Hank
Valoris scriptorum




Sipas artikullit te Mero Baze:
Nga Mero Baze
Për Sali Berishën viti 2012 ka një domethënie të veçantë. Sivjet ai mbush vitin e 22-të si “antikomunist” duke barazuar kështu 22 vitet e jetës së tij si komunist. Shqipëria ka pasur disa faza entuziaste të anëtarësimit në Partinë e Punës. Natyrisht më idealistët ishin ata që iu bashkuan kësaj partie në vitin 1945, kur shpresonin se sistemi i ri ishte një shpresë për shqiptarët. Pati nga ata që iu bashkuan kësaj partie pas vdekjes së Stalinit me shpresë se po ndryshonte. Pati të tjerë që iu bashkuan pas prishjes me rusët.

*(Tritan Shehu mes Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë pas prishjes së kishave dhe xhamive në Tiranë)


(Sali Berisha me Familjen Kapo ne Paris 1977)


Pasi Hoxha vdiq, Berisha e forcoi miqësinë me fëmijët e tij. Së bashku me nusen e djalit të Hoxhës, ai u bë pjesë e Këshillit Shkencor të revistës ‘Shkenca dhe Jeta’, një bord formal, i cili ishte më shumë një arsye për tu promovuar njerëzit e familjes Hoxha se sa një bord shkencor.
Interesant është afrimi i Sali Berishës me Simon Stefanin, një figurinë qesharake e komunizmit, por që mori pas eliminimit të grupeve armiqësore poste kyçe si ai e Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministrit. Berishën nuk e lidhte asgjë me Ministrinë e Brendshme formalisht, dhe nga ana tjetër Simon Stefani ka qenë nga ato personazhe të komunizmit që nuk përfaqësonin as intelektualët dhe as ndonjë klan të rëndësishëm të pushtetit. Ai ishte thjesht një manekin gojëmbyllur për ato që kishin ndodhur në vitin 1982 në spastrimet dhe pushkatimet e rrufeshme të atyre që u quajtën grupi i fundit armiqësor.

