Re: Sali Berisha nuk kritikon - ai rrenon
Fjala e dr.Sali Berishes
Ti je Fatos Nano, mbrapa të vjen Zija
Ti je Fatos Nano që pak javë më parë deklarove se je ngjitur aq lart, sa balta e kundërshtarëve nuk të arrin, kongresmenët e tu shpërthyen në ovacione dhe ngashërime, por ti Fatos Nano, tashmë je skuqur nga gjaku i viktimave të Karaburunit, që të bën më të kuq se të kuqtë
Duke ju përshëndetur ju, qytetarë të Shkodrës dhe Vlorës, edhe një herë uroj që të gjeni forcën për të përballuar dhimbjen e madhe dhe lutem së bashku me ju, që shpirtrat e njerëzve tuaj të dashur, të gjejnë paqen e merituar. Ne kemi kërkuar këtë sesion të jashtëzakonshëm parlamentar për të shkarkuar kryeministrin Fatos Nano, si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së Jonit, si njeriun që me politikën e tij, me klikën që mban përrreth, kanë zhytur në varfëri dhe mjerim progresiv, mbi 1 milion shqiptarë, si njeriu që me shpirt të kalbur nga urrejtja njerëzore, me mendje të helmuar nga cinizmi dhe shpirtkazmëria, me shpirt të shkretë si katrani, në një ditë zie e gjëme të madhe, poshtëroi kombin e tij, poshtëroi viktimat, poshtëroi shoqërinë shqiptare, poshtëroi qytetërimin perëndimor, duke vazhduar vakancat, masazhet, makiazhet, kur Shqipëria ishte mbytur në lotë e zi.
Unë nuk ju prisja ndryshe, veç kështu siç jeni. Nuk jeni deputetë po jeni vajmedet. Nuk jeni parlamentarë, por jeni KPD-arë. Nuk guxuat t'i thoni të paktën, as më elementaren që bën njeriu në zi, nuk e bëre. Nuk guxuat t'i thoni, o servilë të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, se "Ti ike në '98, mbrojte kokën nga Berisha", sepse kështu tha. Po tani nga kush e mbrojte kokën, ndërsa ishe me pushime në pishinat dhe ambientet e hoteleve të Mesdheut!? Si jeni kështu! Kjo është turp. A keni familje, a keni të afërm?
Ti je Fatos Nano, mbrapa të ndjek Varfëria
Ne e kemi kërkuar këtë sesion të jashtëzakonshëm sepse shkaku themelor i së premtes së zezë së 9 janarit, për ne është Fatos Nano. Ti personalisht je shkaku kryesor dhe ministrat tuaj me klanet përreth teje të korrupsionit, kontrabandës dhe trafiqeve. Ti zhyt çdo ditë e më thellë shqiptarët në varfëri. Pra konsumon krimin kolektiv më të shëmtuar. Sot nuk është koha të ndalemi në statistika, por theksoj se ti, pasi ke vendosur taksat më të larta, mbi shqiptarët, në Evropë, me Dukët e krimit, me Maçët, me Malajvitat, Baçët, Ruçët, këtu, dhe sipas FMN vjedh 2/3 e taksave të popullit shqiptar në një vit. Sot në republikën tënde të ekonomisë kriminale 92% të të gjitha ushqimeve që konsumohen, importohen nga Dukët dhe Ruçët dhe zhdoganohet vetëm 1/10 e tyre. Kurse ato shiten me çmimet më të shtrenjta në Europë. Sot nga rreth 1 milion ton naftë që konsumon vendi në vit, Durakët dhe Maçët e tu zhdoganojnë vetëm 1/4 duke vjedhur qindra milionë dollarë. Sipas FMN shuma e taksave që vidhen në një vit në Shqipëri shkon deri në 600 milionë dollarë, kjo shumë do të mjaftonte për të siguruar punë për 120 mijë qytetarë shqiptarë në vit, ndërkohë që grupmosha e punës në Shqipëri për një vit është 70-80 mijë banorë.
