Re: Sherbimi Celular ne Shqiperi
AMC fiton më shumë, paguan taksa më pak
Fitimi i AMC-së për vitin 2006 arriti 50 milionë euro. Mashtrimi me zhvlerësimin e aseteve
Alban Gjoni
AMC është kompania që fiton më shumë dhe paguan më pak taksa në vlerë relative brenda grupit Cosmote. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania mëm në Greqi, rezulton se norma e fitimit neto e AMC-së në raport me simotrat e veta në Ballkan është më e larta. Sipas të dhënave nga bilanci i publikuar para dy ditësh, fitimi neto për të gjithë vitin 2006 i AMC është 49.9 milionë euro. Kjo shifër është 8.4 milionë euro ose 20.3% më e lartë se sa për vitin 2005. Ndërkohë që norma e fitimit neto të kompanisë për vitin 2006 është 33 % kundrejt 30.1 përqind që ishte në vitin 2005.
Rrija e normës së fitimit neto reflekton barrën e ulët fiskale për telefoninë e lëvizshme si dhe kostot e ulta të investimeve që ka operatori në tregun shqiptar. AMC është e para përsa i përket normës së fitimit neto ndër 6 kompanitë që formojnë grupin e telefonisë Cosmote. Madje, kompania mëmë që vepron në Greqi ka një normë fitimi 21.1 % kundrejt 33 % të AMC. Ajo që bie në sy, po të krahasosh bilancin e dy kompanive simotra, Cosmote në Greqi dhe AMC në Shqipëri, është që kjo e fundit raporton që në vitin 2006 ka patur 25 milionë USD zhvlerësim të aseteve të saj, duke shënuar një rritje prej 10.7%. Ndërkohë, që po për të njëjtën teknologji, madje më të avancuar që përdor simotra Cosmote, zhvlerësimi nga viti 2005 në atë 2006 është rritur me vetëm 1.1%. Të ardhurat e AMC për vitin 2006 kanë shkuar në 151 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 9.7% krahasuar me vitin 2005.
Loja e shpenzimeve
Por kush është truku që përdor AMC për të patur shpenzime të larta dhe fitime të “ulta”? Sipas ekspertëve kontabël, kompani të cilat kanë në strukturën e shpenzimeve të tyre, mallra të teknologjike të cilat nuk kanë çmime referencash në doganat shqiptare, i bëjnë faturat e blerjes sa më të larta duke rritur artificialisht shpenzimet, dhe kësisoj duke ulur fitimin. Kjo, sipas tyre sjell që AMC apo Vodafone, dy kompani të cilat kanë një vlerë të madhe të shpenzimeve për pajisje teknologjike, të paraqesin në bilancet e tyre një fitim më të ulët, në raport me atë real. AMC, importon kryesisht pajisje të përdorura nga kompania mëmë në Greqi, Cosmote, dhe i faturon në doganat shqiptare me çmime që asaj i leverdisin për ti paraqitur në bilanc pasi për këto produkte në doganat tona mungojnë referencat. Por, më i çuditshëm është fakti që amortizimi për këto pajisje për vitin 2006 është 25 milionë euro ose 60.3% e të ardhurave para interesave, taksave, amortizimit dhe zhvlerësimit (EBITDA). Kompania mëmë në Greqi, e cila ka një teknologji më të lartë të telefoninë celulare, pasi shumëkush e di që në shtetin helen Cosmote operon dhe me teknologjinë 3G, norma e zhvlerësimit për vitin 2006 është 43% e të ardhurave para interesave, taksave, amortizimit dhe zhvlerësimit. Kjo tregon hapur, që AMC rrit në mënyrë fiktive shpenzimet me qëllim që të ulë fitimin dhe të paguajë më pak taksa.