Berisha e Simon Stefani
Sali Berisha do ta ketë vështirë ta shpjegojë sa të jetë gjallë servilizmin ndaj këtij byroisti qesharak, nëqoftëse nuk tregon raportet e tij me ministrin e fundit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i cili u pushkatua, ende pa asnjë arsye bindëse. Berisha, në atë kohë një komunist karrierist dhe agresiv, njeriu që përpiqej të afrohej me pjesën e inteligjencës që po promovonte familja Hoxha, duket shumë qesharak dhe i panatyrshëm në përuljen e tij ndaj Simon Stefanit, me të cilin nuk ka pasur dëshirë të dalë në foto as ndonjë komandant batalioni nga ushtria dhe jo më një mjek me rëndësi politike si Sali Berisha. Mjekut Sali Berisha iu desh një ditë në Ministrinë e Brendshme të bënte ekspertizën e “vdekjes” së Fiqret Shehut, gruas së Mehmet Shehut. Shënoi me qetësi ‘vdiq nga zemra’, ndërkohë që pamjet filmike të saj flasin për një të vdekur të gjallë nga torturat ç’njerëzore.
Fundvitet tetëdhjetë e gjetën Berishën tërësisht të rehabilituar dhe në fokus të njerëzve që promovoheshin nga fëmijët e Familjes Hoxha. Ai fillonte të udhëtonte më shpesh në Perëndim dhe të vendoste kontakte dhe me diasporën shqiptare, e cila ishte e lidhur me komunizmin, kryesisht grupet marksiste në Zvicër, apo vendet nordike ku Berisha shkonte si përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë. Ka kaluar sipas disa burimeve bindëse një natë tranzit në Beograd pa dhënë shpjegime nëse ka takuar dajat e gruas së tij apo jo. Ecejaket e tij në botë shtoheshin bashkë me erërat e liberalizmit që po frynin në Shqipëri. Por ai nuk u shfaq kurrë në anën e liberalëve. Në kohën kur mbledhjet e organizatave të PPSH bëheshin të hapura, një korrespondent i gazetës Studenti mori pjesë atëherë në një mbledhje ku ishte dhe Berisha. Dikush kish ikur në Suedi, dikush në Francë, dikush në Itali… Ishin njerëzit e besuar të regjimit. Një prej mjekëve propozoi që mbledhja të kryhej se ky problem do përsëritej. Sali Berisha u çua duke përplasur grushtin mbi tavolinë dhe duke deklaruar se sa të ishte ai aty, nuk do ta linte të shkelej statuti i PPSH. Mbledhja duhet të bëhej kur të ishte më shumë se gjysma e mjekëve. Të tjerët e dëgjuan me bezdi dhe mbledhja u prish. Një vit më vonë ky njeri u shfaq në takimin e intelektualëve të Ramiz Alisë, pasi Ylli Popa kishte bërë shkrimin e famshëm “Në kërkim të kohës së humbur”. U shfaq dhe ky në anën e atyre që kërkonin ndryshimin dhe mirëkuptohej në çdo fjalë që thoshte nga Ramiz Alia. Kjo tërboi nusen e Enver Hoxhës, Liljanën, e cila në mbledhjen e fundit të bordit të revistës ‘Shkenca dhe Jeta’ në shenjë proteste iku nga mbledhja sapo hyri Berisha. Fëmijët e Familjes Hoxha ndjeheshin të tradhtuar. Ramiz Alia u kishte marrë njeriun e tyre. Për katër- pesë muaj Beriha filloi të shëtisë në bulevard me miqtë e tij më të rinj, Mehmet Elezin, Qemal Sakajevën dhe disa artistë e shkrimtarë të rinj. Bëri një shkrim tek gazeta Drita, ku fliste për nevojën e një debati më të madh intelektual dhe një shkrim të kriptuar në gazetën Bashkimi ku fliste për zakonet e odave të veriut ku burrat i lënë vend njëri- tjetrit kur flasin. Është pikërisht ajo që ky njeri nuk u lejon ende të tjerëve. 8 Dhjetori nuk e gjeti në Shqipëri. Për shkak të lirisë që kishte për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, u gjend në Itali. Mëngjesin e 9 Dhjetorit u shfaq në rrugën e Elbasanit, atje ku studentët i kishte bllokuar policia, dhe u bë me ta. Në mesditë e thirri për takim Xhelil Gjoni dhe e çoi tek Ramiz Alia. I premtoi se gjithçka do të ishte nën kontroll të tij. Dhe ashtu u bë. Por natyrisht duke u tradhtuar Ramiz Alia. Prej 12 Dhjetorit 1990 ai nisi karrierën e tij si antikomunist.
***
Historia e tij si antikomunist nuk fillon menjëherë me pluralizmin. Në muajt e tij të parë ai ishte partizan i tezave të buta, ishte kundër integrimit të të përndjekurve politik në PD dhe kundër fjalorit të ashpër ndaj Enver Hoxhës. Ai bllokoi shkrimin e Spartak Ngjelës në gazetën RD në fund të muajit shkurt, dhe u frikësua realisht nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës. Shqiptarët mbajnë mend skenën se si disa orë pas rrëzimit të monumentit ai shëtiste me një makinë zyrtare në sheshin e boshatisur. Ai u shmang nga përplasjet e forta me enveristët e Shkollës së Bashkuar, ku mes studentëve dhe oficerëve enveristë shquante dhe ministri i tij i Brendshëm i vitit 2012. Në Kamëz po ashtu turmat enveriste i udhëhiqte ai që sot është ministër i Financave, të cilit i besuan dhe mbajtjen e bustit prej allçie në supe. Edi Rama dhe grupi i tij i ashtuquajtur anarkist, u zbuan nga PD-ja, ndërsa të burgosurit politik të mirëfilltë si Ngjela, Lubonja apo rrethi i tyre, u mbajtën larg. Pas rrëzimit të qeverisë Nano dhe formimit të qeverisë së re të Stabilitetit, kryesuar nga Bufi, por nën drejtimin real të Pashkos, Berisha pa se fryma e moderuar e qeverisjes po e linte jashtë loje. Bashkëpunimi mes dy partive në qeveri ishte i frikshëm për të dhe njerëzit po përjetonin një periudhë qetësie pas tronditjeve të para. Greva e të burgosurve politik në vjeshtën e vitit 1991 ishte një rast për të marrë në dorë flamurin e antikomunizmit. Ai i imponoi parlamentit miratimin e një statusi gjysmak për ta, i cili i rehabilitonte ata moralisht, por jo financiarisht. Nën hakërrimat e tij antikomuniste dhe paranojake qeveria u rrëzua duke tërhequr mbështetjen e PD-së në dhjetor të vitit 1991. Neritan Ceka denoncoi ikjen nga qeveria dhe Berisha u përball me të në zyrën e Ramiz Alisë. Kjo skenë i kushtoi 18 vite endje në politikën shqiptare Neritan Cekës derisa u rikthye kokulur në zyrën e tij. Me flamurin e antikomunizmit në dorë.
