Si dështoi komploti anglo- amerikan kundër Enver Hoxhës

GJENERALI

Primus registratum
Si dështoi komploti anglo- amerikan kundër Enver Hoxhës

07 mars 2004 - Kur po mbushen 15 vjet nga rrëzimi i Murit të Berlinit, cdo ditë e më tepër, po qartësohen mjaft enigma të atyre 45 viteve, të përplasjes së madhe mes Lindjes dhe Perëndimit. Qeveritë e të dy kampeve, nuk po ngurrojnë të shkundin nga sirtarët dhe dosjet e bodrumeve të nëndheshme të shërbimeve sekrete, pluhurin që kishte mbuluar enigmat më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Një luftë jo vetëm ideologjike, por edhe me skema e kundërskema, komplote, spiunazh, sabotazh dhe përpjekjesh për të prishur balancat e dy botëve, të ndarë artificialisht pas kapitullimit të gjermanisë hitleriane.

E kur disa të vërteta dukej se do të varroseshin bashkë me rënien e regjimeve komuniste, ka qenë kryeministri i Britanisë Toni Bler, ai që vetëm pak orë më parë, ka rihapur "Kutinë e Pandorës" së një kapitulli, për të cilin shqiptarët jo rrallë herë kanë bërë fajtor fuqitë e mëdha, që nuk kishin bërë aq sa duhet, për të na nxjerrë jashtë kampit komunist. Por, Bler pranon se një përpjekje e tillë jo vetëm është bërë seriozisht nga bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, por ajo dështoi, në një mënyrë të tillë që ai e cilësoi si "dështimi i dytë i madh në histori".

Cështë ky plan?

Atëherë kur ende nuk ishin mbushur 3-4 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, SHBA e Britania e Madhe vendosen nëpërmjet shërbimeve të tyre sekrete, të realizonin një komplot për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

"Po. Ka ekzituar një plan i shërbimeve sekrete amerikane, (CIA) dhe atyre britanike, SIS, (më pas MI- 6) kundër qeverisë shqiptare. Një plan për të cilin Sigurimi i Shtetit, është vënë në dijeni nëpërmjet KGB, nga agjenti i saj në Uashington D. C, Kim Filbi",- deklaron ekskluzivisht për "Korrieri", Zylyftar Ramizi, ish shefi i Shërbimit Sekret shqiptar.

Sigurimi i Shtetit u informua në fundin e vitit 1949 për komplotin, nëpërmjet zyrës së tij qëndrore të KGB (Ljubjanka, në Moskë). Një informacion që prej aty është përcjellë me lejën e njerëzve të Stalinit, në Ambasadën e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) në Tiranë. Prej aty, u vu në dijeni Enver Hoxha dhe një grup shumë i ngushtë drejtuesish të Sigurimit të Shtetit. Pas kësaj, u hartua dhe nisi zbatimi i operacionit nën emrin e koduar "Liqeni i Vajkalit", për shkatërrimin e bandave. Një lojë e madhe shërbimesh sekrete, që përfundoi në dhjetorin e 1953, kur edhe u zhvillua një proces i madhë gjyqësor kundër komplotuesve.

Fillimi i kësaj fiaskoje duket se i dedikohet, legjendës së spiunazhit botëror, Kim Filbit, anglezit që u ngjit në maje të shërbimeve sekrete britanike, duke qenë prej 3 dekadash, agjent i shërbimit sekret sovjetik.

Po t'i referohesh Enciklopedisë së Spiunazhit, botuar më 1996 në SHBA, "kur Filbi ishte në Uashington, mësoi rreth përpjekjeve anglo- amerikane për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Sovjetiket, pjesën më të madhe të informacioneve dhe raporteve të Filbit, u'a dërgonin shqiptarëve".

Ky moment, e bën edhe më të qartë, idenë e ekzistencës së një plani të CIA-s dhe MI- 6 britanike, për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Atij plani, që Gabriel Partosh, analist i BBC për Europën Juglindore, e ka cilësuar si "nje nga fiaskot e para të CIA-së pas Luftës së II Botërore. Ideja e së cilës sipas Eilliam Colbit, ish shefit të agjensisë amerikane të zbulimit CIA, "ishte që nëse do të mund të shkëputnin një vend nga blloku lindor, kjo mund të niste procesin e ndarjes së të tjerëve prej tij". Një proces i ngjashëm me lojën e gurëve të dominosë, ku pas të parës, rrëzohen me rradhë gjithë gurtë e renditur pas tij.

