Rrëfimi i të penduarit të Bandës së Durrësit: Vrasje, trafiqe e tradhti
Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Adriatik Coli, për krimet e banës së Durrësit hyn në një fazë tepër interesante. Coli tregon nisjen e zinxhirit të vrasjeve në qytetin e Durrësit. Sot publikohet plani i vrasjes së njërit prej “armiqve” të bandës, Marsel Sotirit dhe gjithçka që ndodhi pas kësaj ngjarjeje. Si nisi trafiku i klandestinëve për të arritur tek droga që solli përçarjen e madhe mes Klodian Saliut dhe Lulzim Berishës. Dy miqtë e mirë u kthyen në armiq të betuar 600 milionë lireta të përfituara nga trafiku. Ndarja e treguar nga goja e vetë Klodian Saliut: Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ç’kishim për të ruajtur. Tani nuk jemi armiq, por të shikojë çdonjëri punën e vet

TIRANË- Në korrik të vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit. Aty ishte edhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët “Skorpions” dhe një kallash që e kisha mbrapa në bagazh dhe një paruke të kuqe dhe ti çoja tek shtëpia ime, pasi do t’i binim Ed Ongarit. Unë ashtu bëra dhe po prisja gati në shtëpi. Mora edhe një Benz 240, që ma dha Luli për ta përdorur për vrasjen. Këtë makinë, ai nuk e ka përdorur më parë. E kam parë vetëm atë ditë që e mora unë. Pas një ose dy ditësh, Plarenti, Luli, Klodi dhe Indriti ishin tek shtëpia e një të afërmes së Lulit. Ai më mori në telefon dhe më tha që të marr makinën, skorpionsin dhe kallashin dhe të shkoja tek ” 5 katëshi”, në hyrje të lagjes. Shkova aty dhe gjeta Klodin, Indritin dhe Lulin. Hipëm të katërt tek Benzi jeshil. Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë ndërsa unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelën dhe u nisëm. Armën Skorpions e mori Klodi, ndërsa Kallashnikovin e kishim ne mbrapa, unë me Indritin. U nisëm me makinë dhe kur u afruam afër lokalit, Luli më tha që të zbrisja dhe të shikoja sa vetë ishin në lokal dhe t’ia bëja me shenjë. Kur zbrita dhe ju afrova lokalit, pashë që jashtë në karrige ishin ulur Edi me dy veta të tjerë. Në atë moment i bëra me shenjë Lulit duke i treguar me gisht që janë tre veta. Menjëherë zbriti Luli me parukën e kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodi kishte vënë kapelën e zezë me strehë të gjatë para dhe me automatikun Skorpions në dorë. Edi ra përmbys në tavolinë, ndërsa Luli me Klodin hipën në makinë dhe u larguan. Unë ika në këmbë deri në shtëpi. Ata e lanë makinën afër rajonit të policisë në një rrugicë që të nxjerr te tregu industrial dhe më vonë erdhën në këmbë te shtëpia e ime. Në shtëpinë time s’kishte njeri dhe i pyeta gjatë muhabetit për makinën. Më treguan se ku e kishin lënë, bashkë me të gjitha armët dhe paruken. Pas disa minutash, një makinë erdhi para shtëpisë, që nuk e mbaj mend se çfarë dhe kush ishte dhe nga shtëpia ime ikën Indriti dhe Klodi, ndërsa Luli iku në këmbë. Pas disa minutash shkova për të marrë makinën, pa më thënë njeri dhe e solla afër Muzeumit mbrapa shtëpisë sime, ndërsa armët dhe parukën i mora dhe i fsheha në një ferrë aty afër. Makinën e mbylla.

Ekzekutimi i Marsel Sotirit

Një javë pas kësaj ngjarjeje, në korrik të vitit 1998 erdhi një djalë që nuk mbaj mend kush ishte dhe më mori te shtëpia, duke më thënë se të kërkon Luli. Shkova me të dhe më dërgoi tek një shtëpi një katëshe të vjetër, që ndodhej tek unaza e plazhit. Aty ishin Plarenti, Luli, Klodi dhe Indrit Taullai dhe një tjetër që tani është në Amerikë. Sa hyra brenda, më thanë: “Sot do palosim Marselin”. Unë i thashë “ishalla” dhe po vij po gjuaj edhe unë, se më la gjysmë njeriu. Kur u bënë planet, Luli tha të merrnim Benzin jeshil që përdorëm tek vrasja e Ed Ongarit dhe t’i çonim tek shinat e trenit, që del tek plazhi “Iliria”. “Vetë do të rrish sipër te kodra dhe kur të dëgjosh krisma, do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i “Plepave” që të kemi të lirë kalimin për në Durrës pas vrasjes”,-më tha. Me t’u errësuar koha, unë mora Benzin dhe u nisëm bashkë me Lulin, Plarentin, Indrit Taullain e Klodin. Me vete morëm një mitraloz të rëndë “Kolinov”, një mitraloz të lehtë me rrotacile, ku futëm fishekët, një kundra tank dhe katër automatikë kallashnikov, ku njërin e mora unë. Shkova dhe i lash çunat të ura dhe vetë u ktheva mbrapsht dhe qëndrova buzë rrugës, në faqe të kodrës. Pas 30 minutash pritje, dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova te makina te ura, ku më thanë ata. Mora kallashin, dola nga makina dhe e bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës së Plepa – Durrës, që të kishim rrugën e lirë për të ikur. Pas rreth 10 minutash, aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë kallashnikovin, kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë i pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë “o Klodo, o Klodo”. Pastaj hipëm në makinë dhe u larguam, shofer isha unë, ku me të mbërritur tek shinat e trenit tek unaza që merr për në Durrës, ata zbritën. Luli mori kallashin tim dhe më tha kthehu: merr Klodin. Ata vetë ikën mes shinave ndërsa unë nuk u ktheva, se kisha frikën e policisë, por vazhdova drejt. Kalova Nish-Gomën e re dhe vazhdova nga këneta, ku lashë makinën dhe u ktheva në këmbë.
Çarja e parë Saliu-Berisha
Të nesërmen, kur dola nga shtëpia pashë në afishe se kishte vdekur Marsel Sotiri dhe shkova e mora makinën. Pas dy ditësh u mblodhëm bashkë unë, Luli, Klodi e Indrit Taullai dhe biseduam për ngjarjen. Në muhabet e sipër, Klodi i tha Lulit: “po ti si ike dhe më le vetëm?. Luli i tha që unë të thirra dy herë, por ti nuk u përgjigje dhe e dija se ke ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh, kur isha te shtëpia e Klodit, ky më pyeti se si ndodhi muhabeti që ikët me Lulin atë ditë. Unë i tregova që erdhi Luli dhe unë i thashë: ku është Klodi? Ai thirri dy herë dhe më tha hip në makinë dhe ec. Klodi nuk foli. Më vonë e mora vesh nga çunat se Marseli atë ditë që u vra kishte një makinë BMË të blinduar. Pastaj çunat filluan të lëviznin, se vdiq Marseli

