Re: Shtyhet statusi i Kosoves
Asnjë qeveri serbe s‘mund ta pengojë pavarësinë e Kosovës
William D. Montgomery
Serbia ndodhet mes dy dramave politike të ndërlidhura mes vetes. E para, është beteja për ta penguar pavarësinë e Kosovës. E dyta, janë zgjedhjet parlamentare të 21 janarit 2007 dhe ato presidenciale të parashikuara për një datë të mëvonshme (besohet në maj). Rezultati i këtyre zgjedhjeve pritet të përcaktojë edhe kursin e Serbisë për vitet e ardhshme. Në janar 2003, vetëm dy muaj para se të vritej Kryeministri Gjingjiç, nisi një iniciativë të shpejtë për Kosovën, që bashkësia ndërkombëtare nuk e kuptoi sa duhet dhe e priti keq. Meqë ishte e përgatitur dhe e pakoordinuar mirë me përpjekjet diplomatike të Serbisë (nuk kishte vizita të nivelit të lartë në kryeqytete për të kërkuar mbështetje), kjo iniciativë shkoi bosh dhe vetëm sa mbeti e shënuar në histori. Por, shkaku i kësaj iniciative ishte aftësia e Gjingjiç për të shikuar përpara dhe për ta parashikuar saktë atë që po ndodh tani, me të gjitha pasojat në skenën politike. Ai shpresoi se do t‘ia dilte të ndërtonte një proces dhe të arrinte zgjidhje të tjera, të pranueshme për Serbinë. Në realitet, fati i Kosovës është vendosur atëherë kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u dëbuan në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, si pasojë e aksionit që ndërmori qeveria e Millosheviçit, në vitin 1999. Pamjet e refugjatëve i mundësuan NATO-s mbajtjen e kohezionit për vazhdimin e fushatës së bombardimeve dhe për të bindur shumicën e liderëve botërorë që të krijonin opinionin publik, se Kosova duhet të jetë e pavarur. Ky mendim u betonua aq fort, sa nuk u vu asnjëherë në dyshim më pas, madje as nuk u diskutuan alternativa të tjera. Është shumë fatkeq fakti, që bashkësia ndërkombëtare, pasi u përcaktua për të ardhmen e Kosovës, zgjodhi vonesën e nuk e zbatoi menjëherë atë. Thjesht, do të ishte më e lehtë atëherë, duke pasur parasysh presionin e fushatës së bombardimeve dhe pasojat që sollën NATO e KB dhe marrëdhëniet me Rusinë. Tani të gjithë paguajmë çmimin e lartë të kësaj shtyrje. Në vend që Millosheviçi të ishte përgjegjësi i qartë për humbjen, ngarkohen demokratë që erdhën në pushtet në Serbi, që të përpiqen të bëjnë çfarë është e mundur për ta "shpëtuar" Kosovën. Ky ka qenë njëri ndër faktorët e rëndësishëm të destabilitetit dhe katalizatori i nacionalizmit në gjithë periudhën pas Millosheviç. Cilado qeveri serbe nuk mund të bëjë asgjë për të penguar pavarësinë e Kosovës. Paraja që harxhohet në kompanitë e lobimit në momentin e fundit në Uashington e Bruksel, është e dobishme vetëm për ta shënuar në histori, se qeveria serbe bëri gjithçka që ishte e mundur, për ta penguar humbjen e Kosovës. Dhe është gati e sigurt, se radikalët do ta fajësojnë qeverinë dhe Presidentin e tanishëm, se ata në fund të fundit e kanë humbur Kosovën. Grupi i Kontaktit (GK) i kryesuar nga SHBA, i ka dhënë të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, detyrën e qartë, që deri në fund të vitit, duhet të propozojë një zgjidhje për statusin e Kosovës. Ai dhe zyrtarë të tjerë të Grupit të Kontaktit, kanë vazhduar publikisht t‘i hedhin themelet për vendimin, brenda këtij kuadri kohor. Këtu u përfshinë disa paralajmërime për të gjithë liderët serbë, që nisur nga pikëpamja e rezultatit, ta përgatisin popullin serb në mënyrë të përgjegjshme. Për shkak të rrethanave politike serbe, por dhe vetëdijes, se si do të kujtohen ata nga historia, asnjë prej liderëve seriozë politikë serbë, nuk do të jetë bashkëpunues për këtë çështje. Në vend të kësaj, ata e kanë përkeqësuar situatën në thelb, duke shpallur rëndësinë e tyre me "luftën" e vet. Kjo ka çuar në rritjen serioze të ndjesive nacionaliste, kur vendimi për pavarësinë të miratohet (edhe pse i kushtëzuar dhe i maskuar). Vështirë të provohet, por SHBA dhe BE, prej disa muajsh, kanë filluar të mendojnë seriozisht për ndikimin që do të ketë vendimi i statusit të Kosovës mbi Serbinë. Sa më shumë e shikon skenën politike serbe dhe forcën e partive nacionaliste, siç janë radikalët, aq më shumë situata duket shqetësuese. SHBA dhe BE e kanë zhvilluar strategjinë në dy pjesë: Kanë nxitur zgjedhje të parakohshme në Serbi këtë vit, para vendimit