë lëvizjen popullore me frymëzim « ballist », PKJ spastronte rradhët e komitetit të saj rajonal, i akuzuar për pazotësi dhe për administrim të keq të krizës nacionaliste (3). Zaten, Kosova nuk përbënte ndonjë rast të jashtëzakonshëm pasi e gjithë Jugosllavia gjendej në gjendje shtetrrethimi për shkak të « spastrimit » dhe të « paqëtimit », këtyre procedurave që nuk kursenin asnjë grup social, asnjë krahinë apo pjesë të saj, asnjë kombësi. Fillimisht shpata komuniste ra mbi ata gjysëm-milioni Volksdeutscher - gjermanë të Jugosllavisë, të dënuar nga vetë historia për bashkëpunim me pushtuesin nazist. Ata u zhveshën nga të gjitha të drejtat e tyre të qytetarisë jugosllave përpara se të internoheshin në kampe, të shpërnguleshin ose të dëboheshin jashtë kufijve. Pothuaj gjysëm-milioni ishin edhe hungarezët, edhe ata të urryer pasi kishin shërbyer si ndihmës të rregjimit fashist të Horthit gjatë luftës. Duke ju druajtur reaksionit të Rusëve që ndërkohë kishin marrë në dorë çështjen hungareze, autoritetet e Beogradit i « falën » dhe i grupuan në gjirin e Krahinës Autonome të Vojvodinës, nën përgjegjësinë e serbëve. Ishin gjithashtu disa qindra mijra italjanë, të vendosur në bregdetin dalmat, në zonën e Fiumes (Rijeka), në ishujt sikundër dhe në gadishullin e Istrisë (4). Fajtorë për të vetmin fakt se kishin të njejtën kombësi me pushtuesit fashistë të Duçes, edhe ata duhej të thyenin qafën. Italjanët do të katandisnin në 80.000 vetë në vitin 1948 dhe në më pak se 35.000 në vitin 1953.
Pastaj ishin ata çetnikët serbë të Mihajlloviçit që ende vazhdonin të bridhnin maleve dhe pyjeve të Bosnjës ; ata ushtashët kroatë të Paveliçit të cilët u sollën nga Austria me forcë për t’i çfarosur në vendlindje ; ata territorialët sllovenë ; ata domobrani (xhandarët) rumunë apo bullgarë që bënin përpjekje të kota të bliheshin në sytë e rregjimit ; ata rusët e bardhë që ishin fshehur nëpër vrima përpara ofensivës së Ushtrisë së Kuqe… Duke kombinuar operacionet e spastrimit, egzekutimet pa gjyq, marrshimet e vdekjes dhe kampet e përqëndrimit, ndërtuesit e Jugosllavisë së re kishin përveshur mëngët dhe mundoheshin të vinin rregull në shtëpinë e tyre të vjetër që sapo e kishin marrë në dorëzim.
Duke lënë mënjanë variantin e autonomisë të plotë dhe të menjëhershme të krahinës së Kosovë – Metohisë, udhëheqja jugosllave gjatë seancave me dyer të mbyllura duhej të zgjidhte mes coptimit së krahinës në dobi të republikave fqinje të ardhshme (Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni) ose ruajtjes së bashkësisë territoriale e cila, duke përfituar nga prerogativa të një autonomie të kufizuar, i bashkëngjitej Serbisë. Varianti i fundit paraqiste avantazhin e mënjanimit të një reaksioni edhe më violent nga ana e shqiptarëve, ndërkohë që qetësonte shpirtrat e pakicës serbo-malazeze në vend. Të kënaqej hegjemonizmi serbomadh dhe të përmbahej nacionalizmi shqiptaromadh (5), gjithë duke pritur zhvillimin e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të cilat, sipas të gjitha gjasave dhe duke respektuar skemat e Titos duhej të çonin drejt një lloj bashkimi, ja edhe gjendja shpirtërore që mbretëronte në Beograd në vigjilje të shpalljes së Kushtetutës së re.
Republika Popullore Federative e Jugosllavisë u shpall në 31 mars të vitit 1946, një rast unikal në Evropë në llojin e vet : ajo numëronte gjashtë republika, pesë « popuj », katër gjuhë zyrtare, tre fe të mëdha dhe dy alfabete, sikundër dhe « një parti të vetme » - sipas asaj shprehjes së Titos. Në mes të këtij patchwork të vërtetë, kosovarët paraqiteshin si një element i thjeshtë etnik, pasi nuk kishin mundur të siguronin as statusin e përbërësit të kombit as edhe njohjen zyrtare të gjuhës së tyre. Dhe me të vërtetë : nëqoftëse kosovarët e gjuhës amëtare shqipe përbënin shumicën absolute në Kosovë, ata ishin një pakicë e papërfillshme në nivelin e Republikës së Serbisë (6).
Pa kaluar as edhe dy vjet nga shpallja e Republikës, Federata jugosllave njohu krizën e saj të parë të thellë në planin ndërkombëtar. Grindjet mes Titos dhe Stalinit prekën kulmin e tyre : rregjimi jugosllav u dënua nga mbarë bota komuniste dhe u izolua sikur të ish prekur nga kolera. Me këtë rast të gjitha projektet rajonale dhe ballkanike u asgjësuan : aleanca vllazërore me Shqipërinë u shkri si bora në diell brenda disa ditësh dhe dy vendet fqinje befas u gjendën ballë përballë, sejcili në istikamin e tij, duke u rikujtuar për konfliktet dhe grindjet e dikurshme. Sejcili mbetet sigurisht komunist por i një lloji të ndryshëm dhe meqënëse ishim gjithmonë në Ballkan ku edhe dashuria edhe urrejtja janë të plota dhe gjithëpushtuese, të dy fqinjët shkuan deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Mes të dyve mbetej si gjithmonë Kosova, ndjenjat e të cilës ishin të shpërndara mes ngazëllimit të plotë ndaj faktit që më së fundi vendi amë u vu në krahun e mbrojtësit dhe ankthit të thellë ndaj faktit tjetër se tashmë i duhej të vuante pasojat e gjeopolitikës kontinentale.
