Re: Sistemi tatimor shqipetar
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr.8976, datë 12.12.2002
PËR AKCIZAT
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon marrëdhëniet juridike, që kanë të bëjnë me përcaktimin e akcizave, të kushteve, procedurave, të të drejtave dhe detyrimeve, të cilave u nënshtrohen subjektet e akcizës, si dhe çështjet që lidhen me rregullat për mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave nga organet tatimore për mallrat, subjekt i akcizës.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, fjalët e mëposhtme kanë këto kuptime:
1. “Alkool” është alkooli etilik i klasifikuar, sipas kodit N.K.22.07 dhe 22.08;
2. “Akciza” është tatimi i vendosur nga ky ligj mbi mallrat e përcaktuara në shtojcën 1 të këtij ligji.
3. “Aparat distilimi” është impianti në të cilin zhvillohet procesi i distilimit, përfshirë të gjitha pjesët e distilimit dhe pjesët e aparatit të distilimit, siç janë ftohësi dhe ena pritëse e produktit të gatshëm.
4. “Artikuj të përpunuar duhani” janë cigare, puro dhe të tjera lloje produktesh duhani të përpunuara, që janë të gatshme për konsum.
5. “Autorizim akcize” është autorizimi i lëshuar nga organet tatimore një tatimpaguesi akcize.
6. “Birrë” është çdo produkt që përfshihet në kodin N.K. 22.03 ose çdo produkt tjetër, që përmban një përzierje të birrës me pije joalkoolike me një gradë alkoolike, që tejkalon 0,5 për qind në vëllim.
7. “Cigare” është çdo role duhani, që mund të pihet siç është dhe që nuk përfshihet në përkufizimin e puros.
8. “Depo të nënprodukteve të naftës” janë trualli, ndërtesat, depozitat për ruajtje ose mjedise të tjera, të miratuara sipas nenit 5 të këtij ligji, si magazina tatimore për ruajtjen e nënprodukteve të naftës, të paambalazhuara, të prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.
9. “Eksport” është largimi i mallrave të akcizës për konsum jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
10. “Fshehje e qëllimshme” janë veprimet ose mosveprimet në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, me qëllim që të mos paguajë detyrime ose të paguajë më pak sesa është i detyruar ose për të kërkuar më shumë kreditim ose rimbursim të akcizës.
11. “Garanci e miratuar” është garancia financiare e ofruar për detyrimin tatimor nga një person i autorizuar, që lidhet me çfarëdo lloj sasie mallrash të akcizës, të mbajtura në pezullim tatimor.
12. “Gaz i lëngëzuar i naftës (GNL)” është gazi i mbajtur nën trysni në formë të lëngëzuar, klasifikuar sipas kodit N.K. 27.11.12.11 deri 27.11.19.00.
13. “Kodi N.K.” është klasifikimi i mallrave sipas nomenklaturës së kombinuar të mallrave, bazuar në sistemin e harmonizuar.
14. “Lëndë djegëse” janë nënproduktet e naftës, të klasifikuara sipas pikës 4 të nenit 38 dhe seksionit V të shtojcës 1 të këtij ligji.
15. “Magazinë tatimore” është truall, ndërtesë ose mjedis tjetër, i miratuar sipas dispozitave të këtij ligji, në të cilin mallrat subjekt i akcizës prodhohen ose mbahen në kushtet e regjimit të pezullimit tatimor gjatë veprimtarisë ekonomike të një personi të autorizuar.
16. “Mallra akcize” janë mallrat që janë subjekt i pagesës së akcizës.
17. “Nënprodukte nafte” janë produktet që përfshihen brenda kodit N.K. të përshkruara në seksionin V të shtojcës 1.
18. “Ngarkesa tregtare” janë mallrat e akcizës të paambalazhuara, të cilat kërkojnë përpunim të mëtejshëm para se të jenë produkt i gatshëm për shitje me pakicë.
19. “Njësi ambalazhimi” është çdo paketë, kuti, shishe, kanoçe ose enë, me kapacitet mbajtës deri në 5 litra ose më pak.
20. “Paketë” është çdo paketë ose kuti me një kapacitet të tillë, të aftë për të mbajtur 20 cigare.
21. “Person” është çdo person fizik ose juridik, që u nënshtrohet dispozitave të këtij ligji.
22. “Pije alkoolike” janë pijet e klasifikuara sipas kodeve N.K. 22.07 dhe 22.08 e që janë subjekt i akcizës, sipas dispozitave të këtij ligji.
23. “Pije joalkoolike” janë ujërat, përfshirë ujërat e gazuara, me përmbajtje alkooli, që nuk e tejkalojnë sasinë 0,5 për qind në vëllim, të cilat përmbajnë sheqer të shtuar, lëndë të tjera ëmbëlsuese ose aroma dhe pije të tjera joalkoolike (përfshirë birrën pa alkool) që nuk e tejkalojnë sasinë 0,5 për qind alkool në vëllim, të klasifikuara sipas kodit N.K. 22.01 e 22.02, lëngje frutash ose perimesh, të klasifikuara në kodin N.K. 20.09.
24. “Prodhim birre” është procesi i fermentimit të elbit, maltos dhe materialeve të tjera si lupolo, maja dhe shtesa të tjera për të prodhuar birrë.
25. “Prodhues” është cilido person që prodhon mallra të tatueshme me akcizë, qoftë ky person i autorizuar ose jo.
26. “Produkt i ndërmjetëm” nënkupton verën, pavarësisht nga fakti që produkt i ndërmjetëm është çdo produkt sipas kodit N.K. 22.06.
27. “Produkte të gatshme” janë mallra akcize, procesi i prodhimit të të cilave është i përfunduar ose që kërkohet vetëm paketimi përfundimtar për shitje me pakicë.
28. “Punonjës i autorizuar” është një punonjës i organit tatimor, i autorizuar nga Drejtori i Përgjithshëm (ose në emër të tij nga kryetari i degës së tatimeve), për të ushtruar funksione të përcaktuara në këtë ligj.
29. “Puro” është:
a) një role duhani, me një mbështjellje të jashtme prej duhani natyror;
b) një role duhani, që përmban në mënyrë mbizotëruese gjethe të prera ose të grira, të formuara me një material lidhës duhani dhe me një mbështjellje të jashtme, e cila është prej duhani, me ngjyrën e zakonshme të një puroje dhe që vendoset në mënyrë spirale;
c) një role duhani që përmban kryesisht gjethe të prera ose të grira, që:
i. kanë një mbështjellje të jashtme prej duhani e që kanë ngjyrën e zakonshme të puros;
ii. kanë njësi peshe ekskluzive ndaj çdo lloj filtri të veçuar ose një bisht prej jo më pak se 2,3 gram:
iii. ka një perimetër të përgjithshëm mbi së paku një të tretën e gjatësisë së saj, por jo më pak se 34 milimetra.
30. “Regjimi i pezullimit tatimor” është një regjim i zbatuar mbi prodhimin, përpunimin, mbajtjen dhe lëvizjen e produkteve, akciza e të cilave është e pezulluar.
31. “Shkalla standarde” janë gjobat e vendosura siç përcaktohet në nenin 48 të këtij ligji.
32. “Tatimpagues akcize” është çdo person, i autorizuar ose jo, që kryen një tregti ose veprimtari ekonomike, që është subjekt i dispozitave të këtij ligji ose që konsiston dhe përfshin prodhimin, blerjen, shitjen, importimin, eksportimin, trajtimin ose përdorimin e çdo lloj malli, të çdo klase ose përshkrimi, subjekt të akcizës (pavarësisht nëse është paguar ose jo akciza mbi to).
33. “Termometër” është një aparat matës, që miratohet për përdorim, në kuadër të dispozitave të këtij ligji dhe të udhëzimeve në zbatim të tij.
34. “Verë” është çfarëdo lloj pije, që klasifikohet sipas kodit N.K. 22.04, 22.05 dhe 22.06.
35. “Zëvendësues i lëndëve djegëse” është çdo lëng, i cili përdoret si lëndë djegëse (por që nuk është nënprodukt nafte), në përputhje me nenin 38 të këtij ligji.
36. “Përfaqësues tatimor” është çdo person që vepron në emër të një importuesi të mallrave të akcizës për importimin e këtyre mallrave dhe që caktohet si i tillë nga një person, që nuk ka një seli të përhershme në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
KREU II
Neni 3
Personat e tatueshëm
1. Persona të tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, janë të gjithë personat që zotërojnë mallra akcize dhe që janë të detyruar ta paguajnë atë, sipas nenit 22 të këtij ligji.
2. Në personat e tatueshëm përfshihet edhe përfaqësuesi tatimor i çdo personi, që importon mallra të tatueshme me akcizë, i autorizuar sipas nenit 7 të këtij ligji.
3. Nëse një person i përkufizuar në pikën 1 të këtij neni nuk ka paguar akcizën e detyrueshme mbi mallrat e akcizës, atëherë akciza për këto mallra do të paguhet nga çdo person tjetër, i përfshirë në importimin, prodhimin ose zotërimin e mallrave të akcizës, në çdo kohë.
