Shqiptarët në Maqedoni, mes Shkupit dhe Beogradit

Shqiptarët në Maqedoni, mes Shkupit dhe Beogradit

Përpjekjet e pushtuesve sllavë për të zhdukur çdo gjurmë të shqiptarëve nga trojet e tyre historike në Shqipërinë Lindore

(Vijon nga numri i kaluar)

Kur përgatitej marrëveshja midis Serbisë dhe Bullgarisë për ndarjen e tokave të Perandorisë Turke, ata nuk ranë dakord për ndarjen e tokave të Shqipërisë Lindore dhe në shtojcën sekrete e lanë të hapur këtë problem, ku vendimin përfundimtar, për caktimin e kufirit serbo-bullgar mbas lufte, do ta merrte Cari i Rusisë!

Kështu, ata pranonin se këto janë toka nuk i përkisnin sllavëve, përkatësisht serbëve, bullgarëve apo maqedonasve, por pavarësisht nga kjo, ata luftonin për krijimin e Serbisë së Madhe (sipas Naçertanies së Garashaninit) e të Bullgarisë së Madhe (sipas Shën Stefanit).

Që këto ishin toka shqiptare, me popullsi dominuese shqiptare, flasin shumë materiale e dokumente, të paktën që në mesjetën e hershme (regjistra kadastralë, dokumente të Raguzës, Vatikanit etj.). Këtë e kanë pranuar edhe disa shkencëtarë sllavë, përfshirë edhe jugosllavë, pa folur për ata evropianë.

Që me pushtimin këtyre tokave, dhe përcaktimin padrejtësisht të kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, pushtuesi serb vendosi një regjim të paparë dhune e shtypjeje, me qëllim zhdukjen e çdo gjurme shqiptare. Në qoftë se për Beogradin maqedonasit ishin popullsi e kategorisë së dytë apo të tretë, shqiptarët nuk hynin në asnjë kategori.

Ata duheshin zhdukur, pavarësisht nga mënyrat e rrugët, qoftë nëpërmjet eliminimit fizik, qoftë nëpërmjet asimilimit apo qoftë nëpërmjet përzënies në vendet tjera, e në radhë të parë në Turqi. Dokumentet e asaj kohe flasin për masa e krime të padëgjuara. Në v. 1914, Beogradi nxori ligjin për shpërnguljen e shqiptarëve, çka solli zhdukjen e fshatrave të tëra shqiptare.

Në v. 1920 shpalli “Obznanën” (Ndalesën), ndërsa në v. 1921 nxori ligjin për mbrojtjen e shtetit, sipas të cilit, shqiptarët mund të vriteshin pa asnjë procedurë gjyqësore. Sipas të dhënave të një gazetari danez, vetëm gjatë v. 1921, në zonën midis Shkupit e Kumanovës janë vrarë rreth 3000 shqiptarë.

Nëpërmjet ligjeve kolonizuese të viteve 1920 dhe 1931 që kishin si qëllim, në radhë të parë shpronësimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve, u sollën në krahinën e Pollogut, në fushën e Shkupit etj.

Me mijëra kolonë sllavë dhe një pjesë të tyre i vendosën në kufirin midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi u bë rruga më e përshtatshme për zhdukjen e çdo gjëje shqiptare nga Maqedonia. Pa u zgjatur me shembuj e shifra do të përmend shkurtimisht platformën famëkeqe të Çubrilloviçit, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Maqedonia.

Ai, që para Luftës së Dytë Botërore, duke u marrë për “bllokun shqiptar” (siç e quante ai popullsinë shqiptare në pjesën perëndimore të Maqedonisë), shkruante se që në shek. IX, ai, (blloku shqiptar), ka qenë pengesë e pakapërcyeshme për invazionet serbe drejt Jugut (indirekt ai pohonte praninë e shqiptarëve në këto territore që në ato kohë) duke u bërë pengesa kryesore për krijimin e vazhdimësisë serbo-maqedonase, dhe më poshtë vazhdonte :

“Nga pikëpamja etnike, maqedonasit do të afrohen plotësisht me ne, vetëm atëherë kur të kenë mbështetjen e plotë etnike në tokën amtare serbe, të cilën ai nuk e ka pasur deri më sot.

Ne do ta arrijmë këtë vetëm nëpërmjet shkatërrimit të bllokut shqiptar” dhe më poshtë vazhdonte “E përsërisim, se ky problem do të zgjidhet vetëm atëherë, kur kolonët tanë, të zbritur nga veriu, nëpërmjet Kosovës dhe Metohisë, në drejtim të maleve të Sharrit dhe Pollogut, do të takohen me kolonët maqedonas”.

