Shqipëria e ’35-s në shënimet e gazetarit suedez

Holland2010

Forumium maestatis
Nga Alma Mile
Marrë nga Gazeta Panorama
Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1936, ai kishte dëgjuar se Shqipëria ishte një vend i humbur kusarësh. Kur sosi në portin e Durrësit, kur u përball me atë panoramë malesh ngjyrë hiri, priste t’i dilnin para edhe ca njerëz të çuditshëm me kapele piratësh.Njerëz të çuditshëm pa me siguri, por as piratë e as kusarë. Pa njerëz të veshur varfër, por që ngisnin makina luksoze, të sjellshëm dhe me masë, tepër mikpritës, madje në çdo rast të nxirrnin përpara tabakanë me kafe të nxehtë. Sven Auren (1906-1985), gazetar dhe shkrimtar i njohur suedez, autor i 55 librave, ka pasur mundësinë të shëtisë shumë vende të botës. Në vitin 1935, pasi kishte marrë shumë këshilla që të mos e merrte atë rrugëtim, erdhi në Shqipëri dhe vizitoi një sërë qytetesh, që nga Durrësi ku mbërriti së pari, Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Krujën, Vlorën, Sarandën e Gjirokastrën. Si një gazetar e shkrimtar, nuk mund të mos mbante shënime, të cilat na vijnë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Botimet Enciklopedike”. Këtë përmbledhje shënimesh, por edhe analizash, Auren e titulloi “Shqipëria, Orienti i Evropës”. Një libër i shkruar bukur, me një sens të hollë ironik, por edhe me shumë dashuri. Suedezi, të cilin nuk e lidhte asgjë me Shqipërinë, i jep Çezarit atë që është e Çezarit. Nuk kursehet duke përshkruar mizerjen e qyteteve shqiptare, mënyrën orientale të të jetuarit, por, nga ana tjetër, nuk mund të mos ngrejë lart vlerat e shqiptarëve, si njerëz të rrallë, të pritur, me sqimë, krenarë. Sipas tij, edhe një shqiptar i veshur keq është krejt tjetër gjë nga një leckaman italian, apo francez.. Libri i Aurenit na sjell dëshmi të mrekullueshme nga Shqipëria e fillim shekullit XX, na ofron panorama, rrugë, ndërtesa, të cilat nuk ekzistojnë më. Gjithçka e përshkruar në detaje dhe të duket se ajo që shkruhet, t’i mund ta shohësh. Teksa ka qëndruar në Tiranë, Aureni ka vizituar shtëpinë e mbretit Zog dhe na ofron imtësisht mënyrën sesi ajo ishte mobiluar. I ndodhur gjatë një kohe zije në Shqipëri, pas vdekjes së nënës mbretëreshë, pas informacioneve dhe deduksioneve, gazetari na bën me dije edhe mbi ndikimin që nëna mbretëreshë kishte pasur mbi të birin, Ahmet Zogun, i cili asokohe vazhdonte të mos e kishte marrë veten nga vdekja e së ëmës.
Pjesë nga libri
Siç e kam zakon, përpara se të ndërmerrja një udhëtim, pyeta shumë njerëz nga profesione dhe interesa nga më të ndryshmet. Për të gjithë ata, Shqipëria “ishte një vend kusarësh, diku në një cep të Evropës, që nuk e dinin mirë se ku…”. Ky vend u dukej të gjithëve si diçka e zymtë, e dyshimtë, pa rëndësi. Pa kufij të përcaktuar, pa organizim, pa informacion. Kishte vetëm një informacion “quasi romantico” për ca krime sipas zakoneve të lashta dhe thuajse kurrfarë interesi për vendin në përgjithësi. Përkrah Xhon Bullit dhe Daj Samit, ky komb i panjohur dukej si një bandit morracak i tipit të vjetër…
Durrësi
