Sherif Bundo: Dobësimi i lekut po shtrenjton kreditë

Sherif Bundo: Dobësimi i lekut po shtrenjton kreditë

Zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës vendase duke ndikuar në disa forma mbi ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve është një nga temat më të prekura të kohëve të fundit. Sherif Bundo, ekspert i fushës dhe Profesor në Fakultetin e Ekonomisë shpjegon në një intervistë për “Shekullin”, arsyet e kësaj situate dhe bëhet pjesë e debatit nëse Shqipëria duhet t’i bashkohet zonës së euros duke e bërë atë monedhë zyrtare. Sipas Bundos, përdorimi i euros si monedhë zyrtare përbën një serë detyrimesh dhe avantazhesh për vendin.

Gjate gjithë sezonit të verës, ecuria e kursit të këmbimit është shoqëruar me një zhvlerësim të konsiderueshëm të lekut kundrejt monedhave të forta dhe kryesisht ndaj euros.Cilat janë shkaqet e këtij ndryshimi, sipas jush, pse leku nuk u forcua edhe këtë verë?

Ky fenomen ka gati dy dhjetëvjeçarë që manifeston të njëjtat karakteristika, me ndonjë përjashtim të vogël, por këtë verë ndodhi ndryshe. Pritej që të forcohej leku, në fakt ai pasoi me një dobësim të ri. Një euro që këmbehej me 128 lekë në prag të verës, kaloi në 135 lekë gjatë muajit gusht. Ndodhi e kundërta e asaj që pritej, nisur nga disa shkaqe. Së pari, ndryshe nga vitet e tjera, viti 2009 është vit i zhvlerësimit të përgjithshëm të aktiveve. Për rrjedhojë edhe të aktiveve monetare. Kriza e përgjithshme, që aktualisht nuk ishte vetëm financiare, pati pasojat e veta. Një monedhë si leku, e drobitur, e pa mbështetur me një ekonomi me rritje të fortë dhe me prodhim vendas të konsiderueshëm, pa dyshim që do të dobësohej.
Së dyti, vera e vitit 2009, ishte vit elektoral, pa pune, me para inproduktive të hedhur në qarkullim për të paguar posterë, apo për të bërë tenderët e radhës pse jo shpejt e shpejt, do të çonte natyrshëm në një lloj përkeqësimi të pozicionit të lekut ndaj euros. Së treti, në vendin tonë po shfaqen tiparet e zgjerimit të shpejtë të ekonomisë së euros. Kjo do të thotë se vëllimi i transaksioneve tregtare që realizohen me euro është rritur mjaft. Euro ka zënë vend në ekonominë tonë si monedhë e dytë. Shtëpitë shiten në euro, jepen me qira në euro, biletat shiten në euro, kontratat realizohen në euro, mjaft transaksione edhe të bizneseve të vogla realizohen në euro, qytetarët kursejnë në euro, etj. Kjo do të thotë se kërkesa për lekun, për shkak të mungesës së punës dhe për shkak të rënies së prodhimit vendas, ka qenë e ulët, ndërkohë që oferta ka qenë relativisht e lartë nisur edhe nga fushata. Së katërti, eksportet, emigrantët dhe turizmi nuk shkaktuan hyrje të flukseve të euros të tilla që të ndikonin në drejtimin e pritur. Për opinionin tim emigrantët manifestuan një lloj frike në kërkesën për lekun. Ata preferuan të kursenin në euro, e cila, në kushtet e krizës botërore, ka manifestuar një qëndrueshmëri të dallueshme.

Cilat janë pasojat e një zhvlerësimi të tillë në ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe në xhepat e konsumatorëve në veçanti, duke patur parasysh që rreth 70 për qind e kredisë është dhëne në valutë, kryesisht euro?

Ndikimi i drejtpërdrejtë është i lidhur me uljen e fuqisë blerëse të konsumatorëve. Ky ndikim shfaqet ose me rritje relative të nivelit të çmimeve, ose me ulje të fuqisë blerëse të monedhës nëpërmjet procesit të konvertimit. Së dyti, efekt të menjëhershëm ky fenomen jep në rritjen e kostos së kredive, sidomos të atyre të dhëna në valutë. Qytetarët që kanë marrë hua në valutë, por që e marrin pagën në lekë, mbartin mbi vete riskun e kursit të këmbimit, që ndryshe mund të thuhet rritje e paparashikuar e kostos së kredimarrjes. Jo vetëm kreditë për shtëpi, por edhe kreditë konsumatore, pse jo edhe kreditë për biznes. Financat e bizneseve të vogla dhe shumë të vogla, kanë një afërsi të madhe me financat personale, me financat e familjes. Ato e ndjejnë njëlloj shtrenjtësimin e kredive.