Neni 4
Detyrimi për pajisjen me autorizim akcize
1. Çdo person që prodhon mallra në territorin e Republikës së Shqipërisë ose importon ngarkesa tregtare mallrash, subjekt akcize, për përpunim të miratuar në një magazinë tatimore të miratuar, detyrohet të pajiset me autorizimin e organeve tatimore. Pajisja me autorizim nga organet tatimore përkatëse bëhet çdo vit, sipas kushteve të caktuara nga Ministri i Financave.
2. Çdo person i autorizuar nga organet tatimore mund të prodhojë dhe të mbajë në magazinën tatimore të miratuar, sipas dispozitave të nenit 5 të këtij ligji, vetëm mallrat e akcizës, të përshkruara në autorizim, të cilat prodhohen prej tij në territorin e Republikës së Shqipërisë ose importohen të paambalazhuara për përpunim të mëtejshëm, në kuadër të regjimit të pezullimit tatimor.
3. Çdo person që, sipas pikës 2 të këtij neni, ka të drejtë të mbajë mallra akcize në magazinën tatimore pa bërë pagesën e akcizës, mundet, gjithashtu, të kryejë, pa bërë pagesën e akcizës, operacione me mallrat e akcizës të mbajtura në atë truall, ndërtesë ose mjedis tjetër, sipas autorizimit të organeve tatimore.
4. Çdo person, që kërkon të marrë autorizimin për të prodhuar dhe për të mbajtur mallra akcize, duhet të përcaktojë:
a) procesin e prodhimit që do të kryejë;
b) sasitë e lëndës së parë të përdorur për të prodhuar produkte akcize të gatshme;
c) humbjet në prodhim ose magazinim (firo të lejuara), që do të ndodhin gjatë rrjedhës normale të veprimtarisë ekonomike, brenda kufijve të përcaktuar në udhëzimet e Ministrit të Financave, në përputhje ma standardet dhe normat teknike.
5. Sipas kushteve që Ministri i Financave i parashikon në udhëzimet e veta në zbatim të këtij ligji, organet tatimore, mbështetur në këtë nen, pajisin me autorizim çdo person për të prodhuar më tepër se një mall akcize dhe për të mbajtur sasira të secilit prej këtyre mallrave të akcizës nën regjimin e pezullimit tatimor.
6. Për pajisjen me autorizimin e organeve tatimore, çdo person paguan një shumë prej 10 mijë lekësh.
7. Ky nen nuk zbatohet për individët privatë, që prodhojnë raki për konsum personal, nga vetë ata dhe familjarët e tyre, në sasi që nuk e kalon 5 litra raki për çdo proces dhe sasinë prej 100 litrash raki për çdo vit kalendarik; për individët privatë, që prodhojnë verë për konsum personal dhe familjarët e tyre në sasi që nuk kalon 200 litra verë për çdo vit kalendarik.
Neni 5
Detyrimi për të kërkuar miratimin e magazinës tatimore
1. Çdo person i autorizuar, sipas nenit 4 të këtij ligji, nëse kërkon të prodhojë ose të mbajë mallra akcize në ndonjë truall, ndërtesë ose mjedis tjetër nën regjimin e pezullimit tatimor, duhet të kërkojë më parë në organet tatimore, që ato t’i miratojnë atij si magazinë tatimore truallin, ndërtesën ose mjedisin tjetër që ai disponon. Miratimi i magazinës tatimore bëhet çdo vit.
2. Për mallrat e akcizës, që kërkojnë pullë fiskale, miratimi i magazinës tatimore, në kuadër të regjimit të pezullimit tatimor, bëhet vetëm për troje, ndërtesa ose mjedise të tjera, ku mbahen vetëm mallra që i nënshtrohen procesit të vjetërimit (siç është periudha e maturimit për disa pije alkoolike), mallra që i nënshtrohen një përpunimi të mëtejshëm para se të ambalazhohen për shitje me pakicë, si dhe mallra të prodhuara për eksport, në sasitë e autorizuara nga organet tatimore.
3. Miratimi për mbajtjen e mallrave të akcizës nën regjimin e pezullimit tatimor jepet vetëm nëse akciza e detyrueshme për këto mallra sigurohet me një garanci të miratuar, lëshuar nga një bankë ose institucion tjetër financiar të njohur nga Banka e Shqipërisë.
4. Kërkesat që kanë të bëjnë me prodhimin e nënprodukteve të naftës, alkoolit, pijeve alkoolike, verës ose birrës, duhet të përfshijnë listën dhe përshkrimin e të gjitha makinerive dhe pajisjeve, aparateve distiluese, kaldajave, tubave të brumit, enëve të fermentimit, ftohësave, enëve të pritjes së produktit dhe çdo mjeti ose makinerie tjetër që synohet të vendoset mbi ose në çdo truall, ndërtesë ose mjedis tjetër në çastin e kërkesës.
5. Miratimi i çdo trualli, ndërtese ose mjedisi tjetër si magazinë tatimore jepet vetëm pasi punonjësi i autorizuar i organeve tatimore të ketë inspektuar në vend truallin, ndërtesën ose çdo mjedis tjetër ku do të kryhet veprimtaria ekonomike dhe pasi ai të ketë vërtetuar me shkrim se kërkesa, përshkrimi dhe skicat përfaqësojnë saktë truallin, ndërtesën ose mjediset e tjera, për të cilat është kërkuar miratimi dhe se janë zbatuar të gjitha dispozitat përkatëse të këtij ligji dhe të udhëzimeve të Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji.
6. Në një magazinë tatimore të miratuar nuk mbahen në të njëjtin vend mallrat e akcizës të caktuara për t’u mbajtur nën regjimin e pezullimit tatimor, edhe mallra akcize për të cilat akciza është paguar. Gjithashtu, në një magazinë tatimore të miratuar lënda e parë nuk mund të ruhet në të njëjtin vend me mallrat e akcizës të prodhuara, të cilat ruhen nën regjimin e pezullimit tatimor ose në zona të caktuara për mallra akcize, për të cilat akciza është paguar dhe çdo lëvizje e lëndëve të para, për në një vend të ndryshëm nga ai i prodhimit, duhet të jetë e miratuar paraprakisht nga organi tatimor.
7. Çdo person për pajisjen me dokumentacionin e miratimit të magazinës tatimore u paguan organeve tatimore një shumë prej 10 mijë lekësh.
8. Ky nen nuk do të zbatohet për troje, ndërtesa ose mjedise të tjera, të miratuara si magazina doganore nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Neni 6
Mënyra e kërkesës për marrjen e autorizimit të akcizës
dhe të miratimit të magazinës tatimore
1. Çdo person që kërkon të pajiset me autorizim akcize duhet të bëjë kërkesë me shkrim në degën e tatimeve ku ka selinë qendrore.
2. Çdo person i autorizuar, që kërkon të pajiset me miratim për magazinë tatimore për çdo rast duhet të bëjë kërkesë me shkrim në degën e tatimeve të rrethit ku ndodhen magazina tatimore, për të përpunuar dhe prodhuar mallra akcize.
3. Kur një person i autorizuar kërkon të miratojë më tepër se një magazinë tatimore, ai duhet të bëjë kërkesë me shkrim në degën përkatëse të tatimeve, që mbulon zonën e operimit të çdo magazine, me qëllim që të miratojë çdo truall, ndërtesë ose mjedis tjetër, që ai synon ta përdorë si magazinë tatimore.
4. Çdo kërkesë, sipas pikave 2 ose 3 të këtij neni, shoqërohet me një shpjegues të proceseve dhe një skicë ose përshkrim që tregon rrjedhën, ndërtimin dhe përdorimin e të gjitha pajisjeve që do të përdoren.
Neni 7
Pajisja me autorizim akcize e përfaqësuesve tatimorë
1. Çdo person që vepron ose synon të veprojë si një përfaqësues tatimor, detyrohet të pajiset me autorizimin përkatës nga organet tatimore, në përputhje me nenin 4 të këtij ligji.
2. Çdo person që kërkon një autorizim akcize si përfaqësues tatimor, duhet të paraqesë kërkesë me shkrim në organin tatimor ku ndodhet selia qendrore e tij ose, në rastin e një personi fizik, në organin tatimor ku ka vendbanimin e përhershëm.
3. Çdo autorizim i lëshuar nga organet tatimore është i vlefshëm për periudha njëvjeçare dhe kushte të parashikuara në autorizimin e lëshuar nga organet tatimore.
4. Për marrjen e autorizimit, sipas këtij neni, paguhet një shumë prej 10 mijë lekësh.
Neni 8
Transferimi i autorizimit të akcizës dhe/ose i miratimit të magazinës tatimore
1. Kur personi, të cilit i është dhënë autorizimi i akcizës, vdes ose tërhiqet nga pozicioni i vet, organi tatimor mund ta transferojë këtë autorizim te një person tjetër, që vazhdon veprimtarinë për pjesën e mbetur të periudhës për të cilën ishte dhënë autorizimi.
2. Kur një person që zotëron miratimin për përdorimin si magazinë tatimore të një trualli, ndërtese ose mjedisi tjetër transferon veprimtarinë në një tjetër tokë, ndërtesë ose mjedis tjetër, ai është i detyruar të marrë miratimin nga organet tatimore, në përputhje me nenin 5 të këtij ligji, para se të fillojë veprimtarinë ekonomike në truallin, ndërtesën ose mjedisin tjetër.
