Shkëmbi Barketa, dëshmia e shitjes së detit shqiptar

Shkëmbi Barketa, dëshmia e shitjes së detit shqiptar

Marrëveshja me Greqinë, Barketa u përdor si pikë fillese nga ana e shtetit fqinj, për të ndarë syprinën ujore dhe shtratdetin Kontinental me Shqipërinë

Çdo gjë ka nisur me ndarjen e kufijve në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Aty u diskutua edhe për caktimin e vijës së kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve fqinje.

Pas shumë debatesh, në muajin qershor 1913 u arrit të miratohej marrëveshja për kufirin detar, sipas propozimit të Italisë, por u deshën edhe dy muaj të tjerë që të vendosej plotësisht kufiri me Greqinë dhe siç u deklarua në Konferencë, “…Korça në lindje dhe Kepi i Stillos në jugperëndim ishin “shtyllat e Herkulit të Shqipërisë”.

Pra, përfundimisht kufiri detar i Shqipërisë në jug, do të niste nga Kepi i Stillos, do të vazhdonte gjatë Kanalit të Korfuzit (në mes të tij), duke ia lënë Shqipërisë ishullin e vogël Tongo, më pas do të vijonte në drejtim të veriperëndimit, duke kaluar në ujërat e brendshme dhe deri në ujërat territoriale të saj.

Por e gjithë kjo ndarje do të zgjaste për 96 vjet, deri në mars të këtij viti, kur diplomacia greke dhe ajo shqiptare do të bënin hapin e parë drejt një marrëveshjeje të re, e cila do të ndikojë në marrëdhëniet midis dy vendeve që kanë njohur për shumë kohë të këqija midis tyre.”
Nga WEB- site i Doktrinës dhe Stërvitjes së Ministrisë së Mbrojtjes.

BARKETA, UJËDHESA TRAGJIKE
Ujdhesa shkëmbore, herë del dhe herë fut kokën e krifën e saj, si të një gjallese mitike, që bën “show” me njeriun, në të dy krahët. S’e kishin kujtuar për gati një shekull, por të gjithë e nënkuptonin.

Se ai e kishte një kumt, të cilin e thoshte në vete të tij, me gjuhën dhe shenjën e veçantë. Ata që e shihnin, kryesisht detarë, bënin sikur nuk e kuptonin, por sërish në orientim, mbështeteshin tek ai. Historia erdhi mbi krye të tij, sikur t’i vinte për kryeshëndoshë. Ende nuk është plotësuar shekulli.

Ku duhet të kalonte mesorja.
Nga dokumentet ka një frazë përmbledhëse se KUFIRI UJOR DETAR NË KANALIN E KORFUZIT
(CORFU CHANNEL) DUHET TË KALOJË NË MESIN E TIJ.
Nga materialet e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (shih: DoD 2005, 1-M) marrim njoftim se:

Ujërat shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë shtrihen përgjatë gjithë bregdetit në 12 md (milje detare = 22,224 km) duke filluar me vijëdrejtat bazore, nisur nga kepi Rodon (Muzhli), kepi Pallës, kepi Lagjit (kalaja e Turrës), Seman kepi Seman, Grykëderdhja e Vjosës, ujdhesa Sazan, Gjuhëza dhe kepi Gramës. Pastaj, midis bregut shqiptar dhe ujdhesave greke deri në mesin e Kanalit të Korfuzit.

Kjo është njohja ndërkombëtare, lidhur me ndarjen e ujërave detarë, në Ngushticën Veriore të Korfuzit. Pra, në mesin e saj. Shteti Shqiptar nuk e ka marrë parasysh këtë.
Diplomacia, nuk e njeh historinë, informacionin botëror detar dhe fatet e trojeve shqiptare përballë brigjeve të Korfuzit. Nga pala jonë duhej të kërkohej MESI I KANALIT.
Po ata e kanë braktisur atë.

E vërteta që gjendet në arkivat e OKB-së dhe të të dy shteteve për ndarjen e kufijve tokësorë nga Komisioni Ndërkombëtar, ka vetëm, të rilevuar dhe përshkruar në harta të shkallës 1: 50 000, kufirin tokësor. Në Gjyqin e Hagës, ndërsa u shqyrtua Incidenti i Korfuzit, shkëmbi Barketa, si dhe ujdhesa Tignosso i kaloi Britanisë së Madhe.

Ishte një nga vendimet e marra në atë rast, si pjesë e ndëshkimit ndërkombëtar që pësoi Shqipëria. Aso kohe në Arkipelagun e Korfuzit u vendosën dy baza të NATO-s. Nuk u mor vesh si ndodhi, se askush nuk e kishte mendjen tek ai shkëmb, pasi shqiptarët ishin në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore.