Ndërkohë që ngazëllimi i kosovarëve ishte jetëshkurtër, pasi i vetmi shqetësim i Tiranës ishte të lëshohej në kritika të rrepta kundër Titos dhe « klikës së tij tradhëtare antikomuniste », ankthi i tyre u justifikua plotësisht : sejcila nga palët, duke dashur të destabilizojë tjetrën për llogari të vet ose për llogari të të tretëve, gërmonte në rezervat njerëzore të Kosovës me qëllim që të formonte grupe ndërhyrjeje dhe diversioni. I gjithë aparati administrativ si dhe ai i partisë i krahinës autonome ju nënështrua rishtas pastrimit, në kërkim të « Kominformistëve stalinianë » dhe të « agjentëve të Shqipërisë » ; në të njejtën kohë, fushata e kolektivizimit të tokave bënte viktimat e veta sikundër dhe uria që kërcënonte qytetet. Pjesa më e madhe e fshatrave u krehën deri në themele në kërkim të armëve të fshehura dhe e gjithë popullsia u konsiderua si një mbështetje potenciale e agjentëve të infiltruar nga Shqipëria fqinje. E gjithë periudha 1948 – 1965 karakterizohet nga aplikimi i një politike të shtypjes të pastër dhe të pamëshirshme, e udhëhequr nga i plotfuqishmi ministër i Brendshëm Rankoviç. Kjo politikë kulmoi me dy procese gjyqësore të përmasave teatrale : ai i Prizrenit (7) në vitin 1956 dhe ai i vitit 1964, kundër « Lëvizjes revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve », organizatë ilegale e drejtuar nga Adem Demaçi. Sipas pikpamjes të drejtuesve shqiptarë të krahinës, kjo periudhë shënon edhe nivelin më të ulët të marrëdhënieve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Pjesa më e madhe e analizave dhe të studimeve të kryera mbi këtë periudhë pas zhdukjes së Titos dhe rregjimit të tij, tentojnë të « harrojnë » që problemi kombëtar i asaj kohe i nënështrohej një projekti mjaft më të gjerë dhe kompleks : ai i ndërtimit të një modeli bashkësior dhe shoqëror, i frymëzuar thellë nga ideologjia komuniste. Gjithë udhëheqja e atij vendi – që nga krahinat, republikat dhe deri në federatë – ishte e bindur që ky Shtet federal, i përbërë nga njësi politiko-administrative sa laragane aq edhe të ndryshme, të ngjitura njëra me tjetrën nga pesha e vetme e Historisë, mund të egzistonte dhe të mbahej më këmbë vetëm falë një politike që kombinonte forcën dhe manovrat takticiene të shkallës së gjerë, me qëllim që të krijohej një bashkësi lidhjesh të brendshme sikundër dhe një vektor qendërshënjues si të vetmet garanci të mbijetesës (8). Pa asnjë dyshim, personaliteti kompleks i Titos jep edhe çelësin e suksesit të kësaj ndërmarrjeje të rrallë. Njëkohësisht komunist e jugosllav por në rradhë të parë kroat, që në vitin 1945 Tito përpunoi dhe filloi zbatimin e politikës së tij, ekuacioni i të cilës integronte një paradoks me përmasat e një kompromisi – ai i principit të « centralizmit demokratik » që pranonte delegimin e dukshëm të pushteteve nga qeveria qëndrore drejt atyre të republikave përbërëse, me një limit të formës së fundme – ndalimi i rimëkëmbjes të dinastisë të Karagjorgjeviçëve, duke varrosur me këtë rast idenë e saj qëndrore të Serbisë së Madhe. Duke i shkaktuar një katastrofë ushtarake çetnikëve të Mihajlloviçit, një disfatë politike përvëluese kampit mbretëror në mërgim dhe së fundi, duke mundur t’i bashkojë projektit të vet partinë komuniste serbe, Tito arriti të zbusë dhe të nënshtrojë nacionalizmin serbomadh, i cili me këtë rast pësoi një goditje të rëndë, përmasat dhe shtrirja e të cilit mund të krahasohen me atë të Vidovdanit të Fushës së Mëllënjave, në të largmin vit 1389.
Përballë ofensivës totale të natyrës politike, ekonomike dhe ideologjike, të ndërmarrë nga rregjimi titist i cili synonte shëndrimin e thellë të vendit drejt rrugës të ndërtimit të socializmit, shoqëria kosovare përdori murin « mbrojtës » tradicional, një zhguall i vërtetë i përbërë nga lidhje familjare, ndërfamiljare dhe fisnore, nga marrëdhënie dhe raporte sociofetare dhe së fundi, nga ndjenja dhe veprime nacionaliste.
Fshatare në pjesën dërrmuese të saj, kjo shoqëri ka mundur të nxjerrë forcën e saj nga struktura e madhe familjare patriarkale që grupon në gjirin e vet prindërit, djemtë e martuar dhe familjet e tyre, vajzat e pamartuara dhe shpesh herë edhe prindërit e prindërve, gjyshe-gjyshërit e moshuar. Një familje e tillë zakonisht shkon deri në njëzet vetë – herë herë shumë më tepër, ku sejcili kontribon në ekonominë familjare solidare sipas mundësive dhe sipas aftësive ndërkohë që ndan me të tjerët ushqimin, punën dhe fondin material e monetar. Duke ju nënshtruar autoritetit të më të vjetërve, çdokush kujdeset që të ruajë një harmoni të brendshme të përgjithshme – të bazuar mbi respektin e protokolleve të ngurta, ndërkohë që bën përpjekje për t’ju bindur një varg vlerave dhe kodeve sjelljeje të paracaktuara për të mos thënë të parashkruara – ndera, besa, mikpritja, sjellja e mirë – që përcaktojnë të gjitha raportet me botën rrethuese. Kjo e fundit, nëpërmjet forcës së opinionit publik përbën edhe masën e kontrollit shoqëror. Forma më rudementare dhe më e fuqishme e këtij opinioni publik është rrethi, me fjalë të tjera qarku i marrëdhënieve familjare, të farefisnisë, shoqërore dhe të ndikimit. Të sigurohet konformizmi i veprimeve dhe i marrëdhënieve, pa u shmangur nga përdorimi i normave tradicionale të sjelljes – kjo është detyra e përjetshme e individëve si edhe shqetësimi i njëtrajtshëm i familjeve ku ai bën pjesë ; sigurisht, bëhet fjalë për principe thelbësore të cilat kushtëzojnë edhe arritjen shoqërore, grumbullimin e pasurisë dhe ruajtjen e autoritetit personal, gjithçka që lejon të bëhet një jetë e nderuar në gjirin e bashkësisë së vet.
