Skandali: Shteti dhunon Kishen e Shen Thanasit ne Dhermi

kisha-e-dhermiut.jpg


Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht pas prishjes së kishës së ‘Shën Athanasit’, duke e cilësuar atë një veprim të papërgjegjshëm dhe në shkelje flagrante me ligjin. Përmes një njoftimi të postuar në faqen zyrtare, thuhet se ‘veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare’.



Reagimi i plotë i Kishës Ortodokse Shqiptare


Sot, 26 gusht 2015, në orën 4 të mëngjesit, pa zbardhur dita, në mënyrë të fshehtë e tinëzare, për t’iu shmangur ballafaqimit me banorët e Dhërmiut, në Himarë, u shkatërrua nga forca të inspektoratit ndërtimor të ardhura nga zona të tjera të vendit, kisha ortodhokse e Shën Athanasit.
Ishin dëshpëruese dhe fyese që në ditët tona të shihje se shkatërrimi varrosi nën gërmadha Ungjillin e shenjtë, ikonat dhe objekte të shenjta, pamje që të kujtonin përdhosjen në Kishën e Shën Marisë në Përmet, ku ato u hodhën në kamionin e plehrave. Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1,2: “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. 2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.” Ndërhyrja u bë pa as një njoftim zyrtar ose informal, si dhe u shpërfillën klerikët tanë, përfaqësuesit arkieratik Protopresviter Atë Pandeli Mitru, Atë Efthim Bixhili, Atë Athanas Qerimi, të cilët kërkuan shpjegime për një ndërhyrje të tillë nga organet vendore.

Që në fillim, ata që kishin planifikuar shkatërrimin e këtij vendi të shenjtë ishin kontradiktorë, megalomanë dhe konfuzë në deklarimet, pretendimet dhe veprimet e tyre: Deklaruan se ishte një ndërtim pa leje i bërë së fundmi dhe doli se ishte ngritur nga vetë besimtarët në fillimet e Demokracisë, në të njëjtin vend ku ngrihej kisha e rrafshuar nga komunizmi. Deklaruan që kisha ishte monument kulture dhe doli që nuk ishte e vërtetë. Deklaruan se Kisha nuk ishte pronare dhe u dëshmua me dokumente e kundërta. U deklarua se soleta ishte hedhur mbi muret e vjetra historike dhe pastaj i rrafshuan ato etj.
Kjo ngjarje është një shkelje e së drejtës universale të besimit dhe laicitetit të shpallur në Kushtetutë të shtetit, i cili merr përsipër në mënyrë të njëanshme prishjen e një objekti kulti ortodoks dhe në vend të tij të ngrejë një tjetër, duke marrë iniciativa dhe angazhime që nuk i takojnë dhe përbëjnë ndërhyrje në çështjet e brendshme fetare.

Veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare. Gjithashtu, në një kohë kur Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me Komunitetin e Sant Egidios dhe Kishën Katolike në Shqipëri, në fillim të muajit shtator, përgatiten për të pritur veprimtarinë e madhe ndërfetare “Paqja është gjithmonë e mundshme”, ku do të marrin pjesë 500 delegatë, nga 30 besime të ndryshme nga e gjithë bota, një ngjarje historike për Shqipërinë, veprime të tilla bien ndesh me frymën që ajo promovon dhe zbeh imazhin e vendit dhe popullit tonë.

Shqip
 
Top