Ky ideolog i shfarosjes së shqiptarëve, në përfundim të luftës, në nëntor të v. 1944 i shkruante Titos, Kardelit dhe Gjilasit, dhe i propozonte një variant të ri për ndryshimin e përbërjes së popullsisë së tokave shqiptare, ku ndërmjet të tjerave shkruante: “Kosova, Metohia dhe rajonet e tjera shqiptare kanë zënë gjithmonë pozicione kyçe në Ballkan.

Të ndodhura në pjesën qendrore të Ballkanit, këto rajone e ndajnë Malin e Zi nga Serbia dhe të dyja nga Maqedonia. Këto toka të Jugosllavisë Federative nuk kanë lidhje të sigurt mes tyre, derisa të mos kenë një kufi të përbashkët etnik”. Pra, thënë shqip, deri sa mos të “shporren” shqiptarët (siç e kishte formuluar ai “që shteti duhet të harxhojë miliona për të shporrur shqiptarët”).

Dhe metodat që propozonte ai janë të pabesueshme, që nga gjobat (deri për mbajtjen e qenve të zgjidhur), prishja e varrezave, eliminimi fizik, deri tek armatosja e kolonëve dhe djegia e fshatrave shqiptare. Dhe patjetër, sipas tij, shpërngulja më të mirë e me dhunë e shqiptarëve.

Pavarësisht nëse Tito e shokët ë tij kishin nevojë për këshillat e Çubriloviçit, ai u bë ministër, akademik etj nga Tito e shtabi i tij. (Interesant është fakti se në v. 1976 Akademia e Shkencave të Bashkimit Sovjetik e ka pranuar Çubrilloviçin anëtar të saj.)

Duke u kthyer në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, dua të vë në dukje një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë. Pavarësisht se Hitleri, i kishte premtuar bullgarëve ndihmën e tij për realizimin e “idealeve kombëtare”, ai, sipas Sofjes zyrtare “nuk e mbajti plotësisht premtimin”, pasi nuk e pranoi tezën e ekzistencës së kombit bullgar në të gjithë territorin e Maqedonisë Vardare.

Kështu në takimin e Vjenës më 21-22 prill 1941, në mes fon Ribentropit dhe kontit Çiano, u përfundua marrëveshja për ndarjen e Jugosllavisë dhe u vendos që një pjesë e mirë e Shqipërisë Lindore, me qytetet Strugë, Gostivar, Kërçovë, Tetovë, Dibër, krahina e Prespës etj. t’i jepeshin Shqipërisë së pushtuar nga Italia.

Sigurisht, që ndarja e kufirit bullgaro-shqiptar (italian) nuk kënaqte asnjërën palë, as Italinë as Bullgarinë. Italianët pretendonin se i janë dhënë Bullgarisë toka shqiptare të banuara nga shqiptarë, ndërsa bullgarët pretendonin Bullgarinë e Shën Stefanit, që do t’i çonte kufijtë e saj deri në thellësi të tokave shqiptare.

Dhe si u zhvilluan ngjarjet, ndarja e kufijve në këtë mënyrë solli shumë probleme, konflikte e deri përleshje të armatosura.

Megjithatë, për kompensim, më vonë Hitleri e lejoi Bullgarinë që të pushtonte një pjesë të Kosovës, e konkretisht rajonin e Gjilanit, Vitinë, Kaçanikun, e më vonë, edhe rajonet e Llapit, Mitrovicës, dhe Vuçiternit.

Tërheq vëmendjen fakti se mbas futjes së Maqedonisë Vardare nën juridiksionin bullgar, Komiteti Krahinor i PK Jugosllave për Maqedoninë, u shkëput nga PK Jugosllave dhe u bashkua me PK Bullgare.

Por, pjesërisht, pasi ky komitet respektoi parimin etnik dhe kufirin e vendosur midis Bullgarisë dhe Shqipërisë (Italisë) dhe kërkoi që pjesa tjetër e komitetit të bashkohej me lëvizjen komuniste të Shqipërisë.

Por, njësoj si Sofja zyrtare, që nuk e njihte këtë pjesë të Shqipërisë Lindore edhe PK Jugosllave me në krye Titon, jo vetëm që nuk i njihte si të tillë, por kur po vendosej për krijimin e Republikës së Maqedonisë (pa mbaruar ende lufta në 2 gusht 1944 ajo konstituoi Maqedoninë si njësi federative), jo vetëm që nuk u pyetën shqiptarët, por as nuk u vunë në dijeni për çka përgatitej.