Sidoqoftë, kjo skemë sjelljeje e grupit mbetet e mangët në qoftë se lihet pas dore roli i fesë myslimane. Sigurisht dhe në rradhë të parë, sikundër çdo fe tjetër monoteiste, kjo fe i bindet prirjeve të saj të pandryshueshme për të përmbushur nevojat shpirtërore të individit. Ajo mundohet të qetësojë shpirtrat e trazuar, t’i përgjigjet pyetjeve të natyrës egzistenciale dhe të shoqërojë njeriun përgjatë momenteve më të rëndësishme të jetës së tij – lindje, bërje synet, martesë, vdekje – nëpërmjet riteve dhe shërbesave fetare. Ndërkohë, islamizmi në Kosovë – ndoshta në një masë më të madhe përkundrejt gjithë hapësirës shqipfolëse – ka ngarkuar vetvehten me një detyrë njëjtësore, të vlerësimit të identitetit, duke tejkaluar në këtë mënyrë gjerësisht kufijtë e kultit. Në një formë të tretur, për të mos thënë zakonore, ai ndërfutet në jetën e përditshme dhe le gjurmën e vet në të gjitha fushat shoqërore, duke u shëndrruar në këtë mënyrë në një përbërëse të domosdoshme kulturore – në një farë çimentoje që siguron, forcon dhe këndell ndërfutjen njëjtësore. Feja myslimane justifikon konservatorizmin, racionalizon sjelljen, dinamizon traditën dhe ringjall të kaluarën. Pasi është pikërisht historia që shërben si terren pjellor për të kultivuar virtytet sikundër dinjiteti, sakrifica ose heroizmi – elementë të domosdoshëm për të mbajtur gjallë dhe mbarështruar shpirtin e kombit. Nëpërmjet këtij alambiku kombëtaro-nacionalist distilohet ajo pije dehëse deri në mpirje me anë të të cilës, vuajtja e pashmangëshme në vlerën e saj si simbol shpirtëror ngatërrohet me persekutimin tokësor ndërkohë që papërfillshmëria etnike asimilohet me një lloj veçantie, bile edhe me një epërsi kombëtare. Kështu, duke mos qenë në gjendje të përcaktojë një identitet të përveçëm të vetin në rolin e një simboli etnik, identiteti mysliman ushqen dhe mbarështron ndërgjegjen kombëtare shqiptare, duke përbërë kështu nën-kategorinë e saj kryesore. E thënë ndryshe, nga momenti që çështja kombëtare shqiptare u shëndrrua në projektin kryesor përbashkues të shoqërisë kosovare, feja myslimane nuk qëndron më në origjinën e tensioneve dhe të konflikteve mes shqiptarëve dhe serbëve. Me këtë rast, ajo humbi përmasat e saj politike, pushtetin e saj si nënvizues i identitetit të shoqërisë ; feja është kthyer më tepër në mjedis integrues të shpirtit shoqëror se sa në faktor diferencues të rishpërndarjeve të brendshme.
Përtej konsideratave të natyrës shoqërore, na duhet të pranojmë se as solidariteti mes pronave familjare as edhe ndihma e natyrshme mes bashkëfetarëve nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur gjallë një bashkësi të gjerë shoqërore pasi kjo e fundit ka nevojë para së gjithash për një mjedis ekonomik të shëndetshëm, për një ind të fuqishëm industrial dhe për një rrjet të dendur shkëmbimesh tregëtare, për një treg kombëtar me qëllim të kënaqë shkëmbimet materiale, monetare dhe të sigurojë rritjen ekonomike. Jugosllavia e viteve pesëdhjetë – gjashtëdhjetë nuk është ai vendi i bollëkut që dëshironte ose mendonte të ishte dhe sejcilit i duhej të përleshej për të mbijetuar. Pasi kish dështuar në përmbushjen e objektivave të planit të saj të parë pesëvjeçar në vitin 1952, planifikimi i centralizuar nuk frymëzonte më askënd : disa vjet më vonë, në 1957, koncepti kyç i ekonomisë socialiste sovjetike i kish lënë vendin « administrimit puntor ». Ky produkt i mendimit ekonomik jugosllav reflektonte drejpërdrejt strukturën federative, nëpërmjet vullnetit të shpërqëndrimit të marrjes së vendimeve ekonomike. Pa asnjë dyshim ai përbënte një kontribut interesant - veçse vlerat e tij mbeteshin thjesht në planin teorik pasi në planin tjetër, në atë të praktikës, ai nuk mundi të tejkalojë stadin e dëshirës : një pushtet unik i cili përqëndronte forcën e partisë komuniste dhe të aparateve shtetërore mund të toleronte efektet e shpërqëndrimit ekonomik vetëm e vetëm përderisa këta të fundit nuk vinin në rrezik projektet e tij të natyrës politike dhe shoqërore. Jo më larg se në vitin 1962, plani i tretë pesëvjeçar i mbështetur mbi ekonominë e shpërqëndruar dhe administrimin puntor u braktis në mes të rrugës në mënyrë krejt të natyrshme. Gjatë kësaj periudhe, e karakterizuar nga idetë e lëvizjes së « vendeve të paangazhuara », prirja ekonomike ishte ajo e garës së lirë me tregjet botërore, e mbështetur kryesisht nga shfrytëzimi intensiv i pasurive natyrore të vendit dhe i aftësive prodhuese të industrisë lokale.
Pikërisht në fushën e pasurive natyrore, Kosova tërhoqi menjëherë vëmendjen e investitorëve federalë : rezervat e saj të linjitit (10 miliardë tonelata, ose 57% të rezervave jugosllave), burimet e plumbit, të zinkut dhe të stibiumit (50% të rezervave të vendit), minierat e nikelit dhe të kromit (20% të prodhimit kombëtar) përbënin argumenta me peshë që orientonin vetvetiu drejt zhvillimit të një industrie nxjerrëse të përmasave të mëdha, gjë e cila e shëndrroi krahinën në një furnizues të madh të lëndëve të para. Megjithë fillimet premtuese, mjedisi ekonomik u vlerësua si tepër i ndjeshëm dhe i paqëndrueshëm për të kaluar në fazën e dytë, atë të ngritjes të objekteve të mëdha industriale të objekteve gjysëm të gatshme ose të gatshme. Duke pritur grumbullimin e nevojshëm të kapitaleve, kosovarët u ftuan të merreshin me aktivitetet e tyre tradicionale të bujqësisë dhe të tjera artizanate. I frenuar në këtë nivel të zhvillimit ekonomik, s’ish për t’u habitur në qoftë se Kosova zinte një vend nderi mes përfituesve të programit të ndihmës ndaj rajoneve të pazhvilluara. Edhe vëzhguesi më optimist duhej të kënaqej me bilancin e mëposhtëm : një sektor ekonomik i përbërë kryesisht nga aktivitete primare – nxjerrje intensive e xeheve, metalurgji e metaleve të rënda në gjendje brute, bujqësi e mbështetur mbi pronën individuale ose familjare që rrallëherë tejkalonte sipërfaqen prej 3 hektarësh në mbi 90% të tokave të punueshme. Duke i shtuar këtij bilanci edhe varësinë thuajse të plotë ndaj ndihmave federale; prirja e krahinës drejt një zhvillimi të kufizuar dhe të pamjaftueshëm duket se është vulosur njëherë e përgjithmonë.