3. Për transferimin e autorizimit ose të miratimit, çdo person paguan një shumë prej 5 mijë lekësh.
Neni 9
Heqja e autorizimit të akcizës dhe heqja e miratimit të magazinës tatimore
1. Çdo person i autorizuar akcize, që dëshiron të mbyllë veprimtarinë e vet ekonomike në ndonjërën prej magazinave të miratuara si magazina tatimore, duhet të njoftojë me shkrim organet tatimore jo më vonë se 30 ditë përpara datës së mbylljes.
2. Kur organet tatimore përkatëse konstatojnë se një person i autorizuar nuk ka filluar kryerjen e veprimtarisë së vet ekonomike në ndonjërën prej magazinave tatimore të miratuara, ato mund ta heqin miratimin për atë magazinë.
3. Organet tatimore mund të heqin ose të ndryshojnë në çdo kohë autorizimin e akcizës ose miratimin si magazinë tatimore të ndonjë trualli, ndërtese ose mjedisi tjetër.
Neni 10
Lëvizja e mallrave të akcizës nën regjimin e pezullimit tatimor
1. Mallrat e akcizës mund të dalin nga një magazinë tatimore pa pagesën e akcizës, sipas pikave 3 deri në 5 të këtij neni, vetëm në rastet e mëposhtme:
a) për eksport;
b) për t’u dërguar në një magazinë tatimore të miratuar në pronësinë dhe administrimin e të njëjtit person, që zotëron dhe administron edhe magazinën tatimore nga ku dalin këto mallra;
c) për furnizimin e anijeve ose të avionëve si artikuj të shitjes me pakicë për pasagjerët, me kusht që këto anije ose avionë ndalesën e parë ta kenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Ngarkesat tregtare të nënprodukteve të naftës, të verës, pijeve alkoolike, alkoolit, cigareve, purove dhe produkteve të tjera të përpunuara të duhanit mund të zhvendosen nga vendi i importimit në një magazinë tatimore të miratuar për përpunim të mëtejshëm në kuadër të regjimit të pezullimit tatimor, sipas pikave 3 deri në 5 të këtij neni dhe të nenit 39 të këtij ligji.
3. Nuk lejohet lëvizja e mallrave të akcizës, akciza e të cilave nuk është paguar, përveç rasteve kur lëvizja është miratuar me shkrim nga organi tatimor, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për lëvizjet sipas pikës 2 të këtij neni, si dhe kur janë plotësuar kërkesat e mëposhtme:
a) akciza e llogaritur si e pagueshme për mallrat e akcizës që dalin është siguruar nëpërmjet një garancie të miratuar nga organi tatimor;
b) mallrat e akcizës, që dalin sipas pikës 1 të këtij neni, shoqërohen me një dokument, që ka formën dhe përmbajtjen e përcaktuar nga udhëzimet e Ministrit të Financave dhe që lëshohet nga nisësi i mallit ose agjenti i tij;
c) mallrat e akcizës të dala sipas pikës 1 shkronjat “a” dhe “c” dhe pikës 2 të këtij neni, gjithashtu, përmbushin kërkesat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
4. Në rastin e eksportit ose të furnizimit të anijeve dhe avionëve të transportit ndërkombëtar, shitësi duhet të provojë në organet tatimore se mallrat e akcizës, sipas rastit, janë eksportuar ose furnizuar si artikuj të shitjes me pakicë në anijet dhe avionët e transportit ndërkombëtar.
5. Çdo dërgesë e mallrave të akcizës, e dalë në kuadër të regjimit të pezullimit tatimor, kryhet në një kontenier të tipit të miratuar për këtë qëllim nga organi tatimor dhe vuloset nga nisësi me një vulë numerike të miratuar nga organi tatimor, sipas deklarimeve përkatëse të paraqitura pranë këtij organi.
6. Organet tatimore mund të kufizojnë ose të ndalojnë lëvizjen e mallrave të akcizës nga magazinat e miratuara të regjimit të pezullimit tatimor, duke njoftuar me shkrim personin e autorizuar të mallrave të akcizës.
Neni 11
Mbajtja e regjistrimeve
1. Çdo person që i nënshtrohet akcizës është i detyruar të mbajë regjistrime, përmbajtja dhe lloji i të cilave, për çdo mall akcize, si dhe vendi ku duhen mbajtur regjistrimet, të disponueshme për organet tatimore, përcaktohen në udhëzimet në zbatim të këtij ligji.
2. Në rastet kur regjistrimet mbahen në kompjuter ose në çfarëdo lloj forme tjetër elektronike, personi që i nënshtrohet akcizës duhet të njoftojë organin tatimor për programin e përdorur dhe ta ndihmojë atë për të kuptuar dhe dokumentuar çdo sistem regjistrimesh.
3. Çdo përfaqësues tatimor, i autorizuar sipas dispozitave të nenit 7 të këtij ligji, duhet të përmbushë kërkesat e pikës 1 të këtij neni njëlloj si të ishte personi, në emër të të cilit ai vepron si përfaqësues tatimor.
4. Çdo regjistrim nga data që është krijuar ruhet për një periudhë kohe, sipas afateve të caktuara në ligjin për kontabilitetin dhe u vihet në dispozicion punonjësve të autorizuar të organit tatimor, sipas kërkesës së tyre.
5. Çdo shtesë ose ndryshim në çdo regjistrim shoqërohet me shpjegime për arsyet e shtesës ose të ndryshimit dhe regjistrimi origjinal duhet të jetë i lexueshëm.
Neni 12
Inventarizimi dhe llogaritja e mallit gjendje
Në fund të çdo muaji kalendarik, personat e autorizuar për mallrat e akcizës inventarizojnë të gjitha lëndët e para dhe mallrat e akcizës, të çdo lloji, që gjenden në magazinën e miratuar tatimore dhe dërgojnë në organet tatimore një raport të këtij inventari në formën dhe mënyrën e caktuar në udhëzimet e Ministrit të Financave për zbatimin e këtij ligji.
Neni 13
Humbjet
1. Humbje në prodhim është diferenca ndërmjet sasisë së pritshme të prodhimit, llogaritur nga sasia e lëndës së parë të përdorur pas zbatimit të normativave të procesit të prodhimit dhe koeficienteve të humbjes në prodhim, të shpallura në autorizimin e personave të autorizuar të akcizës dhe sasisë së mallrave të akcizës të deklaruara si të prodhuara nga sasia e lëndëve të para të përdorura në periudhën e prodhimit.
2. Humbje në tranzit është diferenca ndërmjet sasisë së mallrave të akcizës, të deklaruara në dokumentin e transportit (ose sasia reale nëse është më e madhe) në vendin e nisjes (ose pikën e importit kur mallrat e akcizës janë të importuara) dhe sasisë së mallrave të akcizës gjendje në mjetin e transportit kur dërgesa arrin në destinacion. Kjo pikë nuk zbatohet për mallrat e akcizës nën regjimin e tranzitit të kontrolluara nga dogana.
3. Humbje në mallin gjendje (në magazinë) është diferenca ndërmjet sasisë së mallrave të akcizës, të regjistruara në regjistrat e magazinave tatimore të miratuara dhe sasisë së mallrave të akcizës të gjetura gjatë kryerjes së një kontrolli fizik të mallit gjendje.
4. Kur konstatohet një humbje për mallrat e akcizës që nuk gjenden, organet tatimore bëjnë vlerësimin e akcizës së pagueshme.
Neni 14
Vlerësimi
1. Kur organet tatimore konstatojnë se një person detyrohet t'u paguajë atyre një akcizë të caktuar, ato bëjnë vlerësimin e akcizës së pagueshme nga personi dhe e njoftojnë këtë person për shumën në fjalë.
2. Organet tatimore bëjnë vlerësimin e akcizës së pagueshme, kur personi i detyruar për të paguar akcizën nuk mund të provojë se akciza e pagueshme është paguar:
a) sepse ai nuk ka mbajtur regjistrime, sipas kërkesave të këtij ligji ose të udhëzimeve të Ministrit të Financave në zbatim të tij;
b) sepse ai nuk ka përgatitur dokumente ose kopje të ndonjë dokumenti, sipas kërkesës së organeve tatimore;
c) për shkak të ndonjë harrese ose gabimi në regjistrim ose deklarim të bërë nga personi, të cilit i kërkohet të mbajë regjistrime ose të bëjë deklarime, sipas dispozitave të këtij ligji;
ç) për shkak të ndonjë humbjeje, sipas nenit 13 të këtij ligji.
