Shën Joan Kukuzeli, muzikanti i famshëm nga Durrësi

Shën Joan Kukuzeli, muzikanti i famshëm nga Durrësi

Të shumtë janë ata që kanë shkruar për Joan Kukuzelin: historianë, filologë, muzikologë, vendas e të huaj, nga Lindja e Perëndimi. Për të janë shkruar shumë më tepër materiale në krahasim me çdo kompozitor tjetër kishtar. Veprat e tij në dorëshkrime janë

Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine

Joani lindi në Durrës, një qytet-port kozmopolitan, në atë kohë nën zotërimin bizantin në shek. XII (sipas disa studiuesve) ose në fund të shek. XIII (rreth 1270-s, sipas disa studiuesve të tjerë). I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël, kështu që nëna u mor me edukimin e tij, duke ia besuar mësuesve më të mirë të asaj kohe. Ai u dallua për një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.
Duket që për shkak të atij zëri e dërguan në Kostandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, duke i dhënë titullin “Mjeshtër”, titull që në atë kohë ishte shumë i rëndësishëm. Muzika luante një rol të veçantë në Kostandinopojë, kështu që Joani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Për zërin e tij të mahnitshëm e quajtën “zë engjëllor”. Kur ai këndonte atje, në kishën e Shën Sofisë mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar dhe të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.
Por, ndërsa ishte i preferuari i perandorit dhe i nderuar nga të gjithë, zemra e tij nuk ishte e gëzuar. Shpirti i tij dëshironte një jetë asketike kushtuar tërësisht Zotit, ndërsa jeta në oborr me tërë tundimet dhe lavditë, e pengonte të bënte një jetë shpirtërore. Madje Mbreti, ngaqë e donte shumë, dëshironte që ta martonte me një vajzë të një fisniku. Djaloshi i ri vendosi të largohej fshehurazi. Kështu, i veshur si një bari i varfër u largua dhe shkoi në Manastirin e Lavrës së Madhe në Malin Athos (Ãgjion Ôros ose Malin e Shenjtë). Atje kërkoi të pranohej në jetën murgjërore. Askush nuk e njihte Joanin dhe nuk e identifikonte këtë bari me artistin e madh të kryeqytetit, ndonëse fama e tij kishte arritur edhe në Malin e Shenjtë.
Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari, me zë më të lartë se zakonisht. Por një asket (murg që jeton në vetmi), i cili banonte aty pranë e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e këndimit dhe e melodisë, madje duke parë edhe kafshët që nuk kullotnin, por shijonin të magjepsura, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili e thirri bariun dhe e detyroi të thoshte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos ta dorëzonte te perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore se sa jetën e oborrit.
Igumeni e urdhëroi që ta linte punën e bariut dhe të merrte drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Joani u bind. Por, në të njëjtën kohë, igumeni, i cili nuk donte të ishte në kundërshtim me urdhrat e perandorit, u nis për në Kostandinopojë për ta takuar, që ti kërkonte falje për Joanin. Monarku donte që të gjithë të përuleshin para vullnetit hyjnor dhe e urdhëroi igumenin që Joani të lihej i lirë dhe të vendoste vetë se çfarë do të bënte. Igumeni plot gëzim u kthye në manastir dhe i tha lajmin e gëzuar Joanit dhe vëllezërve të manastirit.
Ai vazhdoi jetën e tij asketike (të ushtrimit shpirtëror) më shumë se më parë. U vendos në një shtëpi dedikuar Kryeengjëjve të Shenjtë pranë manastirit, duke praktikuar agjërimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe Hyjlindëses Mari, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare, që kanë lënë gjurmë të thella në traditën e krishterë ortodokse.
Tepër e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse, duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa). E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, u kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte. Ndërroi jetë më 1 tetor.

