Stalini, ndihmë Gestapos për goditjen e gjeneralëve të kuq”

The decatur

Perjashtuar nga Albforumi
thumbnail.php
Botohen kujtimet e ish-shefit të Zbulimit të Stalinit.
Valter Krivicki i (vet)vrarë në 1941 tregon arsyet e eleminimit të krerëve të lartë ushtarakë.
Përplasja me Ushtrinë e Kuqe për kolektivizimin në fshat.
Stalini, 7 muaj përgatitje për komplotin në ushtri.
Nëse ishte një i penduar, apo një kundërshtar i Stalinit, kjo është diskutuar gjatë, e rëndësishme është që Valter Krivicki i ka lënë historisë ca dëshmi të vlefshme. Për herë të parë vjen në shqip libri me kujtime i ish-shefit të Zbulimin Ushtarak Sovjetik (GRU), përkthyer nga Skënder Shkupi dhe nën siglën e shtëpisë botuese “55″. “Në Shërbimin e Fshehtë të Stalinit” është një libër që krahas gjithë botimeve të tjera të këtij lloji, hedh dritë mbi politikën e një prej diktatorëve më të mëdhenj dhe më të frikshëm të historisë. Po kësaj here prej njërit prej njerëzve që i ka shërbyer atij për një kohë të gjatë. “Valter Krivicki është njeriu që kujtohet më mirë sot, për shkak të misterit të pazgjidhur që lidhet me vdekjen e tij në një dhomë hoteli në Uashington D.C., në shkurt të vitit 1941, një ngjarje e faqeve të para të shtypit të asaj kohe. Policia gjeti një plumb në tëmthin e viktimës, një pistoletë pranë tij, dhe jo më shumë se tri shënime lamtumire. Sipas të gjitha gjasave, një vetëvrasje. Por ata që qenë njohur me historinë e tij ishin skeptikë. Ata ishin paralajmëruar se operativët e NKVD (ose KGB, siç u quajt më vonë) e kishin ndjekur atë qysh prej vitit 1937, vit kur ai braktisi postin e tij të lartë në Zbulimin Ushtarak Sovjetik (GRU) dhe doli me një denoncim publik kundër Stalinit. Avokati i Krivickit, Luis Uolldmen, kujton disa fjalë ogurzeza të dëgjuara nga klienti i tij: “Në një ditë çfarëdo ju jeni duke ecur përgjatë një rruge ku ndeshni një të vdekur që e ka shtypur makina. Dhe ju dalloni që ai është Krivicki. Ju thoni ‘I shkreti burrë, duhet të ishte më i kujdesshëm’. Ju kurrë nuk do ta mendonit se ata e kanë vrarë. Ata janë shumë të zgjuar!”, shkruan në parathënien e librit Sem Tenënhoz. Kështu që figura e Krivickit ka qenë shumë e diskutuar si në të gjallë, ashtu edhe në vdekje të tij. Në librin “Në Shërbimin e Fshehtë të Stalinit” tregohen disa momente pikante në politikën e ndjekur nga Stalini, siç ishte qëndrimi ndaj Hitlerit, prodhimi dhe hedhja në qarkullim i 10 milionë dollarëve, shërbimet e fshehta, apo arsyet pse diktatori eliminoi gjithë gjeneralët e lartë të Ushtrisë së Kuqe. al.mi
Përse Stalini pushkatoi gjeneralët e tij
Në fillim të muajit dhjetor 1936, ndërkohë që unë isha në qendrën tonë në Hagë, aksidentalisht më ra në dorë çelësi kryesor i konspiracionit, që rezultoi gjashtë muaj më vonë në ekzekutimin nga Stalini të mareshalit Tukaçevski dhe afërsisht të të gjithë komandës së lartë të Ushtrisë së Kuqe.

Valter Krivicki
Ka konspiracione komplotesh nga njerëz që kërkojnë me epsh pushtet apo hakmarrje, dhe ka konspiracione për thurje komplotesh në vijim të ngjarjeve. Nganjëherë shtigjet e të dy konspiracioneve të tilla priten dhe gërshetohen. Si pasojë historiani e gjen veten përballë një lëmshi të ngatërruar që sfidon aftësitë më të mëdha të tij. Kësaj kategorie i takon misteri i asgjësimit nga Stalini të lules së Ushtrisë së Kuqe si spiune në shërbim të qeverisë gjermane.