Neni 15
Kompetenca për të inspektuar dhe kontrolluar në magazinat tatimore të miratuara
Punonjësit e organeve tatimore, të pajisur me autorizim përkatës, për të inspektuar dhe kontrolluar magazinat tatimore të miratuara, kanë këto të drejta:
a) të hyjnë në çdo kohë dhe të qëndrojnë për aq kohë sa është e nevojshme në çdo vend të magazinës tatimore ku ndodhen makineri, pajisje ndihmëse dhe aparate, që mund të përdoren për prodhimin e mallrave të akcizës dhe ku ushtron veprimtarinë ekonomike, me mallrat e akcizës, personi i autorizuar;
b) të hyjnë në çdo kohë në vendet e magazinës tatimore të tatimpaguesit të akcizës, ku magazinohen, mbahen ose shiten mallra akcize;
c) të inspektojnë trojet, ndërtesat ose mjediset e tjera dhe të inventarizojnë, sipas nevojave, çdo pjesë të tyre, proceset e prodhimit, kontenierët, pajisjet ndihmëse, mallrat dhe materialet, makineritë dhe aparatet, që i përkasin personit të autorizuar;
ç) të verifikojnë nëse ekziston ndonjë tubacion, distileri, kontenier, pajisje ndihmëse, makineri ose aparat, ndonjë magazinë, mall ose artikull, që i nënshtrohen akcizës, të cilat janë të fshehura.
d) të analizojnë çdo aparat distilimi ose aparate të tjera të përdorura nga një person i autorizuar për prodhimin e mallrave të akcizës, në çfarëdo kohe, për të parandaluar ose zbuluar mashtrimet, me kusht që një veprim i tillë të mos dëmtojë funksionimin e aparateve;
dh) të kalibrojnë, masin, peshojnë, provojnë, shenjojnë, etiketojnë, stampojnë, kyçin, vulosin dhe të shenjojnë ose sigurojnë aparatet, kontenierët, makineritë, pajisjet ndihmëse ose mallrat e akcizës dhe të mbyllin, vulosin dhe sigurojnë të gjitha ose çdonjërin prej tyre, kur prodhuesi i mallrave të akcizës nuk është duke punuar në magazinën tatimore të miratuar;
e) të marrin si mostra mallra në proces prodhimi, që janë prodhuar, janë gjendje ose janë nën zotërimin e personit që kryen veprimtari si person i autorizuar akcize, të cilat do të vihen në dispozicion nga prodhuesi ose një person tjetër pa pagesë. Për marrjen e mostrave lëshohet dokumenti përkatës.
Neni 16
Kompetencat për të kontrolluar në mjedise të tjera
1. Punonjësit e autorizuar të organeve tatimore, që kanë atributet e policisë gjyqësore, sipas ligjit nr.8677, datë 2.11.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”, mund të ushtrojnë verifikime dhe kontrolle në mjedise të tjera të personit që merret ose dyshohet se kryhen veprime që lidhen me mallrat e akcizës.
2. Për përmbushjen e detyrave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, punonjësit e autorizuar të organeve tatimore kanë këto kompetenca:
a) të kërkojnë mbështetjen e punonjësve të Policisë Tatimore ose të Rendit, kur e shohin të nevojshme një gjë të tillë;
b) të kryejnë verifikime dhe kontrolle në truall, ndërtesë ose mjedis tjetër në çdo kohë, si dhe të sekuestrojnë ose të marrin me vete çdo send, që përbën ose lidhet me shkelje të parashikuara sipas këtij ligji;
c) të kërkojnë ose të realizojnë për aq sa është e nevojshme për realizimin e verifikimeve, kontrolleve dhe sekuestrime, heqjen e çdo pengese ose bllokimi;
ç) të kontrollojnë personat që gjenden në objektin ku kryhen verifikimet dhe kontrollet.
3. Verifikimi ose kontrolli në banesa, të cilat nuk janë të deklaruara paraprakisht pranë organit tatimor si seli ose vendndodhje për kryerjen e një veprimtarie të caktuar, bëhet vetëm me pëlqimin e pronarit ose autorizimin e lëshuar nga gjykata.
Neni 17
Kompetencat për të kontrolluar automjetet ose mjetet lundruese
1.Punonjësit e autorizuar të organit tatimor përkatës mund të ndalojnë dhe të kontrollojnë automjetin ose anijen, kur ka të dhëna se ai ose ajo është ose mund të jetë duke transportuar mallra akcize, të cilat janë:
a) të tatueshme me akcizë, e cila nuk është paguar ose siguruar,
b) duke u larguar ilegalisht nga ose drejt ndonjë vendi;
c) subjekt sekuestrimi për ndonjë arsye, sipas këtij ligji.
Neni 18
Kompetenca për të sekuestruar regjistrimet
1. Kur ka të dhëna se një dokument, skedar kompjuterik ose regjistrim tjetër përmban të dhëna që lidhen me mallrat e akcizës, për të cilat nuk është paguar akciza, punonjësit e autorizuar nga organi tatimor mund t'i sekuestrojnë këto regjistrime.
2. Nëse ndonjë regjistrim sekuestrohet në bazë të pikës 1 të këtij neni, punonjësit e autorizuar nga organi tatimor përgatisin një procesverbal të hollësishëm të regjistrimeve të sekuestruara dhe i japin një kopje të origjinalit të regjistrimeve brenda 24 orëve, vetëm personit të autorizuar nga tatimpaguesi i akcizës ose përfaqësuesi i tij fiskal.
3. Do të konsiderohet mbrojtje për organet tatimore ndaj çdo kërkese për dëm të shkaktuar për dhënien e kopjeve të origjinalit, sipas pikës 2 të këtij neni, personave që nuk e kishin këtë të drejtë për marrjen e këtyre të dhënave.
Neni 19
Përjashtimet
1. Në zbatim të këtij ligji, organet tatimore lejojnë transanksione pa pagimin e akcizës, kur provohet se:
a) mallrat e akcizës eksportohen;
b) mallrat e akcizës janë vendosur nën regjimin e pezullimit doganor;
c) mallrat e akcizës importohen nga përfaqësitë diplomatike, të akredituara në Republikën e Shqipërisë;
ç) mallrat e akcizës importohen nga organizatat ndërkombëtare, në kuadër të marrëveshjeve të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë, në të cilat parashikohet shprehimisht përjashtimi nga pagimi i akcizës;
d) mallrat e akcizës janë vendosur nën regjimin e pezullimit tatimor.
2. Në zbatim të këtij ligji, organet tatimore bëjnë rimbursimin e akcizës së paguar, kur provohet se:
a) mallrat e akcizës janë subjekt i një procesi të miratuar;
b) mallrat e akcizës eksportohen.
Neni 20
Kufijtë kohorë për vlerësimet
1. Organet tatimore nuk kanë të drejtë të bëjnë një vlerësim tatimor pas pesë vjetësh nga data në të cilën është krijuar detyrimi për akcizën, përveç rasteve të mëposhtme:
a) kur vlerësimi bëhet vetëm për të bërë të frytshëm një apelim ndaj një vlerësimi të bërë brenda këtij kufiri kohor;
b) kur vlerësimi bëhet si rezultat i mospagimit, për shkak të mashtrimit;
c) kur vlerësimi bëhet për shkak se personi ka prodhuar ose tregtuar mallra me akcizë pa qenë i autorizuar nga organet tatimore.
2. Në rastin e vlerësimeve të bëra si rezultat i mospagimit të akcizës nëpërmjet mashtrimit, periudha prej pesë vjetësh, e përmendur në pikën 1 të këtij neni, zëvendësohet me njëzet vjet.
KREU III
KËRKESA TË PËRGJITHSHME PËR MALLRAT E AKCIZËS
Neni 21
Mallrat që i nënshtrohen akcizës sipas këtij ligji
1. Mallrat e akcizës, të përshkruara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij ligji, i nënshtrohen akcizës, sipas tarifave të treguara në këtë shtojcë.
2. Akciza e pagueshme për mallrat e akcizës, të përshkruara në shtojcën 1 të këtij ligji, llogaritet në përputhje me nenet 22 dhe 23 të këtij ligji, përveç mallrave të detyruara për t’u pajisur me pulla akcize, sipas nenit 25 të këtij ligji.
3. Akciza e pagueshme për mallrat e akcizës që kërkojnë pulla akcize, sipas nenit 25 të këtij ligji, llogaritet në përputhje me nenet 26, 27 dhe 28 të këtij ligji.
4. Ngarkesat tregtare të verës, alkoolit, pijeve alkoolike ose cigareve, të importuara ose të prodhuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, nuk kërkohet të pajisen me pullë, por vera, alkooli, pijet alkoolike ose cigaret do të trajtohen në të gjitha pikëpamjet sikur ngarkesat tregtare të verës, alkoolit, pijeve alkoolike ose cigareve të jenë në njësi ambalazhimi ose paketa, të cilat pajisen me pulla akcize, siç parashikohet në Kreun IV të këtij ligji.
5. Nuk u nënshtrohen pagimit të akcizave, sipas dispozitave të këtij ligji, mallrat e mëposhtme që mund të përmbajnë alkool:
a) mallrat ushqimore, ku përmbajtja e alkoolit nuk e tejkalon sasinë prej 8,5 litra alkool të pastër për 100 kilogramë produkt;
b) aromat dhe esencat alkoolike, të klasifikuara nën kodin N.C. 33.02.