Joani sistemoi dhe riformoi melodi më të vjetra, kompozoi tërësi veprash origjinale të famshme, kryesisht “mësime të ngadalta për zëra të bukur” (kalifonik), në mënyrën tradicionale. Pothuajse të gjitha u përkthyen nga shkrimi i vjetër muzikor në shkrimin muzikor të kohës së tij. Shkrim muzikor, i cili do të qëndrojë në përdorim për disa shekuj deri në shkrimin e ri muzikor të Krisanthit (mitropolit i Durrësit) dhe Hurmuzit, në fillim të shek. XIX.
Aftësia dhe ofrimi i tij psaltik (i mënyrës së të kënduarit kishtar) është krejtësisht një art kishtar bizantin në një fazë të zhvillimit të Artit Psaltik, të cilin e nisi mësuesi i tij Protopsalt (Kënduesi i Parë) Joan Glikis. Joan Kukuzeli konsiderohet “burimi i dytë” i Muzikës Kishtare Bizantine, pas Joan Damaskinit.
Jemi në kohën kur kompozitori himnograf është zëvendësuar nga kompozitori që është njëkohësisht psalt (këndues). Është epoka e mjeshtërve të mëdhenj, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është vetë Kukuzeli. Në këtë periudhë kjo muzikë arrin kulmin e artit të madh. Në të njëjtën kohë krijohen kompozimet e lira, me iso.
Kukuzeli kompozoi melodi për shumë shërbesa kishtare: a) Shërbesa të përditshme: Polielei “Shërbëtorë të Zotit⦔, “Lavdëroni Zotin⦔, Psalmi 118 [119], “Aliluia” tingulli Tërthor I, “Aliluia” të kremteve të mëdha etj. b) Shtëpitë e Himnit Akathist (gjatë Pashkës): “Përlufteshës gjenerale…”, “Fuqia e të Lartit…” etj. c) Mësime muzikore: “Që lartazi profetët…” tingulli i Rëndë dhe Tërthor II; Mbi 40 mësime në vargje 15-rrokëshe etj. ç) Mbajtja iso (shoqërimi me iso): Mbajtje iso në 8 tinguj, ku disa kanë edhe emërtime karakteristike d) Metoda të të Psalurit (mënyrës së të kënduarit): Metoda e vendosjes së shenjave muzikore bizantine: Mega Ison, Ison, Oligon, Oksia, metoda e mbajtjes iso, këndimi i shenjave muzikore, pa tekst, që quhet “Këndimi i urtë i shenjave” njihet si “Sistemi rrethor i Kukuzelit (Trohója)”.
Veprat e tij muzikore, dorëshkrime, gjenden të shkruara në greqisht pothuajse deri në shek. XVI, por ka edhe disa kodikë të mëvonshëm jo të plotë që janë të shkruar edhe në bullgarisht.

Joan Kukuzeli është pikturuar si kompozitor dhe si shenjtor në mjaft miniatura dorëshkrimesh, në afreske dhe piktura murale kishash, si edhe në ikona druri. Ikona më e hershme gjendet në kodikun 457 të Manastirit Kutlumusi (Mali i Shenjtë) (shek. XIV). Ikona të tij janë pikturuar në manastirin e tij në Malin e Shenjtë, në Shqipëri në Manastirin e Ardenicës (Lushnjë), në Greqi, Bullgari, Serbi, Munih, Moskë etj.
Gjithashtu janë ngritur mjaft kore kishtare në botë dhe në vendin tonë, që mbajnë emrin e tij. Edhe qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë të lartë të muzikës kishtare, e kujtojnë kontributin e madh e të çmuar që ky bir i Durrësit ka dhënë si artist dhe shpresëtar, si një shembull historik për shoqërinë e sotme durrsake e më gjerë.Kontributi i tij muzikor është nderuar edhe nga kultura qytetare e vendlindjes, Durrësi, duke i dhënë emrin e tij, Jan Kukuzeli, shkollës së mesme artistike.(Shqip)

FoyQjwqnld0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23689. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23689

Top