Pas një qeverie transitore të drejtuar nga Vilson Ahmeti, vendi hyri në zgjedhjet e 22 marsit 1992, në një fushatë entuziaste pro Partisë Demokratike, por Berisha nën këshillat e miqve të tij, u përmbajt si antikomunist. Ai nxori në plan të parë parullën bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, që synonte mostrembjen e së majtës së papërlyer me krimet e komunizmit. Nën atë gënjeshtër të pamoralshme shqiptarët votuan në shumicë absolute PD dhe Berisha u bë presidenti i parë i zgjedhur nga një shumicë prej më shumë se 94 vota në Kuvend. Me Paketën Kushtetuese miratuar gjatë qeverisjes së përbashkët me socialistët, ai praktikisht krijoi në vend një regjim presidencial, me fuqi ekzekutive. Në postet kyçe u vendosën njerëz të afërt me të. Objektivi i tij i parë ishin gjykatat dhe prokuroria. Gjykatat nuk bënë rezistencë. Në krye të prokurorisë u vendos Maks Haxhia, një jurist i ri me background të fortë komunist nga familja, i cili nuk bashkëjetoi dot as 4 muaj. Në vend të tij më pas u emërua Alush Dragoshi, të cilin askush nuk e pa, nuk e njohu dhe nuk e identifikoi dot si person real deri në vitin 1997 kur iku nga ajo punë. Në vend të tij ishte realisht Sali Berisha.
Të burgosurit politik, të pakënaqur nga qeverisja e tij filluan një grevë urie në vitin 1994, por Berisha ndërhyri energjikisht duke i përçarë ata dhe duke u publikuar shumë prej tyre dosjet që kishin si bashkëpunëtorë. Fatkeqë në jetën e tyre si të persekutuar, ata ishin dhe pjesa më e prekur që kishte poshtuar Sigurimi i Shtetit. Sali Berisha e përdori deri në fund këtë armë. Petrit Kalakula dhe Abdi Baleta, të cilët në fillim së bashku dhe më pas veç e veç kundërshtuan qëndrimin e tij ndaj së djathtës, u përjashtuan. Por në prag të zgjedhjeve të reja të vitit 1996, ai ndërmori dy nisma të rëndësishme. Formoi një komision intelektualësh për dënimin e genocidit, një trupë amatoreske dhe një mision fyes për jetën e tyre të shkatërruar. Në të njëjtën kohë ndërmori dhe hartimin e një ligji për spastrimin e administratës nga njerëz të regjimit të kaluar dhe njerëzit me dosje duke përjashtuar nga lista gjithë miqtë e tij dhe duke shtuar në listë gjithë armiqtë e tij. Falë atij ligji asnjë pjesëtar i rëndësishëm i opozitës së atëhershme s’mund të hynte më në zgjedhje. Heqja e të drejtës për tu zgjedhur dhe tolerimi i njerëzve të rëndësishëm të regjimit që kishin lidhje me të, u bë ndër shkaqet kryesore që nxiti opozitën të bojkotojë procesin e 26 Majit, i cili filloi dhe mbaroi i kontrolluar nga shërbimi sekret deri në destabilizim.
Falë marrëzive në qeverisje dhe lulëzimit të skemave piramidale, ai u përball me revoltat popullore në fillim të vitit 1997, dhe duke qenë se gjithë pushtetet ishin në duart e tij, shteti u shkërmoq bashkë me të. Fëmijët e tij u larguan me një anije peshkimi drejt Italisë, shoqëruar nga njeri i afërt me drejtuesit e firmës Gjallica, gruaja u strehua tek të afërm të tij, ndërsa ai mbeti nën panik dhe i terrorizuar vetëm në Presidencë. Gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe ish- ministrat, e lanë. Varka e tij e shpëtimit u bë antikomunizmi. Duke vetëshpallur revoltat si një revolucion komunist, falë dhe alibive që i jepnin të riardhurit në pushtet me nxitimin për të rehabilituar gjithë Byronë Politike, ai mbeti në politikë. Të persekutuarit dhe të përndjekurit poltikë, të cilët mbetën sërish rrugëve, shikonin ke PD një shpresë më shumë se tek Partia Socialiste me këtë pakicë të konsoliduar, dhe duke përjashtuar gjithkënd që i bënte hije, Berisha i rezistoi një kalvari të gjatë opozitar duke konsoliduar kartën e antikomunizmit dhe atë të pastërtisë dhe luftës kundër korrupsionit. Falë gabimeve të Fatos Nanos dhe taktikave të tij të dështuara elektorale, ai u rikthye në vitin 2005 në pushtet. Kishte shanse tashmë të provonte se të përndjekurit dhe ish pronarët, të cilët i besuan jetës së tij opozitare, t’i ndihmonte. Shtatë vjet pasi ka ardhur në pushtet, asnjë i përndjekur nuk është shpërblyer, pronarët e mëdhenj kanë bërë pazare me Familjen në pushtet për të ndarë tokat me ta dhe ai vetë po përpiqet të kapet si i mbyturi pas një fije kashte sërish me kartën e antikomunizmit. Ka 22 vjet që gënjen me këtë kartë, po aq vite sa ishte i lumtur si komunist.
Përballjen e tij të fundit e pati sot me presidentin e vendit. Ishte një nga debatet më të ashpra publike mes tyre. Iu fsheh të dilte vetë e të përballej. Për 44 vjet ai ka gënjyer veten dhe shqiptarët, 22 vjet si komunist dhe 22 vjet si antikomunist në shërbim të një qëllimi të vetëm “të ishte në pushtet”. Ky njeri ka në pushtet prej vitit 1968. Plot 44 vjet. Enver Hoxha jetoi vetëm 40 vjet në pushtet, ndërsa regjimi i tij 45 vjet. Ky ia ka kaluar Enver Hoxhës. Është koha për të ikur vetë, por krimet dhe ato që ka bërë, e mbajnë peng. Duhet ndihmuar. Qoftë dhe me shkelm bythëve.