Dhe ç’është më e keqja, pikërisht këtu filloi ndarja e shqiptarëve të Maqedonisë nga vëllezërit e tyre në Kosovë e më gjerë. Parimi federativ, mbi bazën e të cilit gjoja jugosllavët krijuan shtetin e ri, nuk u zbatua vetëm për shqiptarët.

Ata u ndanë në mes të Serbisë (Kosova dhe Presheva, Bujanovci e Medvegja), Maqedonisë dhe Malit të Zi, që është vendimi më antishqiptar dhe dëmi më i madh që i është bërë kombit shqiptar mbas asaj masakre që Konferenca e Londrës bëri me tokat e popullsinë shqiptare.

Duke i ndarë shqiptarët në katër pjesë, udhëheqja jugosllave ndiqte shumë qëllime, e në radhë të parë, duke ndërprerë vazhdimësinë territoriale-administrative, ajo do ta kishte më të lehtë të zbatonte planet shkombëtarizuese e kolonizuese.

Po ashtu, do ta kishte më të lehtë për “ti bërë zap” shqiptarët. Ndarja e shqiptarëve në atë mënyrë solli si pasojë që edhe sot, mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një pjesë e tokave shqiptare me popullsi dominuese shqiptare, mbetën jashtë kufijve të shteteve të pavarura shqiptare.

Mbas krijimit të Republikës së Maqedonisë, shqiptarët mbetën përsëri pjesa më e shtypur dhe më e dhunuar në të gjithë ish Jugosllavinë.

Tani shtypja e presioni ishte i dyfishtë, nga njëra anë Beogradi mbi Shkupin dhe të dy së bashku mbi shqiptarët. Përsëri e njëjta politikë si para lufte, pavarësisht se më e rafinuar. Po të marrim p.sh. fushën e arsimit. Politika e ndjekur nga Beogradi e Shkupi, në këtë fushë flet shumë qartë. Shifrat janë të pabesueshme.

Në Maqedoni, deri në mesin e viteve 90-të, asnjëherë nuk ka pas shkollë të mirëfilltë shqiptare, por vetëm shkolla maqedonase me paralele në gjuhën shqipe. Kështu në vitet e para, mbas lufte, nga 9336 nxënës maqedonas që kishte në shkollat e mesme ne të gjithë Maqedoninë, vetëm 27 prej tyre ishin shqiptarë.

Ose në gjimnazet maqedonase të Dibrës, Gostivarit, Kumanovës e të Kërçovës, vetëm në vitet ‘60-të u hapën paralele për mësim në gjuhën shqipe.

Edhe një farë rritjeje që u bë në fund të viteve ‘70-të e në fillim të viteve ‘80-të, duke futur paralele me mësim në gjuhën shqipe në 29 shkolla të mesme maqedonase, në kuadrin e masave të marra nga Beogradi e Shkupi, në zbatim të projekteve të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë, duke përdorur metoda e masa nga më brutalet edhe ato paralele të mësimit të gjuhës shqipe, u ulën në mënyrë të ndjeshme.

Madje, duke u përpjekur për eliminimin e tyre që në klasën e parë fillore, u arrit deri aty sa në 99 shkolla të arsimit të mesëm maqedonas, vetëm në pesë prej tyre u lejuan klasa paralele me mësim në gjuhën shqipe.

Mbas vitit 1990, përsëri ka vazhduar e njëjta gjendje. Kështu në vitin shkollor 1992-1993 nxënësit shqiptarë përbënin vetëm 7.7 për qind të numrit të përgjithshëm (po të llogaritet se numri i grupmoshave të nxënësve shqiptarë në përqindje ishte shumë më madh se ai i maqedonasve, atëherë diferenca rritet shumë më tepër).

Ose nga 22994 studentë të regjistruar në Universitetin e Shkupit në v. 1990 – 1991, vetëm 336 prej tyre ishin shqiptarë. Shifrat nuk kanë nevojë për komente.

Njësoj si para lufte, problemi kryesor për Beogradin e Shkupin ka qenë prania e popullsisë shqiptare në Maqedoni, të cilën donin ta përdornin si vend eksperimental për uljen e numrit të kësaj popullsie, mundësisht deri në zhdukjen e plotë të saj.

Format e rrugët për arritjen e kësaj kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mohimi i kombësisë, presionet e deri te dhuna për uljen e numrit të lindjeve, asimilimi, shpërnguljet masive, falsifikimet e shifrave etj.(Shekulli)

T7VAnI89eQg

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24004. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24004

Top