Neni 22
Pagesa e akcizës
1. Akciza për mallrat, që i nënshtrohen akcizës, në bazë të dispozitave të këtij ligji, paguhet në çastin e importimit ose të prodhimit të mallrave të akcizës në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
2. Akciza paguhet sipas tarifave në fuqi në çastin e krijimit të detyrimit për t'u paguar.
3. Procedurat për mënyrën dhe kohën e pagimit të akcizës përcaktohen në udhëzimet e Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji.
4. Për mallrat e akcizës, që i nënshtrohen regjimit të pezullimit tatimor, çasti kur akciza bëhet e pagueshme është më e hershme sesa koha kur:
a) akciza pushon së qeni e pezulluar, në përputhje me regjimin e pezullimit tatimor;
b) ka shkelje ndaj ndonjë kërkese, që lidhet me regjimin e pezullimit tatimor;
c) personi i autorizuar pushon së qeni i autorizuar;
ç) trualli, ndërtesa ose çdo mjedis tjetër, në të cilin mbahen mallrat e akcizës, pushojnë së qeni magazinë tatimore e miratuar;
d) mallrat përkatëse të akcizës konsumohen;
dh) mallrat përkatëse të akcizës largohen nga magazinat tatimore, me përjashtim të rastit që parashikon neni 10 i këtij ligji;
e) lëshohet një faturë, që lidhet me shitjen e mallrave të akcizës;
ë) organi tatimor zbulon ose njoftohet se mallra akcize nën regjimin e pezullimit tatimor nuk gjenden në magazinë ose se ka mospërputhje të pajustifikuara;
f) janë gjetur mospërputhje në gjendjen e llogarive të çdo tatimpaguesi të akcizës ose çasti kur gjendja e lëndëve të para, të përdorura për çdo zë prodhimi të produktit të gatshëm, nuk justifikon sasinë e pranueshme të produktit të gatshëm.
Neni 23
Dorëzimi i deklaratës
Pagesa e akcizës shoqërohet me dorëzimin e një deklarate nga personi i autorizuar i akcizës. Ministri i Financave përcakton në udhëzim datat dhe numrin e deklaratave, të dhënat që duhet të përmbajnë ato, mënyrën si dhe formën e tyre. Deklarata nënshkruhet nga personi i autorizuar i akcizës ose nga një person i autorizuar prej tij dhe i njohur si i tillë nga organi tatimor.
KREU IV
KËRKESAT E PËRGJITHSHME PËR MALLRA TË AKCIZËS
QË KËRKOJNË PULLA AKCIZE
Neni 24
Përkufizimi i pullës së akcizës
1. Pulla e akcizës nënkupton një shirit unik të përgatitur sipas përcaktimeve të udhëzimit të Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji, që përmban një ose disa nga treguesit e mëposhtëm:
a) faktin që është paguar akciza për mallrat e akcizës;
b) tarifën e akcizës së paguar;
c) shumën e akcizës së paguar;
ç) çastin e pagimit të akcizës;
d) faktin që shitja e mallrave të akcizës:
i. është e lejueshme vetëm në datat e treguara në pullë;
ii. nuk është e lejueshme në ose pas datës së treguar në këtë pullë;
iii. nuk është e lejueshme në ose përpara datës së treguar në këtë pullë.
dh) tipin e mallrave ose emrin e markës së mallrave për të cilat duhej të paguhej akciza;
2. Udhëzimet e Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji, mund të ofrojnë dispozita të posaçme për:
a) përmbajtjen e printuar të pullës së akcizës;
b) pamjen e pullës së akcizës;
c) tipin dhe cilësinë e materialit nga i cili bëhet pulla;
ç) shtresën ku duhet të ngjitet pulla, në rastin e mallrave të akcizës që kanë më shumë se një shtresë ambalazhimi;
d) pozicionimin e pullës në ambalazhimin e çdo malli akcize të përcaktuar;
dh) kohën kur mallra akcize të specifikuara duhet të pajisen me pullë akcize;
e) kushtet dhe kriteret e kufizimit të dhënies së pullave, të përcaktuara në pikën 3 të nenit 26;
ë) rastet e përjashtimit të pagesës nëpërmjet deklarimit, të përcaktuar në nenin 28.
3. Pullat e akcizës janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror.
Neni 25
Përdorimi i pullave fiskale për mallrat e akcizës
1. Mallrat që i nënshtrohen akcizës, nëpërmjet pullave të akcizës, duhet kenë një pullë të ngjitur në njësinë e ambalazhimit ose të paketës, siç përcaktohet në këtë ligj.
2. Mallrat e akcizës të importuara që duhet të pajisen me pullë akcize, sipas dispozitave të këtij ligji, duhet ta kenë pullën e akcizës në çastin që importohen, pa cenuar dispozitat e nenit 39 të këtij ligji dhe dispozitat e Kodit Doganor, të cilat u lejojnë importuesve privatë për të importuar mallra akcize për konsum personal.
3. Pulla e akcizës duhet të ngjitet në mënyrë të tillë që të griset ose të bëhet e papërshtatshme për ripërdorim kur kontenieri ose paketa hapet.
Neni 26
Çasti kur akciza bëhet e pagueshme për mallrat që kërkohet
të pajisen me pullë
1. Akciza paguhet në bazë të shkallës tatimore në fuqi në çastin kur tatimi bëhet i detyrueshëm për t'u paguar.
2. Për mallrat e akcizës për të cilat kërkohet të kenë pullë akcize, çasti kur akciza bëhet e pagueshme është më i hershmi i çastit kur:
a) pulla e akcizës kërkohet të vendoset në njësinë e ambalazhimit ose në paketë;
b) për mallrat e akcizës blihen pullat e akcizës;
c) mallrat e akcizës gjenden jashtë magazinës tatimore të miratuar, pa qenë e lejuar dhe pa qenë të pajisura me pullat e akcizës të fiksuara;
ç) janë gjetur mospërputhje në gjendjen e llogarive ose kur gjendja e lëndëve të para, të përdorura për çdo zë prodhimi të produktit të gatshëm, nuk justifikon sasinë e pranueshme të produktit të gatshëm;
d) është zbuluar se pulla e akcizës e ngjitur në mallrat e akcizës është ripërdorur, manipuluar apo vjedhur ose nuk paraqet detyrimin e duhur për t’u paguar.
3. Organi tatimor, në raste të veçanta, me miratim të Ministrit të Financave, mund të kufizojë dhënien e pullave në masë të njëjtë për të gjithë personat.
Neni 27
Pagesa e akcizës për mallrat që kërkohet të pajisen me pullë
1. Pagesa e akcizës për mallrat, për të cilat kërkohet detyrimisht pajisja me pulla akcize, bëhet nëpërmjet blerjes së pullave të akcizës në vlerë të barabartë me tatimin e detyrueshëm për t'u paguar mbi sasinë ose vlerën e mallrave të akcizës në njësi ambalazhimi ose ambalazh tjetër, në të cilin duhet ngjitur pulla.
2. Blerja e pullave të akcizës bëhet në vendin e përcaktuar nga organet tatimore, në përputhje me procedurat e përcaktuara në udhëzimet e Ministrit të Financave në zbatim të këtij ligji.
3. Furnizimi me pulla bëhet kundrejt pagesës.
4. Pagesa e akcizës për mallrat e akcizës, për të cilat kërkohet pajisja me pullë, bëhet nëpërmjet blerjes së pullave të akcizës në sasinë përkatëse, përpara se mallrat të importohen ose të nxirren për shitje nga trojet, ndërtesat ose mjediset e tjera të autorizuara për prodhim.
Neni 28
Dorëzimi i deklaratave për mallrat që kërkohet të pajisen me pullë
Pagesa e tatimit për mallrat e akcizës, që duhen pajisur me pullë, shoqërohet me dorëzimin e një deklarate, e cila përmban të dhënat dhe formën e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave.
Neni 29
Regjistrimet për mallrat që kërkohet të pajisen me pullë
Përveç kërkesave të përgjithshme për mbajtje regjistrimesh, të përcaktuara në nenin 11 pikat 1 dhe 2 të këtij ligji, personat që i nënshtrohen akcizës, të cilët prodhojnë ose merren në çfarëdo lloj forme tjetër me mallrat e akcizës, që kërkohet të pajisen me pullë, detyrohen të mbajnë regjistrime të sakta e të përditshme, sipas kërkesave të udhëzimit të Ministrit të Financave.
KREU V
DEPOT E NËNPRODUKTEVE TË NAFTËS
Neni 30
Kërkesa për autorizim akcize dhe miratim trualli, ndërtese ose mjedisi tjetër,
në të cilat gjenden depo të nënprodukteve të naftës
1. Personi që dëshiron të hapë ose të vazhdojë veprimtarinë në një depo të nënprodukteve të naftës, duhet të bëjë kërkesë pranë organit tatimor për autorizim akcize, në mbështetje të dispozitave të nenit 4 të këtij ligji dhe për miratimin si magazinë tatimore, në mbështetje të nenit 5 të këtij ligji.
2. Depoja e nënprodukteve të naftës nuk mund të funksionojë në qoftë se personi i autorizuar nuk pajiset me autorizim në përputhje me nenin 4 të këtij ligji dhe trualli, ndërtesa ose mjedisi tjetër, ku ndodhet depoja e nënprodukteve të naftës, nuk është miratuar si magazinë tatimore në mbështetje të nenit 5 të këtij ligji.