Ti je shkaku kryesor i mjerimit dhe varfërisë së shqiptarëve. Je ti me shpurën e zyrtarëve ministrave dhe KPD-arëve, që jo vetëm vjedh e shpërdoron 2/3 e taksave, por ke krijuar monopole të tmerrshme, si në ushqime, naftë dhe hekur, duhan, pije e të gjitha mallrat kryesore, ke shkatërruar prodhimin e vendit, mban çmimet më të larta. Ke falimentuar me qindra e mijëra biznese të ndershme, ke shkatërruar në katër vjet sipas mikut tënd guvernator në Bankën e Shqipërisë, Shkëlqim Cani, 196 mijë vende pune që ekzistonin 4 vjet më parë. Ke larguar çdo vit nga Shqipëria sipas Institutit tënd të Statistikave, mesatarisht 100 mijë shqiptarë.
Sot në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të planetit, ti dhe ministrat e tu, zyrtarët e tu pasurohen me shpejtësi marramendëse, kurse qytetarët varfërohen, mjerohen me shpejtësi të rrufeshme. Sot më shumë se 1/3 e qytetarëve shqiptarë jetojnë në një mjerim të plotë me më pak se një dollar në ditë. Ndërsa lopët e Europës marrin subvencione, - jo ushqime, subvencione, - 2 dollarë në ditë! Kurse 1 milion shqiptarë jetojnë me 1-2 dollarë në ditë. Pra me 350 -700 dollarë në vit, kurse ti me Dukët, Malajvitat, me Maçët, Baçët, Durakët dhe kontrabandën e trafiqet e pista, tendera, taksa e tatime fiton në vit 50 -100 milionë dollarë për frymë.
Vetëm udhëtimet e ditëve të fundit, që bëre ti, paralel me udhëtimin e vdekjes së qytetarëve shkodranë, ke shpenzuar me 'çarter' dhe hotele, ballo, ahengje, orgjira, në Burgenland të Austrisë, në hotelet e Mesdheut e të detrave të nxehta 420 mijë dollarë. Asnjë centim nga paga jote, të gjitha të vjedhura nga tendera të taksapaguesve shqiptarë. Shto faturat që firmosin për heqjen e shpenzimeve tua.
Fatos Nano është shkaku kryesor i tragjedisë së Jonit, sepse varfëria, kjo kolerë e keqe që i dëbon shqiptarët nga Shqipëria, e ka shndërruar vendin e tyre të bekuar në një vend të mallkuar që nuk u jep punë dhe varr. Ky është krimi kolektiv më i shëmtuar i tij dhe i shpurës së tij. Këtë e them jo për politikë, por historia e re dhe e vjetër e njerëzimit në tërësi, dhe më shumë se kushdo tjetër historia jonë në veçanti ka provuar se në Haiti, ashtu edhe në Shqipëri, si në Burundi, ashtu edhe në Shqipëri e gjetiu, varfëria është krim kolektiv i qeverive të korruptuara.
Ti je Fatos Nano, mbrapa është Makutëria
Varfëria është ky krim më i rëndë se çdo krim tjetër, është ky krim që vret më shumë se çdo epidemi, se çdo kolerë, ajo ka dimensione dhe pasoja të shumta, por shkak kryesor vetëm një: vjedhjen nga zyrtarët e qeveritarët të pasurive që sipas ligjit duhet t'u shpërndahen anëtarëve të shoqërisë.
