Suedia e demoralizuar, shans për ne

Suedia e demoralizuar, shans për ne

Morali i ulët e suedezëve mund të ndikojë në lojë. Kuqezinjtë e Kuzhesë duhet ta shfrytëzojnë këtë</p>


Trajneri Lagerbak paralajmëron dorëheqjen, Larson do të tërhiqet nga futbolli</p>


Tani Shqipëria mund të shpresojë më shumë për një rezultat në sfidën ndaj Suedisë të mërkurën në stadiumin “Rasmunda”. Kundërshtarët tanë janë të demoralizuar dhe thuajse praktikisht jashtë Botërorit 2010. Një goditje të rëndë për Ibrahimoviç&Co. Ka ardhur nga ndeshja e të shtunës ndaj Danimarkës në Kopenhagen, e cila u fitua nga danezët me rezultatin 1-0. Suedia tani rrezikon shumë dhe mundësitë për tu kualifikuar janë shumë, shumë të pakta. Ajo është parakaluar në renditje nga Portugalia, duhet patjetër të mundë Shqipërinë dhe të shpresojë te një mrekulli e Maltës në tokën luzitane, për të mundur të arrijë te ndeshjet “playoff”. Kundërshtarët tanë nordikë, duke bërë këto llogari, janë të demoralizuar dhe në kampin e tyre ka plasur mania e “dorëheqjeve” të gatshme. Trajneri i Suedisë, Lars Lagerbak, ka përgatitur dorëheqjen, në rast se skuadra e tij nuk do të arrijë të kualifikohet në Botërorin 2010. Suedia u mund të shtunën 1-0 në Danimarkë dhe tashmë e shikon veten thuajse të pashpresë. Danezët me 21 pikë e kanë siguruar kualifikimin direkt, ndërsa portugezët janë favoritët për të shkuar në “playoff”, pasi renditen të dytët në kuotën e 16 pikëve, një më shumë se Suedia. Tashmë mundësitë e tyre për të arritur vendin e dytë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për tu luajtur, janë të kufizuara. Portugalia të mërkurën pritet të ketë një ndeshje të lehtë kundër Maltës, ndërsa Suedia do të presë në shtëpi Shqipërinë e Kuzhesë. Por edhe një fitore e nordikëve ndaj kombëtares kuqezi nuk shikohet si shpëtim për ta, pasi gjithçka varet nga rezultati i ndeshjes Portugali-Maltë. “Asistenti im dhe unë do të japim dorëheqjen në varësi të rezultateve, pas ndeshjes me Shqipërinë ose pas takimeve playoff, deklaroi dje trajneri i Suedisë, Lars Lagerbak, në konferencën për shtyp të mbajtur të dielën. “Unë kam pasur një privilegj të madh të punoj për një kohë të gjatë me këta djem. Por jam shumë i zhgënjyer që nuk mundëm të bënim një paraqitje të mirë gjatë këtyre eliminatoreve”, shtoi më pas tekniku suedez, i cili e ka drejtuar këtë kombëtare në pesë turne, duke filluar që nga viti 2000 në Kampionatin Europian, kur zuri vendin e trajnerit të atëhershëm të Tomi Soderberg. Shumë i zhgënjyer nga kjo situatë është shfaqur edhe lojtari veteran, Henrik Larson (38 vjeç), i cili theksoi se do të tërhiqet nga kombëtarja suedeze pas ndeshjes me Shqipërinë. “Ne ende duhet të besojmë se mund të kualifikohemi, tha dje Larson. Nëse Portugalia fiton dhe ne eliminohemi…, unë nuk do tia fal kurrë vetes. Pas takimit me Shqipërinë do të tërhiqem nga kombëtarja”. Mediat suedeze informojnë për një situatë të nderë në kombëtaren e tyre, e cila mund të shfaqet edhe në fushën e lojës, në përpalljen e të mërkurës ndaj Shqipërisë. Kjo situatë mund të favorizojë djemtë e Josip Kuzhesë, të cilët kërkojnë një rezultat pozitiv për të mundësuar qëndrimin e Shqipërisë në vazon 4 të shortit të eliminatoreve për Euro 2012.(Shqip)</p>
j7DcPiOFrpc

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23961. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23961
 
Top