(www.albanie-albanais.com)
---------------------------------------------------

(1) Mjediset kosovare rikujtojnë se vetëm brenda muajve të parë të vitit 1945, ndërhyrja e ushtrisë popullore jugosllave prej 30.000 vetësh, shkaktoi rreth 50.000 viktima në rradhët e kryengritësve shqiptarë dhe të popullsisë civile, ndërkohë që rreth 1.600 – 1.700 rekrutë të rinj kosovarë u morrën me forcë dhe, nëpërmjet territorit shqiptar, u çuan në Malin e Zi ku u mbytën me gaz helmues.

(2) Menjëherë pas lufte, rregjimi i ri komunist i Hoxhës shprehu qëllimet e tij të prera për t’u mos u marrë më tej me çështjen e Kosovës ; ndërkohë që tre brigada partizane sulmuese shqiptare ndërhynin në teatrin kosovar të operacioneve ushtarake, qeveria shqiptare transferonte në Jugosllavi – pra drejt vdekjes së sigurt – të gjithë pjesëmarrësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe « kolaboracionistët » e tjerë kosovarë që ndodheshin në burgjet shqiptare, me qëllim që ata të gjykoheshin dhe të dënoheshin në vendin e tyre.

(3) Në muajin mars të vitit 1945, Miladin Popoviçi, një nga artizanët e parë të fitores së komunizmit në Shqipëri dhe përgjegjësi kryesor i komitetit krahinor të PKJ për Kosovën u vra në zyrën e vet nga një shqiptar vendas. Në vend të nënshkrimit dhe përpara se të vriste vehten, vrasësi kish lënë mbi tryezë flamurin shqiptar me nënshkrimin « Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ». Enver Hoxha gjithmonë ka mbështetur tezën se vrasja e shokut të tij të armëve ka qenë vepër e shërbimeve të fshehta jugosllave ndërkohë që jugosllavët këmbëngulin që autori i vrasjes ishte një antar i Ballit Kombëtar.

(4) Në fillim të muajit maj të vitit 1945, ushtria çlirimtare e Titos u hodh në ofensivë në gadishullin e Istrisë dhe pushtoi qytetin e Triestes, duke realizuar në këtë mënyrë një pretendim të vjetër jugosllav mbi këto territore. Trupat aleate të gjeneralit Aleksandër të bazuara në Itali ndërhynë menjëherë duke krijuar në këtë mënyrë një situatë shpërthyese e cila u zgjidh në qershor me tërheqjen e ushtrisë jugosllave. Gadishulli i Istrisë nda në dy zona, të vëna nën vëzhgimin e një force ndërkombëtare.

(5) Vëzhguesit e jetës politike serbe nënvizojnë se, megjithë gjendjen e shtetrrethimit dhe ndërhyrjen ushtarake në Kosovë që në muajin mars të vitit 1945, autoritetet qëndrore morrën një varg dispozitash dhe vendimesh me qëllim « korrigjimin » e padrejtësive të pësuara nga shqiptarët e shtypur nga ana e « Jugosllavisë së vjetër rreaksionare ». Këto masa synonin ndalimin e përkohshëm të kthimit të kolonëve të vjetër serbë në vendet e tyre të dikurshme të banimit, duke vulosur në këtë mënyrë edhe krimet e luftës si dhe pastrimin etnik të kryer nga ana e pushtuesve nazi-fashistë kundër Serbëve të dëbuar nga Kosovë-Metohia (ndërmjet 50.00 dhe 100.000 të dëbuar – sipas vështrimit të analistëve). Shih mbi këtë çështje : Hugo ROTH – Kosovo Origins, Ed. Belgrade, 1996. Sidoqoftë, ja vlen të përmendet se ndalimet e kthimit të të ikurve nuk ishin shpikur për të marrë me të mirë kosovarët pasi ato vepronin njëkohësisht edhe mbi kolonët serbë të vendosur dikur në Maqedoni, në Vojvodinë ose dhe në Srem.

(6) Sipas rregjistrimit të popullsisë të vitit 1948, shqiptarët e Kosovës ishin 498.242 vetë përkundrejt një totali prej 727.820 vetësh, ose 68,5% të popullsisë së krahinës. Në nivelin e Republikës së Serbisë e cila numëronte 6.200.000 banorë, ata përfaqsonin vetëm 8,15% të popullatës. Shih mbi këtë çështje : Dusan T. BATAKOVIC -- Kosovo à l’époque titiste : entre nationalisme et communisme - Kosovo, Les Annales de l’Autre Islam, nº 7, INALCO – ERISM, Paris, 2000.

(7) « Procesi i Prizrenit » u organizua kundër një grupi prej nëntë personash në mesin e të cilëve bënin pjesë udhëheqës të lartë komunistë të provincës, të akuzuar për ngritjen e një rrjeti të gjerë agjentësh dhe spiunësh në favor të Republikës fqinje të Shqipërisë. Personat e akuzuar morrën dënime të rënda dhe burgime të gjata. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1968, këta persona u konsideruan si të pafajshme dhe u liruan pa rishikim procesi ndërkohë që Kuvendi i Kosovës aprovoi një rezolutë që e cilësonte procesin si « montazh » dhe « inskenim ».

(8) Michael KNIGHT - Yugoslavia 1920s - 1990s: Coalescence and Confederation, Disillusion and Dissolution, American Library of Geneva, November 1999.

(9) Përsa i përket popullit serb, ai e pagoi shtrenjë « bashkimin » e tij me idealin e Titos. Megjithë atë heshtjen pothuaj të plotë të historianëve serbë lidhur me këtë çështje, disa studime dhe sondazhe e vlerësojnë me 150.000 deri edhe 450.000 numrin e çetnikëve, të intelektualëve dhe armiqve të tjerë të klasës të egzekutuar nga pushteti komunist. Përballë avancimit të shpejtë të forcave sovjetike të cilat synonin Beogradin si dhe përballë mungesës së njohur të forcës së rezistencës komuniste në Serbinë e Vjetër, Tito nxitoi të sjellë trupat e veta të Bosnjës dhe të Malit të Zi. Të përbëra në pjesën e tyre dërrmuese nga serbë « të përtej-Drinës », ato ju shkaktuan një ndëshkim shëmbullor vëllezërve të tyre të akuzuar për bashkëpunim.

(10) Nathalie Clayer këmbëngul mbi faktin se nacionalizmi i elitave shqiptare të Kosovës ka qenë kristalizuar në kohën e komunizmit dhe si pasojë në pjesën më të madhe të tij ai është i natyrës « ateizante ». Shih : Xavier BOUGAREL & Nathalie CLAYER – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Editions Maisonneuve & Larose, Paris, 2001.
 

xixa1956

Primus registratum
Kosovë - udhë paralele (2/8)

Nën hijen e « Vllazërim-Bashkimit ».