Përfshirja në trafiqe

Luli mori një anije me qira 500 tonëshe nga një fierak, që nuk më kujtohet emri dhe ia dha A.Sh. për të punuar. Ai çonte klandestinë dhe drogë në Itali. Këtë gjë unë e di, sepse e shihja atë që vinte tek shtëpia e Lulit dhe jepte çdo muaj lekët e punës. Ndërkohë, Plarenti kishte ndërtuar një shtëpi trekatëshe përballë shtëpisë së tij të vjetër në pallat dhe ne atje mblidheshim. Unë aty dëgjova për herë të parë emrin e një femre, që nuk e njihja se kush ishte. Më vonë e mora vesh nga Klodi emrin e plotë. Ajo kishte qenë e dashura e Klodit që ky e kishte përdor si karrem për ta tërhequr në pritë Marsel Sotirin. Vajza u bë e dashura e Marselit dhe njoftonte Klodin për lëvizjet e tij. Ditën e atentatit, ajo kishte qenë me Marselin dhe njoftoi Klodin kur po ktheheshin për në shtëpinë e saj që ndodhej afër vendit ku u vra Marseli. Më pas u nisën për në Itali, Luli me Klodin me anije. Pas rreth dy javësh, me të njëjtën anije ikën në Itali Plarenti, Indrit Taullaj dhe ish-e dashura e Klodit. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, kur iku Klodi, Indrit Taullai e zuri dashnore. Për këtë, Klodit i ngeli qejfi pak, por nuk tha gjë. Pas një muaj kur ikën çunat, edhe unë ika për në Itali. Shkova tek vëllai ku kam qëndruar tre muaj dhe kam punuar si ndihmës murator. Pastaj u ktheva përsëri në Shqipëri dhe mësova që Klodi, Luli, Plarenti dhe Indrit Taullai kishin jetuar në Ravena të Italisë. Luli kishte nxjerrë në punë si prostitutë vajzën nga veriu. Po ashtu, mësova se Klodi kishte gjetur disa lidhje për t’u marrë me drogë. Rreth muajit maj e qershor 2000, u kthye në Shqipëri Klodi. Më pas erdhi edhe Plarenti e Indrit Taullai. Dy ditë pas ardhjes së tyre në Shqipëri, Lulin e arrestoi policia italiane, për një punë droge dhe e mbajtën në burg më shumë se një vit. Gjatë kësaj kohe, unë e forcova shoqërinë me Klodin dhe në atë kohë u fut në shoqëri edhe Indrit Dokle, i cili ishte si çerr i shkathët, i vogël. Por gjatë kësaj kohe, edhe Plarenti rrinte shumë me Klodin.

Vrasja e Tan Dishës

Rreth fillimit të muajt korrik 2000, E. L. vrau Mehmet Saliun, këtë muhabet e mora vesh nga çunat. Ne shkuam në varrimin e Mehmetit dhe aty u bisedua që Metin e kishte vrarë një çerr i vogël, që na vajti mendja se ishte E. L. Dua të them se Lul Berisha e kishte fis të largët Mehmet Saliun. E. L. gjatë kësaj kohe shoqërohej me Tan Dishën, i cili kishte lidhje me Marsel Sotirin. Vendosëm ta vrisnim Tan Dishën, meqë shoqërohej me ata që thashë më lart dhe këtë detyrë ma ngarkuan mua dhe Indrit Dokles. Klodi më thirri një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut, ku aty ishte Indrit Taullai që e thërrisnim Indriti i madh dhe Indrit Doklen e thërrisnim Indriti i vogël, Plarenti, Klodi. Klodi i tha një personi që kishte një furgon , që do na merrte ne dhe të na dërgonte deri në Shënavlash. Ai pranoi. Unë bashkë me Indritin e vogël morëm nga një kallash tek shtëpia e Klodit dhe u nisëm. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia e Mehmet Saliut, ku pritëm sa u errësua pak. Kishim lënë një djalë, që nuk e di se kush ishte, për ta ruajtur tek lagja Tan Dishën se kur do të dilte Tani për në Durrës. Dolëm me makinë dhe zbritëm poshtë. Shoferi iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300 – 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai shkoi 500 metra para nesh që kur të kalonte Tani, të na lajmërojnë me një të shtënë pistolete. Ne e kishim planifikuar që kur të vinte Tani Disha të sinjalizoheshim nga dy shokët dhe të dilnim në rrugë e ta qëllonim. Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta aty, në të dy anët e rrugës afër një gardhi, ku kishte parkim makinash në krahun e kënetes, dëgjuam të shtënën e pistoletës që na sinjalizonte për ardhjen e Tan Dishës.

Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij, në anën tjetër të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe fillova të qëlloj me automatik në drejtim të makinës deri sa mbarova karikatorin e kallashit. Makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë iu afrova me karikatorinrreth 1 – 2 metra dhe e qëllova përsëri Tanin me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh, që kalon aty afër. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Indrit Taullain. Ata më pyetën: “vdiq?, Unë i thash: po, po. U shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë, Luli ishte në burg në Itali.

Trafiku i drogës

Pas vrasjes së Tan Dishës, ra qetësia dhe secili shikonte punën e tij. Ne vazhduam të qëndronim në Spitallë me Klodin. Dua të them se kur kishin qenë në Itali, Klodi kishte punuar fort me drogë me Lulin, Plarentin dhe Indritin e madh. Lekët, rreth 600 milionë lireta i mbanin bashkë. Pas vrasjes së Tan Dishës, Plarenti erdhi për të ndarë paratë e drogës me Klodin dhe Indritin. Unë isha tek Klodi, kur erdhi Plarenti për të kërkuar pjesën e parave. Klodi i dha rreth 5.5 kg e gjysmë heroinë dhe i tha ta shiste. Plarentit i ngeli qejfi, por e mori drogën dhe nuk tha gjë. E nisi për në Itali. Klodi i tha kur të vijë Luli, i bëjmë llogaritë përfundimtare. Klodi për pjesën e tij ishte ortak me Indrit Taullain. Pas disa ditësh, unë isha tek Klodi dhe ai në muhabet e sipër më tha: “Plarenti me Lulin fut dorën e merr. Kanë marrë lekë pa hesap te shuma që ishte bashkë, se ku shkuan për ndryshe 300 milionë lireta”. Më pas u ftohën muhabetet me Plarentin dhe ai rrallë vinte në Spitallë, tek Klodi. Pas nja një muaji e gjysmë pas vrasjes së Tan Dishës, në shtator të vitit 2000 është arrestuar Klodian Saliu. Arrestimi i tij erdhi fillimisht për çështjen e një vrasje me thikë shumë kohë më parë, rreth viteve 1992 ose 1993, por më pas u akuza edhe për vrasjen e Arjan Pajës dhe Viron Currit si dhe plagosjen e Marsel Sotirit, pasi i dolën gjurmët e gishtave në makinën “Golf” që ishte përdorur për këtë vrasje. Klodi ndenji mbi një vit në burg. Gjatë kësaj kohe, Klodin shkonim e takonin në burg unë, Indrit Taullai, vëllai i tij dhe Indrit Dokle. Indrit Dokle gjatë gjithë kësaj kohe rrinte te shtëpia e Klodit, si vëlla me Klodin.

Vrasja e Erion Lames

Disa muaj para se Klodi të dilte nga burgu, mbaj mend se ka qenë dimër dhe vija re se ErionLame ishte fuqizuar shumë. Ai kishte bërë shumë lekë dhe kishte blerë Benz katër fenerësh. Unë kur shkëmbehesha me Erionin më shikonte shtrembër. Një ditë, Indrit Dokle më tha që e kishte marrë në telefon Erion Lame dhe i kishte thënë që kur do pijmë kafe për t’u sqaruar. Indrit Dokle i kishte thënë që nuk pi kafe me njeri. Erioni ishte përgjigjur që: “po mirë, kush t’i këpusë kokën njëri-tjetrit pra”. Pas kësaj, unë i thashë shkojmë e i këpusim kokën. E ruajtëm të dy Erionin për tre muaj rresht, po nuk po na dilte në shteg. Pastaj një ditë, na lajmëruan vendin ku ndodhej ai. Menjëherë pas kësaj telefonate, Indriti erdhi tek shtëpia ime, ku unë e mora pistoletën dhe ai automatiku të tipit Skorpions dhe u nisëm për t’i bërë pritë poshtë rrugës së Bashkisë. Ai nuk kishte nga të kalonte dhe ishte i detyruar të kalonte andej ku ne po prisnim. Ndenjëm rreth gjysmë ore, derisa Indriti pa makinën e Erion Lames, pasi unë nuk e njihja makinën e tij. Pak metra para se te vinte tek ne, ai ndaloi makinën dhe takoi një mik të tij. Ata biseduan rreth 5 minuta dhe makina erdhi në drejtimin tonë. Kur ishte rreth tre metra larg nga ne, e qëlluam me Skorpions. Makina doli anash rrugës dhe goditi shtyllën elektrike. Unë u mundova të hapja derën e pasagjerit, pasi pashë se Erioni ishte shtrirë. Nuk e hapa dot derën se ishte me siguresë dhe dola nga ana e Erionit. Në atë kohë ai po lëvizte dhe donte të hapte derën e tij. Unë në atë çast e qëllova me pistoletë dy herë, njëherë në bark dhe njëherë në gjoks, ku ai hapi derën dhe ra. Pasi u siguruam se e vramë, ikëm me vrap në drejtim të magazinës së birrës dhe armët i hodhëm përballë ambulancës, ku po ndërtohet një pallat i madh në atë kohë dhe u ndamë secili në shtëpinë e tij. Në darkë erdhi dhe më shoqëroi policia, ku më pyetën për vrasjes së Erionit po nuk tregova, duke thënë se nuk di gjë. Aty e mësova se ai kishte vdekur. Mësova gjithashtu se të nesërmen, edhe Indritin e shoqëroi policia dhe e kishte pyetur për të njëjtën ngjarje.

