
Shqipëria E 22-Ta Në Botë! Një Sukses Historik Për Futbollin Shqiptar, I Cili Pritet Të Zyrtarizohet Nga FIFA, Me Botimin E Përmuajshëm të renklistës botërore, që do të publikohet nesër.
Sipas përllogaritjeve, fitorja 1-0 me Francën në “Elbasan Arena”, si dhe dhënia e 3 pikëve në tavolinë nga CAS për ndeshjen me Serbinë, do ta ngjisin si me “katapultë” kombëtaren e Shqipërisë 14 vende më lart, nga vendi i 36-të që ishte aktualisht për muajin korrik, në vendin e 22-të të renklistës botërore për muajin gusht.
Për herë të parë në historinë e futbollit të saj, Shqipëria do të renditet në vendin e 22-të, duke lënë pas saj Francën, Danimarkën, Ganën, SHBA, Rusinë, Suedinë dhe shumë më prapa fqinjët tanë, Serbinë dhe Greqinë.
“Vrapimi” i çmendur i kuqezinjve tanë, që për dy muaj ngjisin 29 vende në renditjen botërore, sa befasues, është edhe një tregues i qartë i rritjes së kombëtares sonë kuqezi, e cila nën drejtimin e padiskutueshëm profesional të Xhani De Biazit, është në prag të bërjes realitet të ëndrrës së të gjithë shqiptarëve, kualifikimin në finalet e Euro 2016.
Ju lumtë kuqezinj! Shqipëria krenohet me ju!