Asnjëherë nuk u jam ngjitur shkallëve kaq shpejt, si sot. Me kollaren në njërën dorë dhe jakën në tjetrën, sulem nëpër shkallë dhe dal në kuvertë, por në anën e gabuar… kam ende veçse një det blu monoton përpara meje. Por, ndërsa nxitoj nëpër sallonin e duhanit që të dal në anën e kundërt të anijes, qëndroj i shtangur. Përballë meje, në anën tjetër të sallonit, nëpër kornizën e ngushtë të derës së hapur, befas më shfaqet piktura e natyrës shqiptare, e paimagjinueshme, mahnitëse. Katër vargmale të zhveshura, me nuanca bojëhiri të ndryshme. Në fund të panoramës, shkëmbinj kryeneçë me formacione të çrregullta në gri të murrme; male kusarësh dhe aventurierësh, më të egra dhe më romantike nga sa kisha mundur të ëndërroja ndonjëherë. Dhe dy shpate të buta bojëhiri të çelët, më tutje dy linja të gjata, në një nuancë të hapët…
Poshtë meje shtrihej qyteti i Durrësit, me shtëpi të thjeshta dykatëshe e një mori çatish primitive. Në skajin tjetër të qytetit, një xhami ngre si me kujdes dhe ndrojë, një shtizë minareje që duket sikur i vjen turp të drejtojë gishtin e vet tregues për thirrje drejt qiellit, në këtë cep të botës Perëndimore. Në të djathtë, shëtitorja anash detit kalon nëpër një plazh të bukur pa mbarim; rërë e bardhë deti, një plazh magjepsës; pa hotele, pa kabina, pa plazhistë. Në anën e majtë të qytetit me zor janë ngjitur shtëpitë deri në gjysmë të rrugës. Në atë breg të madh vetëm një banesë ka arritur të ngjitet deri në majë të kodrës, një si pallat apo si vilë me ngjyrë tjegulle të kuqe. Taraca të mrekullueshme rrethojnë ndërtesën. Në majë të mureve shihen shandanë pompozë. Nëse kjo është një banesë private, i zoti shijuaka një peizazh përrallor; përballë ka vargmalet, dëborën e alpeve, ndërsa ai vetë qëndron mbi detin Adriatik, nga ku mund të shohë lundrimin e anijeve drejt botëve të panjohura. Ai paska një shtëpi, për të cilën duhet të ndihet krenar, një kështjellë në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Një banesë ideale, për një eremit të pasur…
Besoj se qe Pukëvili ai që e quajti Shqipërinë, Zvicër të Ballkanit, por përshtypja e përgjithshme në Evropë është se me atë vlerësim aq të lartë, ai udhëtar i famshëm thjesht ka dashur t’i bënte Shqipërisë një kompliment. Por, s’paskësh qenë ashtu… Në të vërtetë, kjo natyrë nuk ka asgjë të ngjashme me bukuritë si në kartolinat e Zvicrës, me atë kontrast idilik midis majave të alpeve si topa sheqeri dhe gjelbërimit intensiv me shtëpi të këndshme si të kukullave. Këtu çdo gjë është thjesht natyrale, e virgjër…
Makina luksoze, shoferë të leckosur
Ndërsa qëndroj aty paksa i mërzitur, vjen në kuvertë bashkëshortja ime dhe së bashku zbresim në tokë. Poshtë platformës së anijes kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm përfaqësuesish të popullin shqiptar; një grumbull burrash me xhaketa të grisura dhe me shallvare të gjera, të gjithë me qeleshe në kokë dhe të gjithë me zë shurdhues, të nxirë nga dielli, djem të pashëm që duan të na transportojnë për në kryeqytet. Tirana ndodhet në brendësi të vendit, rreth 30 km prej bregdetin dhe për të shkuar atje, duhet marrë autobus ose taksi. Ata flasin me këmbë e me duar dhe gjithë vetëmburrje tregojnë veturat e tyre. Por, midis shoferëve dhe automjeteve të tyre, mbretëron një kontrast i çuditshëm. Kombinimi i veshjes Lindje-Perëndim i zotërinjve shoferë është për të ardhur keq, ndërsa veturat të befasojnë me elegancën e tyre. Mes këtyre gjendet madje edhe një “kadillak”, jo fort i madh. Shoferët kërkojnë çmime të ndryshme për në Tiranë, por edhe çmimet më të larta, për ne janë në nivel të ulët e modest. I ashtuquajturi qytetërim italian, siç duket nuk ka pasur sukses në këtë pikë. Shoferët shqiptarë vazhdojnë të ruajnë sensin e masës edhe përkundrejt të huajve.