Ndarja e bandës

Gjatë kohës që Klodi ishte në burg, unë e Indrit Dokle gradualisht u ftohëm me Indrit Taullain, pasi ky i fundit bënte pisllëqe të vogla. Në atë kohë unë shoqërohesha vetëm me Indrit Doklen, ndërsa nga ana tjetër Plarenti rrinte me Indrit Taullain dhe J. M. Dy muaj pas vrasjes së Erion Lames doli nga burgu Luli. Unë me Indrit Doklen shkuam për vizitë tek shtëpia e tij të re që e kishte ndërtuar në Spitallë. Nuk ndenjëm shumë dhe u larguam, aty ishin edhe njerëz të njohur të tij. Rreth 20 ditë pas ardhjes së Lulit nga burgu italian, doli nga burgu në Shqipëri edhe Klodi. Atë ditë, kur doli e takova pak pasi kishte shumë njerëz për vizitë. Të nesërmen po bëja xhiro me një fuoristradë të një mikut dhe pashë se Luli bashkë me Plarentin po shkonin në Spitallë, tek shtëpia e Klodit për vizitë. Pas dy ditësh më thirri Klodi dhe unë shkova në Spitallë. Ai më tha: njerëz më të afërt të kam ty dhe Indrit Doklen. Me Lulin nuk kam më punë, meqë kur isha në ditë të zeza, nuk më pa njeri. Pas tre- katër ditësh, Klodi shkoi për vizitë tek Luli, për t’i kthyer vizitën. Unë e pashë vetë këtë, pasi në atë kohë isha te shtëpia e Klodit. Unë me Indritin e pritëm rreth 30 minuta Klodin jashtë shtëpisë së Lulit, me dy makina. Që nga ajo ditë, Klodi nuk është takuar më me Lulin. Mbas takimit, Klodi u shpreh: “Kishim ç’kishim me Lulin, i pashë pisllëqet e tij dhe nuk më ka ndihmuar. Tani ai në punën e tij, unë në punën time. Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ç’kishim për të ruajt. Tani nuk jemi armiq, por të shikojë çdonjëri punën e vet”. Pas ndarjes me Lulin, Klodi kishte si shok të ngushtë Indrit Doklen dhe pastaj mua. Në atë kohë filloi të afrohej edhe një çun lagjeje. Ai i rrinte në shërbim me makinë vëllait të Klodit, kur bridhte për punën e Klodit, kur ishte në burg. Pas një muaji, aty nga mesi i vitit 2002, Klodi shiti një tokë që kishte tek Plepat në Durrës dhe mori nga ai 70 mijë dollarë që i futi në punë. Klodi na tha: “çuna, ju m’u gjendet në ditë të zeza dhe ju, me kismet të na ecë puna do t’u ndihmoj dhe do të rregullohemi të gjithë”. Klodi filloi të blinte drogë, heroinë të pastër. Unë nuk e di se ku e blinte, pasi Klodi ishte shumë i zgjuar dhe nuk na tregonte se ku e merrte drogën. Ai zakonisht merrte 6 kg heroinë, ndonjëherë 12 kg dhe e sillte te shtëpia e vjetër dhe për këtë nuk dinte gjë njeri. Këtë muhabet e dinim vetëm unë dhe Indrit Dokle. Klodi na mësoi se si bëhej përzierja. Përzierja bëhej me frutatriçe. Aparatin elektrik e fusnim në prizë dhe e përziente vetë. Ne hidhnim në aparatin përzierës 150 gram heroinë të pastër dhe e përzinim me 350 gram që është pluhur apostafat dhe bëhej gjysmë kile, të cilën e paketonim dhe e stamponim. Ne e paketonim me skoç kafe, i cili është ngjitës rulo dhe e stamponim me një kallëp hekuri. Klodi pasi e bënim gati, e niste për në Itali. Dua të them se Klodi ishte shumë i kujdesëm edhe me transportimin e drogës, ku nuk ngatërronte asnjë nga ne, pasi ne vetëm e paketonim dhe e lajmëronim që ishte gati dhe iknim. Klodi niste zakonisht një dërgesë prej 20 kg drogë në muaj. Pasi merrte paratë e ngarkesës së parë, ai niste tjetrën. Paratë i merrte gjithmonë në dorë. Pasi merrte paratë e dërgesës së parë, merrte drogën e pastër që e përzienim ne. Për rreth një vit, puna eci normalisht dhe ne dërgonim nga një ngarkesë në muaj. Pas një viti që filluam këtë punë, Klodi na tha që na u kap një ngarkesë rreth 20 kg heroinë në Kroaci dhe që atëherë, puna ra pak, pasi ishte e vështirë për të gjetur transportues si dhe kishim frikë mos kapnin ngarkesën. Që atëherë dërgonim më rrallë, rreth 1 herë në dy muaj, deri pas kapjes së ngarkesës tjetër prej 15 kg drogë të llojit heroinë, e cila u kap në qytetin e Modenës në Itali. Shoferi më duket se ka qenë ose slloven ose kroat, por nuk mund të them me siguri këtë. Pasi u kap kjo ngarkesë u bënë dhe dy ose tre rrugë me heroinë dhe u la puna. Klodi më ka thënë se fitimi ishte rreth 40 mijë euro për ngarkesë.

dt.29 shtator

Coli: Ja krimet e bandës së Durrësit

Vrasje dhe trafiqe. Historia e bandës së Durrësit, e rrëfyer nga i penduari Adriatik Coli në këtë dëshmi të fundit për Prokurorinë luhatet mes ekzekutimeve për të eliminuar rivalët dhe qetësisë së shkurtër për të ngritur “në këmbë” linja të trafiqeve të të gjitha llojeve.

“Shekulli” boton sot planin e vrasjes së njërit prej rivalëve më të mëdhenj të bandës, Marsel Sotirit dhe periudhën pas kësaj ngjarjeje, ku krerët e bandës e nisëm me trafik klandestinësh dhe u katapultuan në rrjetin e trafikut të drogës, prej nga erdhi edhe çarja e madhe mes Klodian Saliut dhe Lulzim Berishës.