për Kosovën dhe kanë kërkuar "karotën e mundshme", që do t‘ia jepnin Serbisë, si një lloj shpërblimi për humbjen e Kosovës. Deklarata e paradokohshme e BE, se do të bëjë studimin për të parë mundësinë e lehtësimit të kufizimeve për vizat, për vendet e rajonit, është një shembull i kësaj "karote". Në ditët që do vijnë, do të ketë dhe të tjera. Llogaria me zgjedhjet e parakohshme u bë, nga njëra anë, që zemërimi pas shtyrjes të vendimit për Kosovën, të mos shkojë për forcimin e radikalëve, ndërsa nga ana tjetër, ndonjë qeveri e pritshme, me mandat katërvjeçar të ketë forcën dhe qëndrueshmërinë e mjaftueshme, për të përballuar presionin e nacionalistëve. Kjo lojë me kohën, megjithatë, ka dhe disa të meta serioze. Para së gjithash, kjo ka tronditur kredibilitetin e Marti Ahtisarit dhe ka bërë që ai më shumë se kushdo të ngjaj me një "kukull". Atij i është dashur të befasohet dhe të nisë kursin për të mbështetur shtyrjen e deklarimit të vendimit. Së dyti, me që ka qenë veprim kaq i dukshëm, partitë politike në Serbi u përgjigjën me shtyrjen e kohës së zgjedhjeve për disa muaj. Zgjedhjet presidenciale, është e qartë se do të mbahen pasi të jetë shpallur vendimi për Kosovën, gjë që do të kërcënojë planet e Presidentit Tadiç për këtë post. Përveç kësaj, zgjedhjet parlamentare të 21 janarit, janë vetëm fillimi i një vargu bisedimesh të zgjatura mes partnereve potencialë për koalicion.
Është mjaft e mundshme, që ato bisedime ose nuk do të përfundojnë para vendimit për Kosovën, ose qeveria e re që në ditët e para të saj, do të përballet me "cunamin" e protestave të idhnimit e presionit për humbjen e Kosovës. Përfundimisht, shtyrja e deklarimit të vendimit për Kosovën, u ofron serbëve pritjen joreale, se vendimi për Kosovën mund të ndryshojë dhe po i njëjti shkak, shqetëson dhe shqiptarët e Kosovës. Në këtë moment është e pamundur të thuhet, se cili do të jetë reagimi i Serbisë zyrtare ndaj vendimit për Kosovën; se cili do të jetë ndikimi i saj mbi zgjedhësit për të dalë në votime, dhe çfarë koalicioni qeveritar do të kemi në fund të procesit? Është e qartë, se çdo qeveri serbe do të jetë nën presionin intensive, që të ndërmarrë masa kundërshtuese e agresive për të treguar mospajtimin e saj radikal me vendimin. Kjo, besohet se do të ketë ndikim negativ në tranzicionin demokratik të Serbisë dhe në procesin e integrimit me BE-në. Rezultati i zgjedhjeve do të varet nga një numër faktorësh të ndërlidhur. Para së gjithash, dalja e dobët e zgjedhësve në referendum, tregon shkallën e lartë të apatisë së zgjedhësve serbë. Nëse përsëritet, kjo mund të shkojë në dobi të partisë radikale. Përgjithësisht, nuk mendohet se radikalët së bashku me socialistët, mund të marrin shumicën në parlament dhe mundësinë për të formuar qeveri koalicioni. Së dyti, ka një numër partish, që edhe në këtë moment kanë pozicione të dobëta. Mes tyre janë G17 Plus (Mllagjan Dinkiç), LDP (Çedo Jovanoviç, SPO (Vuk Drashkoviç) dhe partia e Bogolub Kariqit. Në varësi nga marrja ose jo e 5% të votuesve, ato mund të luajnë rol vendimtar në formimin e cilitdo koalicion. Nëse nuk ia dalin, votat e tyre do të humbin dhe nga kjo do të kenë dobi partitë që e kalojnë këtë prag. Përfituesit më të mëdhenj do të jenë partitë që dalin më mirë, që do të thotë se janë radikalët. Së treti, dy forcat e mëdha "demokratike", Partia Demokratike e Boris Tadiçit e Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës, duhet të bashkëpunojnë, nëse duan që radikalët të mos vijnë në pushtet. Por marrëdhëniet e tyre në këto 15 vite kanë qenë të tensionuara. Të dyja shpresojnë se në bisedimet për koalicionin, do të hyjnë si forcë kryesore. Prandaj DSS është afër pranimit në koalicionit parazgjedhor të mjaft partive të ndryshme, mes të cilave edhe elementëve të ikur nga partia e Vuk Drashkoviçit, partia e Velimir Iliçit dhe Partia e Bashkimit Serb, që e pati themeluar Arkani. Në çdo rast, bisedimet për cilindo koalicion qeverisës paszgjedhor, do të jenë të vështira, të gjata e ndoshta të pasuksesshme. DSS duket se do të zhvillojë një fushatë pazari, duke e ditur se edhe partitë e tjera të spektrit politik, po ashtu kanë oferta tërheqëse.
*Ish-ambasador i SHBA-ve në Beograd
(Marrë nga Gazeta "Danas", përgatiti Ardit Shehu)