Është një mister që vazhdon të hutojë mendjen e botës. Kudo njerëzit ende shtrojnë këto pyetje:
Përse Stalini i preu kokën Ushtrisë së Kuqe në një kohë kur Hitleri përgjithësisht besohej se po përgatitej etshëm për luftë? A kishte ndonjë lidhje ndërmjet spastrimit të Ushtrisë së Kuqe dhe përpjekjeve të Stalinit për të arritur në një marrëveshje me Gjermaninë? A kishte në të vërtetë ndonjë konspiracion nga ana e komandës të Ushtrisë së Kuqe kundër Stalinit?
Ishte 11 qershor 1937, kur Kremlini lajmëroi zbulimin e papritur të një konspiracioni nga gjenerali i madh Tukaçevski dhe tetë nga komandantët e lartë të Ushtrisë së Kuqe që vepronin në bashkëpunim me një fuqi të huaj jomiqësore.
Të nesërmen bota u shtang nga ekzekutimi i mareshalit Tukaçevski, Shef i Shtabit të Ushtrisë së Kuqe; gjeneralit Jakir, komandant i Distriktit Ushtarak Ukrainas; gjeneralit Uboreviç, komandant i Distriktit Ushtarak Bjellorus; gjeneralit Kork, shef i Akademisë Ushtarake Sovjetike; dhe gjeneralëve Putna, Eideman, Feldman, dhe Primakov, pas një gjyqi të pretenduar të fshehtë ushtarak. Mareshali Gamarnik, Ndihmës Komisar i Luftës (Zëvendës Ministër i Mbrojtjes – Shënim i Përkthyesit) dhe Shef i Departamentit Politik të Ushtrisë së Kuqe, u njoftua se kishte vrarë veten. Për këta nëntë gjeneralë komandues papritmas u bë e njohur se kishin qenë spiunë të Hitlerit e të Gestapo-s, ndërkohë që tre prej tyre – Gamarnik, Jakir, dhe Feldman – ishin çifutë.
Shumë kohë përpara se Stalini të zbulonte “papritur” një komplot të Ushtrisë së Kuqe kundër pushtetit të tij, unë kisha në duar, pa e ditur, lidhjen kryesore në një zinxhir të vetëm të ngjarjeve që provonte të qenit e vetë Stalinit si konspirator, që provonte se ai komplotonte të paktën qysh shtatë muaj përpara këtë shfarosje të komandës së lartë të Ushtrisë së Kuqe.
Nëse bashkohen të gjitha pjesët e enigmës së spastrimit të madh të Ushtrisë së Kuqe, modeli përfundimtar zbulon faktet që vijojnë:
1* Skema e Stalinit për të piketuar Tukaçevskin dhe gjeneralët e tjerë ishte vënë në lëvizje të paktën gjashtë muaj përpara zbulimit të pretenduar të një konspiracioni të Ushtrisë së Kuqe.
2* Stalini ekzekutoi mareshalin Tukaçevski dhe shokët e tij si spiunë gjermanë pikërisht në momentin kur vetë ai, pas muaj negociatash të fshehta, ishte në prag të përfundimit të një marrëveshjeje me Hitlerin.
3* Stalini përdori “dosje” të falsifikuar të importuar nga Gjermania dhe të përpunuar nga Gestapo-ja naziste në inskenimin për të njollosur gjeneralët më besnikë të Ushtrisë së Kuqe.
4* Kjo “dosje” i kaloi OGPU-së nga organizatat ushtarake cariste që vepronin jashtë vendit.
5* Stalini kishte shefin e Federatës së Ushtrisë Cariste të Veteranëve, gjeneralin Jevgenij Miller, i cili u rrëmbye në Paris më 22 shtator 1937. Ky krim i guximshëm u krye me qëllim që të shkatërronte një burim të pakontrolluar informacioni, krahas atij të vetë Gestapo-s, që u bënë burimi i “dosjes” së Stalinit kundër shefave të Ushtrisë së Kuqe, dhe kanaleve nëpër të cilat ai burim shtegtonte.