600 milionë liretat e heroinës i kthyen miqtë në armiq të betuar të njëri-tjetrit, edhe pse në kujtesën e të penduarit, Klodian Saliu do të thoshte për Lul Berishën: “Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ç’kishim për të ruajtur. Tani nuk jemi armiq, por të shikojë çdonjëri punën e vet”

1 mars 2008

TIRANË- Historia e të penduarit të bandës së Durrësit, Adriatik Coli, është e lidhur ngushtësisht me historitë e dhjetëra atentateve dhe vrasjeve për pushtet dhe para, në zonën “e errët” të qytetit bregdetar.

Në dëshminë e tij të fundit, dhënë për grupin hetimor shtatorin e vitit të kaluar, Adriatik Coli rrëfen vullnetarisht dhe pa avokat njohjen dhe miqësinë e tij me Lul Berishën si dhe hakmarrjet e përgjakshme mes bandave rivale, anëtarët e së cilave janë një pjesë të vrarë dhe pjesa tjetër në pritje të vendimit të gjykatës.

“Shekulli” boton sot jetën e të penduarit para se të bëhej pjesë e bandës së Durrësit si dhe rrëfimet e tij për atentatin e parë ndaj Lul Berishës, përplasjen me bandën e Marsel Sotirit, vrasjen e Arjan Pajës, Viron Currit, Ilir Xhungës dhe Arben Pajëssi dhe plagosjen e vetë Adriatik Colit. Për herë të parë, i penduari dëshmon edhe për përplasjen e Gaxhait dhe Viktor Ymerit me bandën e Lulzim Berishës.

Unë kam ikur në Itali, dy ditë pas vrasjes së shtetasit Ilir Koldashi, në fund të muajit tetor 2005, tek diskoja tek Sheratoni. Unë kam qenë bashkautor në këtë vrasje dhe u largova në Itali për t’iu shmangur kapjes nga policia. Shkova në Itali dhe qëndrova 4 muaj. Aty mora vesh që kishin ardhur persona për të më eliminuar.

Po kështu, mora vesh që të gjithë përgjegjësinë për vrasjen e Ilir Koldashit ma kishin hedhur mua. Në Itali kam mësuar se kishin dërguar njerëz për të më eliminuar shtetasit Indrit Dokle, Lulëzim Berisha si dhe të afërmit e viktimës.

I gjendur në këto kushte, vendosa që me vullnetin tim të lirë,të kthehem në Shqipëri dhe të paraqitem para organeve të drejtësisë për të deklaruar gjithçka di lidhur me vrasjen e shtetasit Ilir Koldashi, si dhe të gjithë aktivitetin kriminal të grupeve kriminale të qytetit të Durrësit, në të cilat edhe unë kam qenë pjesëmarrës.

U nisa nga Italia dhe shkova në Austri me makinë. Në kufirin midis Austrisë dhe Sllovenisë më kapi policia sllovene dhe nuk më la të kaloj për në Slloveni. Pastaj, policia austriake më kthehu në Kosovë, pasi unë u prezantova me emrin Arben Krasniqi si shtetas i Kosovës.

Nga Kosova erdha me avion në Shqipëri, ku zbrita në Rinas. Pas kësaj erdha drejt e në polici me qëllim dhe me dëshirë për të treguar të gjithë aktivitetin tim si dhe lidhjet e mia shoqërore që kam pasur më parë.

Dua të shpjegoj se unë kam banuar në lagjen nr.9 në qytetin e Durrësit, në shtëpi private, lindur dhe rritur aty. Arsimi im është tetëvjeçar, të cilin e kam mbaruar në shkollën tetë-vjeçare në lagje. Pas mbarimit të Shkollës kam punuar marangoz, tek zdrukthtaria në Spitallë.

Në vitin 1991 kam shkuar në Itali dhe kam jetuar përkohësisht deri në vitin 1995. Në vitin 1995 unë u nisa nga Italia për në Gjermani, për të transportuar 1 kg heroinë, të cilën ma kishte dhënë një qytetar kosovar që jetonte në Itali.

Emri i tij nuk më kujtohet, pasi kanë kaluar vite. Në Gjermani, në qytetin Singen, mua më kapi policia gjermane me 1 kg drogë me vete. U dënova 4 vjet burg, nga të cilat bëra vetëm 2 vite, pasi dy të tjera më liruan me kusht për të mos u kthyer në Gjermani.

Në muajin dhjetor të vitit 1997, unë u ktheva në Shqipëri, pasi më ktheu policia gjermane. Kur u ktheva në shtëpi, vura re se përballë banesës time kishte ardhur për të jetuar një familje e re.

Pjesëtari i kësaj familje ishte shtetasi Lulëzim Berisha, i moshës rreth 35 vjeç. Unë këtë shtetas e njihja. Si rezultat i fqinjësisë ne krijuam shoqëri me njëri-tjetrin, e cila u forcua pasi Lulin e qëlloi me pistoletë Festim Qoli, të cilin e thërrisnin “Feste”, ngjarje ku Luli u plagos. Kjo ngjarje ka ndodhur në verë, ndoshta në vitin 1998, tek lokali “Xhorxhit të Nores” që ndodhet në afërsi të Nish Gomës së vjetër në Durrës.

Nga Luli dhe persona të tjerë kam mësuar se së bashku me Festen, atë ditë që u qëllua Luli ka qenë edhe K. P. Të dy këto shtetas kanë qëlluar ndaj Lulit. Edhe Luli i kishte qëlluar këta të dy me pistoletë, po nuk i kishte goditur. Unë jam informuar për ngjarjen në orën 17:00 të pasdites dhe shkova në spital tek Luli, ku gjeta edhe disa djem të tjerë që kishin qenë te lokali që nuk më kujtohen emrat.