Mbetej sidoqoftë një rrugë e hapur për t’i bërë ballë problemit të pazgjidhur të zhvillimit ekonomik si edhe pasojave të pashmangshme shoqërore : kurbeti. Falë një marrëveshjeje të re të nënshkruar ndërmjet Federatës jugosllave dhe Turqisë, një numër i madh myslimanësh « u ftua » të merrte rrugën drejt vendit « të origjinës ». Burimet jozyrtare flasin për 246.000 myslimanë që braktisën Jugosllavinë ndërmjet viteve 1945 dhe 1966, mes të cilëve rreth 100.000 nga Kosova. Rregjistrimet e popullsisë të zhvilluara në 1948 dhe 1951 lejojnë të shihet një rritje e paparë e numrit të njerëzve që e deklarojnë vetvehten « turq » ; vetëm në Maqedoni, nga 95.940 të tillë të rregjistruar në vitin 1948, tre vjet më vonë numri i këtyre turqve të fshehur shkon në 203.000 vetë. Nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e tyre s’ishin gjë tjetër veçse shqiptarë që e jetonin fort keq gjendjen e tyre prej pakice ose që s’mund të duronin më gjendjen e tyre edhe më të vështirë ekonomike. Diferenca e nuancës mes turqve « të gënjeshtërt » dhe shqiptarëve « të vërtetë » nuk duket të ketë shqetësuar tej mase administratën titiste pasi në sytë e saj si në njerin rast dhe në tjetrin bëhej fjalë për myslimanë të bindur. Ndërkohë, si pasojë e papunësisë të pashembullt prej 70% që prekte popullsinë me origjinë shqiptare të Kosovës, një numër ende më i madh zgjodhi kurbetin klasik me motive ekonomike, drejtimet tradicionale të të cilit ishin Gjermania dhe Zvicra (1). Pak nga pak, diaspora e bollshme perëndimore u bë një faktor i dorës së parë, së pari në rrafshin ekonomik dhe më pas në atë politik. Në origjinën e tyre, hyrjet e vazhdueshme dhe të rregullta të devizës së huaj të fortë shërbyen për të rrafshuar diferencën e ndjeshme të të ardhurave lokale në krahasim me republikat e tjera pasi qëllimi i tyre kryesor ishte pikërisht përmirësimi i jetesës së përditshme. Më tej në praktikën e zakonshme, markat gjermane dhe frangat zvicerane bënë që të zbulohen horizonte të reja, ai i shitoreve dhe i shërbimeve, ndërkohë që sasi të mëdha devize investoheshin drejt blerjes së tokave dhe në ndërtimin e shtëpive. Kjo gjë jo vetëm i dhuroi një shkallë më tepër lirie popullatës shqiptare lidhur me kompozanten serbe e cila duhej të organizonte jetën veç me anë të rrogave, por edhe dobësoi gjithnjë e më tepër vartësinë e saj nga pushteti qendror (2), duke thelluar diferencimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo dikotomi ndërmjet trajektores ekonomike të imponuar nga pushteti me atë të zgjedhur prej grupit, mes logjikës shoqërore individuale dhe asaj bashkësiore – e kqyrur në kontekstin ku konceptet shumicë/pakicë ushqehen nga një paqartësi e natyrës ideologjike, shërben si terren i përshtashëm për kërkesa të ardhshme të natyrës politike.
Nga mesi i viteve 60, Jugosllavia kaloi rishtas një periudhë mjaft të vështirë. Kësaj rradhe, në thelb të krizës së re ishte « rreziku » nacionalist që shprehej nëpërmjet vënies nën kontrollin serb të aparateve shtetërore, të ushtrisë dhe të partisë. Edhe një herë u desh ndërhyrja e Titos për të mbyllur këtë kapitull të ri të luftës mes fraksioneve nacionaliste në gjirin e pushtetit : gjatë pleniumit të Brionit të vitit 1966, kryetari i partisë serbe Aleksandër Rankoviç u vu në bankën e të akuzuarve dhe u përjashtua nga Byroja politike ndërkohë që u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i Zv-Kryeministrit dhe i ministrit të Punëve të brendshme (3). Duke përfituar nga situata e krijuar, intelektualët e Zagrebit kërkuan publikisht njohjen zyrtare të gjuhës së shkruar kroate. Kërkesa acaroi thellësisht qarqet serbe të Beogradit që e interpretuan si një mesazh të hapur që synonte autonominë e plotë të Republikës së Kroacisë dhe si zakonisht çështja u shtrua përpara Titos. Duke e gjetur të drejtë pretendimin e Zagrebit, ai i hapi rrugën zgjerimit të kompetencave të njësive federale (4).
Gjatë periudhës 1967 – 1968 u aprovuan një varg amendamentesh kushtetues të cilat rrisnin në mënyrë të dukshme autonominë e republikave të federuara. Në vijim, Lidhja Komuniste jugosllave (LKJ) adoptoi një program të ri të decentralizimit administrativ dhe partijak i cili parashikonte mes të tjerash raporte barazie mes republikave dhe krahinave autonome në rrafshin federal sikundër dhe inkurajimin e e identitetit të përveçëm etnik. Kështu, topi kish mbetur në fushën e kosovarëve të cilët pushtuar rrugët dhe sheshet e Prishtinës në 27 nëntor të vitit 1968 me parrullat « Jo kolonizimit të Kosovës » si edhe « Ne duam Republikën ». Ndërkohë që njësitet e ushtrisë federale dhe tanket vinin nën kontroll kryeqytetin krahinor dhe ndërhynin për të shpërndarë manifestuesit, manifestime të ngjashme shpërthenin në Shkup të Maqedonisë dhe detyronin drejtuesit e kësaj republike t’u njihnin shqiptarëve të kësaj pjese të Jugosllavisë disa të drejta. Një fllad i ri frynte tashmë në Prishtinë, ai i konçesioneve ndaj shqiptarëve të krahinës. Më i rëndësishmi nga të gjithë këto konçesione ishte pa dyshim përcaktimi i ri i Kosovës si « njësi politiko-shoqërore », i njëjti përcaktim që përdorej për republikat e tjera të Federatës. Në këtë mënyrë, Kosova vihej në të njëjtin rang – ose pothuaj në të njejtin rang – në mes të korales jugosllave, duke ruajtur sidoqoftë obligimet e saj origjinale ndaj Republikës së Serbisë. Konsideratat e përsëritura të Titos lidhur me « barazinë e vërtetë » të shqiptarëve me përbërësit e tjerë etnikë kushtetues shërbyen si nxitës të aspiratave lokale lidhur me mundësinë e vetme që ofronte realiteti i asaj kohe : Kosova - Republikë.
Duke e përjashtuar me këmbëngulje idenë e republikës, gjatë periudhës 1969 – 1971, pushteti qëndror aprovoi një varg amendamentesh dhe dekretesh, që deri diku zyrtarizonin dëshirën e kosovarëve. Sipas kësaj suaze ligjore u parashikua krijimi i një sistemi gjyqësor të përveçëm për krahinën, pushtete gjithnjë e më të gjera autonomiste për administratën lokale, barazia në rrafshin lokal të gjuhëve serbo-kroate, shqip dhe turqisht sikundër dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës. Për herë të parë në historinë e tyre të përbashkët me serbët, kosovarët kishin të drejtë të përdornin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, të ngrinin flamurin e tyre kombëtar në fasadë të ndërtesave publike. Një fllad i ri frynte gjithashtu edhe në marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Pa bërë asnjë lëshim të principtë në politikat e tyre reciproke, të dy vendet kishin mundur të gjenin një gjuhë të përbashkët drejt zhvillimit të transportit dhe të tregëtisë, ndërkohë që me dhjetra profesorë dhe të tjerë pedagogë të Universitetit të Tiranës morrën rrugën për të siguruar mësimet në Universitetin e porsakrijuar të Prishtinës. Një vatër e vërtetë e rilindjes kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët – një uzinë e vërtetë që shërbente për të fabrikuar masën kritike të gjysëm-intelektualëve dhe të studentëve të pakënaqur sipas serbëve, ky institucion në vitet e tij të lulëzimit paraqiste një numër mbresëlënës të të rregjistruarve : pothuaj 30.000 studentë (45.000 sipas burimeve shqiptare të krahinës), nga të cilët 72% me origjinë etnike shqiptare.