**
Më lejoni t’u jap bazamentin e gjykimeve të mia për këtë çështje. Mareshali Tukaçevski ishte figura ushtarake më e shkëlqyer e Revolucionit Sovjetik. Në fillim të Luftës Civile, në moshën njëzetepesë vjeçare, ai u emërua komandant i Armatës së Parë të Kuqe. Më 12 shtator 1918, kur fatet e sovjetëve qenë në pikën e tyre më të ulët, ai arriti një fitore vendimtare mbi forcat e kombinuara Çeke dhe Bjellogardiste në Simbirsk. Pranverën e ardhshme, kur Admirali Kollçak, duke përparuar nga lindja, kishte kapur basenin e Vollgës, dhe vetëm një e gjashta e territorit Rus kishte mbetur në duart e Bolshevikëve, Tukaçevski kundërsulmoi në Busulluk dhe çau përmes vijave armike. Duke ndjekur këtë sukses fillestar, ai nisi një mësymje sensacionale që e detyroi Kollçakun të tërhiqet drejt Maleve Urale dhe tutje thellë, në Siberi. Më 6 janar 1920, ai e theu Kollçakun në Krasnojarsk, në gjysmërrugën përmes kontinentit Aziatik. Lenini në një telegram ngazëllyes, brohoriti Tukaçevskin dhe ushtrinë e tij.
Pasi dërrmoi Ushtritë e Bardha në Siberi, Tukaçevski u dërgua drejt e në frontin e Rusisë qendrore, kundër Denikinit. Në më pak se tre muaj, Denikini u tërhoq prapa drejt Detit të Zi dhe u detyrua t’ia mbathë me anije për në Krimé, i fundmi bastion i të Bardhëve. Tukaçevski mundi dy armiqtë më të rrezikshëm të qeverisë sovjetike, Kollçakun dhe Denikinin….
Mareshali Pilsudski (Jozef Pilsudski, presidenti i Polonisë së pavarur pas L1B, komandant i ushtrisë dhe kryeministër – Shënim i Përkthyesit) deklaron në kujtimet e tij se dështimi i Budjonit për t’iu bashkuar Tukaçevskit ishte një faktor vendimtar në luftë. “Vija e saktë e marshimit të tyre (Kalorësia e Armatës së Dymbëdhjetë) do të ishte ajo që do t’i sillte ata më pranë ushtrive kryesore ruse të komanduara nga Tukaçevski, dhe kjo do të thoshte një rrezik shumë më të madh për ne. Çdo gjë m’u duk e zezë dhe e pashpresë për mua, e vetmja dritë që feksi në horizont qé dështimi i kalorësisë së Budjonit të më sulmonte në shpinë dhe paraqitja e dobët e Armatës së Dymbëdhjetë.”
As Tukaçevski dhe as Stalini nuk e harruan kurrë fushatën polake. Në një seri leksionesh të zhvilluara në Akademinë e Luftës dhe të publikuara në trajtë libri më 1923, Tukaçevski krahasonte sjelljen e Stalinit në Lvov me atë të gjeneralit carist Renenkampf në betejën katastrofike të Tanenbergut më 1914.
“Armata jonë fitimtare e Kalorësisë,” deklaronte Tukaçevski, “u përfshi në luftime të ashpra në Lvov ato ditë, duke shpenzuar kohën më kot e duke e prishur larg fuqinë e saj tek angazhohej kundër këmbësorisë së pozicionuar në llogore përpara qytetit të mbështetur nga kalorësia dhe skuadriljet e fuqishme ajrore.”
Stalini s’e fali kurrë Tukaçevskin për atë kontribut në biografinë e tij. Duke pritur kohën e duhur, ky njeri herët ose vonë do të hakmerrej kundër kujtdo që i kishte bërë atij dikur kritika përcëlluese. Tukaçevski nuk ishte paracaktuar si i vetmi përjashtim.
Vite më vonë, pati mospërputhje të rënda ndërmjet Stalinit dhe Ushtrisë së Kuqe në çështjet më të mëdha të politikës. Këto ndryshime qëndrimesh morën fund, gjithsesi, me një kompromis, dhe plagët e vjetra, si vetjake ashtu edhe politike, në dukje ngjanë sikur u shëruan. Asnjeri nga ne nuk dyshonte në besnikërinë absolute, qoftë të një kritikuesi të vetëm nga Ushtria e Kuqe të politikës së Stalinit, ndaj qeverisë sovjetike.