Tirana
Kryeqyteti i mbretit Zog është i çuditshëm, plot me kontraste nga më të çuditshme midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytet i shëmtuar, nëse mund të quhet i tillë ngaqë përbëhet prej shtëpish të ulëta, të thjeshta, por edhe një qytet i bukur, me ringjallje të befta kujtimesh të kohëve të kaluara, me rrethina që të mahnitin dhe me një atmosferë krejtësisht të ndryshme nga kryeqytetet e tjera evropiane. Unë kam dëgjuar në shumë raste që Tirana të cilësohet si një katund i mjerë ballkanas, por ky lloj paragjykimi zbulon fatkeqësisht vetëm mungesën e aftësisë për të ndierë dhe kuptuar se çfarë përbën në të vërtetë joshjen e një qyteti. Nuk janë thjesht godinat dhe rrugët që ia japin qytetit atë. Sikur të ishte ashtu, karakteristikat që përmenda, si edhe emri i bukur e poetik i qytetit, do të dukeshin si një ironi e dhimbshme… janë njerëzit, banorët e Tiranës që ia dhurojnë asaj një forcë magjepsëse të rrallë, thjeshtësinë. Shpesh ata janë naivë, por përherë njësoj, aristokratë dhe simpatikë. Ata ndjehen të gjithë të barabartë, që prej lustraxhiut deri tek shkëlqesia e tij ministri. Kjo është padyshim e vërtetë, sepse, si rregull, në radhë të parë vijnë njerëzit dhe pastaj ambienti ku ata jetojnë, secili gjithashtu i jep qytetit ngjyrimin e veçantë.
Unë njoh shumë qytete, dhe jo pak nga ata janë qytete të Ballkanit, ku si godinat edhe njerëzit janë aspak tërheqës, me një përputhje lemeritëse njëra me tjetrën, që të shtyn të imagjinosh se është ambienti që i ka formuar njerëzit, dhe jo e kundërta. Në shtëpitë e këqija të Tiranës, mbas kangjellave të thyera të dritareve dhe xhamave të papastër, madje edhe në ato hotelet e vogla të neveritshme, jetojnë njerëz të mirë e të dashur. Ata mund të jenë të kulturuar, të njerëzishëm, me rroba të pastra, të mira, por mund të jenë edhe fare të paditur, me tesha të grisura e të papastra. Por, ka një dallim të dukshëm midis mënyrës dhe sjelljes së një shqiptari të veshur varfërisht dhe një rreckamani italian apo francez. Është e paharrueshme pamja e një shqiptari të veshur me tesha të vjetra, që e has rëndom në rrugët e Tiranës. Kuptohet menjëherë se ai që të vjen përballë nuk është aspak një rreckaman. Ai ecën me trupin drejt dhe kokën lart, gjë që vërteton se ka gjak luftëtari dhe prejardhje krenare. Ai ka një mënyrë të denjë të sjelluri dhe një njerzillëk të natyrshëm, që edhe në Suedi, në shtresat më të larta, është një dukuri e rrallë. Si duket, në këtë pikë shqiptari ndryshon edhe nga banorët e tjerë të Ballkanit, prandaj për një kohë të gjatë, më shumë se kushdo banor tjetër i Ballkanit, ai është i izoluar prej asaj që ne e quajmë kohë moderne dhe kulturë moderne.
Pra, kur unë them se Tirana ka një atmosferë që ndryshon nga kryeqytetet e tjera të botës, nuk janë malet që e rrethojnë, gratë e mbuluara, larmia e veshjeve, xhamitë apo dervishët, që e krijojnë këtë atmosferë. Atë atmosferë unikale mund ta zbulosh vetëm gjatë bisedave miqësore dhe intime me banorët apo në bisedat rreth filxhanëve të nxehtë të kafesë, në një shtëpi private, pas banakut të një dyqani ose në ndonjë restoranti primitiv..
Elbasani