MOZAIKU I KOMPLOTIT

Hapja e një pjese të arkivave të CIA-s në vitin 1994, qartësoi se "në vitet 1949- 53, CIA dhe SIS kanë nxitur një kryengritje në Shqipëri, duke dërguar grupe të armatosura emigrantësh antikomunistë". Operacionet ushtarake në terren, përgatiteshin paralelisht me organizimin politik të gjithë faktorëve kryesorë të emigracionit antikomunist. Për këtë u krijua Komiteti "Shqipëria e Lirë", në krye të të cilit u vendos Mid'hat Frashëri.

Sipas Zv/ ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Levin Tomson, "qeveria amerikane ishte e kufizuar në ndihmën që mund t'i jepte Komitetit "Shqipëria e Lirë", ndaj ai do të mbante lidhje me Komitetin "Evropa e Lirë". Ky Konsorcium i financuar nga CIA, deri në rënien e Murit të Berlinit, i dha fonde 164 fondacioneve. Pas shumë vitesh, njeriu kryesorë i ketij Komiteti do të ishte Ronald Regan, Presidenti i ardhshëm republikan i Shtetëve të Bashkuara të Amerikës.

Të gjitha planet për operacione ushtarake dhe organizimin politik të shqiptarëve në emigracion, nisen të zbatoheshin në vitin 1949. Një vit më parë, "CIA dhe MI-6 kishin ngritur në Uashington D.C, zyrën e koordinimit për veprimet e përbashkëta agjenturore, në drejtim të vendeve të lindjes komuniste". Me detyrën e koordinatorit në këtë zyre, u emërua nga ana e qeverisë Britanike, Kim Filbi, i cili ndërkohë ishte një nga superagjentët që punonte për KGB-në.

Po në vitin 1949, përfaqësuesit e Shqipërisë sëbashku me ato të 8 shteteve të tjera, morën pjesë në organizatën politike të quajtur "Asambleja e Kombëve të Robëruar Europiane" (ACEN) me qendër në New York. Një organizëm i përbërë nga krerët e emigracionit të vendeve të lindjes në perëndim. E që synonte organizimin e tyre, kundër regjimeve komuniste.

Lëvizjet në këtë periudhë, filluan edhe brenda Shqipërisë. Disa figura dhe fraksione të vogla antikomuniste, u bashkuan duke krijuar organizatën ilegale "Fronti i Rezistencës". Një organizëm që synonte të krijonte bazat e pritjes së grupeve desante që do të hidheshin në Shqipëri. Koordinimi i punës mes tyre, duket se synonte organizimin e një kryengritje antikomuniste brenda vendit. Zgjerimi i së cilës, mund të qonte në rrëzimin e Enver Hoxhës, dhe zëvendësimin e tij me qeverinë e dalë nga Komiteti "Shqipëria e Lirë".

DOSJA E OPERACIONIT

Ai që hedh dritë më shumë mbi enigmën e ekzistencës së një komploti në fund të viteve '40 dhe fillim të viteve '50, kundër qeverisë komuniste në Shqipëri, është Nikolas Beathels, i cili, në librin e tij "Tradhëtia e madhe",- bazuar në të dhënat e dokumentave autentikë arkivorë të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane,- shkruan: "Qeveritë amerikane dhe britanike, kishin miratuar në parim një operacion të fshehtë me synimin për të shkëputur një vend të Evropës Lindore nga blloku socialist. Për shumë aresye, për realizimin e këtij objektivi, ishte zgjedhur Shqipëria. Ky ishte vendi më i vogël dhe më i dobëti në rradhën e vendeve të tjera socialiste.

Në jug kufizohej nga Greqia, aleate e Britanisë së Madhe dhe SHBA. Teknikisht, Greqia, në bazë të ligjit mbretëror të Luftës së II Botërore, e konsideronte Shqipërinë shtet armik dhe i kishte shpallur asaj luftë (një vendim që formalisht është ende në fuqi?!). Në veri dhe në Lindje kufizohet nga Jugosllavia. Sipas ekspertëve, Marshalli Tito, pas prishjes me bllokun socialist, do mbante një qëndrim neutral për cfarëdolloj ndryshimi që mund të ndodhte në Tiranë. Në këto rrethana, Shqipëria dukej e izoluar dhe me mundësi të mira për t'u penetruar nga ajri dhe nga deti, prej ishullit të Maltës".