Që atë natë, Luli erdhi në shtëpinë e tij dhe unë e vizitoja dhe e ruaja përnatë, prandaj edhe miqësia jonë u forcua. Unë kam mësuar se shkaku i përplasjes me armë midis Festes dhe Lulit ishte një shkak banal. Nga mesi i verës të vitit 1998, Luli filloi ndërtimin e një shtëpie në një truall të cilin e zuri pa leje, afër shtëpisë së kunatit të tij, Plarent Dervishi. Në atë kohë, me Lulin shoqëroheshin edhe shtetasit Plarent Dervishi, Redi, vëllai i Plarentit dhe Julian Meçaj.

Unë e ndihmoja Lulin për ndërtimin e shtëpisë, duke porositur në emër të Lulit materiale për ndërtimin e shtëpisë.
Në atë kohë, Lulëzim Berisha kishte para të shumta në dorë, pasi këtë e shikoja nga mënyra se si blinte materialet e ndërtimit për shtëpinë e tij.

Në vitin 1994, Luli ka qenë në Rimini dhe erdhi në Monza me një femër që punonte si prostitutë dhe ishte nga veriu. Përveç parave që Luli kishte nxjerrë nga ajo, në kohën që po ndërtonte shtëpinë, unë mësova që ai merrej me transportimin drogës në drejtim të Italisë.

Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikovë tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishin, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar Tan Sallaku dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin ‘Torra”, emri i vërtetë është I. N. me banim në Shkozet.

Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha hajde në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu.

Ata po bisedonin me njëri- tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, teknjë lokal i njohur. Luli më tha që do takosh një shtetas me emrin Geri, mbiemrin nuk ia di. Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t’i marrësh makinën dhe do ta sjellësh në Spitallë. Unë ashtu bëra. Shkova takova Gerin, të cilin e kisha takuar edhe 2 – 3 herë tjera tek shtëpia e Plarentit.

Geri ishte rreth 171 cm, me moshë rreth 23 vjeç në atë kohë, flokët kaçurrela të zeza, të shkurtra, me fytyrë të rrumbullakët. I thashë Gerit që Luli më kishte thënë për t’i marrë makinën dhe ai më dha një makinë tip BMË 325 me ngjyrë gri e zezë me targa TR, numrat nuk më kujtohen. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time.

Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit dhe po bisedonin dhe po bënin plane si të qëllonin Tan Sallakun. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës “7 nëntori” dhe çuan një person që ta ruante dhe t’i lajmëronte kur Tani të shkonte atje.

Unë nuk e dija se kush do t’i lajmëronte, por do të flisnin me telefon celular, pasi në atë kohë kishin dalë numrat e celularit. Luli dhe Klodi kishin celular me “20″, po unë nuk ja mbaj mend numrat, se ka kaluar kohë e gjatë.

Rreth orës 19:30 – 20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur te lokali. Ata hipën në makinën BMW që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhunga.

Plarenti kishte një armë “Skorpions”, Klodi kishte pistoletë dhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur Torra dhe Gim Rexhepi.

Luli mori vesh nga policia që ishte zbuluar fotografia e Gerit tek makina BMË dhe filloi të ruhej dhe të rrinte mbyllur tek shtëpia e Plarentit, që ndodhej te Stacioni i ri i Trenit tek shtypshkronja “10 Korriku”. Ndërsa Klodi rrinte tek shtëpia e tij në Spitallë dhe nuk dilte. Gjatë kësaj kohe, unë lëvizja lirshëm duke shkuar edhe në shtëpinë time si dhe tek Plarenti.

Pas një jave, Dash Sallaku dhe Marsel Sotiri, i cili ishte shoku i ngushtë i Dashit si dhe Arjan Paja, i cili kishte ardhur nga Italia, pasi e kishte thirrur Marseli për këtë rast, filluan të lëviznin nëpër Durrës për të qëlluar Lulin. Ata po i ruanin dhe ishin vendosur për rreth shtëpisë së Plarentit.

Një nga këto ditë doli Redi, vëllai i Plarentit nga shtëpia rreth mesditës, ndërkohë unë isha te shtëpia me Plarentin, Lulin dhe familjarët e tyre.

Redi shkoi te shtëpia në ndërtim e Lulit, e cila është afër me shtëpinë e Plarentit, për të kontrolluar punimet dhe në momentin që po kthehej në shtëpi, afër hyrjes së pallatit i afrohet duke e gjuajtur me pistoletë Arjan Paja. Në këto momente, Redi ishte afër hyrjes dhe vrapon i përkulur dhe futet brenda shtëpisë dhe shpëton pa u goditur.

Sa u fut në shtëpi, në dritaren e shtëpisë që shihte nga rruga u qëllua me kallash. Nga plumbat nuk u plagos asnjë. Ne nuk dolëm nga shtëpia dhe pak më vonë erdhi policia bëri veprimet dhe na pyeti kush qëlloi, por ne nuk treguam gjë dhe policia u largua. Unë pas gjysmë ore u largova për në shtëpinë time. Të nesërmen, Luli dhe Plarenti shkuan në Spitallë dhe u takuan me Klodin, ku i treguan ngjarjen dhe pas dy ditësh shkuan dhe u vendosën tek shtëpia e dajës së Lulit në Shkozet.

Mbas disa ditësh shkova në Shkozet, me kërkesë të Lulit dhe aty gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani që nuk i kam njohur në atë kohë pasi kam ndenjur jo më shumë se 5 minuta.

Aty mora vesh që ata ndenjën rreth 3 apo katër ditë dhe mora vesh që kishin plane për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror. Ia kishin frikën atij.