Elbasani, ky qytet i vogël, i pistë, i dobët ekonomikisht, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore të vendit. Elbasani ka furnizuar me inteligjencë, ka krijuar shkolla dhe ka përgatitur mësues, ka përbërë bazën e Kongresit Gjuhësor të suksesshëm të vitit 1916. Të gjitha këto së bashku i kanë dhuruar qytetit një emër të jashtëzakonshëm mbarë vendit. Kur një shqiptar ndesh një të panjohur diku në pyll apo në fushë, ai e pyet: Kah je bre burrë? Në këtë pyetje me formulim të çuditshëm fshihet jo thjesht një kureshtje për të ditur prej nga vjen i panjohuri,por dhe ku po shkon. “unë jam prej Dibre”,- përgjigjet tjetri, nëse është prej andej. “Jam nga Dibra, në rrugë për Krujë”. Kjo përgjigje përmban mjaft krenari dhe ka rëndësi të madhe për të dy bashkëbiseduesit. Dibra ka një nam të madh porsa i përket guximit, trimërisë, shërbimeve luftarake etj., pra i panjohuri meriton respekt. Nëse i panjohuri do të ishte prej Elbasani, ai do të përgjigjej: “Unë jam prej Elbasani”. Edhe kjo është një përgjigje që ngjall respekt, të bën të mendosh se ai që pyeste është një burrë i ditur, që di të shkruajë, të llogarisë, madje ndoshta ka vizituar edhe shtete të huaja. Por, kjo nuk do të thotë aspak si ai mund të nëpërkëmbet lehtë. Edhe elbasanasit janë, me të drejtë, krenarë për trimëritë e tyre. Vetë domethënia e emrit Elbasan (vend triumfues), tregon se qyteti pranë Shkumbinit e ka kryer më së miri detyrën për të mbrojtur lirinë dhe nderin e tij, në një mënyrë që shqiptarët e kanë për nder…
Jo, ky nuk është ndonjë qytet i bukur. Në krahasim me të, Tirana do të quhej me të padrejtë si një katund i gjorë ballkanik. Me gjithë kontributin kulturor, këtu nuk fryjnë erëra freskuese. Njerëzit duken indiferentë e të nënshtruar ndaj fatit. Ata janë ulur nëpër punishtet e tyre dhe rrahin me përtaci punimin në argjend ose u japin formë pa kurrfarë zelli qelesheve prej lesh deleje të bardhë, rreth kallëpeve të murrme të baltës. Të duket sikur ngado sheh një dembeli melankolike që zvarritet pas gomarëve të lodhur ose duke u rruar në varrezën e xhamisë përpara një copë pasqyre të mbështetur mbi ndonjë gur të plasaritur varri…
Shtëpia e Mbretit
… Duket se mbreti është mjaft i kënaqur në shtëpinë e vjetër të beut, të cilën e ka rregulluar thjesht, por në mënyrë të kulturuar. Kati i poshtëm përmban një sallon të madh me mobilie të veshura me mëndafsh me lule blu, qilima të bukur persianë dhe një komplet të pasur gotash veneciane. Ngjitur me sallonin ndodhet dhoma e ngrënies, në stilin e rilindjes italiane. Një perde ndan sallonin nga dhoma e punës së mbretit, e cila është shumë e gjatë dhe nga forma të kujton një dhomë pune me famë botërore: atë të Musolinit. Njësoj sikurse Duçja, edhe mbreti Zog e ka kuptuar efektin e një dhome në këtë formë dhe e ka vendosur tavolinën e punës në fund të saj. Vizitorit i duhet të ecë disi gjatë, gjë që i duket një milje rrugë, para se të arrijë te tavolina, pas së cilës rri ulur gjithë madhështi sundimtari. Tavolina e punës mbretërore është e gjerë, e madhe, ndërsa karrigia e punës, shpinëlartë, e kurorëzuar me shqiponjën e skalitur dykrenore. Mbas tavolinës gjendet një vitrinë me sende të bukura. Mbi tavolinë gjendet një nënshtresë e madhe meshini, një shishe e bukur me bojë shkrimi, një ndriçues në formën e një shandani të stilit të vjetër, si dhe një bust i Napolonit. Por, mbreti Zog nuk është i vetmi kryetar shteti evropian që mban napolonin në tryezën e shkrimit. Madje ai frymëzohet edhe nga një tjetër strateg i shquar ushtarak, që me siguri ushtron më shumë forcë ndikuese mbi të, sesa perandori francez. Në tavolinë është edhe një medaljon me portretin e gdhendur të Skënderbeut. Edhe në nënshtresën e meshinit dallohen qartë tiparet karakteristike të sundimtarit të Krujës, heroit të lirisë së Shqipërisë. Automobilat e mbretit kanë gjithashtu helmetën e Skënderbeut në miniaturë, në parafango. Dhe kur madhëria e tij vishet me uniformë festive, mban dekoratën më të lartë të Shqipërisë së sotme: “Urdhrin Skënderbej”.