Sipas Bethelit, "anglezët dhe amerikanët mbanin kontakte të vazhdueshme me grupet e emigrantëve shqiptarë, të gjithë fraksionet e të cilëve filluan të bashkonin përpjekjet e tyre për cështjen e kundërevolucionit".

Në këtë kohë, në Itali ndodheshin 750 emigrantë, ndërsa në Greqi, 800 shqiptarë të arratisur. "Për të ndihmuar në riorganizimin e emigracionit shqiptar, Qeveria angleze dërgoi në Romë lordin Xhulian Emer". Zv/ Ministri i Luftës në qeverinë e Londrës, pas eksperiencës gjatë luftës në përbërje të misioneve angleze në territorin tonë, konsiderohej si njohës i mirë i Shqipërisë.

Britania vuri në dispozicion të përgatitjes së grupeve desante, ishullin e Maltës, e cila "ishte një bazë e avancuar dhe terren i përshtatshëm për imbarkimet e nevojshme dhe futjen e agjenturave përmes detit dhe ajrit në Shqipëri". Oficerët britanikë Maikell Bruke dhe David Smajli, u morën me përgatitjen speciale të trupave desante. Një grup në përbërjen e të cilit bënte pjesë edhe gruaja e Smajlit, Moy, e cila jepte mësimet e shifrimit të radiokomunikimit.

Ndërsa Amerikanët, morën përsipër pjesën më të madhe të mbështetjes financiare dhe logjistike të operacioneve ushtarake. Si bazë prapavije dhe depo materialesh, ata vunë në dispozicion Aeroportin e Mhelus në Libi. Gjatë 5 viteve, për përgatitjen dhe realizimin e operacioneve desante për rrëzimin e qeverisë komuniste të Hoxhës, anglo- amerikanët angazhuan rreth 100 vetë.

Ndërsa shqiptarët, krijuan për këtë, një Komunitet Kombëtar në krye të së cilit u zgjodh Hasan Dosti, ndërkohë që anglezët kishin si kandidat për udhëheqje, Abaz Kupin". Një nga partizanët e këtij komploti, cilësohet edhe Abaz Ermenji.

Përgatitjet për rrëzimin e qeverisë komuniste, paralelisht me operacionet ushtarake, zhvilloheshin edhe në rrafshin politik. Të gjitha fraksionet politike të organizuara në emigracion, synohej të bashkoheshin, për të nxjerrë në krye të tyre, një figurë të pranueshme për Shqipërinë e asaj kohe, e që përgatitej të zëvendësonte Enver Hoxhën.

Ai u zgjodh të ishte Mid'hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, kreut të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Edhe Ministria e Jashtme shqiptare, në një raport të saj, pranonte në atë kohë se "Zogu ndjek një politikë të tillë, që të detyrojë grupet e tjera të bien në prehërin e tij dhe të ikin nga skena e rëndësisë që mund të kenë sot disa elemente si Mid'hat Frashëri, që konsiderohen si elemente të një kalibri të madhë". Vec kësaj, perëndimi nuk mund të rrezikonte në vitet '50, deri në këtë pikë sa të luftonte për ta zëvendësuar regjimin komunist, me një regjim Monarkist.

"SHQIPËRIA E LIRË"

Qeveria e Tiranës dhe Sigurimi i Shtetit, pas sinjaleve të Kim Filbit, kishin filluar të merrnin masat e duhura. Njëra prej tyre, ishte ajo e 6 shtatorit të vitit 1949. Ndoshta pakkush e mban mend në Shqipëri, atë pasditë, kur dritat u fikën njëherësh në të gjithë vendin. Ky "black out" total, zgjati vetëm 30 minuta, gjatë kohës së transmetimit të edicionit të lajmeve të BBC-së në gjuhën shqipe. Ato minuta, Mid'hat Frashëri lexoi në radio, mesazhin për krijimin e Komitetit "Shqipëria e Lirë".