Në Shqipëri pasuria që krijohet nuk shpërndahet, por ajo përqendrohet në duart e Nanos, në duart e lejtnantëve të tij, të Dukëve, Maçëve, të Baçëve, të Durakëve, pra varfërimi kolektiv i shqiptarëve është krimi më i shëmtuar i Fatos Nanos. Në të vërtetë, në themelin e tij, në planin filozofik moral qëndron babëzia, shpirtkazmëria, cinizmi i tij. Nuk është krim të jesh i varfër, jo dhe jo, Por është krim i madh të varfërosh të tjerët. Varfëria është krim sepse të detyron të rendësh drejt vdekjes, siç rendën qytetarët e Shkodrës që humbën jetën më 9 janar. Varfëria të detyron të shesësh fëmijën tënd, të detyron të shesësh trupin tënd, të ndan nga prindi, të ndan nga fëmija, nga bashkëshortja, të vdes nga sëmundja, të lë edhe pa të. Varfëria të zhyt në papunësi edhe pse nuk je dembel, por vetëm se Dukët, Baçët, Maçët, Naçët e Fatos Nanos rrënojnë çdo ditë vendet e punës, të lënë të pastrehë edhe pse ti meriton të strehohesh. Dhe mund të punosh çdo ditë në ndërtime, është lot, është dhimbje e foshnjeve si miza. Janë me dhjetëra e dhjetëra familje të ndara sot.
Varfëria është tmerr nga e ardhmja, është tmerri më i poshtër i tokës, është mallkimi më i madh jo nga Zoti, por i atij që nxin me mungesën e tij këtu.
Varfëria ka fytyra të shëmtuara, ajo ka rënkime therëse, por ti dhe shpura jote asnjë nga këto nuk i shikon, asnjë nga këto nuk i dëgjon, pa le t'i prekësh më, jo. Ajo ka fytyrën e foshnjës që përpëlitet në kthetrat e vdekjes për mungesë të qumështit dhe ilaçeve. Po ku pyet ti dhe ministrat e tu paguani milionat për dadot për fëmijët tuaj.
Varfëria ka fytyrën e vuajtur të atij të papuni anonim që në ngricë, acar apo në pikun e zhegut, pret me orë të tëra tek monumenti i "Ushtarit të panjohur", për t'iu afruar disa orë punë që t'u çojë fëmijëve një vakt bukë, ndërsa ti për konet shpenzon në ditë trefishin e parave krahasuar me familje si këto.
Varfëria ka fytyrën e vuajtur të atij që blen me listë ushqimet e dy vakteve bukë që u jep fëmijëve të tij, por ata nuk ekzistojnë për ty, sepse theksoj edhe një herë për vakancat e tua në Evropë ke shpenzuar 420 mijë dollarë. Varfëria ka fytyrën e nënës që i vdes fëmija për pikën e qumështit, apo të fëmijës me rrecka djerse të pjekura në ballë që nuk shkon dot as në shkollë, por shet ndonjë paketë cigare apo banane të Maçit rrugëve të Tiranës. Kjo sepse për ju, qeniet e varfëra janë qenie të neveritshme, ndaj dhe ju nuk guxoni të ngrini kokën kundër tij, madje ato janë qenie të padukshme, gjer në mosqenie, edhe kur ti i shtyp me benzin tënd luksoz, siç ke shtypur Petrit Islamin, apo i ekzekutoni pa gjyq në paradhomat e sallave tuaja. Ata nuk ekzistojnë, ju i urreni të varfërit tuaj për vdekje, deri në harresë fatale, për fajin e vetëm se ju jeni pasuruar duke i vjedhur ata, duke i rrjepur ata, njëlloj sikur hajduti ordiner, jo rrallë vret viktimën që ka vjedhur edhe pasi i ka marrë çdo gjë. Edhe ju i urreni të varfërit tuaj, nuk mund t'i shihni dot, për ju ata nuk janë nëna dhe baballarë, nuk janë fëmijë, nuk janë motra, nuk janë vëllezër, nuk janë fqinj, por thjesht statistika për t'i manipuluar. Për sojin tuaj çnjerëzor, shoqëria tjetër nuk ekziston.
