Re: Sajmiri i Fiksit kandidat per deputet!
Një nga dy protagonistët e emisionit të njohur, “Fiks Fare”, Saimir Kodra kandidon për deputet në zonën elektorale nr. 86 në Pogradec. Saimiri rrëfen për “GSH” se si vendosi t’i futet detit të politikës.
Z.Kodra, si lindi ideja fillestare për të kandiduar në zgjedhjet e 17 qershorit? Ishte ofertë e organizatave politike, shoqërisë civile, apo ishte iniciativë personale?
Ideja e parë ishte nga banorë të zonës ku do votohet, pasi e përpunova e diskutova me miqtë e mi të shoqërisë civile, gjeta një mbështetje të madhe nga ata dhe vendosëm të dilja kandidat i asaj zone. Opozita e bashkuar pas marrjes së këtij sinjali u bashkua me ne dhe e mbështeti si kandidaturë.
A keni marrë përkrahjen e të gjitha partive të koalicionit të majtë?
Kam bindjen se rrugës për kandidim do të gjej mbështetjen dhe të partive të djathta.
Çfarë mund të ofroni ju për zgjedhësit e zonës 86, që nuk mund t’ia japë kandidati i së djathtës?
Kam 5 vjet që çdo ditë përcjell në ekranin e “Topit” hallet e njerëzve të të gjithë shqiptareve, pa dallim partiak, mendoni se tani që jam deputet nuk do ta bëj më?! Pra elektoratit tim i ofroj një altoparlant të madh në “Fiks” dhe parlament ku do të qahen hallet e tyre... halle njerëzish.
Mund të na tregoni diçka rreth mënyrës se si keni menduar ta zhvilloni fushatën elektorale?
Ndryshe nga të tjerat kjo e imja do të jetë takim me njerëz shtëpi me shtëpi duke u shkruar në një bllok hallet e tyre, problemet... dhe kur të kthehem në parlament do t’i dëgjojnë të flitet për to.
Nëse zgjidheni deputet, a do të vazhdoni paralelisht të jeni i pranishëm në ekran, në programin “Fiks Fare” apo në ndonjë format tjetër?
Kush e ndalon një deputet të dalë përditë në ekran për të ndihmuar zonën e tij e ca më tepër gjithë shqiptarët?
Drejtori i Fiks Fare, Filip Çakuli ka kandiduar dy herë për deputet në emër të PD-së dhe nuk ka fituar. Nëse ju fitoni më 17 qershor, çfarë mesazhi do t’i jepnit kundërshtarit tuaj politik?
Futja ime në garë është dhe një kamera e Fiksit më afër proceseve zgjedhore, mënyrën se si zhvillohen ato, funksionimi i tyre. Mesazhi im është, aty ku ata nuk bëjnë dot si duan fiton populli, shoqëria civile, fitoj unë, pra mos e provo më.
Gjithnjë, nëse fitoni, mendoni se do të jetë e lehtë të luftoni fenomenin e abuzimit me pushtetin, duke qenë pjesë e vetë pushtetit?
Unë s’do të jem kurrë pjesë e pushtetit, të paktën atij politik, civil po. Do ta kem më të bukur luftën, sepse të lehtë e kam, do t’ua shpalos para syve abuzimet e dallaveret e atyre që më vjen ndot kur i mendoj, miliona euro vjedhje. Prisni do t’i dëgjoni nga podiumi, nga podiumi i popullit tashmë.