Genny
Primus registratum

Më afrimin e sfidës Serbi-Shqipëri ka nisur të rritet edhe tensioni në Federatën Serbe të Futbollit, e cila ka frikë se mund të ndodhin incidente në tribunë nga ana e tifozëve e për rrjedhojë Serbia do të rrezikonte të ndëshkohej rëndë nga UEFA, citon Supersport.
Shefi i Sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit, Mirko Milivoj, në një prononcim për mediat vendase, fajëson Federatën Shqiptare të Futbollit për faktin se nuk ka dorëzuar listën e tifozëve kuqezi që do të udhëtojnë drejt Beogradit. Sipas tij, kjo mungesë bashkëpunimi, mund të cënojë sigurinë.
"Përfaqësuesit e Shqipërisë nuk janë të interesuar dhe nuk e kuptojnë që kjo ndeshje është me risk të lartë. Ata nuk kanë parë as stadiumin dhe as hotelin ku do të akomodohen, si dhe kanë refuzuar të na sjellin listën me emrat dhe mbiemrat e personave që janë pjesë e biletave të tyre.
Nëse duan që të vijnë në Beograd, nuk e di se çfarë sigurie mund t’u ofrojmë".
Për serbët problemi i vetëm janë tifozët kuqezi nga Kosova, të cilët nuk duhet të udhëtojnë drejt Beogradit, madje Milivoj e quan një provokim të rrezikshëm qëndrimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
"Ne kemi nevojë të dimë se cilët janë këta persona. Ndoshta ndonjë prej tyre është i lidhur me krimet e luftës.
Kam frikë se ky është një provokim. Nuk na duhen probleme të tilla, aq më tepër kur dihet se mbështetësit më të shumtë kur Shqipëria luan jashtë vijnë nga Kosova.
Nëse do të kishim informacionin e nevojshëm, nuk do të kishte asnjë problem për t’u krijuar të gjitha kushtet e sigurisë". Në fund zyrtari i Federatës Serbe të Futbollit, nuk harron madje as të kërcënojë qeverinë e futbollit shqiptar.
"Nëse deri të premten në orën 14:00 nuk na vjen lista e tifozëve shqiptarë që do të posedojnë biletat, masë kjo që është në linjë me UEFA-n, do të mblidhemi me agjencitë e tjera shtetërore, për të bërë një vlerësim të sigurisë dhe më pas do të dalim me një përfundim".
Por cili mund të jetë ky përfundim? Mospranimi i tifozëve kuqezi në stadiumin e Beogradit?
Federata Serbe i druhet incidenteve në stadium, madje paralajmëron tifozët vendas se do përfundojnë pas hekurave nëse tentojnë të djegin flamurin shqiptar.