Përballë Korfuzit në gjirin e Tetranisit (Ksamil) ndodhet një bashkësi prej katër ujdhesash, të cilat i përkasin Shqipërisë. Ndërkaq, përballë kepit të Mërtesës (Vrojtimit) në vijë lindje – perëndim drejt Kepit Varvara (Korfuz) ndodhen të dy ujdhesat shkëmbore, Tignosso dhe Barketa, të cilat janë të pasqyruara në të gjitha hartat historike detare.

Nëse gjatë ndarjes kufitare të Komisionit Ndërkombëtar, është marrë parasysh, mesorja që ndan ngushticën detare në këtë vijë, atëherë del se Shkëmbi Barketa ndodhet rreth 60 metër, në drejtimin e tokës shqiptare çka tregon, se për hir të baraslargësisë në ngushticë, vetëm Barketa, duhet t’i takonte Shqipërisë, ndërsa Ujdhesa Tignosso, përfshihet në arkipelagun e ujdhesave të Korfuzit.

Mirëpo as kjo ujdhesë, njoftuese e orientuese, nuk ka qenë në zotërimin shqiptar. Si dëshmitar historik dhe gjeologjik më i afërt me Dheun shqiptar, ka ngelur në harrim, derisa kërkush nuk është kujtuar ta kërkojë atë, për menaxhim.

Edhe vija kufitare e hartave shqiptare të botuar pas vitit 1913, nuk e përfshin këtë shkëmb në ujërat tona shtetërore. Në ndarjen sipas marrëveshjes së fundit, vijëdrejtat bazore, në mënyrë të padrejtë, dhe pambështetje në UNCLOS, e nismojnë ndarjen e ujërave, prej këtij shkëmbi dëshmitar.

Askush në bisedime, ashtu sikundër mund të përfytyrohet, nuk është kujtuar që ta hedhë në bisedën dypalëshe fqinjësore, për ndarjen ujore. Mendojmë se ka qenë, mosnjohje e UNCLOS.

Sipas njohjes historike të vijimit të vijës ndarëse ujore të Shqipërisë me Greqinë, është pranuar vija e mesme që ndan ngushticën. Kështu është konsideruar. Marrëveshja e fundit do të trajtonte së pari këtë mesore ujore. Sapo të shqyrtonte këtë vendosje në hartë, atëherë do të vinte re se Shkëmbi Barketa ndodhej në lindje të mesores. Askërkush nuk i është afruar këtij përfytyrimi.

BARKETA, DËSHMITARE.
Ai ka dëshmuar gjithmonë. Dëshminë e tij s’e kanë besuar, ose nuk kanë dashur ta besonin. Hidh sytë në perëndim pastaj në lindje. I largohen anijet e çdo mjet tjetër lundrimi prej frikës së përplasjes me të, se ai është majë e një kodrine nënujore, që nuk ka dashur të mbytet, po të jetë aty, si një dëshmi dhe paralajmërim. Ndofta, është edhe mesi i këputjes gjeologjike!? Prandaj edhe turfullimin e tij, e shpreh me atë që duket se është një krifë po në fakt nuk është e tillë.

Sikur të mos ishte, aty, kurrë, donin ta harronin, por të frikësuar prej tij, ia kanë përcaktuar me saktësi koordinatat dhe azimutet, nivelin e ujit në kreun e tij, si të ishte shenjë e vetme e kacavjerrjes në momente të jetës apo të vdekjes. Si një lloj shpëtimi. Kjo ka mbetur e fshehur dhe askush nuk është kujtuar se i kujt dheu është ky shkëmb, i dheut që ka ngelur në Kontinent apo i ujdhesës që bëri shkëputjen gjeologjike!?

Ca u hapën mbi det dhe krijuan vargoj kodrinorë dhe të tjerë si këto shkëmbinj, sa u shfaqën përsipër nga dëshira për të mos e lënë kontinentin, e mezi sa duken, prej thellësisë së mbytjes së madhe.

Ky është shkëmbi Barketa që e njohin të gjithë detarët të cilët kanë kaluar apo kalojnë, në Ngushticën Veriore të Korfuzit. Ai mbeti edhe si një rojë për lundërtarë të ndryshëm që nga Liburnët, Adrianët, kur erdhën në shtegëtimin e parë pranë Kaonisë, Romakë dhe Venedikas.

BARKETA NË MARRËVESHJEN E FUNDIT ËSHTË PËRDORUR SI SKAJ I ARKIPELAGUT.
Në bazë të UNCLOS, ai nuk mund të bëhet vijëdrejtë bazore fundore për Arkipelagun e Korfuzit, por edhe as për anën e Shqipërisë. Ky shkëmb, në mënyrë të natyrshme e ka vendin në 60 metër, në lindje të mesores, duke i takuar plotësisht shtetit shqiptar.