Nëse i referohemi debatit për përdorimin e euros si monedhë zyrtare nga vendi ynë, i cili më shume shfaqet gjatë zhvillimeve të tilla, a është gati dhe a është më mirë që Shqipëria ta hedhë këtë hap?

Në radhë të parë, hyrja në zonën e euros është problem ekonomik dhe tregtar. Shqipëria mund të përdorë euron po qe se pranon dhe realizon kushtet e të qënit pjesë e tregut të përbashkët europian. Kushtet për të qenë pjesë e të njëjtit treg janë të lidhur me sistemin financiar, me legjislacionin tregtar, me sistemin doganor, me rolin e Bankës Qendrore, me buxhetin e shtetit. Që në momentin që përmendim buxhetin e shtetit, menjëherë nënkuptojmë edhe kushtet e tjera politike dhe legjislative. Vendi ynë ka hyrë në procesin e integrimit në atë familje, e cila ka si monedhë zyrtare euron. Ne na duhet të mendojmë zyrtarisht, dhe seriozisht për të ndërtuar hapat e nevojshëm për tu integruar në këtë zonë në këndvështrimin monetar. Aktualisht Shqipëria nuk është gati por duhet të fillojë të përgatitet të hyjë në zonën e euros.

Me çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh do të përballej ekonomia shqiptare nëse do të përdorte si monedhë të saj euron?

Për opinionin tim hyrja e Shqipërisë në zonën e euros ka një sërë avantazhe. Së pari, qytetarët dhe bizneset, shmangin një risk të panevojshëm që është risku i kurseve të këmbimit. Së dyti, ekonomia shqiptare gjeneron më shumë energji financiare dhe përshpejton më shumë ritmet e zhvillimit të saj. Së treti, natyrshëm, vendi ynë ashtu sikurse është strategjikisht në Europë përdor të njëjtën monedhë me të. Kjo ka avantazhe të lidhura me pagesat, me shpejtësinë e pagesave dhe të arkëtimeve. Në vijim, do të thosha që sistemi bankar do të behej më aktiv. Po kështu financat publike do të kishin mjete financiare dhe baza financiare më të qëndrueshme. Integrimi në zonën e euros do të lehtësonte investimet reciproke.

Banka e Shqipërisë e ka parë të përshtatshme që të mos diktojë një kurs këmbimi fiks për lekun duke e lëne atë të lirë sipas zhvillimeve të tregut, nese monedha vendase vazhdon të zhvlerësohet, a duhet një ndërhyrje ndoshta për një kurs kembimi fiks, siç është praktika e disa vendeve të rajonit?

-Unë mendoj se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun e këmbimeve valutore për të ndikuar dhe për të ruajtur në një farë mënyre një lloj “qëndrueshmërie” të kursit të këmbimit euro/lekë. Duke qenë se një nga funksionet e Bankës së Shqipërisë, të përcaktuar nga ligji për të, është ruajtja e qëndrueshmërisë së kurseve të këmbimit, atëherë ndërhyrja është e përligjur. Në se intensiteti i ndërhyrjes nga njëra kohë në tjetrën ndryshon, kjo është e lidhur me faktin se sa e vlerëson riskun vetë Banka Qëndrore dhe si mendon ajo ta zgjidhë atë. Duhet shtuar se ndërhyrja është një process spekulimi, në kuptimin e mirë, për vetë bankën. Kjo varet edhe nga fakti se si paraqitet gjëndja e likuiditeteve në valutë e bankës, pasi gjendjen e lekut e ka ekskluzivitetin e saj.

Cilat janë mënyrat që duhet të ndjeke qeveria dhe BSH-ja për të ndalur zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut?

Rrugët dhe mjetet, praktike dhe ligjore që duhet të ndjekin sipas rastit BSH-ja dhe Qeveria për të ruajtur kursin e këmbimit, janë të lidhura me rolin dhe funksionet e tyre. BSH-ja luan me instrumentin e kredisë nëpërmjet mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi bankat tregtare, luan në treg të hapur me ofertën dhe kërkesën sipas rastit të lekut apo të valutave, luan me rezervën e detyrueshme të Bankave tregtare, luan me huanë apo huatë që sistemi i jep qeverise, luan me përqindjen e normave të interesit, etj. Po kështu, Qeveria duhet të bëjë kujdes me shpenzimet buxhetore, me respektimin e kalendarit të maturimit dhe të realizimit të tyre, luan me huamarrjen në lekë ose në valutë sipas rastit. Në se ekonomia ka nevoja për valutë, qeveria mund të realizoje huamarrje në valutë dhe e kundërta. Roli dhe ndikimi i tyre është i fortë dhe i rëndësishëm. Por pozita dhe qëndrueshmëria e lekut është e lidhur në rradhë të parë me zhvillimin ekonomik dhe me rritjen e prodhimit vëndas.(Shekulli)

tQjDS6oD-8g

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22547. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22547

Top