Re: Sondazh, bota e frikësuar për të ardhmen
Njerëzit në gjithë globin nuk u besojnë më liderëve politikë dhe gati gjysma e njerëzve në gjithë botën ndihen më pak të sigurt për jetën e fëmijëve të tyre. Këto të dhëna janë bërë publike dje nga një sondazh i kryer nga organizata e sondazheve “Gallup International” enkas për Forumin Ekonomik Botëror me seli në Zvicër. Sipas sondazhit të kryer në 60 vende, del se liderët e biznesit, kanë një imazh më të qartë sesa politikanët për të ardhmen, megjithatë dallimi mes tyre nuk është shumë i madh. Në gjithë botën, sipas sondazhit, të botuar nga “Rojter”, rreth 63% e rreth 50 000 njerëzve të pyetur, besojnë se politikanët janë të pandershëm, ndërsa 43 % e tyre thonë të njëjtën gjë për biznesmenët e fuqishëm. Sondazhi është titulluar “Zëri i Popullit”. Rreth 52% e të pyeturve thonë se politikanët sillen në mënyrë jo etike dhe 39% besojnë të njëjtën gjë për krerët e biznesit. Ndërkohë 39% mendojnë se politikanët nuk janë të aftë apo kompetentë. Njerëzit që besojnë më pak tek liderët politikë sipas sondazhit, janë amerikano-latinët, popujt e Azisë Perëndimore dhe Afrikës. Ata renditen të parët, ku rreth 87% e tyre janë të pakënaqur. Ndërsa në Evropën Perëndimore rreth 46% e të pyeturve mendojnë se liderët e tyre politikë janë të pandershëm. Në Gjermani, 76 % e të pyeturve mendojnë kështu, ndërsa 70% e gjermanëve mendojnë se njësoj janë edhe krerët e biznesit. Ndryshe është ky rezultat në Francë, pikërisht në kufirin me Gjermaninë, ku 36 % e të pyeturve mendojnë se politikanët janë të pandershëm, pra në përgjithësi u besojnë atyre. Veçanërisht pas luftës në Irak, njerëzit mendojnë se politikanët nuk dëgjojnë shumë popullin kur bëhet fjalë për qëndrime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë në SHBA dhe Kanada, përqindja e atyre që besojnë te politikanët është e barabartë me ata që nuk besojnë tek ta. Ekuadori është vendi ku 96% e njerëzve i quajnë politikanët krejtësisht të pandershëm. Pastaj vijnë Meksiko, Peruja, Bolivia, India dhe anëtarja e re e BE-së, Polonia, ku 90% e të pyeturve mbajnë këtë qëndrim. Ndërsa kombi që ka më shumë besim te drejtuesit politikë është Singapori, pastaj Holanda dhe Malajzia. Në Singapor vetëm 3 % e të pyeturve kanë pakënaqësi ndaj qeveritarëve. Nga gjithë të pyeturit del se 45% e tyre mendojnë se bota do të jetë më pak e sigurt për brezat që vijnë. Në Evropën Perëndimore mendojnë 55% kështu. Ndërsa në Afrikë rreth 50%, peshorja anon në anën e kundërt, ku 30% mendojnë se bota do të ketë më pak siguri. Të lodhur nga skamja dhe konfliktet e gjata civile, ata shpresojnë që do të jenë më mirë nga ç’kanë qenë.
19/11/2004