Selmani: Enciklopedia u tërhoq nga ata të cilët e përpiluan

Selmani: Enciklopedia u tërhoq nga ata të cilët e përpiluan

imer-selmani.jpg
Kreu i Demokracisë së Re (DR) Imer Selmani, në selinë e kësaj partie në Shkup, mbajti konferencën e radhës për shtyp, në të cilën shprehi pakënaqësitë e këtij subjekti politik për lojërat e rënda dhe fyese ndaj popullit shqiptar të cilët i luajtën disa persona në enciklopedinë e Maqedonisë.
Më në fund, Enciklopedia maqedonase u tërhoq nga vetë ata që e përpiluan dhe e publikuan. I gjithë ky skandal i ngjau një loje qëllimin dhe fundin e së cilës e dinin vetëm disa njerëz, ndërsa të gjithë të tjerët, ishin objekti i mashtrimit dhe i provokimit. Skandali u shfrytëzua për krijimin e hendekut në mes komuniteteve dhe jo për afrimin e tyre.
U shfrytëzua edhe si mollë sherri që marrëdhëniet me fqinjët tanë, si Shqipëria dhe Kosova, të bien në shkallën zero, kurse perspektiva euroatlantike e vendit të vihet në pikëpyetje. Dhe ne pyesim, interes i kujt ishte ky? Mund të jetë i çdokujt tjetër, por vetëm jo i Maqedonisë dhe i qytetarëve që jetojnë në të!, tha Imer Selmani, kryetar i DR-së. Selmani më tej shtoi se gjatë këtij skandali lindnin shumë konstatime, dhe shumë paqartësi siç janë: Pse Qeveria dhe Kryeministri, asnjëherë nuk u distancuan nga përmbajtja fyese dhe denigruese e këtij edicioni të Enciklopedisë? Pse partnerët qeveritarë u ulën dy javë pas publikimit të përmbajtjes fyese të Enciklopedisë, pasi që u hapën plagët e vjetra dhe u rrezikuan marrëdhëniet ndëretnike dhe ndër fqinjësore, që deklarativisht janë prioritet i Qeverisë dhe i Presidencës së shtetit? Vallë, Qeveria dhe Presidenca e shtetit, me shpejtësi të breshkës reagojnë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndër fqinjësore, por edhe ato ndërkombëtare me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Në çfarë mënyrë do të kompensohen dëmet e shkaktuara në marrëdhëniet ndëretnike, të ndërtuara vite me radhë?. Enciklopedia u tërhoq, jo për shkak të marrëveshjes Gruevski – Ahmeti, por për shkak të trysnive të përfaqësive diplomatike dhe reagimeve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe institucioneve të tyre, reagimet e ashpra të opozitës duke ua bashkangjitur edhe reagimet e fuqishme të studentëve dhe shkollarëve të mesëm, si dhe të apeleve të shumta të organizatave civile në Maqedoni. Megjithëkëtë, pasojat mbetën, si në plan të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, dhe për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi, shtoi Selmani. Demokracia e Re e Imer Selmanit, me indinjatë të thellë pyet se: A është ky stili i ri i veprimit të institucioneve të shtetit, që projektet dhe iniciativat e dëmshme për atmosferën ndëretnike në Maqedoni, të lëshohen dhe pastaj të tërhiqen, për shkak se qëllimi i vetëm i tyre është provokimi që sjell vetëm ndarje dhe plasaritje ndëretnike, nga të cilat dikush, shihet qartë se ka interes politik. Demokracia e Re, gjithashtu përkujton projektin e ndërtimit të Kishës Ortodokse në Qendër të Shkupit, e cila e krijoi po të njëjtin efekt, në dimensionin e marrëdhënieve ndër fetare dhe ndëretnike. Demokracia e Re  i porosit partnerët e qeverisë Gruevski-Ahmeti që kjo lojë e rrezikshme politike të jetë e fundit, dhe si qytetarë dhe si shtet kemi nevojë të integrohemi në NATO dhe EU, kemi nevojë të kemi fqinjësi të mirë me gjithë fqinjët, kemi nevojë për vende të reja të punës, siguri fizike, arsim dhe shëndet të mirë. Dhe krejt në fund, Demokracia e Re, i dërgon një mesazh Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti: Ju thamë që të kemi vëlla dhe të ndihmuam politikisht, por mos harro se edhe të gjithë ne, jemi vëllezërit e tu. Nga pozicioni i Qeverisë që keni, kujdesuni pak më tepër për fatin e vëllezërve tu. Ndërsa ne jemi këtu, për tu përkujtuar, përfundoi Selmani.</p>

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=23464. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=23464
 
Top