Stringa: Ndarja e posteve në PD, të prekë edhe Berishën

Stringa: Ndarja e posteve në PD, të prekë edhe Berishën

Anëtari i Kryesisë së demokratëve, Omer Stringa, analizon në një intervistë për “Shqip” zgjedhjet brenda Partisë Demokratike më 12 dhjetor. Sipas tij, statuti i PD-së i jep të drejtë kryetarit Sali Berisha të hyjë në garë i vetëm pa asnjë rival në këto zgjedhje për shkak se demokratët fituan zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Anëtari i kupolës blu, Stringa, flet për garën brenda PD-së mes të rinjve dhe të vjetërve dhe largimin e “veteranëve” si Aleksandër Meksi dhe Eduard Selami nga partia. Stringa thotë se, nëse do të vendoset për ndarje postesh partiake nga ato qeveritare, kjo duhet të bëhet në të gjitha nivelet, që nga kryetari e poshtë. Në analizën e tij, drejtuesi demokrat thotë se në këtë parti nuk funksionojnë strukturat, por vetëm institucioni i kryetarit.

Zoti Stringa, Partia Demokratike është duke u përgatitur për zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe ajo që vihet re është se ende nuk është bërë publik emri i rivalit të Sali Berishës. Do të ketë apo jo një garë në PD dhe si e gjykoni këtë proces?

Kongresi i partisë mbahet pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku koalicioni i djathtë dhe Partia Demokratike doli i pari dhe unë e konsideroj se fituam. Pa përmendur pastaj që nuk siguruam shumicën për të qeverisur pa ndihmën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Data e zgjedhur, 12 dhjetori, për të zhvilluar kongresin e radhës së partisë, duhet të bëhej para katër muajve, por ashtu rrodhën zgjedhjet dhe nuk është bërë ndonjë gabim. Është një kohë e duhur për të zhvilluar zgjedhjet, ku anëtarët e PD-së duhet të bëjnë një analizë për fushatën që kanë kaluar. PD ka kaluar dy fushata, lokalet e 2007-ës dhe parlamentaret e 2009-ës dhe duhen rizgjedhur strukturat kryesore. Kongresi zgjedh sipas statutit kryetarin e partisë, zgjedh Këshillin Kombëtar dhe atë që ne e quajmë gjykata e partisë, ndërsa të gjitha strukturat e tjera janë produkt i Këshillit Kombëtar. Ju pyetët për kryetarin e partisë dhe mesa di edhe unë, Berisha është kryetar i PD-së, nuk di ndonjë kandidat tjetër. Por edhe statuti nuk e ka të detyruar që të dalin dy kandidatë. Mbas fitores, unë e kuptoj që është e padiskutueshme që të mos ketë kandidat alternativ për zotin Berisha. Dhe mua më duket e pamundur që të ketë, sepse rezultati i fitores janë zgjedhjet e 2009-ës.

Pra, më 12 dhjetor, më shumë do të festohet sesa votohet?

Jo. Është tjetër çështje ajo se çfarë shkruhet në statut dhe tjetër ajo që bëhet në realitet. Statuti i partisë ka dy organe të rëndësishme siç është Kongresi, të cilin ne nuk e kemi në kulturë që ta mbledhim brenda kësaj periudhe katërvjeçare dhe organi tjetër i rëndësishëm është Këshilli Kombëtar që merr vendimmarrje politike. Të mos harrojmë se përmbajta e Këshillit Kombëtar të PD-së është një element kryesor. Pra përveç gjykatës së partisë, zgjidhen tre institucione të rëndësishme, pavarësisht sesi ato punojnë, se është për tu thënë se në Partinë Demokratike, institucioni që punon më mirë është institucioni i kryetarit. Sipas statutit, Këshilli Kombëtar është një institucion i rëndësishëm dhe është një tjetër çështje sesi punon dhe si është vendosur në punë. Pas kongresit të ardhshëm, Këshilli Kombëtar duhet të dijë të jetë në rolin e vet. Është për tu theksuar që Këshilli Kombëtar brenda kësaj periudhe katërvjeçare nuk është mbledhur asnjëherë dhe kjo lë për të dyshuar.

Në fakt, Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje si fituese. Konkretisht çfarë analize të veçantë duhet të bëjë kjo parti dhe sektorët ku duhet të përqendrohet?