Në vitin 1974, lobi slloveno-kroat i pushtetit qendror hodhi një hap të ri tejet të rëndësishëm për të ardhmen e Federatës. Në kuadrin e forcimit të strukturave federale të Shtetit jugosllav, ai vendosi dhe realizoi një zgjerim të kompetencave kushtetuese të Republikave, duke krijuar me këtë rast Krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës, nën tutelën e Serbisë. Përveç atij përfaqsuesit të saj të përhershëm në gjirin e Presidencës të Federatës, Kosova tashmë fitonte të drejtën të krijonte qeverinë e saj krahinore, Kuvendin krahinor për të mos thënë Parlamentin e saj, Këshillin Egzekutiv si edhe Gjykatën e saj Supreme. Krahina autonome pajisej me këtë rast edhe me një Kushtetutë të saj lokale, prerogativat kryesore të të cilës i hapnin udhën zgjerimit të kompetencave dhe të drejtave në një varg fushash tepër të rëndësishme që preknin ekonominë ose arsimin dhe kulturën dhe që shkonin deri në elementët e politikës së jashtme, që në tërësinë e tyre shëndrroheshin në kompetenca dhe prerogativa të të njejtit rang si ato të republikës. Entusiazmi kosovar i këtyre viteve u kqyr me një sy tepër kritik nga ana e qarqeve serbe të Beogradit, të cilat në mënyra të ndryshme manifestuan vuajtjen e tyre të thellë shpirtërore ndaj formave të lirisë politike dhe të fjalës që çfaqeshin në Prishtinë. Këto qarqe nuk munguan t’i interpretojnë si një formë të fshehur të revanshit kroat që nëpërmjet këtyre « dhuratave » të natyrës kushtetuese dhe politike i çelte rrugën përpjekjeve separatiste dhe qendërikëse të shqiptarëve.
Ashtu siç mund të pritej, rritja e kompetencave dhe të të drejtave sikundër dhe marrja në dorë e levave administrative të drejtimit të pushtetit nga ana e një ekipi lokal, i përbërë kryesisht nga kuadro me origjinë shqiptare, lejoi që të konstatohet shtrirja e katastrofës ekonomike në të cilën ishte zhytur krahina. Njëhohësisht, doli në pah edhe shkalla e ndërlikimit të problemeve shoqërore, sikundër dhe kufijtë e fushës së veprimit. Edhe analiza më e përciptë ishte në gjendje të zbulonte atë realitet të prekshëm të një krahine të reduktuar në një prodhues të thjeshtë të lëndëve të para për republikat e tjera ndërkohë që jeta ekonomike e saj mbahej gjallë falë subvencioneve të shtetit (5), pa folur më tej për peshën shtypëse të një burokracie pletorike që përbënte një të katërtën e të gjithë rrogëtarëve të krahinës. Thjesht, krahina e Kosovës zinte vendin e fundit mes antarëve të Federatës jugosllave. Përveç çekuilibrit të thellë ekonomik, të trashëguar nga e kaluara dhe të thelluar nga politika e dy dhjetëvjeçarëve të parë të Republikës Federative Socialiste, krahina vuante pasojat e një demografie të çfenuar që keqësonte edhe më tepër gjendjen tepër të vështirë të tregut të punës, duke patur si sfond kontrastet dhe dallimet e thella mes botës rurale dhe qytetëse sikundër dhe çfaqjet e qëndrueshme dhe të thella të urrejtjes ndëretnike. Mbipopullimi i fshatit shtynte popullsinë dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë drejt qyteteve dhe jashtë vendit në kërkim të një pune dhe të kushteve sa më të mira të jetesës, duke krijuar me këtë rast edhe probleme të panumërta të natyrës urbanistike. Një sy edhe më i vëmendshëm mund të dallonte mungesën e një demokracie të vërtetë, fenomen ky i përgjithshëm për çdo vend komunist, sidoqoftë i thelluar nga veprimtaria aktive e një aparati shtypës, gjithmonë i gatshëm për të ndërhyrë dhe ndëshkuar çdo shmangie nga mendimi zyrtar ose së fundi për të përndjekur armiqtë e socializmit, në rradhët e të cilit përfshiheshin edhe partizanët nacionalistë të « Shqipërisë së Madhe » (6).
Sigurisht, brenda një kohe të shkurtër, krahina autonome kish realizuar arritje të padyshimta në fusha të ndryshme që shkonin nga politika në arsim, duke kaluar nga kultura ; veçse, përmirësimi i kushteve ekonomike nuk mund të matej as me numrin e shkollave në gjuhën shqipe as edhe me numrin e gazetave, të revistave ose të tjerë institute historie. Të gjitha dëshmitë e emancipimit, provat e vetënjohjes, shprehjet e arritjeve – që rridhnin nga fakti që Kosova zotëronte rangun e një Krahine autonome, i shërbenin në rradhë të parë klasës politike lokale, përfaqsuesit më të shquar të të cilës ishin kooptuar në sferat më të larta të jetës politike federale sikundër dhe intelektualëve kosovarë shqipfolës, tashmë të lirë për të shprehur ndjenjat e tyre letrare ose historike. I shëndrruar në zot të fateve të veta, ky brez intelektualësh – kjo inteligentsia qytetëse, e hapur dhe kozmopolite - i detyrohej thellësisht Titos, i cili e kish angazhuar nga pikpamja politike dhe e kish përgjegjësuar nga ana ekonomike, duke i besuar ushtrimin e pushtetit si dhe përdorimin e fondeve të ndihmave dhe të zhvillimit. Situata ishte krejt e ndryshme për parinë rurale, e cila të gjithë forcën e saj e merrte nga lidhjet e klientelës dhe të rrjetave ndërfamiljare. Besnike ndaj bindjeve të tyre antikomuniste dhe nacionaliste, të farkëtuara në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kjo pari kish mbetur thellësisht mosbesuese ndaj të gjithë pushteteve lokalë dhe qëndrorë dhe bënte thirrje për një rikthim drejt vlerave tradicionale të shoqërisë kosovare sikundër lidhja me pronën tokësore, me Islamin, me forcën e familjes së bashkuar ose dhe rezistencën ndaj serbëve. Ky diferencim i parë në gjirin e shoqërisë kosovare, kjo thyerje mes zotërve të rinj të qyteteve dhe parisë së fshatit la gjurmë të thella mbi rininë kosovare e cila fiksoi elementët më të rëndësishëm të këtij antagonizmi : hapja intelektuale dhe shpirtërore e të parëve ndaj arsimit dhe dijes e shtyu masivisht drejt Universitetit të Prishtinës ku ajo u radikalizua thellësisht, duke adoptuar me këtë rast qëndrimin mospërfillës dhe përbuzës ndaj autoriteteve si edhe nacionalizmin e të dytëve.
Pasi i kish kaluar të tetëdhjetat dhe me shëndet të brishtë, Tito ish në apogje të pushtetit të tij : udhëheqës i padiskutueshëm në vendin e vet, figurë e madhe e komunizmit botëror, mbajtës i aureolës së njërit prej themeluesve të lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Nëpërmjet një loje tepër të hollë me qarqet e pushtetit, duke administruar me aftësi të veçantë pastrimet dhe premtimet, shtypjen dhe lëshimet, ai kish realizuar synimin e tij, në pamje të parë krejt të pamundur : të fitonte luftën çlirimtare dhe të merte pushtetin, të çante rrugën e tij origjinale drejt socializmit, të ndërtonte një shtet federal të njohur dhe të respektuar nga bota mbarë. Ai kish mundur të realizonte gjithçka kish menduar dhe ndërmarrë, përveç asaj ëndrre që kish rrëfyer në atë vit të largët 1952 :
