Re: KLD ZBYTH NISMEN E KUVENDIT
Njoftim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 20.07.2006, mori në shqyrtim, sipas rendit të ditës, çështjen e verifikimit të mandatit të dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me Vendimin Nr. 48, datë 13.07.2006, si dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të dy anëtarëve aktualë të këtij Këshilli, përkatësisht të zotit Sokol Çomo dhe zonjës Pranvera Strakosha.
Këshilli, në fillim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, në mbështetje të nenit 9 të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2006, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, zgjodhi Komisionin për Verifikimin e Mandateve, i cili shqyrtoi gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe në përfundim i paraqiti Këshillit, Raportin e Komisionit me provat dhe argumentet ligjore lidhur me pajtueshmërinë me ligjin të çështjes së zgjedhshmërisë të zotit Ardian Nuni dhe zotit Guxim Zenelaj.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi mbi mungesën e vendeve vakante në Këshill si pasojë e mosmbarimit të mandatit të dy anëtarëve ekzistues, me shumicë votash, vendosi mosverifikimin e mandatit të zotit Ardian Nuni dhe zotit Guxim Zenelaj, si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe mosdeklarimin e mbarimit para afatit të mandatit të anëtarëve Sokol Çomo dhe Pranvera Strakosha, duke vlerësuar të rregullt në këtë mënyrë vazhdimin e qëndrimit të tyre në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË
20.07.2006