Unë kam konceptet e mia për partinë në opozitë dhe partinë në pushtet. E di që ne si parti demokratike kemi ditur për ta bërë rolin mirë kur kemi qenë në opozitë, për këtë jam i bindur. Ndërsa në pushtet, gjatë katër viteve, mund të them se kam përshtypjen se kjo ka ardhur nga mosfunksionimi i mirë i partisë. Si e kuptoj unë rolin e partisë në pushtet, sepse ka një dualizëm problemesh? Në radhë të parë, partia është arena e parë ose vendi i parë që është opozita e vërtetë e programit qeverisës. Pra presupozoj që vetë Partia Demokratike duhet të jetë oponenca kryesore e qeverisjes, ky është thelbi i numërimit. E dyta, Partia Demokratike duhet të jetë brumi ku do të diskutohen institucionet qeverisëse që rrjedhin nga pushteti. E treta, që është edhe më e rëndësishmja, duhet të jetë organi që duhet ti bëjë marketingun punës së qeverisë dhe së katërti duhet të mbajë gjallë strukturat dhe organizimin për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Në këto drejtime, partia nuk ka funksionuar, shpeshherë fryma e kritikës dhe emërimet nuk kanë funksionuar në rregull. Nëse do të shikojmë këto, në të ardhmen do të jemi më mirë.

Çfarë qëndrimi do të mbani lidhur me debatin për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare?

Ky problem ka kohë që është hapur. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem në të njëjtin pozicion, duke thënë se ndarja ka të mirat dhe të këqijat e saj. Ky problem hapet për interesa personale dhe të vogla, sepse unë nuk kam parë ndonjë analizë serioze që të thotë se cilat janë të mirat dhe të këqijat e ndarjes apo mosndarjes. Nëse do ta kemi partinë oponencë kryesore të qeverisë, mendoj se është e rëndësishme të jetë, gjykoj se duhet të bëhet ndarja. Por nëse do ta kemi partinë bazën ku do të dalin kuadrot me të cilat do të qeverisim dhe do të koordinohet puna dhe merita për të qenë në qeverisje, ndarja do ti bënte mirë. Nëse do të gjykojmë nga ana tjetër që qeveria duhet të shkrijë frymën e partisë për të bërë qeverisjen, atëherë ato mund të mos ndahen. Unë jam në pikëpyetje. Por një gjë them, nëse ato duhet të ndahen, atëherë ato duhet të ndahen në të gjitha postet, duke filluar që nga kryetari. Nëse një person i mban të dyja punët, ato të partisë sipas statutit të partisë dhe punët e qeverisë, sipas ligjeve të qeverisë, unë nuk kam asgjë kundër. Unë abstenoj për këtë çështje.

Është parë brenda Partisë Demokratike një fenomen xhelozie midis të rinjve dhe të vjetërve, në fakt është një luftë për të rënë në sy apo një garë për lidershipin e ardhshëm të PD-së?

Ju e thoni, se lufta është midis të rinjve dhe të vjetërve, por një gjë duhet të ketë parasysh. Në Partinë Demokratike nuk ka të rinj dhe të vjetër, të gjithë ata që janë pjesëtarë të PD-së janë të barabartë. Në gjykimin tim, mund të jesh i ri dhe të kesh mendime zero dhe mund të jesh i vjetër dhe mund të kesh shumë vlera. Në Partinë Demokratike duhet të ketë debate mes njerëzve që kanë vlera dhe atyre që nuk kanë vlera, midis njerëzve që kanë vlera të djathta dhe njerëzve që nuk kanë vlera të djathta. Unë them se me të rinjtë që kanë hyrë në parti pa ndjekur institucionet e partisë në shumicën e rasteve kemi gabuar. Ata kanë dalë pa vlera. Ka edhe pa vlera që kanë përfituar. Nëse do të ndiqeshin të gjitha rregullat e partisë, atëherë partia do të kishte debat brenda saj. E theksoj, se personat që ngrihen në katapultë në PD pa treguar asnjë vlerë në jetë dhe pa treguar asgjë në parti në shumicën e rasteve, kanë treguar se janë pa vlerë në postet që i kanë besuar individë të caktuar të partisë. Ka shumë shembuj të tillë dhe mund ti hamendësoni vetë.

12 dhjetori, përkon edhe me 19-vjetorin e PD-së. Kemi shumë personazhe të vjetra të larguara tashmë nga Partia Demokratike, si Eduard Selami, Aleksandër Meksi etj. A duhet të rikonfirmohen këto personazhe në strukturën e partisë?

Ka dy çështje. I larguar “de juro” dhe i larguar “de facto”. “De juro”, Aleksandër Meksi dhe Eduard Selami janë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Në statutin e PD-së, Kryeministri dhe kryetarët janë anëtarë të Këshillit Kombëtar. “De facto” pastaj, vetë zoti Meksi, për të cilin kam respekt është pjesë e një partie të re me zotin Shehi. Unë do të gjykoja se debatin ia vlen ta bësh brenda Partisë Demokratike. Kur largohesh, më shumë largohesh për veten tënde dhe nuk bën punë. Ndoshta edhe ata kanë arsyet e veta pse largohen, sepse shpeshherë kur nuk të dëgjojnë ndoshta, është më mirë që të ikësh.(Shqip)

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25593. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25593

Top