Dhjetë ditë më parë, më 26 gusht 1949 në Francë, ai i'a kishte dalë me shumë mund të bashkonte më në fund nën cadren e tij, pjesën dërrmuese të partive dhe fraksionëve të emigracionit shqiptar në perëndim. Vec programit dhe qëllimeve të Komitetit, Frashëri prezantoi në Paris, edhe emrat e njerëzve kryesorë që do të punonin me të: Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Muharrem Bajraktari, Sahit Kryeziu, Nuci Kota, etj.

Nga ambasada shqiptare në Francë, shefi i saj Behar Shtylla njoftonte Ministrinë e Jashtme në Tiranë se "AFP dha lajmin e shkurtër dhe të zbutur për krijimin e Komitetit "Shqipëria e Lirë". Gazeta franceze prestigjioze "Le Monde", i dha cuditërisht publicitetin më të madh këtij lajmi duke shkruar se "Fuqitë Perëndimore e pritën me simpati këtë komitet". Kryeministri i Greqisë, Diomedes u shpreh se "po të ketë Shqipëria një regjim të tillë përfaqësues, atëherë jemi gati të bashkëpunojmë ashtu si duhet dhe me qëllime shumë miqësorë".

Por, emigracioni politik shqiptar nuk ishte i gjithi i bashkuar në këtë pikë, pasi skema e komplotit linte në hije ish Mbretin Ahmet Zogu. Kjo shihet qartë po ti referohesh një lajmi të transmetuar pas 4 ditësh nga këto zhvillime, nga agjensia zyrtare franceze e lajmeve AFP. Ajo botoi një deklaratë të Zogut, i cili u shpreh se "nuk e njohim Komitetin "Shqipëria e Lirë". Pas 7 prillit 1939, unë jam i vetmi autoritet legjitim i shqiptarëve".

Por, kjo nuk e pengoi aspak Mid'hat Frashërin të vazhdonte misionin që kishte marrë përsipër. Pas Francës, ai shkoi në Angli. Zv/ Ministri i luftës i qeverisë angleze, Xhuliano Emeri,- njeriu i caktuar për zbatimin konkret të operacionit kundër Shqipërisë,- i këshilloi anëtarët e Komitetit se "ju, ndofta, pritni cdo gjë nga të huajt. Duhet t'i merrni vetë inisiativat. Duhet të tregoni një vullnet në rrugën tuaj, t'i tërhiqni miqtë e mëdhenjë atje ku e lypin interesat e vendit tuaj fisnik".

E pasi përfundoi dhe turin britanik, Mid'hat Frashëri u nis drejt SHBA, për të vendosur në New York, e për të qëndruar në selinë e përhershme të Komitetit "Shqipëria e Lirë".

Takimin e parë në SHBA, krerët e tij, e zhvilluan me Kryetarin e Komitetit "Evropa e Lirë", Xhosef Gree. Ky organizëm i financuar nga CIA, ishte autorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të mbante lidhjet e rregullta me Komitetin e shqiptarëve, i konsideruar "si i pari forum në rolin e një qeverie demokratike në mërgim".

Madje "Amerikanët i kanë njohur Komitetit "Shqipëria e Lirë", edhe të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtarë, në zyre",- thuhej në një raport sekret diplomatik të nisur ato ditë nga New Yorku, drejt Ministrisë së Jashtme në Shqipëri.

"LIQENI I VAJKALIT"

Lëvizjet e perëndimit për të organizuar emigracionin antikomunist shqiptar, nuk kaluan pa u vënë re nga emisarët e Tiranës. Ambasadori Behar Shtylla, nga Parisi njoftoi qeverinë se "Xhuliano Emeri, anglezi që ka qenë gjatë luftës me Bazin e Canës (Abaz Kupin), ka vajtur në Romë për të organizuar kriminelët rreth Zogut dhe mundësisht t'i infiltrojë ata në Shqipëri".

Prej përmbajtjes së këtij mesazhi, më shumë se kaq mësohet se Tirana nuk ishte ende në dijeni të prishjes së Kupit me Zogun në atë kohë dhe për afrimin e tij me Mid'hat Frashërin. Kjo inkoherencë vihet re edhe rreth faktit se Enver Hoxha ende nuk ishte në dijeni në këtë kohë, se Mbreti Zog po mbahej larg planit që synonte rrëzimin e tij dhe shkëputjen e Shqipërisë nga kampi socialist.