Për ty, Liza nuk ishte nëna e dy fëmijëve që vdiq për t'u bashkuar me ta, Dritani nuk ishte babai i tre fëmijëve që u ngri në det për t'u bashkuar me vogëlushët, e ti në bregun tjetër si heroi i vlerave familjare, sepse i varfëri për ty nuk mund të jetë i tillë, as prind, as fëmijë. Kurse fëmijët e tyre janë thjesht vocrrakë, varfanjakë. Besmira, të cilën nëna e nisi nuse dhe më 9 janar u shndërrua në vajzën e detit, nuk mund të ishte nuse, madje po të mos qe i shoqi gjallë që e priste ne bregun tjetër, ti me shpurën tënde do ta etiketoje me epitete të tjera. Por pronat dhe pasuritë që ti ke vendosur duke vjedhur shqiptarët që Dukët, Maçët, Baçët, e Ruçët i kanë vendosur mbi mjerimin e të varfërve, bëjnë që ju të mos i shikoni dot ata.
Ti je Fatos Nano, mbrapa të vjen Tragjedia
Po të ndigjosh fjalimet tuaja në Shqipëri nuk ekzistojnë të pastrehët, sepse ju vetë jetoni në vila dhe pallate luksoze. Në Shqipëri nuk ekzistojnë të papunë, sepse ju vetë pasuroheni duke fjetur dhe soj-sorollopi juaj është i punësuar madje me 2-3 punë. Për ju në Shqipëri nuk ekzistojnë fshatra dhe as rrugica mjerimi në qytetet e saj, sepse ju nuk shkoni atje. Në këtë vend nuk ka dyqane me lista, mbasi ju vizitoni resortet më të kushtueshme të kontinentit. Për ju në Shqipëri nuk ka shkolla të shkatërruara, nuk ka fëmijë analfabetë, sepse ti me paratë që vjedh, shkollon fëmijët e tu në shkollat më të kushtueshme të perëndimit. Në Shqipëri nuk ka të sëmurë që vuajnë, nuk ka spitale të rrënuara pa ilaçe, pasi ti kurohesh dhe bën masazhe në klinikat më të shtrenjta të Europës. Në Shqipëri vdesin 50 foshnje në një mijë që lindin, pasi ato janë të shoqërisë që nuk e shikon, të shoqërisë së padukshme, vocrrakë që kanë lindur për të vdekur. Ti je Fatos Nano, mbrapa të ndjek mjerimi i shqiptarëve. Me të vërtetë ti je ngjitur lart, siç do t'u deklaroje ti kongresmenëve të tu disa javë më parë dhe se balta e kundërshtarëve të tu nuk të arrin në këtë lartësi, por gjaku i atyre që u ngrinë në ujërat e Jonit në datën 9 janar, të ka bërë sot të dukesh më i kuq se kurrë. Ti je Fatos Nano, mbrapa të vjen zija. Po dhe po. Mirëpo, mbrapa të vjen zija, sepse varret e djemve dhe të vajzave të Shkodrës që u ngrinë në thellësinë e Jonit të premten e zezë nuk janë në Jon, nuk janë në Shkodër, ato janë ngritur mbi pronat tuaja, të Dukës, Maçit, Baçit, Ruçit, dhe shpurës tënde çnjerëzore. Pikërisht për këtë arsye ata që mbetën të ngrirë në thellësinë e Jonit, në çastin e fundit të jetës së tyre, pasi u përshëndetën me të dashurit e tyre, u ndanë me ty dhe me shpurën e qeveritarëve tuaj. Ti mund të çuditesh, por më i fundit me Lizën e gjorë u nda pasi përqafoi fëmijët e saj, je ti Fatos Nano, pasi engjëjt e saj u zhdukën mes dallgëve. Mendoi se ti i kishe lënë pushimet dhe erdhe t'i jepje dorën e shpëtimit. Por jo. Ishte në bisedë me maskën tënde që i mori shpirtin e saj të pafajshëm. Besmirës që vdiq për besën ndaj të shoqit, pasi përqafoi fëmijët dhe bashkëshortin e saj para syve të saj i doli ministri yt, Duka i krimit. Mendoi se atleti do ta shpëtonte. Por edhe ajo u gabua. Nuk kishte skuadër shpëtimi. Ishte Xhebraili që kishte vënë si maskë fytyrën e ministrit tënd. Po kështu, Toma, Ramizi, Ridvani, Paulini, Alfredi, të gjithë atyre që vdiqën, Luçiferi dhe Xhebraili, iu afruan jo me fytyrën e tyre, por me maskën e fytyrës së Maçit, Baçit, Malajvitës, të Robos e kështu me radhë. Kjo është historia. Prandaj ti nxin me mungesën tënde këtu. Ti je Fatos Nano që pak javë më parë deklarove se je ngjitur aq lart, sa balta e kundërshtarëve nuk të arrin, kongresmenët e tu shpërthyen në ovacione dhe ngashërime, por ti Fatos Nano, tashmë je skuqur nga gjaku i viktimave të Karaburunit, që të bën më të kuq se të kuqtë.
