Rrëfimi: Matura 79 e Vlorës, një takim pas 30 vjetësh

Rrëfimi: Matura 79 e Vlorës, një takim pas 30 vjetësh

HISTORI NJERËZORE / Të rigjesh shokët e shkollës. Matura ‘79 e Mekanikës në ish-Shkollën Industriale të Vlorës, “rigjen veten”. RRËFIMET DHE EMOCIONET E DY IDEATORËVE

Ka momente të veçanta në jetë, kur ke ndjesinë që duhet të gjesh një mënyrë për t’i “afruar” sadopak, vitet që ikin. Me sa duket, këtë kishte parasysh edhe Gjon Nezha nga Laçi, kur në një nga ditët e gushtit të vitit 2009, iu kthye kujtimeve dhe shënimeve të veta të para 30 viteve, kur ishte maturant i shkollës së mesme industriale në Vlorë.
“Nuk të bën zemra t’ia lesh kujtimet fatit. Ai shpesh i mbulon ato me mjergull dhe harresë”, – thotë Ndoc Logu, bashkë-maturant i Gjonit në vitin e largët 1979, – duke shtuar: “Kujtimet janë për gjithsecilin nga ne, jo vetëm me vlerë, por edhe të përmallshme, deri në përlotje”.
Dëshira për t’iu kthyer albumit të fotografive dhe kujtimeve, ka brenda edhe kuriozitetin për të ditur për jetën e punën, familjen e fatin e ish shokëve të para 30 vjetëve. Cili mund të ketë qenë fati i tyre?
Kurioziteti i Gjon Nezhës, ia ngacmoi edhe më shumë ndjenjat rinore për t’iu bërë një apel ish shokëve dhe shoqeve të shkollës së asaj mature të vitit 1979.

“E bëri Gjoni, sepse ai është i shkathët nga natyra, inteligjent dhe i efektshëm në veprime, – tregon Ndoci. Po si u bë e mundur të ritakoheshin?
Ndoci tregon: “Në konviktin e shkollës së mesme industriale të Vlorës, ishte në atë kohë edhe një gjimnazist i Vlorës, emri i të cilit sot është shumë i njohur. Quhej Koço Kokëdhima. Ishte bashkë me ne, ndaj e ndiente veten sa gjimnazist, po aq edhe pjesëtar të kësaj mature”.
Ndoci është i emocionuar: “Sot, ish-konviktori dhe shoku ynë, Koço, është biznesmen. Dhe ai na ndihmoi shumë në idenë tonë. Na botoi për më shumë se 29 ditë rresht në dy gazetat e tij njoftimin dhe listën e klasës IV – A mekanike të shkollës industriale në Vlorë. Në këtë njoftim shkruhej data, dita, ora dhe vendi i takimit të kësaj mature”.
Më pas, gjithçka ka qenë më e lehtë. Ndoci na rrëfen për “Shekulli 2″ se brenda pak ditëve fillojnë telefonatat në numrat e telefonit që ishin shënuar në këtë njoftim.
“Telefonatat vinin parreshtur nga brenda vendit dhe nga shtete të ndryshme të Evropës, ku jeta kishte shpërndarë shokët e maturës. Ato telefonata çdo ditë e më shumë më shtonin mallin dhe emocionet – shton Gjoni.
Edhe ai ia dedikon takimin e rrallë, shokut të konviktit, Koços. “Nuk i kurseu as shpenzimet, për ta realizuar këtë ëndërr tonën. Ka një shprehje që thotë: “paraja e madhe të bjerr shpirtin”, por jo në të gjitha rastet qenka e vërtetë…”

Ditët kalonin dhe 19 shtatori erdhi shpejt. Bisedat telefonike nga tërë anët e vendit dhe nga jashtë shtetit me ideatorin e këtij takimi Gjonin, e kishin shtuar akoma më shumë padurimin për të parë pas 30 vjetësh ish-shokët dhe shoqet e maturës. Drejtori i sotëm i shkollës, Kastriot Cacaj, i informuar nga njoftimi në gazetë për këtë takim kishte marrë masat që ish – maturantët e para 30 vjetëve të gjenin ambjentet e shkollës dhe të konviktit të hapura dhe me personel në pritje. Për këtë mori falenderime të përzemërta nga ish – maturantët.
“Dita e 19 shtatorit ishte një ditë plot diell. Te porta e shkollës vinin njëri pas tjetrit ish maturantët, disa nga të cilët edhe me familje, por tashmë të rritur e të burrëruar, disa më të spikatur dhe intelektualë të dëgjuar, disa të tjerë biznesmenë, të tjerët punëtorë të nderuar, familjarë të mirë dhe prindër të shkëlqyer,” – thotë i emocionuar Ndoc Logu.
Gjoni shton: “Disa ishin me flokë të bardha si bora, disa të tjerë edhe pa flokë fare. E veçantë ishte edhe ardhja në këtë takim i një maturanti të atij viti, por të një klase tjetër. Shpirti nuk e kishte lënë të rrinte në shtëpi, donte të ishte pjesë e këtij përjetimi të madh. Së bashku me familjen u bë pjesë e këtij takimi. Ishte Rakip Llojku nga Prrenjasi. E falenderuam të gjithë.”