3. Dispozitat e këtij kreu nuk zbatohen për depot e miratuara si magazina doganore, sipas Kodit Doganor dhe dispozitave zbatuese të tij, të cilat përdoren vetëm për magazinimin e nënprodukteve të naftës të importuara.
Neni 31
Furnizimi i depove me nënprodukte të naftës, magazinimi
dhe nxjerrja e nënprodukteve të naftës nga depot
1. Personi i autorizuar i depos njofton organin tatimor të paktën 1 ditë pune përpara marrjes së furnizimit dhe ai nuk duhet që, pa lejen e organit tatimor, të shkarkojë nënproduktet e naftës në depozitat e ruajtjes ose tubacionet e dërgimit dhe të thyejë vulën e vendosur për qëllime transporti.
2. Të gjitha furnizimet e marra dhe të gjitha lëvrimet e nënprodukteve të naftës për qëllime të këtij ligji duhet të maten me një aparat matës, që mat në mënyrë të saktë dhe tregon sasinë e lëngut që rrjedh në të. Aparati matës paraqitet nga personi i autorizuar i depos dhe miratohet nga organi tatimor.
3. Të gjitha nënproduktet e naftës ruhen në depozita të miratura nga organi tatimor dhe personi i autorizuar i depos duhet të vulosë të gjitha hyrjet, daljet dhe pajisjet matëse dhe të ofrojë ndihmën e kërkuar nga organi tatimor për të matur kapacitetin magazinues të një depozite, si dhe të përmbushë të gjitha kushtet e tjera, të përcaktuara nga organi tatimor në miratimin si magazinë tatimore.
4. Gjendja e çdo nënprodukti nafte në depo duhet të jetë e matshme nga organi tatimor me anë të zhytjes fizike të një vizoreje matëse të shkallëzuar, që tregon sasinë, duke iu referuar shkallëzimeve të vizores ose ndonjë metode tjetër të miratuar nga organi tatimor, sipas deklarimit të paraqitur nga personat e autorizuar.
Neni 32
Regjistrimet për depot e nënprodukteve të naftës
1. Personi i autorizuar i depos duhet të mbajë regjistrime të veçanta dhe të bëjë inventarizimin për çdo depozitë magazinimi të miratuar, për të treguar në çdo fund muaji kalendarik ose në çdo kohë tjetër të kërkuar nga organi tatimor:
a) sasinë e mallrave të akcizës në çdo depozitë magazinimi, sipas matjeve të mëparshme (gjendja në fillim);
b) sasinë e mallrave të akcizës në çdo depozitë magazinimi në datën e inventarizimit aktual (gjendja në fund);
c) sasinë e mallrave të akcizës, të furnizuar nga çdo depozitë magazinimi, e shoqëruar me hollësitë për çdo sasi dhe akcizën përkatëse;
ç) çdo diferencë të zbuluar (mospërputhje).
2. Organi tatimor mund t'i kërkojë personit të autorizuar të depos së nënprodukteve të naftës të mbajë regjistrime shtesë.
Neni 33
Çasti i pagesës së akcizës për mallrat e akcizës të mbajtura
në një depo të nënprodukteve të naftës
Çasti kur akciza bëhet e pagueshme për mallrat e akcizës të mbajtura në një depo të nënprodukteve të naftës do të jetë më i hershmi ndërmjet:
a) çastit të largimit (daljes) të tyre nga depozitat e miratuara si depo të nënprodukteve të naftës;
b) çastit kur mallrat e akcizës nuk gjenden ose kur mospërputhjet nuk justifikohen.
Neni 34
Llogaritja e akcizës për mallrat e akcizës të mbajtura
në një depo të nënprodukteve të naftës
1. Për depot e nënprodukteve të naftës të miratuara zbatohen dispozitat e përgjithshme të neneve 11, 12, 13 dhe 14 të këtij ligji.
2. Kur nga inventari del se sasi të caktuara mallrash akcize mungojnë, mungesat i njoftohen degës përkatëse të tatimeve menjëherë ose, kur nuk arrihet të njoftohet menjëherë, njoftohen ditën e nesërme të punës dhe, nëse vërtetohet mospërputhje, akciza paguhet nga administratori i depos së miratuar, sipas shkallës tatimore në fuqi, në kohën kur u zbuluan mungesat, brenda 10 ditëve nga zbulimi.
3. Personi i autorizuar për administrimin e depos është i detyruar të paguajë sipas vlerësimit të bërë në mbështetje të nenit 14 dhe pagesa bëhet në përputhje me pikën 3 të nenit 22 të këtij ligji.
4. Deklarata e kërkuar në përputhje me këtë ligj bëhet sipas formularit të përcaktuar nga organi tatimor.
Neni 35
Ndihma e ofruar punonjësve të autorizuar të organeve tatimore
1. Punonjësve të autorizuar të organeve tatimore u ofrohet ndihma e kërkuar për mundësimin e hyrjes në çdo pjesë të depos së miratuar.
2. Administratori i depos së miratuar pajis punonjësit e autorizuar të organeve tatimore me të gjitha veshjet mbrojtëse të nevojshme, duke i udhëzuar ata për rregullat standarde të sigurisë, që janë në fuqi për sektorin.
KREU VI
DISPOZITA TË POSAÇME PËR DISA NGA MALLRAT E AKCIZËS
Neni 36
Metoda e llogaritjes së akcizës
1. Kur akciza llogaritet sipas vëllimit ose peshës së mallrave, për të cilat është e detyrueshme të paguhet akcizë, vëllimi ose pesha e tyre përcaktohen në përputhje me udhëzimin e Ministrit të Financave në zbatim të këtij ligji.
2. Kur akciza llogaritet sipas vlerës së mallrave, për të cilat është e detyrueshme të paguhet akcizë, vlera e tatueshme për qëllimet e akcizës do të jetë:
a) për mallrat e importuara të akcizës, vlera doganore siç përcaktohet nga Kodi Doganor, pavarësisht nga fakti që detyrimi doganor paguhet ose jo;
b) për mallrat e prodhuara në Shqipëri dhe që i janë shitur një blerësi, që nuk është person i lidhur (siç përcaktohet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat), shuma e paguar faktikisht për mallrat e shitura, përfshirë vlerën e paketimit, por përjashtuar TVSH-në;
c) për mallrat e akcizës, të prodhuara në Shqipëri dhe që i janë shitur një blerësi, që është një person i lidhur (siç përcaktohet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat), shuma që duhej të paguhej nga një blerës, person i palidhur për mallrat e akcizës të shitura, që përfshin vlerën e paketimit, por jo TVSH-në, sipas përcaktimit të organeve tatimore;
ç) për gazoilin, sipas përcaktimit të bërë në udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Financave dhe Ministrit të Industrisë dhe Energjetikës.
Neni 37
Llogaritja e akcizës për nënproduktet e naftës
1. Në mbështetje të pikës 2 të këtij neni, akciza mbi nënproduktet e naftës llogaritet mbi vëllimin e produktit të matur në një temperaturë standarde prej 15°C. Kur vëllimi matet në një temperaturë të ndryshme nga 15°C, vëllimi duhet të saktësohet, në përputhje me standardet ndërkombëtare në fuqi, të cilat përcaktohen në udhëzimin e Ministrit të Financave.
2. Dispozitat rregulluese në pikën 1 të këtij neni nuk zbatohen për naftën e rëndë, sipas kodit N.K. 27.10.00.74 dhe 27.10.00.78 ose gazin natyror të lëngëzuar, sipas kodit N.K. 27.11.12.11 dhe 27.11.19.00 dhe metoda e rregullimit për një detyrim të tillë akcize përcaktohet në përputhje me udhëzimet e Ministrit.
Neni 38
Zëvendësuesit e lëndëve djegëse
1. Çdo lëng i përdorur si zëvendësues për lëndët djegëse tatohet me akcizë sipas së njëjtës tarifë tatimore dhe në bazë të të njëjtave kushte, si për lëndën djegëse të cilën ka zëvendësuar.
2. Akciza do të llogaritet mbi çdo substancë që i shtohet lëndëve djegëse me të njëjtën tarifë dhe në bazë të të njëjtave kushte si për lëndët djegëse të cilat i janë shtuar, kur përdorimi i kësaj substance është:
a) si lëndë djegëse për motorë, mjete ose makineri të tjera;
b) si lëndë shtuese ose zgjeruese:
i. në çdo substancë për të cilën aplikohet akcizë, në bazë të pikës 1 të këtij neni;
ii. në çdo nënprodukt nafte, që është përdorur ose do të përdoret, siç përmendet në shkronjën “a” të këtij neni.
3. Çdo referencë për lëndët djegëse, të përdorura në këtë ligj, interpretohet si referencë ndaj çdo substance mbi të cilën është vendosur akciza sipas këtij neni dhe në këtë mënyrë referencat ndaj akcizës mbi nënproduktet e naftës interpretohen si referenca ndaj akcizës së aplikuar ndaj çdo substance mbi të cilën vendoset akciza në bazë të këtij neni.