Gjatë kësaj kohe, nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit në kodrën e Rrashbullit. Kjo ishte një shtëpi njëkatëshe me oborr, në të cilin kishte pemë të mbjella dhe më duket se kishte dy dhoma dhe një kuzhinë.

Pas dy ose tre ditësh, te shtëpia në Rrashbull filloi të mblidhej gjithë shoqëria e Lulit. Atje erdhën Plarenti, Ilir Xhunga, Klodian Salihu si dhe unë. Ndonjëherë unë shkoja vetë dhe ndonjëherë më thërrisnin ata. Aty flitej sesi do të organizonin vrasjen e Marsel Sotirit. Dua të sqaroj se Marseli atë kohë punonte në doganën e Tiranës dhe për lëvizjen e tij, na jepnin informacion.

Gjithashtu, për të kontrolluar lëvizjet e Marselit kur vinte në drejtim të Durrësit kishim lënë Julian Meçen në Maminas, i cili do të lajmëronte në telefon celular për mbërritjen e Marselit. Vëzhgimi për lëvizjet e Marselit vazhdoi për dy a tre ditë. Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën dhe aty qëndruam deri në mesditë.

Aty u morëm vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinën e doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës, mori në telefon Juli dhe lajmëroi Lulin se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha hajde shpejt se po vjen.

Lulëzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip “Golf” duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën “Lancia” dhe të shkoja t’i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishte një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para.

Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora “Lancian” dhe rrugës për tek Unaza rashë në një gropë me ujë, që ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh. Shtëpia ishte larg shinave rreth 20 metra.

Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxorri makinën e tij me të cilën tërhoqi “Lancian”, derisa e nxorri nga gropa. Unë i thashë nëse mundesha ta lija makinën në oborrin e tij dhe të shkoja të nesërmen ta merrja dhe ai pranoi. Dua të theksoj se para se të ikja, pashë pozicionin ku kishte ndaluar “Golfi”. Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri.

Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Si rrjedhojë, ishte pozicion shumë i përshtatshëm për t’u bërë prita. Pasi pashë këtë vendosje, unë ika atje ku shpjegova më sipër.

Pasi lashë makinën e prishur tek oborri, unë prita Lulin megjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin.

Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Virion Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar nëspital në Tiranë. Atë e kishte kapur një plumb në qafë dhe një tjetër në këmbë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli. Ai më tha: si e humbe fare, që e fute makinën në ujë, po s’ka gjë se e kishe për herë të parë. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi.

Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë: desha të kthehesha të qëlloja përsëri mbi Marselin, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë. Kujtova se ai kishte vdekur.

Aty u diskutua se në makinën e Marselit kishte qenë edhe një kile kokainë, e vendosur në kroskotin e makinës si dhe 80 mijë marka. Po aty u diskutua sesi nuk arritën të vrisnin dot Marselin si dhe ku i hodhën armët pas vrasjes. Ata treguan se armët i kishin hedhur në një kanal me ujë, i cili ishte afër makinës “Golf”. Gjatë bisedës njëri thoshte se arma ime u zhyt e tëra brenda kanalit, ndërsa një tjetër tha se arma e tij nuk ishte zhytur e tëra.

Nuk e di me saktësi nëse ata i hodhën të gjitha armët në kanal apo mbajtën ndonjë me vete për t’u mbrojtur nga frika e ndonjë përplasjeje që mund të ndodhte gjatë rrugës në kthim. Pas kësaj prite morëm vesh se Marseli u shpërngul dhe shkoi të jetonte në një shtëpi në plazh, ndërsa Luli, Plarenti, Iliri dhe Klodi rrinin gjithnjë bashkë. Ata jetonin në dy shtëpi, tek shtëpia e Plarentit dhe tek shtëpia e Klodit në Spitallë dhe nuk para dilnin në qytet, se ruheshin. Kurse unë dilja vazhdimisht.

Unë në atë kohë përdorja “Lancën Tema”, që i kasha vënë targat e fuoristrës së Lulit. Ndërkohë, mbaroja çdo punë që më thoshte Luli, shoqëroja familjarët e tij në pazar dhe për punë të ndryshme. Një ditë, nga fillimi ose mesi i nëntorit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time në një restaurant.

Pasi mbaruam së ngrëni, rreth orës 21.30, u nisa për të çuar të fejuarën në shtëpinë e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Unë ndalova makinën në kryqëzimin tek fusha e druve dhe po bisedoja prej 5 minutash me të fejuarën në makinën e ndezur. Në një moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një Benz i bardhë 240, i cili më lëshoi dritat e gjata dhe ishte 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje.

Në momentin që makina lëshoi dritat e gjata u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2-3 metra larg meje pashë që shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën e mbuluar. E pashë vetëm si siluetë: ishte i dobët dhe i imët. Në atë moment unë pashë tek xhami i pasëm nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e të fejuarës dhe disa plumba më kapën tek gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. Benzi i bardhë nuk ndaloi fare.

Kur më qëlloi mua ngadalësoi shpëjtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erion Lame. Vura re që edhe e fejuara ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë, “Lancia” kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen.

Këto targa m’i ka dhënë Luli dhe më ka thënë se janë të fuoristradës time që kam pasur më parë. Në spital kam qendruar rreth 20 ditë, në Durrës, tek kirurgjia e vjetër. Në kohën që isha në spital, mua më erdhën e më takuan të afërm të Lulit. Kur dola nga spitali, shkova në shtëpinë time. Aty erdhi e më takoi Luli, Klodi, Iliri dhe Plarenti. Deri në atë moment, unë nuk e dija se kush më kishte qëlluar me saktësi, vetëm dyshoja tek grupi i Marselit. Iliri më tha që:” a e ke dorën e djathtë në rregull?