Detaji i plotë i këtyre mospërputhjeve ndërmjet Stalinit dhe Ushtrisë së Kuqe i takon një historie tjetër. (Opozita trockiste në ushtri, natyrisht, qé likuiduar vite përpara spastrimit të madh). Është e domosdoshme, megjithatë, të vijëzohen këtu tiparet kryesore të ndryshimit më të madh. Kolektivizimi i dhunshëm i fshatarëve, me shpërnguljet dhe me masat e tjera ndëshkuese të tij që solli urinë dhe shfarosjen e miliona fshatarëve, u pasqyrua menjëherë në Ushtrinë e Kuqe. Me gjithë rritjen e madhe të numrit të punonjësve të industrisë gjatë regjimit sovjetik, shumica dërrmuese e popullsisë mbetej përsëri fshatare, dhe rrënjët e ushtrisë qenë ngulur thellë në fshat.
Letrat që merrnin ushtarët dhe rekrutët që përshkruanin rrënimin e vuajtur nga të afërmit e tyre në shtëpi, i mbushnin ata me zemërim, hidhërim, e madje edhe me shpirt revolte. Fshatrat po grabiteshin dhe shkatërroheshin nga trupat e OGPU-së me urdhrin që të plotësonin shpejt dhe plotësisht detyrën e “likuidimit të kulakëve.” Rebelime fshatare shpërthyen në Ukrainë, zona më e pasur bujqësore e Bashkimit Sovjetik, si dhe në Kaukazin e Veriut. Ato u shtypën pa mëshirë nga detashmentet e posaçme të OGPU-së, pasi Ushtrisë së Kuqe nuk i besohej të pushkatonte fshatarët rusë.
Në këto rrethana morali i Ushtrisë së Kuqe ishte, nga një këndvështrim ushtarak, duke u përkeqësuar me shpejtësi. Departamenti Politik i Ushtrisë, i drejtuar nga gjenerali Gamarnik, ishte një nga ndihmësit më të vlefshëm të mbrojtjes sonë kombëtare, një organizëm delikat nervor që kapte çdo lëkundje që kalonte nëpër rangjet që drithëronin. Nëpërmjet këtij Departamenti Politik, shtabi i përgjithshëm dhe e gjithë trupa e oficerëve zotëronte të dhëna të dorës së parë për kushtet shpërthyese të të dyja palëve, ushtarëve në kazerma dhe fshatarëve nëpër fshatra.
Më 1933, Mareshali Blusher, atëherë komandant i Distriktit Ushtarak të Lindjes së Largët, i dërgoi një ultimatum Stalinit për t’i kujtuar që nëse fshatarët e Siberisë Lindore nuk do të çliroheshin nga urdhëresat e ashpra, ai nuk mund të ishte përgjegjës për mbrojtjen e provincave bregdetare dhe të Amurit kundër Japonisë. Pushteti i Stalinit në atë kohë varej aq brishtas në peshoren e fuqisë sa ai u detyrua të kapitullojë. Koncesione gjithëpërfshirëse iu dhanë fshatarëve të distriktit të mareshalit Blusher. Disa vite më vonë Stalini u detyrua të modifikojë programin e kolektivizimit të përgjithshëm duke u lënë në pronësi për kultivim familjar të gjithë fshatarëve të fermave kolektive ngastra të vogla individuale.
Një tjetër pakënaqësi u rrit, afërsisht në të njëjtën kohë, në trupat e oficerëve lidhur me politikën e Stalinit të paqëtimit ndaj agresionit japonez, duke filluar nga shitja e Hekurudhës strategjike të Kinës Lindore. Komisari i Luftës Voroshilov ishte në atë kohë plotësisht në anën e komandës të Ushtrisë së Kuqe, dhe së bashku me Gamarnikun dhe Tukaçevskin ushtruan trysninë e tyre për mbizotërim të pikëpamjes së ushtarakëve mbi Politbyronë e Stalinit. Stalini mbronte pikëpamjen që kolektivizimi do të krijonte një bazë të qëndrueshme ekonomike për zhvillim në pushtetin e ardhshëm, që çdo gjë duhej sakrifikuar për atë politikë, dhe me qëllim që të realizohet ajo, Rusia duhet ta sigurojë paqen me çdo çmim.