Skënderbeu është akoma një realitet i gjallë në këtë Shqipërinë moderne. Kur monarkistët në vjersha dhe proza i këndojnë lavdi sovranit të tyre, i bëhen gjithnjë krahasime mikluese me heroin e madhe të lirisë. Kur opozita vazhdon me valën e satirës, bëjnë edhe ata krahasime, shumë më pak të pëlqyeshme për mbretin. Në asnjë vend tjetër, në kohën moderne, nuk është aktualizuar simboli tradicional i lirisë në këtë mënyrë kaq të dukshme, sikurse ka ndodhur me Skënderbeun në Shqipëri. Skënderbeu ka zënë vendin e nderit, përkrah Muhametit dhe Krishtit.
... Vetmia e mbretit të kujton një shtëpi tjetër të rëndësishme në Tiranë: pallatin e nënës mbretëreshë. Ai nuk ndodhet brenda mureve të betonit, por në anën tjetër të xhamisë dhe menjëherë pranë rrugës; një shtëpi dykatëshe në stilin gjysmë arab, që më përpara shërbente si ministri. Pas vdekjes së papritur të nënës mbretëreshë në fillim të vitit 1935, janë varur pëlhura të zeza nëpër dritare dhe në hyrjen kryesore. Zija zyrtare e oborrit në të vërtetë zgjat vetëm gjashtë muaj, por zija familjare, sipas zakonit mysliman, zgjat edhe më shumë. Pesë nga gjashtë motrat e mbretit Zog, të cilat tani banojnë në këtë pallat, nuk pritet që të dalin jashtë të paktën për nja dy vjet.
Gjithsesi, ky “burgim” është mjaft i lehtë për ato, në krahasim me atë që mund të godasë gratë e familjeve besimtare në zonat e thellë të vendit. Pas vdekjes së të shoqit, vejusha nuk duhet që të dalë më kurrë prej shtëpie, para se të martohet përsëri, por perspektivat për t’u rimartuar janë mjaft të vogla. Gratë nuk mungojnë aspak në Shqipëri…
Nëna mbretëreshë qe forca e tij dinamike, ajo e ndihmoi atë të jetë optimist, i dha atij nerv dhe forcë. Koka e saj e zgjuar dhe forca e vullnetit të patundur kishte hedhur që para vdekjes një shkëlqim legjendar mbi të. Pas hipjes së Ahmetit në fron, ajo vazhdoi në një mënyrë të rëndësishme të influencojë veprimet qeveritare të djalit. Shpifarakët kundër mbretit aludojnë se në të vërtetë, qe ajo që qeveriste Shqipërinë. Padyshim, është e vërtetë që mbreti Zog kishte shumë nevojë për këshillat dhe udhëzimet e saj. Krahas me forcën e vullnetit, duket se ajo ka qenë e pajisur me një perceptim psikologjik të jashtëzakonshëm; i njihte shqiptarët nga brenda dhe jashtë, ua njihte mirë dobësitë dhe vlerat, e këto dituri arriti t’ia transmetojë të birit. Është ky depërtim i mprehtë në psikikën e popullit shqiptar, që shpjegon faktin, se si mbreti Zog mundi të mbante pozitën e vet në të gjitha stuhitë dhe vështirësitë që përballoi. Por, vdekja e nënës ishte një goditje e rëndë për të, prej së cilës thuhet se nuk e ka marrë ende veten. Ajo qe e vetmja anëtare e familjes që banonte me të në vilë dhe pas vdekjes së saj, ai ndihet më vetëm se kurrë. Ndoshta ndjehet edhe i pasigurt. Thuhet se ajo gjithnjë e provonte më përpara ushqimin, sepse helmimi nuk është dukuri e jashtëzakonshme në vendet orientale.
 