Por në marrëveshjen e fundit, po të shihet me vëmendje harta detare ndarëse, një fragment të së cilës, po e paraqesim më poshtë, ky shkëmb (Barketa) është konsideruar në mënyrë krejtësisht të gabuar, si një pikë kufizuese anësore, e fundme, e vijëdrejtës bazore që bashkon, në kundërshtim me UNCLOS, shkëmbinjtë periferikë (Atolls) të arkipelagut (Serpa, Barketa, e mandej në Kepin e Kasiopesë). Prej kësaj vije, është bërë ndarja, e cila të drejtën e ka kthyer në të padrejtë.

Mund të shihet se si është përdorur Barketa, si pikë fillesë nga ana e shtetit fqinj, për të ndarë syprinën ujore dhe shtratdetin kontinental me Shqipërinë, ku si nisje është vijëdrejta bazore që përmbyll gjirin e Tetranisit (Ksamilit). Sipas argumenteve të dhënë, në sythin e Arkipelagut, doli se njësia gjeografike e Arkipelagut të Korfuzit, s’i përket heqja vijëdrejta bazore, që të përfshijnë skajet ujdhesore. Sipas kësaj, bie poshtë, fillimndarja në Barketa.

Veç Barketës as Tignosso nuk do të përmbyllet në vijëdrejtat bazore të arkipelagut. Vijat bazore do të fillojnë nga buzëujërat e Ujdhesës Korfuzit dhe brigjeve të Ksamilit. Gjendja e ndarjes është në mënyrë tërësore e përmbysur, për të riparuar padrejtësinë që ka ndodhur për:

(i) Barketa ndodhet në lindje të mesores së ngushticës veriore të Korfuzit, rreth 60 metra dhe sipas njoftimeve të mesvijës në ngushticë ajo kryeherët duhej t’i përkiste Shqipërisë, por askush nuk është kujtuar për të.

(ii) Tani, lind një argument i ri, zbatimi i UNCLOS si një Konventë e re, pas vitit 1913, kur u ndanë kufijtë shtetëror tokësorë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas saj, bie poshtë përfshirja e ujdhesave me vijëdrejta, pra baza e nisjes duhet të ndryshojë.
Këto duhet të ishin argumente në bisedimet para marrëveshjes, të cilat do të kishin mospërkime të thella. Natyrshëm.

LETËR E HAPUR:
AKADEMISË SË SHKENCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS
QËNDRËS SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
INSTITUTIT TË HISTORISË
INSTITUTIT TË GJEOSHKENCAVE
INSTITUTIT TË MJEDISIT
INSTITUTIT GJEOGRAFIK USHTARAK TË SHQIPËRISË.

Ka disa muaj, që në mjediset shqiptare, krahas gjithë zhvillimeve të mëtejshme gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor dhe ato Evropiane, është folur edhe për një Marrëveshje të dyshimtë në ndarjen e Ujërave Detarë dhe të Shtratdetit Kontinental, midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Në debatin e hapur, nëse keni vënë re, nga ana e gjithë mekanizmit të Shtetit ka një kornizë hermetike, një heshtje e shpejtësi për ta çuar gjer në fund këtë Marrëveshje, në ratifikimin e fundëm të saj.

Hapat, procedurat, baza ligjore, saktësia e jetësimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, janë konsideruar, të rregullt, e tejdukshëm, të saktë, kësisoj, përfundimisht të padiskutueshëm.

Veç kësaj, për ata që e kanë ngritur këtë çështje, është thënë se janë “Antikombëtarë”, “të shitur” dhe se s’kanë bërë gjë tjetër veçse “një trillim primitiv”
Ndodhemi para fakteve tronditës, saqë nuk të besohet se po shpërfaq studimin tënd para shtetarëve të tu, politikanëve dhe studiuesve bashkëkombas, para qytetarëve që me identitetin e tyre iliro-shqiptar, po futen në Evropë, në të cilën ata janë themel, në kohë të kohës.

Është tragjike, në këtë heshtje, kur gjeohapësira të tëra, me firmën e Shtetit, me buzëqeshjen e tij komike, vendosin këtë kufi detar, duke prerë shpatullat ujore të iliro-shqipatrëve, duke cenuar mëvetësinë, duke shpërfillur historinë dhe gjeohistorinë, që nga Krijimi dhe këndej, duke harruar interesat ekonomike të ardhmërisë së shfrytëzimeve të Shtratdetit Kontinental, duke nëpërkëmbur dinjitetin, me një përulësi të dukshme, po kaq të turpshme, sa nuk mund të ulesh dot në asnjë tavolinë bisedimesh diplomatike, me kryet lart dhe krenarinë tënde kombëtare.

Në të gjithë këtë kufi ndarës, kudo që të klikosh, kudo që ta përqendrosh perceptimin tënd të dhëmb, të befason, të intrigon dhe të bën që të mos heshtësh dhe ta ndash tronditjen tënde me intelektualët dhe bashkëqytetarët e tu.