… dëshiroj të jetoj për të parë atë ditë kur Jugosllavia do të jetë amalgamuar në një bashkësi unike – jo vetëm në një bashkësi në kuptimin ligjor të fjalës, por në një bashkësi reale dhe të gjallë në gjirin e një kombi jugosllav, një e të vetëm. Ja kush është edhe aspirata ime…
Në rolin e një ngadhënjyesi dhe të një krijuesi të vërtetë ai kish mundur të thyejë maqinën e vjetër mbretërore dhe të varrosë elementin e saj aktiv – shovinizmin e vjetër serbomadh ; duke ndjekur idealin e tij komunist, ai kish ngritur një aleancë të re të popujve jugosllavë mbi një bazë barazie ; në përputhje me bindjet e tij reformuese, ai e kish pajisur me një model ekonomik dhe zhvillimi të shpikur po nga ai vetë – vetëadministrimin. Por, nëpërmjet kultivimit të diferencave të përbërësve etnikë të kësaj familjeje jugosllave, nëpërmjet zbatimit të politikave thellësisht pragmatike, Tito arriti të krijojë njëkohësisht një ansambël laragan, ku kontrastet në nivelin e jetesës dhe shkallët e ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe kulturor zgjuan reflekset qendërikëse, ringjallën demonët e vjetër ballkanikë. Vetëm personaliteti dhe karizma e tij përbënin gurin e qemerit të kësaj strukture oligarqike, siguronin mbijetesën e shtëpisë së përbashkët jugosllave, e krisur nga të gjitha anët nga pesha e nacionalizmave të rinj, të cilët ai vetë i kish zbutur dhe ndërsyer ndaj njeri tjetrit kur ishte paraqitur nevoja. Josip Brozi i mbiquajtur Tito mbylli sytë në 4 maj të vitit 1980, në moshën 88 vjeç, pas një sëmundjeje të gjatë dhe tepër të mundimshme.
Në mars të vitit 1981, në Kosovë shpërthyen trazira të përgjakshme studentore në një sfond varfërie (7), të mjerimit ekonomik, të papunësisë dhe të mërive etnike dhe fetare. Tanket e ushtrisë popullore jugosllave pushtuan rishtas rrugët dhe sheshet e Prishtinës ndërkohë që qeveria federale dërgonte trupat e saj të armatosura për të rivendosur rendin. Zyrtarisht, manifestimet kishin shkaktuar 11 të vrarë. Burime të tjera, kësaj rradhe shqiptare, bënin fjalë për qindra viktima. Si përfundim, numri i të arrestuarve llogaritej në disa mijra vetë mes të cilëve gati një mijë u dënua me burgime të rënda. Lidhja Komuniste ndërhyri menjëherë për të dënuar manifestimet duke i cilësuar si « kundërrevolucionare dhe irredentiste ». Gradualisht, një fushatë e tërë pastrimesh preku mjediset politike dhe më pas, Lidhja Komuniste kreu një pastrim fund e krye të rradhëve krahinore. Ky proces, i njohur nën emrin e « diferencimit » mundësoi dëbimin e ekipit të vjetër udhëheqës të Krahinës. Kështu u zhdukën nga skena njëri pas tjetrit Xhavid Nimani, Presidenti i Këshillit krahinor dhe Mahmut Bakalli, padroni i Lidhjes për Kosovën, duke i lënë vendin një ekipi të ri kuadrosh të supozuara më elastike dhe më të përpunueshme, në rradhët e të cilit shkëlqente Azem Vllasi.
Pak kohë më pas i erdhi rradha përfaqsuesve kosovarë në gjirin e instancave më të larta federale : Fadil Hoxhës ju desh të linte vendin në Presidencën kolektive jugosllave, antar i të cilës ai ishte që prej vitit 1984 ndërkohë që Sinan Hasani u shkarkua nga funksionet e tij të nën-Presidentit të Kuvendit federativ. Nën një presion të vazhdueshëm dhe të fuqishëm, Universiteti i Prishtinës u detyrua të rishikojë të gjitha programet e tij të historisë, të gjuhës dhe të lëndëve shoqërore dhe të zvogëlojë në mënyrë të ndjeshme kuotat e rezervuara ndaj studentëve me origjinë etnike shqiptare.
Kriza e rëndë e fillimit të viteve tetëdhjetë si edhe mënyra radikale me të cilën Beogradi u mundua të verë rregullin në vend, ngjalli një konflikt të vjetër mes dy përbërsve kryesore të shoqërisë kosovare – shqiptare dhe serbo-malazeze. Duke përfituar nga situata e krijuar, serbët hapën në mënyrë publike debatin lidhur me ikjen e njerëzve të tyre që braktisnin masivisht Kosovën - një subjekt pothuaj tabu në të gjallë të Titos. Një varg i gjatë akuzash dhe kundërakuzash, i rikapur dhe i përsëritur në të gjitha nivelet, i dha mundësi kësaj « lufte kulturore » që të ndezë opinionin publik të Jugosllavisë mbarë. Kjo atmosferë eksplozive përshpejtoi edhe më tepër largimin e serbëve dhe të malazezëve nga Kosova, një tendencë e cila kish rënë në sy që prej fillimit të viteve gjashtëdhjetë. Ndërkohë që analizat e thelluara të deficitit demografik serb nxirrnin në pah lidhjen e ngushtë dhe komplekse mes faktorëve frenues të lindjeve me ato të karakterit ekonomik, kanalet qeveritare ngulnin këmbë mbi përmasat politike të problemit dhe vinin në plan të parë ndikimin e presionit të ushtruar nga ana e etnisë shqiptare. Sidoqoftë, faktet mbeteshin kokëforta : si njëra palë edhe tjetra kishin tendencë të largoheshin dhe të braktisnin Kosovën, por, të favorizuar nga një shkallë rritjeje demografike të popullsisë që mbetej një nga më të lartat e Evropës, kosovarët shqiptarë ishin duke u shëndrruar në një shumicë dërrmuese. Numri i personave me origjinë serbe dhe malazeze të larguar gjatë periudhës 1961 – 1981 vlerësohej rreth 80.000 deri 100.000 vetë, të cilit i duheshin shtuar edhe nja 60.000 të tjerë të larguar mes periudhës 1981 – 1991 ; nga pala shqiptare, rreth 45.000 kosovarë kishin braktisur krahinën vetëm gjatë periudhës 1971 – 1981.
E magjepsur nga fantazma e nacionalizmit shqiptaromadh, qeveria serbe shumëfishoi përpjekjet për të përmbajtur lëvizjen politike lokale e cila përmblidhej tashmë në një parrullë të vetme : « Kosova - Republikë ». Një opinion publik i tërë në Serbi u përgatit për të mos thënë u manipulua nëpërmjet shtypit të Beogradit, i cili po mbytej nga rrëfimet dhe nga të ashtuquajturat fakte lidhur me presionet që pësonin serbët e krahinës : trembje, kërcënime, dhunë seksuale, vrasje, grabitje… Në terren, një bërthamë aktivistësh dhe militantësh të bashkësisë serbo-malazeze të Fushë Kosovës u organizua për të mbledhur nënshkrime për peticione sikundër në vitin 1985 ose për të organizuar manifestime publike si dhe marrshime proteste në vitin 1986, gjatë të cilave kërkohej me ngulm ndërhyrja e vendosur dhe urgjente e Republikës të Serbisë. Ndërkohë, një grup akademikësh të Beogradit, nën drejtimin e njërës prej figurave më në zë të jetës intelektuale serbe, shkrimtarit Dobrica Qosiç, u shpreh nëpërmjet një « Memorandumi » lidhur me shtrirjen e « gjenocidit » që godiste serbët e krahinës, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një strategjie afatgjatë të përpunuar nga mjediset nacionaliste shqiptare. Ky manifest i politikës së ardhshme të « Serbisë së Madhe » u ndoq me përpikmëri gjatë dekadës në vazhdim, gjatë konflikteve të përsëritura me natyrë etnike që tronditën fund e krye Republikat e ish-Jugosllavisë.