Po të vazhdojmë t'i referohemi Nikolas Beathel, "ana ushtarake e operacioneve të këtij plani filloi të zbatohet në tetor 1949 kur grupet e para të agjentëve britanikë të armatosur, zbarkuan në territorin shqiptar". Ndërsa Sigurimi i Shtetit, u vu në dijeni për këtë fakt, nëpërmjet "një prej burimeve të rrjetit sekret shqiptar jashtë vendit, në fundin e vitit 1949 dhe fillim të vitit 1950. Informacionet për grupet e rëndësishme, arritën në mars- prill të vitit 1950".

Intensiteti i bandave diversante që hynin në territorin shqiptar gjatë kësaj kohe, sa vinte dhe po shtohej. Sipas ish shefit të SHIK Irakli Kocollari, "nga fillimi i vitit 1951 deri në fund të '52, në Shqipëri u dërguan ilegalisht përmes kufirit tokësorë, zbarkimit nga deti dhe desantimit nga ajri, 233 grupe të armatosura spiunazhi, në të cilat u aktivizuan 892 vetë".

Më 23 mars 1952, Sigurimi i Shtetit u njoftua se kanalet e tij të zbulimit në New York, Kajro dhe Romë se "... përgatitet një bandë me mision tepër të rëndësishëm dhe sekret, që do të përdoret në drejtim të Shqipërisë me njerëz të përzgjedhur dhe ndër më të besuarit e anglezëve dhe amerikanëve".

Dhe nuk do të kalonte një muaj, kur më 30 prill 1952, Ministria e Brendshme u njoftua për kalimin e kufirit nga një grup diversantësh në zonën e Korcës. Ndërsa më 5 maj, një aeroplan jo larg prej andej, kishte kryer fluturime të ulëta. Pas disa ditësh, më 18 maj, ishte njoftuar për lëvizje ilegale të një grupi, në rrethin e Matit. Ndërsa dokumenta të tjera tregojnë se të nesërmen Ministria e Mbrojtjes shqiptare, kishte njoftuar se "...ishin kapur sinjale të koduara të një transmetimi me radio, gati në verilindje të Shqipërisë".

Në këtë mënyrë ata kishin rënë në gjurmët e bandës së Zenel Shehut. Pas arrestimit të të cilit, Sigurimi nisi një operacion, që më pas mori përmasat e një loje spiunazhi nën emrin e koduar "Liqeni i Vajkalit".

Në këtë kohë, agjensia prestigjioze e lajmeve REUTERS njoftone më 12 maj 1952 se "ekzistenca e regjimit shqiptar tanimë është cështje javësh". Ndërsa më 30 maj AFP lajmëronte së "guerilët po luftojnë me vendosmëri". Radio "Greqia e Lirë" kishte emëtuar më 20 prill lajmin se "në Shqipëri janë formuar njësi të posacme ushtarake të përbëra nga parashutistë grekë dhe emigrantë".

Por operacioni "Liqeni i Vajkalit", në qendër të të cilit ishte një radioloje e Sigurimit të Shtetit, vazhdonte të tërhiqte një e nga një sëbashku, thuajse të gjitha fijet e padukshme të operacioneve ushtarake që përgatiteshin në Maltë, ishullin tjetër Palagia në detin Egje, apo në afërsi të 3 qyteteve të Gjermanisë Perëndimore: Munchen, Heidelberg dhe Frankfurt. I arrestuari Zenel Shehu, njëri prej kapove të bandave shqiptare, i komunikonte qendrës me radio, të gjitha mesazhet e skenarit të Sigurimit të Shtetit. Për rrjedhojë, sipas statistikave, rreth 300 prej atyre që desantuan gjatë kësaj kohe, u vranë në përpjekje me forcat shqiptare të ndjekjes, apo u pushkatuan pas gjyqeve.

Grupi i fundit që zbarkoi në Shqipëri, daton në 1 majin e 1953. Në krye të tij ishte Hamit Matjani, padyshim më i famshmi ndër të gjithë desantët shqiptarë të asaj periudhe. Arrestimi i tij, shënoi edhe fundin e operacioneve ushtarake të drejtuara nga CIA dhe MI-6 kundër qeverisë komuniste të Hoxhës. Edhe Matjani ra në grackën e radiolojes së Sigurimit, e realizuar nëpërmjet ish desantëve të kapur më parë Zenel Shehu e Xhaferr Mema.