4. Organi tatimor vendos që çdo substancë, ndaj së cilës është aplikuar akciza sipas këtij neni, të trajtohet për qëllime të këtij neni njëlloj si të ishte:
a) vaj i rëndë ose i lehtë;
b) benzinë për avionë;
c) gazoil;
ç) benzinë me ose pa plumb;
d) vajguri.
5. Organi tatimor mund të vendosë që çdo substancë e tatueshme me akcizë, sipas dispozitave të pikave 1 ose 2 të këtij neni, të tatohet me akcizë me të njëjtën tarifë tatimore dhe të trajtohet, për qëllime të këtij ligji, njëlloj si të ishte një nga substancat e përcaktuara specifikisht në pikën 4 të këtij neni, me të cilën përafrohet më tepër.
6. Për qëllime të këtij neni, termi “lëng” nuk përfshin substancat që shndërrohen në gjendje të gaztë në një temperaturë prej 150C dhe nën një trysni prej 1013,25 milibarë.
Neni 39
Ngarkesat tregtare të disa mallrave të akcizës
1. Ngarkesat tregtare të produkteve të përpunuara të duhanit, alkoolit, pijeve alkoolike, nënprodukteve të naftës dhe të verës mund të importohen dhe të zhvendosen nga pika doganore e hyrjes ose të prodhohen dhe lëvizen nën regjimin e pezullimit tatimor nga një magazinë tatimore e miratuar e prodhimit, për përpunim të mëtejshëm, në një magazinë tjetër tatimore të miratuar, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) kur importuesi ose prodhuesi është personi që do të përpunojë ngarkesën tregtare për të prodhuar produktet e gatshme;
b) kur ngarkesa transportohet me një kontenier të sigurt, sipas tipit të miratuar nga organi tatimor;
c) kur kontenieri i miratuar si i sigurt, sipas shkronjës “b” të këtij neni, është i vulosur me vulë të numëruar, të një tipi të miratuar nga organi tatimor në vendin e nisjes, dhe vula kontrollohet nga dogana në import (kur është e mundur) dhe nga punonjësit e autorizuar të organit tatimor pas mbërritjes në magazinën tatimore të miratuar;
ç) kur hapja e kontenierit ose prishja e vulës bëhen në prani të punonjësit të autorizuar nga organi tatimor;
d) kur të jetë bërë garancia e miratuar për vleftën e plotë të tatimit për ngarkesën përkatëse;
dh) kur plotësohet çdo kusht tjetër i vendosur nga organet tatimore, sipas udhëzimeve të Ministrit të Financave në zbatim të këtij ligji.
2. Kur nuk plotësohen kërkesat e pikës 1 të këtij neni, akciza paguhet në përputhje me pikën 2 të nenit 21 të këtij ligji.
KREU VII
SHKELJET, KUNDËRVATJET DHE SANKSIONET
Neni 40
Shkelja e detyrimit për pajisjen me autorizim akcize
Kur një person prodhon mallra akcize, pa qenë i autorizuar sipas nenit 4 të këtij ligji, i bëhet një vlerësim tatimor sipas nenit 14 të këtij ligji, për akcizën e papaguar mbi sasinë e mallrave të akcizës, të prodhuara para se të zbatohej shkelja dhe ndaj tij merren masat e mëposhtme:
a) detyrohet të paguajë një gjobë në nivelin F të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji, plus dyfishin e tatimit të pagueshëm për mallrat e akcizës, të prodhuara ose të vlerësuara si të prodhuara nga organet tatimore;
b) i sekuestrohen lëndët e para, makineritë e pajisjet, mjetet ndihmëse, materialet e duhura për prodhimin e mallrave të akcizës dhe të gjitha mallrat e akcizës të gjendura në çfarëdo kohe në vendet, trojet, ndërtesat ose mjediset e tjera. Me mallrat e sekuestruara procedohet sipas legjislacionit në fuqi.
c) kur gjoba administrative e vendosur sipas shkronjës “a” të kësaj pike dhe /ose vlerësimi i vendosur sipas nenit 14 të këtij ligji nuk paguhen ose kur shkelja përsëritet, ndaj atij personi bëhet kallëzimi për ndjekje penale.
Neni 41
Shkelja e detyrimit për të kërkuar miratimin e një trualli,
ndërtese ose mjedisi tjetër si magazinë tatimore
Kur një personi i gjenden mallra akcize në çdo truall, ndërtesë ose mjedis tjetër nën kontrollin e tij, por të pamiratuara si magazina tatimore dhe për këto mallra nuk është paguar akciza, i bëhet vlerësimi tatimor, sipas nenit 14 të këtij ligji, për akcizën e papaguar mbi mallrat e gjetura në atë truall, ndërtesë ose mjedis tjetër ose që vlerësohet të jenë larguar nga ky truall, ndërtesë ose mjedis tjetër dhe ndaj këtij personi merren masat e mëposhtme:
a) dënohet me gjobë të nivelit E, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji, plus dyfishin e akcizës së pagueshme për mallrat e akcizës, të gjetura në atë truall, ndërtesë ose mjedis tjetër ose që vlerësohet të jenë larguar nga ky truall, ndërtesë ose mjedis tjetër;
b) i sekuestrohen të gjitha mallrat e akcizës që gjenden në këtë truall, ndërtesë ose mjedis tjetër, pavarësisht nëse për këto mallra është paguar akciza ose jo. Me mallrat e sekuestruara procedohet sipas legjislacionit në fuqi;
c) kur gjoba administrative e vendosur sipas shkronjës “a” të kësaj pike dhe/ose vlerësimi i vendosur sipas nenit 14 të këtij ligji nuk paguhet ose kur shkelja përsëritet, ndaj atij personi bëhet kallëzimi për ndjekje penale.
Neni 42
Shkelja e detyrimit për t’u pajisur me autorizim akcize
të përfaqësuesve tatimorë
Kur përfaqësuesi tatimor nuk respekton kërkesat e përcaktuara në këtë ligj, ky i fundit dhe personi që përfaqëson dënohen me gjoba, në përputhje me nenin 40 të këtij ligji.
Neni 43
Shkelja e detyrimeve për mbajtjen e regjistrimeve
Mosmbajtja ose mosruajtja e regjistrimeve për periudhën e caktuar ose mosdhënia e regjistrimeve, sipas kërkesës së organeve tatimore, dënohet me një gjobë të nivelit D, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji.
Neni 44
Gjobat për fshehjen e qëllimshme të akcizës
Në çdo rast, kur në bazë të dispozitave të këtij ligji vërtetohet se veprimtaria e një personi përbën fshehje të akcizës:
a) ai është i detyruar ta paguajë akcizën e fshehur;
b) ai është i detyruar të paguajë një gjobë sa dyfishi i akcizës së fshehur ose që konsiderohet e fshehur, për shkak të mosrespektimit të kushteve dhe të rregullave të parashikuara sipas këtij ligji;
c) atij i sekuestrohen lëndët e para, mallrat e akcizës;
ç) në rast të mosplotësimit të kushteve të shkronjave “a” dhe “b” të këtij neni, personit që ka bërë shkeljen i sekuestrohen magazinat tatimore dhe vendet, tokat, ndërtesat ose mjediset e tjera të tij që janë përdorur për fshehje ose tentativë për fshehje të akcizës dhe bëhet kallzim për ndjekje penale kur dyshohet se ka elemente të kësaj vepre.
Neni 45
Pengesa dhe bllokimi i veprimtarisë së organeve tatimore
Pengesa dhe bllokimi i punonjësit të autorizuar të organeve tatimore ose personave të tjerë të autorizuar në kryerjen e detyrave të tyre, për kontrollin e akcizës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet një personi tjetër, kur nuk është vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë të nivelit F, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji.
Neni 46
Kundërshtimi i personit për të kontrolluar automjetet ose mjetet lundruese
Nëse pas kërkesës së punonjësve të autorizuar të organeve tatimore për të ndaluar, personi i ngarkuar për çdonjërin nga automjetet ose anijet e tilla kundërshton të ndalojë ose të lejojë që automjeti ose mjeti lundrues të kontrollohet:
a) detyrohet të paguajë një gjobë të nivelit C, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji;
b) nuk lejohet të largohet nga automjeti;
c) bëhet kallëzimi për ndjekje penale
dhe ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për ndalimin e automjetit ose mjetit lundrues.
Neni 47
Shkelja e afatit kohor për pagesën e akcizës
Kur personi i autorizuar i akcizës nuk ka paguar shumën e caktuar brenda datës së duhur, ai është i detyruar të paguajë një gjobë të nivelit B, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji, plus interesin e llogaritur në masën 5 për qind për muajin e parë ose pjesë të tij dhe 2 për qind për çdo muaj tjetër pasardhës ose pjesë të tij.
Neni 48
Shkelja e afatit kohor për dorëzimin e deklaratës
Kur personi i autorizuar i akcizës nuk dorëzon deklaratën në datën e përcaktuar, në përputhje me nenin 23 të këtij ligji, ai detyrohet të paguajë një gjobë të nivelit A, të shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji, dhe për të bëhet një vlerësim sipas nenit 14 të këtij ligji.