(www.albanie-albanais.com)
----------------------------------


(1) Në fillim të viteve 90, përgjegjësit t LDK mbështesin idenë se 350.000 kosovarë jetonin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës : gati 100.000 në Gjermani, 120.000 në Zvicër, 40.000 në Belgjikë, rreth 60.000 në vendet skandinave dhe 20.000 në Austri. Përpara fillimit të bombardimeve ajrore nga ana e vendeve të NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviçit, të tjera burime jozyrtare shqiptare të krahinës e vlerësonin numrin e kosovarëve në Gjermani me rreth 400.000 vetë dhe atë në Zvicër me 200.000 të tjerë. Organizmat evropianë si Këshilli evropian për Rrefugjatët dhe Azilantët (CERE) ose organizmat e Emigracionit të vendeve antarë tregohen diçka më të rezervuar : sipas tyre, gjithmonë para shpërthimi të konfliktit në Kosovë, Gjermania strehonte rreth 300.000 kosovarë ndërkohë që në Zvicër numri i kosovarëve i tejkalonte 250.000 vetët. Shih mbi këtë subjekt : Bashkësia e dokumentave të difuzuara nga Organizata France Terre d’Asile, gjatë pritje së rrefugjatëve kosovarë në Francë, maj - korrik 1999.

(2) James PETTIFER – Kosovo Economy and Society after 1945 – Some Observations, Conflict Studies Research Centre, G 103, January 2002.

(3) Në qershor të vitit 1966, shërbimet e brendshme të partisë zbuluan rastësisht një numër mikrofonash sekretë në apartamentin personal të Titos. Hetimi i çështjes nxorri në dritë implikimin e drejpërdrejtë të Rankovoçit, sekretar i Shtetit për Punët e Brendshme gjatë periudhës 1945 – 1953 dhe President i Punëve të Brendshme gjatë periudhës 1953 – 1963, me fjalë të tjera padron i shërbimeve sekrete jugosllave, të njohura me inicialet UDB-a. Në korrik të vitit 1966, Rankovoçi u përjashtua nga rradhët e Byrosë Politike dhe u detyrua të japë dorëheqjen edhe nga postet qeveritare. Një hetim i thelluar mbi aktivitetin e tij vuri në pah një numër të madh shkeljesh të rënda të ligjit dhe shpërdorime të kompetencave shtetërore, që në mënyrë të vazhdueshme kishin prekur Republikën e Serbisë si edhe krahinat autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës.

(4) Udhëheqësit komunistë kroatë recidivuan në vitin 1971, duke bërrë thirrje lidhur me sovranitetin e Kroacisë. Duke deklaruar me këtë rast se « nacionalizmi kroat është çmendur », i pashmangshmi Tito ndërhyri gjatë vitit në vazhdim për të dënuar rreptësisht « pranverën kroate » - në referencë të dukshme me « pranverën e Pragës » të vitit 1968. Sipas modelit të pastrimeve sovjetike në rradhët e udhëheqjes, një numër i madh antarësh të shquar të PK Kroate u larguan nga detyrat dhe u përjashtuan nga rradhët e Lidhjes së Komunistëve, ndërkohë që të tjerë si Franjo Tuxhman u burgosën.

(5) Analistët e periudhës post titiste tregohen kategorikë : duke filluar nga viti 1970, ndërkohë që përfaqsonte vetëm 8% të popullsisë jugosllave, vetëm Krahina autonome e Kosovës thithte më tepër se 30% të fondeve federale të zhvillimit – 150 milionë dollarë të përvitshëm, përgjatë një pesëvjeçari. Në këtë mënyrë, rreth 240 milionë që vinin nga një kredi prej 1 miliardë dollarë, të akorduar nga Banka botërore për Zhvillim përfundoi në këtë mënyrë në kasat e Kosovës. Vetëm brenda një dekade, ekonomia e Kosovës paskish gëlltitur gati 2 miliardë dollarë. Shih mbi këtë çështje : Alex N. DRAGNICH and Slavko TODOROVICH - The Saga of Kosovo, Focus on Serbian-Albanian relations, Columbia press, N.Y. 1984.

(6) Në 1974, një proces gjyqësor u organizua në Prishtinë kundër një grup studentësh, të akuzuar se kishin krijuar një « Lëvizje të Çlirimit Kombëtar të Kosovës ». Kjo lëvizje kish si qëllim bashkimin e krahinës me zonat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në vitin 1976, një proces tjetër u organizua kundër shkrimtarit Adem Demaçi dhe 18 shqiptarësh të tjerë, të akuzuar se kishin kritikuar udhëheqësit e Lidhjes Komuniste jugosllave si edhe sistemin socialist të vetëadministrimit. Ata morrën dënime të rënda deri në 15 vjet burgim - megjithë rrethanat lehtësuese, pasi në të vërtetë të akuzuarin nuk kishin bërë thirrje për përdorimin e dhunës kundër rregjimit.

(7) E ardhura pro capita e krahinës ishte më e ulta e Jugosllavisë titiste. Në 1979, Kosova afishonte një të ardhur prej 795 dollarë/banor – ose 6,5 herë më të vogël përkundrejt të ardhurës së Sllovenisë (5.315 dollarë/banor) ose 3,3 herë më të vogël se ajo e Federatës jugosllave (2.635 dollarë/banor). Papunësia zyrtare prekte 30% të popullsisë së aftë për punë. Pothuaj të gjitha mjetet financiare të dhëna nga fondet federale, ndërmjet 30% dhe 40% të buxhetit krahinor, shkonin drejt industrisë (nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve) i cili realizonte vetëm 3% të prodhimit industrial jugosllav. Vetëm bujqësia e vetëkonsumimit dhe të ardhurat nga emigracioni lejonin ekuilibrimin e jetesës së banorëve të krahinës.

(8) Michel ROUX – Les Albanais en Yougoslavie, minorité nationale, territoire et développement, Paris 1992.

(9) Milos MACURA Ed. - The Migration of Serbs and Montenegrins from Kosovo and Metohija, Serbian Academy of Sciences and Arts, BEOGRAD 1992.
 
Top