Në fundin e vitit 1953, Radio Tirana filloi transmetimin e drejtpërdrejtë të një procesi gjyqësor publik, kundër grupit të agjentëve të stërvitur nga anglo- amerikanët. Pra gjithcka ishte bërë e njohur, duke shkaktuar bujë të madhe dhe duke u botuar cdo ditë në të gjitha gazetat shqiptare të asaj kohe.

DËSHTIMI I PARALAJMERUAR

Sipas ish Drejtorit të CIA-së Eilliam Colby, "operacioni dështoi, sepse autoritetet shqiptare, kishin infiltruar në organizatat e emigrantëve dhe lokalizonin vendodhjen e shumicës së grupeve pothuajse që në kohën kur ata zbarkonin nga deti ose hidhëshin me parashutë".

Tradhëtia e Filbit nuk ishte e vetmja shenjë e rrjedhjes së sekretit rreth operacioneve në Shqipëri. Sipas Shërbimeve Sekrete Perëndimore, kishte rrjedhje informacioni edhe nga ambjentet e Komiteteve të emigracionit shqiptar në Romë, ku personeli i Ambasadës Shqiptare atje ishte shumë aktiv. Po ashtu edhe në Athinë.

Dështimin ndoshta e ka përshpejtuar edhe vdekja e papritur në 3 tetorin e 1949, e kreut të "qeverisë shqiptare në mërgim", Mid'hat Frashëri. Sipas Beathelit, rreth kësaj vdekje ende të mistershme "ekziston edhe një variant i vrasjës (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaceve apo nëpërmjet gazit nga agjentët e KGB-së).

Kim Filbi, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur Mid'hat Frashëri e kolegët e tjerë të Komitetit "Shqipëria e Lirë" ishin atje, mendohet se kishte njoftuar ndërkohë agjentët e KGB-së në New York që të vepronin mbi Mid'hat Frashërin, ashtu sic kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes, si Stepan Bandera, Lev Rebet, Georgi Markov etj. Mid'hat Frashëri u gjend i vdekur sic supozohej nga një atak zemre, atëherë kur Kim Filbi udhëtonte për në New York me anijen "Coronia".

Sipas Gabriel Partosh "një nga mësimet e nxjerra nga fiaskoja shqiptare e CIA-së, ishte konkluzioni i vyer se të kalojë thjesht nga frenimi- nga ndihma që u jepej regjimeve perëndimore për të mbijetuar- të zbrapsja e komunizmit, njëra nga slloganet amerikane të viteve '50, ishte dicka tejet e vështirë".

Por ekziston edhe një tezë e fundit për shkaqet e "fiaskos së CIA dhe MI- 6", për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri. Për Reginald Hibbert,- ish oficer i misioneve angleze në Shqipëri gjatë luftës,- "ishte një shpresë e humbur të mendojë se pasuesit e mërguar të nacionalistëve, të cilët kishin dështuar më 1944, do të mundnin, pasi të stërviteshin nga Smajli dhe të depërtonin në Shqipëri, të ishin në gjendje të ngrinin njerëz kundër sundimit të hekurt të Partisë Komuniste Shqiptare, pas 6 vjetësh dhunë sociale drakoniane".

Po t'i referohesh fjalimit të fundit të Kryeministrit britanik Toni Bler (i mbajtur në shkurt 2004), "nuk është hera e parë që organet inteligjente britanike dhe ato të CIA-së amerikane, bashkëpunojnë në operacione tepër sekrete. Në vitin 1948, vetëm një vit para fillimit të zbatimit në terren të operacionit komplotist për rrëzimin e Enver Hoxhës, CIA ka shpërndarë shuma të mëdha parash për të financuar zgjedhjet në vendin fqinj. Por, në Shqipëri ishte hera e parë që infiltroheshin sabotatorët e armatosur pa miratimin e Kongresit Amerikan e Presidentit të asaj kohe Herri Truman dhe parlamentit britanik e Kryeministrit Klement Atli,- tha Toni Bler duke shtuar se "ashtu si Kim Filmi, një nga kokat e spiunazhit ndërkombëtarë, ka ende të tjerë".
 
Top