Shqiptarët në Tetovë mësojnë maqedonisht

Shqiptarët në Tetovë mësojnë maqedonisht

TETOVA-300x179.jpg
Shkurtimi i paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë, ka detyruar prindërit shqiptarë që fëmijët e tyre ti regjistrojnë në paralelet maqedonase të kësaj shkolle. Kjo dukuri është konfirmuar nga zëvendësdrejtoresha e shkollës, Svetllana Ristevksa, e cila thotë se kjo është hera e parë që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën maqedonase. Regjistrimi i nxënësve shqiptarë në paralelet maqedonase konfirmohet edhe nga Këshilli i prindërve të nxënësve shqiptarë, të cilët gati dy javë janë në protesta për hapjen e paralele të reja shqipe për regjistrimin e fëmijëve të tyre. “Nga frika se mos ngelin rrugëve fëmijët 24 prindër kanë vendosur që fëmijët t’i sistemojnë në paralelet ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Është vendim i prindërve, të cilët në rast të gjetjes së ndonjë zgjidhje nga ana e shkollës, komunës dhe MASH-it, atëherë me siguri se fëmijët do të kthehen në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Tash për tash ata mësimin e ndjekin me nxënësit maqedonas”, thotë Muharem Ramadani nga Këshilli i prindërve, fëmijët e të cilëve ndodhen jashtë bankave të Mjekësisë. Zëvendësdrejtoresha e shkollës, Svetllana Ristevska, ka njoftuar se në vitin e parë funksionojnë 5 paralele në gjuhën maqedonase. “Në paralelen e I-1 ka 5 nxënës shqiptarë, në të I-2 ka 3 nxënës shqiptarë, në të I-3 ka 12 nxënës shqiptarë dhe në të I-5 ka 2 nxënës shqiptarë. Numri i përgjithshëm është 22 nxënës shqiptarë që janë regjistruar në paralelet maqedonase. Prindërit kanë vendosur që fëmijët e tyre t’i sjellin në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase me siguri shkaku i mos pasjes së vendeve të lira në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Detyra jonë ka qenë sistemimi i tyre”, tha Rsitevska. Regjistrimi i nxënësve shqiptarë në paralelet maqedonase ka filluar pasi është mbushur numri i nxënësve në këtë shkollë, ndërsa prindërit e këtyre fëmijëve nuk flasin haptas për këtë çështje. Kjo është konfirmuar edhe nga autoritetet e shkollës së Mesme medicinale në Tetovë, sipas të cilëve kjo është një zgjedhje e përkohshme e prindërve shqiptarë. Ndërsa juristja shkollës, Gëzime Ganiu, shprehet se shifra e 18 paraleleve në konkursin e muajit maj për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme nga ana e MASH ishte e imponuar edhe përkundër kërkesës së shkollës që të hapen 23 paralele, aq sa kishte pasur edhe vitin shkollor vitin e kaluar. “Përgjigja e MASH-it apo sqarimi i tyre ishte se në bazë të një statistike të kësaj ministrie, suksesi i nxënësve në shkollat profesionale ka rënë dhe me këtë drejtim kanë zvogëluar numrin e nxënësve në këto shkolla që nxënësit të drejtohen në shkollat e mesme tjera”, tha Ganiu. Sipas saj, në konkurs nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë ndarë 18 paralele, edhe atë 12 me mësim në gjuhën shqipe, pesë me mësim në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën turke. Ky shkurtim i paraleleve bëri që afër 180 nxënës të ngelin jashtë bankave shkollore. Prindërit të revoltuar nga ky vendim organizuan protesta duke kërkuar nga MASH që të lejojë hapjen e pesë paraleleve që do të sistemonte të gjithë nxënësit në shkollën e Mesme të Mjekësisë në Tetovë. Ndërkaq, protestat e prindërve do të vazhdojnë pas Festës së Bajramit, kurse Këshilli është shprehur i vendosur deri në rikthimin e 5 paraleleve nga viti i kaluar.</p>


KOHA</p>

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=22582. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=22582
 
Top