Ti nuk je vetëm shkak themelor, por je dhe shkaku direkt i tragjedisë së Jonit. Je përgjegjës direkt i saj, sepse ti je përgjegjësi kryesor i shtetit oktapod, skafo-republikës tënde, i shtetit të punëve, trafiqeve, parave të pista, shtetarëve trafikantë, cinikë, imoralë, të ulët të pamëshirshëm, primitivë, Fatos të vërtetë dhe klaneve të tyre që s'kanë asgjë njerëzore dhe që përfitimin e paligjshëm, vjedhin, marrin peng, djegin të gjallë, vrasin pa gjyqe, mashtrojnë, torturojnë, rrahin, përdhunojnë, plaçkitin, përzënë nga Shqipëria. A nuk je ti mik i Nehat Kullës, i Feriz Kërnajës, i Nard Kokës, është apo s'është, ju që shihni këtu, KPD-arë. Eshtë apo s'është, thoni këtu? I Fatmir Ramës, atëherë çfarë mund t'i thuash, kujt për lidhjet e krimit, ti je vetë krimi i organizuar. Ti je bota e krimit.
Le të shtrojmë se bashku një pyetje: A ishte tragjedia e 9 janarit një akt i organizuar nga shteti? Hetimet paraprake tregojnë se të gjithë ata që mashtruan viktimat e Shkodrës ata që i transportuan, që i sistemuan në hotelin e Dhërmiut, që i siguruan që përtej detit do të kalonin dhe polici dhe jo me skafistë. Dhe pasi i vendosën në gomonet e vdekjes, pa përjashtim të gjithë ishin njerëz me uniformë, soji yt dhe i qeveritarëve të tu, familjarë shumë të afërt të KPD-arëve të tu më fanatikë, Makbule Robos, Luiza Hoxhës, dhe të Dukës, ndër ta anëtarë të bandës së Zani Çaushit, miq të ngushtë të ministrave të tu, pra rrugëtimin e vdekjes e organizuan zyrtarë të policisë dhe të SHIK-ut, të shtetit tënd oktapod, mishi i të cilit je ti.
Sot le të shtrojmë së bashku pyetjen: Ishte ajo një aksident, apo ishte një dramë e rrallë e planifikuar e shtetit tënd oktapod. Unë këtu nuk do t'u referohem burimeve të opozitës. U ngrita edhe pak më parë për t'iu përgjigjur përfaqësuesit të malavitës në koalicion për integrim. Eshtë e vërtetë që nga '92-'97 ka patur 182 gomone të konfiskuara. Eshtë e vërtetë që ata zyrtarë që ne i ndiqnim penalisht, ju u keni dhënë grada. Nga ana tjetër është e vërtetë që nga '97 e gjer më sot, akti i fundit ishte akti i 20 i tragjedisë shqiptare që luhet në ujërat e Jonit apo të Adriatikut. Dhe këto akte janë vetëm ato që nuk i ka përpirë dot deti, ndaj përqindjet janë shumë më të mëdha, për ne, për shoqërinë që ju nuk e shihni, këta shqiptarë, kurdë, kinezë, senegalezë. Ndërsa për ju çfarë janë ata? Janë dhjetëra dhe qindra milionë dollarë, janë vila luksoze, janë hotele, motele, vakanca të kushtueshme, afera të ngritura, pallate, etj., etj., ky është soji i poshtërsisë njerëzore. Në këtë soj i pari je ti Fatos Nano, prapa të vjen poshtërsia.