Neni 49
Shkeljet për mbajtjen, transportin ose shitjen e mallrave të akcizës pa pullë
1. Çdo mall akcizë, për të cilin kërkohet pajisja me pulla akcize, sipas dispozitave të nenit 25 të këtij ligji, kur ofrohet për shitje ose tregtohet në çfarëdo lloj mënyre tjetër, pa qenë i pajisur me pullë, sekuestrohet dhe personi që zotëron mallrat e akcizës dënohet në përputhje me dispozitat e nenit 44 të këtij ligji.
2. Kur mallrat e akcizës, për të cilat kërkohet pajisja me pullë, gjenden pa pulla në përputhje me dispozitat e nenit 27 të këtij ligji, pavarësisht nga fakti se për to është paguar akciza ose jo, sekuestrohen dhe pronari i mjedisit ose i mjediseve në të cilin mbahen këto mallra akcize të papajisura me pulla, dënohet me një gjobë, që është më e madhe se:
a) dyfishi i vlerës së tregut (që përcaktohet nga organi tatimor) të mallrave të akcizës të gjetura pa pulla;
b) niveli E i shkallës standarde, sipas nenit 51 të këtij ligji.
Organi tatimor mund të heqë certifikatën e ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë 6-mujore.
3. Me mallrat e sekuestruara procedohet nga organet tatimore, duke i shkatërruar ose duke i administruar, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 50
Shkeljet për ndërhyrjet në pullat e akcizës
Vendosja e pullave të falsifikuara ose të manipuluara në mallrat e akcizës ose falsifikimi apo manipulimi i pullave të akcizës ose heqja e tyre për ripërdorimin për të shmangur pagesën e akcizës, ose falsifikimin apo vjedhjen e pullave të akcizës, përbëjnë vepër penale dhe dënohen me gjobë të barabartë me dyfishin e vlerës së tregut të mallrave të akcizës, në të cilat janë vendosur ose synohej të vendoseshin këto pulla, dhe me heqje lirie deri në 2 vjet.
Neni 51
Shkalla standarde e gjobave
Shkalla standarde nënkupton gjobat e vendosura si më poshtë:
Shkalla e referencës Shuma e penaliteteve, lekë
A 20 000
B 50 000
C 100 000
D 250 000
E 500 000
F 1 000 000
G 2 000 000
H 5 000 000
Neni 52
Apelimet
Procedurat e apelimit janë të njëjta me ato të përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
Neni 53
Shfuqizime
Ligjet nr. 8437, datë 28.12.1998 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, nr. 8717, datë 15.12.2000 “Për vendosjen e pullave në artikujt e duhanit dhe të pijeve alkoolike”, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohen.
Neni 54
Organet e ngarkuara me zbatimin e këtij ligji
Me zbatimin e këtij ligji ngarkohet Ministria e Financave dhe organet tatimore.
Neni 55
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ministria e Financave, në zbatim të këtij ligji, nxjerr udhëzime:
a) për mënyrën e prodhimit, ambalazhimit, mbajtjes dhe magazinimit të mallrave të akcizës të prodhuara në vend dhe ambalazhimin, mbajtjen e magazinimin e mallrave të akcizës.
b) për të rregulluar dhënien e autorizimeve personave dhe miratimin e trojeve, ndërtesave ose mjediseve të tjera, si dhe për revokimin ose ndryshimin e autorizimeve ose miratimeve;
c) për të përcaktuar, sipas ose në përputhje me udhëzimet, se kur fillon dhe përfundon prodhimi i mallrave të akcizës;
ç) për të përcaktuar forcën, sasinë, vëllimin ose peshën e mallrave të akcizës për qëllime tatimore;
d) për të përcaktuar mënyrën e mbledhjes së akcizës;
dh) për të përcaktuar rregullat e kontrollit të përdorimit të lëndëve të para dhe për moslejimin e përdorimit të substancave shtesë, përzierjen ose veprime të tjera në mallrat e akcizës ose që lidhen me këto mallra;
e) për të lejuar, në rrethana të caktuara, zbritjen ose rimbursimin e detyrimit për disa tipa të caktuar të mallrave të akcizës;
ë) për të rregulluar transportin e mallrave të akcizës;
f) për t’u kërkuar personave të autorizuar të akcizës mbajtjen e regjistrimeve;
g) për të përcaktuar mënyrën e prodhimit të pullave të akcizës, personat e duhur, natyrën dhe të dhënat e përmbajtura dhe dispozita të tjera për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave, si dhe tipin e përshkrimin e mallrave të akcizës, për të cilat kërkohet pajisja me pullë;
gj) për zbatimin e neneve 4, 5, 6, 10, 11, 12, 19, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 32, 36, 37, 38, 39.
2. Në udhëzimet e Ministrit të Financave parashikohen rregulla normative të posaçme, në varësi të kategorive të personave, trojeve, ndërtesave ose mjediseve të tjera, ose mallra akcize të llojeve dhe përshkrimeve të ndryshme.
Neni 56
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet e tij ligjore më 1 korrik 2003.
K R Y E T A R I
Servet Pëllumbi
SHTOJCA 1
MALLRAT E TATUESHME ME AKCIZË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Kodi NK Përshkrimi Shkalla tatimore
I KAFE
09 01 11 0009 01 12 00 Kafe jo e pjekur e dekafeinizuar ose jo 40 lekë/kg
09 01 21 0009 01 22 00 Kafe e pjekur e dekafeinizuar ose jo 80 lekë/kg
09 01 90 Lëkura dhe lëvoret e kafesëZëvendësuesit e kafesë që përmbajnë kafe 40 lekë/kg
21 01 1121 01 12 Ekstrakte, esenca, koncentrate kafeje dhe përgatitje prej tyre (neskafe etj.) 250 lekë/kg
II LËNGJE FRUTASH, UJË DHE PIJE FRESKUESE
20 09 Lëngje frutash dhe perimesh të pafermentuara, pa shtesa alkoolike, që përmbajnë ose jo lëndë embëlsuese 3 lekë/litri
22 01 Ujërat minerale ose natyrale dhe ujërat e gazuara pa ëmbëlsues dhe aromatizues shtesë 1 lekë/litri
22 02 Ujërat minerale ose të gazuara, me ëmbëlsues ose aromatizues shtesë, pijet freskuese joalkoolike, përjashtim lëngjet e frutave 3 lekë/litri
III BIRRË, VERË, ALKOOL DHE PIJE ALKOOLIKE
22 03 Birrë e bërë nga malto 30 lekë/litri
22 04 Verë dhe verërat e gazuara; shampanjë; musht rrushi 20 lekë/litri
22 05 Vermut e verëra të tjera të përgatitura nga bimë ose substanca aromatizuese 20 lekë/litri
22 06 Të tjera pije të fermentuara (p.sh. cider, cider dardhe, hydromel); përzierje të pijeve të fermentuara dhe pijeve jo alkoolike të papërmendura dikut tjetër 20 lekë/litri
22 07 10 00 Alkool etilik jo i denatyruar i një force alkoolike ndaj volumit prej 80% ose më tepër 100 lekë/litri
22 07 20 00 Alkool etilik i danatyruar 0
22 08 Alkool etilik jo i denatyruar i një force alkoolike deri në 80%; pije alkoolike, likerna dhe alkoole të tjera 100 lekë/litri
22 08 20 29 Raki 80 lekë/litri
IV Duhan dhe nënproduktet e tij
24 02 10 00 Puro dhe cigarillos që përmbajnë duhan 2 240 lekë/kg
24 02 20 Cigare që përmbajnë duhan 20 lekë/paketa
24 02 90 Puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani 2 240 lekë/kg
24 03 Duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit, duhan i homogjenizuar ose i rindërtuar, ekstrakte dhe esenca prej duhani 1 500 lekë/kg
V NËNPRODUKTET E NAFTËS
27 10 11 11 deri27 10 11 90përveç27 10 11 1127 10 11 1527 10 11 2127 10 11 3127 10 11 70 Vajra të lehtë (benzinë dhe benzol):- 89,9 oktan ose më pak- mbi 89,9 oktanVajra të lehtaVajra të lehtaSolvent, benzinë e bardhë (white spirit)Benzinë avionëshKarburant jet 30 lekë/litri31 lekë/litri00 5 lekë/kg00
27 10 19 11 deri27 10 19 2927 10 19 21 VajguretKarburant jet, tip vajguri 20 lekë/litri0
27 10 19 31 deri27 10 19 49 Vajra të rënda (gazoil) 50 për qind
27 10 19 51 deri27 10 19 69 Vajra të rënda si lëndë djegëse (lëndë djegëse, solar, mazut) 1 lek për/kg
27 10 19 71 deri27 10 19 99 Vajra lubrifikante dhe vajra të tjera 40 lekë/kg
27 11 12 1927 11 1327 11 12 11 Gaz natyral i lëngëzuar:- për përdorim në automjete- për përdorim në popullsi (për ngrohje) 30 lekë/kg.0
27 12 Graso, xhelatinë nafte, dylle parafine, dylle të tjera hidrokarburesh (graso, valvolinë) 20 lekë/kg
27 13 11 0027 13 12 00 Koks nafte i kalçimuar ose jo 1 lek/kg
27 13 20 00 Bitum nafte 5 lekë/