30 vitet e kaluara, kishin bërë punën e vet për cilindo. Por, nga vlera shpirtërore veçse ishin pasuruar, ishin bërë shumë njerëzorë. Kjo u pa nga takimet, përqafimet deri në përlotje malli. Shumë prej tyre edhe nuk arrinin ta njihnin njëri – tjetrin. “Po ti cili je!?” – Ishte pyetja. “Po…, po…, po ku ndodhesh? Familjen? Fëmijët? Jeta si të ka ecur?” – e kështu me radhë.
“Bëhet rreshtimi në oborrin e shkollës, vajzat përpara e djemtë pas, – tregon Gjoni – secili në vendin e vet si para 30 vitesh. Sipas rregullit të dikurshëm hynë në klasë. Ish nën drejtori i shkollës, Astrit Isaraj, i ftuar në këtë takim, kishte ardhur me gjithë bashkëshorten e tij, Violetën.
Bëri apelin e këtij takimi emocionues: Adriatik Bocaj (gjyqtar në Lezhë), Agim Gjashi (Tiranë), Artur Beco (ing. Fier), Afrim Gjetani (biznesmen Mamurras), Besim Sula (ing. Ulëz), Bujar Cevani (Tiranë), Bujar Lisi (tregtar Kurbin), Dilaver Meria ( biznesmen në Londër), Dari Begaj (mungon), Fejzie Merkaj (Vlorë), Gëzim Hani (mungon), Gjon Nezha (Laç), Isuf Saliu (Durrës), Isuf Dalliu (Tiranë), Isuf Pallaqi (Greqi, mungon), Lumturi Guzi (mungon), Nadire Karaj (Burrel), Ismet Karaj (Prrenjas), Mude Mamiu (mungon), Martine Prenga (Laç), Mrika Gjini (Tiranë), Pëllumb Gjoni (Mamurras), Qerim Sanga (Sanxhak), Qirajko Qakalli (Greqi), Petrit Demiri (drejtor ndërrmarjeje në Burrel), Ramadan Salko (biznesmen në Itali), Shyqyri Boja (menaxher auto – servisi në Fier), Roland Bimo (biznesmen Vlorë), Tom Luca (Francë), Rustem Beshku (Durrës), Maliq Saja (Borizanë), Xhevahir Bajrami (Vlorë),

“Po të tjerët…?” Heeee! Cub Tuga i ndarë nga jeta. Fatbardha Ferati edhe kjo e ndarë nga jeta. Viktor Hoxha dhe ky nuk jeton më. Ish nën drejtori i shkollës së para 30 viteve veçoi edhe dy lajme të tjera të dhimbshme për ish drejtorin e shkollës Dhori Strati dhe ish kujdestarin e konviktit Miltjadh Dalla. Kishin kohë që ishin ndarë nga jeta.
“Më e dhimbshmja ishte ajo që na ndodhi me mësuesen kujdestare, Dritën. Në datën 23 gusht konfirmoi në telefon ardhjen në takim. Ishte e ftuara jonë e nderit. Por, ajo ndërroi jetë 14 ditë përpara takimit, – thotë Ndoci i përlotur.
Pas përfundimit të apelit të klasës, të gjithë pjesëmarrësit qëndruan në heshtje për ata që nuk jetonin më.
Të 29 maturantët vijuan shëtitjen në Vlorë, ku kishin kaluar 4 nga vitet më të bukura të jetës së tyre. Së pari, një vizitë ngushëllimi në familjen e mësueses kujdestare, Drita Derri. “Më pas u akomoduam në një nga lokalet e bregut, ku valët sillnin flladin e detit dhe mallin e viteve të rinisë të para 30 viteve. Dhe jo një orë, apo dy, por deri në orët e para të mëngjesit tjetër, duke rikujtuar episode dhe aspekte të jetës shkollore dhe konviktore. Donim që kjo natë të ishte sa më e gjatë, të mos mbaronte kurrë, – përfundon rrëfimin e tij Ndoc Logu.

Letra e ideatorit të takimit për botuesin e Shekullit

I nderuar, zoti Koço!
Duke e ndier veten borxhli ndaj jush, ju shpreh mirënjohjen e gjithë maturës IV – A të vitit 1979 të shkollës së mesme industriale Vlorë (Mekanika), për ndihmën e pazëvendësueshme që ju dhatë në realizimin e takimit të maturës sonë më 19 shtator 2009.
Ishte një takim i shkëlqyer, i papërsëritshëm dhe shumë i përmallshëm. Por, gjithashtu i dhimbshëm, pasi aty u informuam se dy shokë dhe një shoqe të klasës ishin ndarë nga jeta.
Ju bëj me dije se gjatë gjithë kohës së këtij takimi ju keni qenë në qendër të vëmendjes së të gjithë ish-nxënësve të asaj mature. Ngritëm dolli për ju dhe për familjen tuaj.
Mbeteni miku, shoku ynë më i mirë dhe më human. Gëzohemi që paraja nuk ju ka ndryshuar në karakter, siç ndodh rëndom. Rigjetëm te ju ndjenjën e dinjitetit njerëzor, për të cilën fatkeqësisht, sot shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë. Ju faleminderit zoti Koço për gjithçka bëtë për realizimin e këtij takimi pas 30 vjetësh.

Me mirënjohje të thellë:
Gjon Nezha, Laç
(Shekulli)

kgeDa0oVw6g

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23889. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23889

Top