Ti je Fatos Nano, prapa të vjen Poshtërsia
Ti je Fatos Nano, prapa të vjen Poshtërsia. Ti je përgjegjës kryesor i tragjedisë së 9 janarit dhe për këtë le të ndalemi dhe në një moment tjetër: A u ndihmuan viktimat e 9 janarit siç meritojnë të ndihmohen pa dallim, të gjithë ata që në dete, bien në fatkeqësi, apo u lanë ata me qëllim midis dallgëve mizore të Jonit?
Hetimet zyrtare pohojnë se drama e 9 janarit u ekzekutua nga deti me aprovimin e heshtur të shtetit, me mosveprimin dhe bllokimin e operacioneve shpëtimtare nga ana e tij. Këtë tashmë nuk e thonë vetëm familjarët e viktimave, e thonë mbarë mediat në raportet e tyre. Nuk e pohojnë vetëm Vlora dhe njerëzit e saj, këtë e pohojnë sallat e gjyqeve, e pohojnë të gjithë.
Dje, në sallën e gjyqit, oficeri i policisë së Dhërmiut, Vladimir Kordhishta, deklaroi se që në orën 17.40 të datës 9 janar kishte informuar për avarinë e gomoneve eprorët e tij.
Zoti Kordhishta, në dëshminë e tij, tha se këtë njoftim ua ka përsëritur eprorëve të tij vazhdimisht gjer në orën 21, por asnjëri nuk vuri ujin në zjarr.
Pse kjo? Kjo sepse dikujt diku i interesonte që ata t'i mbyste. Ose për të mos prishur pushimet e tij në detrat e nxehta, ose për të mos minuar "sukseset" e tij.
Ndaj dhe SOS-i u mbajt i fshehur.
Mediat morën lajmin. E shndërruan në një kushtrim kombëtar, por pas këtij kushtrimi dikush, o KPD-arë, u vërsul si bishë kundër mediave të lira. U tha se po mashtroni, lajmi është i rremë, se nuk janë klandestinë, janë dy drogaxhinj.
Por kush ishte ky dikush, or KPD-arë? Ky dikush ishte ai që foli aty, ai që doli dhe mashtroi këtu. Ky dikush ishte Igli Toska, anëtar konstant i malavitës shqiptare. U përpoq të bukosen mediat.
Ti, Fatos Nano, je më i zi se Zija
Të shkojmë më tej. Jeni disa deputetë të Vlorës këtu, shkoni pyesni në komisariatin e Vlorës. Por ju s'përfaqësoni Vlorën, ju përfaqësoni fakultetet më të errëta të shoqërisë njerëzore. Vlora e tëra thotë që policia e Vlorës gjer në orën 8 nuk bëri asnjë veprim, sepse dikush diku kishte vendosur që më mirë t'i merrte harresa e detit dhe të mos prisheshin pushimet e tij.
Pra, kjo ishte një vdekje e parandalueshme, por nuk u parandalua. Në të kundërt, asnjë SOS nuk iu dha anijeve të lundrimit, asnjë ndihmë s'iu kërkua peshkatarëve. (Eksperienca ka treguar se më të fuqishmit në shpëtim sot për sot janë peshkatarët shqiptarë, ndaj mos dëgjoni përrallat e tij që del këtu i papërgjegjshëm).