Prandaj po ju drejtohem, sepse kjo nuk është vetëm një veprimtari e diplomacisë shtetërore, por kryefjala: e mëvetësisë së Shqipërisë, kryelartësisë, që e dikton gjeo-historia dhe historia e kulturës sonë, përpjekjet për mbijetesë të iliro-shqiptarëve, e dikton shtratdeti gjeologjik kontinental tipik shqiptar, pozicioni gjeografik aq shumë të njohur në Mesdhe, mjedisi dhe turizmi, interesi ekonomik, në një nga gjeohapësirat më jetësore dhe të magjishme të Shqipërisë sonë.

Studiuesit e institucioneve tuaja, duhet të kishin gjetur një instrument konsultimi, jo për të bërë “kryengritje” ndaj shtetit të tyre, por për të verifikuar me durim, me historianë, juristë të së Drejtës Ndërkombëtare, me hartografë, gjeologë dhe gjeografë, gjeoidetë, dhe pas kësaj t’i përcillnin ligjvënësve kuvendarë, pikëpamjet shkencore, për të shtyrë në një kohë të mëtutjeshme, ratifikimin e mundshëm të kësaj Marrëveshjeje, sa të saktësohen më qartë dyshimet, për atë që është gatuar aq keq, sa të vjen turp ta kujtosh.

Kështu ne i bëjmë edhe më shumë shërbim klimës së mirëkuptimit e fqinjërisë me Republikën e Greqisë, duke qënë të bindur, se pala greke, nuk ka diktuar, por ajo veçse në tavolinën diplomatike, ka mbrojtur të Drejtën e saj, apo siç kanë deklaruar “interesat e tyre strategjike” ndërsa pala jonë, del tërësisht e humbur.

Pse vallë, të jemi të humbur?
Pse vallë, të jemi të fundit?
Pse vallë, të jemi kryeulur?

Prej një konsulte shkencore, Ju do të ishit bindur, se studimi që është paraqitur, nuk përbën ndonjë “zbulim” por është, vetëm një vëzhgim teknik, dukshëm i perceptueshëm, që do t’i shërbente, vetëm, interesave të atdheut tonë.

Ju me të drejtë, keni debatuar në këto muaj, për prirje studimore që shtrembërojnë historinë tonë kombëtare, të autorëve të huaj, por dhe të Akademisë së një shteti fqinj me Shqipërinë, ju me të drejtë keni debatuar për Historinë 12, ndërkaq heshtni në heshtjen tragjike albanologjike, për prerjen e një gjymtyre gjeohapësinore prej 354 km2, që nga Ngushtesa e Otrantos e deri në Kepin e Stillos, kur brenda kësaj gjeohapoësire, keni po kaq të shpërfillur historinë dhe gjeohistorinë, duke luajtur me gurët e themelit, ku mbështetet edhe shtrati i autoktonisë iliro-shqiptare.

Në mbijetesën tonë kombëtare, njihet tragjedia e ndarjes së kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar (1913-1925), ndërkohë në vitin 2009, lehtësisht shkëpusim prej vetvetes gjeohapësira të tëra detare.

Kemi prerë Otranton, kemi izoluar Rrugët e Bardha, kemi matur ndarjen e Gjirit Historik të Sarandës që nga Muret e Lashtë të Onhezmit, kemi shpërfillur mesdetin në Ngushtesën e Korfuzit që është e Drejta Jonë Ndërkombëtare, kemi braktisur Shkëmbin Barketa, dhe së fundi, por që është një fillim, na është mbyllur shikimi në Kepin e Stillos.
Dhe thuhet se kemi zbatuar Konventën Ndërkombëtare, kur ajo nuk është zbatuar në asnjë nen të saj.
Të nderuar shkencëtarë!

Ka mbetur ende një kohë e shkurtër, gjer më datën 19 tetor. Po e mjaftueshme për t’u konsultuar, për të krijuar një bindje të përbashkët, dhe pa “demonstratë” për t’i dërguar një apel shkencor, ligjvënësve, për të shtyrë në një kohë të mëvonshme, këtë ratifikim, sepse po u krye, kësillojshëm, i zhyt në turp ratifikuesit, të cilët janë të zgjedhurit tanë, duke na kryeulur, të gjithëve.

Shpresoj se institucionet tuaja, do të kontribuojnë, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje, për t’ia lënë një gjykimi më të thelluar në një kohë të mëvonshme.
Me vlerësim sipëror:
Prof. Asoc. Dr. Myslim Pasha
Mjeshtër Kërkimesh
Kolonel në rezervë i Forcave të Armatosura(Shekulli)

fbnt6BVSU7c

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23711. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23711

Top