Holland2010

Forumium maestatis
Eshte pak e gjate por shume interesant si artikull.
T ekrijohet perhstypja sikur shqiptaret TEK e TEK jane trima, krenat te sjellshem etj etj...kur behen 20 a 30 bashke kthehen ne zhulsa ,langjaraq etj etj.

me beri perhstypje edhe nje thenie e ketij tipi qe megjithse na shan, here pas here edhe na lavderon.

janë njerëzit, banorët e Tiranës që ia dhurojnë asaj një forcë magjepsëse të rrallë, thjeshtësinë. Shpesh ata janë naivë, por përherë njësoj, aristokratë dhe simpatikë. Ata ndjehen të gjithë të barabartë, që prej lustraxhiut deri tek shkëlqesia e tij ministri. Kjo është padyshim e vërtetë, sepse, si rregull, në radhë të parë vijnë njerëzit dhe pastaj ambienti ku ata jetojnë, secili gjithashtu i jep qytetit ngjyrimin e veçantë.

dhe me poshte eshte kulmi....
Por, ka një dallim të dukshëm midis mënyrës dhe sjelljes së një shqiptari të veshur varfërisht dhe një rreckamani italian apo francez. Është e paharrueshme pamja e një shqiptari të veshur me tesha të vjetra, që e has rëndom në rrugët e Tiranës. Kuptohet menjëherë se ai që të vjen përballë nuk është aspak një rreckaman. Ai ecën me trupin drejt dhe kokën lart, gjë që vërteton se ka gjak luftëtari dhe prejardhje krenare. Ai ka një mënyrë të denjë të sjelluri dhe një njerzillëk të natyrshëm, që edhe në Suedi, në shtresat më të larta, është një dukuri e rrallë.
Rradhe na kane bere komplimenta te tille.
 

Holland2010

Forumium maestatis
Por, ka një dallim të dukshëm midis mënyrës dhe sjelljes së një shqiptari të veshur varfërisht dhe një rreckamani italian apo francez.

Është e paharrueshme pamja e një shqiptari të veshur me tesha të vjetra, që e has rëndom në rrugët e Tiranës. Kuptohet menjëherë se ai që të vjen përballë nuk është aspak një rreckaman. Ai ecën me trupin drejt dhe kokën lart, gjë që vërteton se ka gjak luftëtari dhe prejardhje krenare.

Ai ka një mënyrë të denjë të sjelluri dhe një njerzillëk të natyrshëm, që edhe në Suedi, në shtresat më të larta, është një dukuri e rrallë.

Rradhe na kane bere komplimenta te tille.
Pjesa me siper na ben krenar por mesaduket te tere te keqiat i paskemi nga krenaria :)
 
Top