Familjarët në Shkodër e falenderonin këtë, Majkon, për fjalët e mira që iu tha. Po, po, se kanë fisnikëri ata, por nuk guxoi të shkojë t'u paraqesë një ngushëllim.
Më thanë mua, falenderoje Pandeli Majkon për fjalët e bukura që na tha, kurse ky këtu, ministër gjoja, s'guxoi të shkëputej, por iu nënshtrua verbërisht urdhrit të Fatos Nanos, i cili nuk lejoi as qeverinë të shprehte një ngushëllim.
Kush mund ta pranojë këtë? Nuk ka soj njerëzor që pranon një gjë të tillë.
Çfarë bëtë më tej me kufomat? Kufomat i zvarritët në det. Kufoma ka kodin e saj. Media pastaj e mori gjithë fuqinë. Mediat njoftonin se kufomat po shkojnë drejt Vlorës dhe me të ardhur afër Vlorës, dikush i urdhëroi: "Nisini për në Sazan!" Harron ti, o lejtnant i Fatos Nanos se deti ka sy, se deti ka veshë?! Ti nuk e njeh detin, nuk e njeh as njerëzinë. Sepse deklarata jote, se u dërguan në Sazan për të parë se mos kishte të gjallë, të ngarkon ty me fajin më të rëndë.
I dërguat në Sazan për qëllimet më të mbrapshta njerëzore.
Ishte vendosur që Shkodra të poshtërohej, që kufomat të mos nderoheshin rrugës, por të shkonin pas mesnate.
Ti je primitiv, Fatos Nano. Ti e urren Shkodrën, por harron se Shkodra është djep i qytetërimit tonë perëndimor, është qenia perëndimore e kombit tonë.
Një apatrid si ti e nderon Shkodrën me urrejtjen e tij. Dhe kur të them apatrid, nuk nisem nga origjina. Jam i bindur se nacionalistët shqiptarë, pas kësaj deklarate, do të më qortojnë, por historia e këtij vendi më ka mësuar se pavarësisht nga origjina etnike, atdhetaria ka qenë konstante, e barabartë për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Kurse ti i urren qytetarët shqiptarë. Si mund të silleshe ti ndaj Shkodrës në atë mënyrë?! Në një kohë kur viktimat e 29 marsit që nise për në Vlorë i mbulove me lule dhe mirë bëre? Po këta të tjerët çfarë ishin? Pse ishin shkodranë ua bëre këtë? Ua bëre, sepse ti në mendësinë e vjetër shkodranët i konsideron shkodru. E bëre këtë se ti urren shqiptarët dhe qenien e tyre, e bëre këtë sepse ti urren viktimat e tua. Shpirti yt katran e di. Ti je Fatos Nano, je më i zi se zija.
E kam mbyllur gojën deri në orën 4 e gjysëm pasdite të ditës së shtunë. Kam ndjekur si prind, kam ndjekur si politikan, kam ndjekur si qytetar, kam ndjekur si ish-president, kam ndjekur si mjek, minutë për minutë dramën e Jonit. Por nuk mund të mos flisja unë, kur gazetarët njoftonin se Igli Toska u thoshte se janë drogaxhinj. Nuk mund të mos flisja unë, kur zvarriteshin trupat në det. Shpalla zi, por deklarova se do t'i bashkangjitem zisë, nëqoftëse shteti e shpall atë dhe iu bashkangjita. Por shteti bëri zi zemërthyer. Po të mos ishit në zi zemërthyer siç jeni, or KPD-arë, merrnit mundimin për të shkuar të ngushëllonit familjet e viktimave, të cilët kanë një kod të hekurt në vdekje, presin të gjithë njëlloj. Ju s'e bëtë atë, sepse dhe zinë e kishit me zemër të thyer.
Tani nuk do të vazhdoj më tutje, sepse nuk ka nevojë të përdorësh asnjë fjalë tjetër, vetëm ta quash Fatos Nano dhe kaq.