Tukaçevski për vite me radhë i kërkoi më kot Stalinit fonde për motorizimin dhe mekanizimin e Ushtrisë së Kuqe, dhe për këtë ai kishte mbështetjen e të gjithë oficerëve të rinj të akademisë ushtarake sovjetike. Stalini e dinte këtë dëshirë të zjarrtë të Tukaçevskit dhe vendosi ta qetësojë atë duke ia përmbushur këtë ëndërr. Një ujdi politike u gjet. Stalini kishte rrugën e tij në politikën e përgjithshme të brendshme dhe të jashtme, dhe komanda e Ushtrisë së Kuqe kishte të vetën në këndvështrimin e financimeve për modernizimin. Ushtria ia kishte dalë mbanë për pjesën e saj të kompromisit, por sa larg qé ecur nëpërmjet strukturimit të fermave kolektive në krijimin e parakohshëm të “bazës së qëndrueshme”, zbulohej në dekretet e kësaj vere që sapo kaloi.
E tillë ishte zanafilla e asaj që u bë botërisht e njohur si opozitë e Ushtrisë së Kuqe kundrejt Stalinit. Ishte një nga shumë mosmarrëveshjet politike që shfaqeshin në etapa të ndryshme të krijimit të sistemit sovjetik të mbrojtjes kombëtare. Por këtë herë përplasja çoi në thashetheme të egra jashtë vendit për një luftë për pushtet ndërmjet Voroshilovit dhe Stalinit. Asgjë e tillë nuk po ndodhte. Përplasja nuk i ngjante atyre të viteve të shkuara midis Stalinit dhe grupimeve të ndryshme politike opozitare….
Për mua ishte e qartë tani se Stalini ishte i vendosur t’i lante llogaritë me opozitën e Ushtrisë së Kuqe me të njëjtën mënyrë të përgjakshme që ai kishte përdorur ndaj kundërshtarëve të tjerë të tij. Çasti ishte i favorshëm. Kriza e kolektivizimit kishte kaluar nga akute në një etapë mpirjeje kronike.
Gjeneralët e Ushtrisë së Kuqe i kishin shpëtuar provës së rëndë nëpër të cilën opozita politike kishte kaluar për më shumë se një duzinë vitesh. Ata jetonin jashtë asaj bote të posaçme partiake në të cilën njerëzit ishin tërë kohës duke “devijuar” nga rruga e drejtë e Stalinit, duke u “tërhequr”, “devijuar”, “tërhequr” përsëri dhe përsëri, çdo herë me dënime që rriteshin dhe me një rënie vullneti që binte poshtë e më poshtë. Detyra e gjeneralëve, ndërtimi i një ushtrie të fuqishme dhe sistemi i mbrojtjes kombëtare, e kishin ruajtur moralin e tyre.
Stalini e dinte që Tukaçevski, Gamarnik, Yakir, Uboreviç, dhe gjeneralë të tjerë të rangut të sipërm kurrë nuk do të thyheshin dhe të vinin në gjendjen e një bindjeje pa kushte të cilën tani ai e kërkonte prej të gjithëve atyre që kishte rrotull. Ata qenë burra të një kurajoje të madhe vetjake, dhe atij i kujtoheshin ditët që kur prestigji i tij qé në pikën e vet më të ulët, këta gjeneralë, veçanërisht Tukaçevski, gëzonin një popullaritet tepër të madh jo vetëm te trupa e oficerëve dhe tek ushtarët por edhe tek i gjithë populli. Atij i kujtohej gjithashtu që në çdo etapë kritike të regjimit të tij – kolektivizimi i dhunshëm, uria, rebelimi – gjeneralët e kishin mbështetur atë pa dëshirë, i kishin nxjerrë vështirësi në rrugën e tij, dhe nga zori qenë marrë vesh me të. Ai nuk ndiente siguri që tani – përballë ndryshimit të beftë të politikës së tij ndërkombëtare – ata do të vazhdonin ta njihnin autoritetin e tij totalitar.
Këto qenë gjykimet e mia, dhe unë u habita se si ishte e mundur që Stalini të kurdiste “asgjësimin” e gjeneralëve të tij.//pan
 
Top