Sa ta kesh në rregull, mos e vrit trurin”. Pas njëfarë kohe, unë u shërova dhe dola nga shtëpia. Shkova në polici, ku mora makinën tip “Lancia”, sepse ma kishte marrë policia që kur më goditën. Makinën ma dorëzoi hetuesi i dosjes sime. Mora makinën dhe e çova në një servis që ndodhet sa hyn tek dera e Porto Romanos. Pasi makina u rregullua, nuk e mora unë më. Atë e mori Julian Meçe dhe e përdorte ai.

Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë se mua më kishte qëlluar Erjon Lame dhe A. S. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time pashë që aty ishte edhe Arben Paja, i cili shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me të, kur hëngrëm një drekë në Spitallë, dua të them që Paja ishte shumë shok me Ilir Xhungën.

Një ditë, gjatë verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi unë po bëja stërvitje me një shokun tim, tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen “Stani”, sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17.00, kur dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë, morëm taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty, pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç’kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë.

Aty mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri dhe disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit, së bashku me Plarentin dhe Lulin.

Aty u bisedua sesi kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullau, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë.

Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qera Plarenti, ndërsa Klodi e afroi në shoqëri Indritin. Gjatë takimeve tona, ne bisedonim se kë do të vrisnim më pas.

Muhabetet tona i drejtonin Luli dhe Klodi, por edhe në futeshim në bisedë. Në atë kohë, çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në shtëpinë e tij…

Justifikimi skandaloz: Piva një kafe me qumësht dhe më zuri barku
“Coli”, avokatët bllokojnë dëshminë

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas 26 muajve proces gjyqësor arriti mëngjesin e djeshëm që vetëm për 15 minuta të dëgjojë fjalët e para të rrëfimit të të penduarit të “bandës” së Durrësit, të pandehurit Adriatik Coli. Por, sërish pas 15 minuta rrëfim, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Kristian Begu, avokat Pjetër Deda largohet nga salla e gjyqit për shkak të “dhimbjeve” të barkut.

Dhimbje këto që sipas pretendimit të avokatit, erdhën një orë pasi kishte pirë një kafe me qumësht në një lokal në afërsi të institucionit të togave të zeza, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor të “bandës” së Durrësit. Ka qenë largimi i avokat Deda, që e detyroi Gjykatën të ndërpresë rrëfimin e të penduarit Coli, duke e zëvendësuar avokatin me një mbrojtës kryesisht, por për shkak se ky fundit nuk është njohur me aktet, seanca gjyqësore u shty për të enjten në ora 9:00 të mëngjesit.

Ndërkohë, edhe pse togat e zeza i krijuan mundësinë të penduarit Coli të fillojë rrëfimin e tij, kjo mundësi nuk kaloi pa “zhurmë”, pasi kryesuesi i pesëshes gjykuese, gjyqtari Gurali Brahimllari, u detyrua të nxjerrë nga salla të pandehurin Lulëzim Berisha dhe avokatin e kunatit të këtij të fundit, Riza Icka. Largimi i të dyve nga salla e gjyqit, u bë me urdhër të kryesuesit të seancës gjyqësor për prishje të mbarëvajtjes së procesit gjyqësor dhe ndërhyrje të panevojshme pa lejen e gjykatës, duke sjellë pengesa për mbarëvajtjen e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli.

Pas largimit të avokatit Icka dhe të pandehurit Berisha, me leje të gjykatës, prokurori Anton Martini filloi pyetjen e të penduarit Coli, ku nuk munguan edhe replikat mes avokatëve, të pandehurit Endrit Dokle dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë i cili rrethohej nga efektivë të policisë të veshur me maska dhe me pistoleta në brez. Coli tregoi për kohën dhe kushtet e njohjes me të pandehurit.

“Me Lul Berishën jam njohur në 1994 në Itali. Unë isha në atë kohë në Monza ndërsa Luli me shokët ishte në Rimini dhe kishte një femër me emrin Moza që e shfrytëzonte për trafik “prostitutë”. Më pas, unë kam ikur në Gjermani dhe kur jam kthyer më 1997 atëherë kam marrë vesh se Lul Berisha kishte bërë shtëpinë pranë times dhe shkonte në një palestër për stërvitje aty pranë banesës.

Por, kam filluar të shoqërohem me të, kur një ditë në verën e 1998 plasi një sherr në lokalin e “Xhorxhit të Nores” që ndodhet në afërsi të Nish Gomes së vjetër në Durrës, dhe Luli u qëllua me pistoletë nga Festim Qoli që e thërrisnin “Feste”. Që nga ajo ditë unë rrija me ata pastaj…”-tha ndër të tjera Coli, duke u ndërprerë pikërisht në këtë moment nga avokati Deda që kërkoi të largohet nga salla e gjyqit.

BATUTAT
Avokat Icka – Colit
“Aman more, nga i paske mësuar të gjitha këto. Po tjetër çfarë di për çunat e Durrësit, ke ndonjë që nuk e ke përfshirë në këtë “bandë”
Coli – Ickës
“Po jo mo shpirt, mos ki merak se do të flas për ata që di unë, do keni rast edhe do më pyesësh. Më lerë të them ata që di pastaj më pyet ti për çunat e Durrësit”
Dokle-Colit
“Ore, që kur ke hy në burg ke filluar burrave t’iu thuash shpirt a?”
Coli-Dokles
“Qesh… po ja që do flas edhe për këtë kur të vijë koha”
Dokle – Colit
“Ik more ti, ku di ti se kush janë çunat e Durrësit dhe ç’farë kanë bërë ata. Ku i mësove ti?”
Coli-Dokles
“Mos fol t’i për çunat durrsakë, se ti nuk i njeh edhe Durrësin, se je nga Kukësi, e je larg prej aty”
Dokle-Colit
“Mos ki merak se nuk është larg, se është bërë rruga tani e vij shpejt nga Kukësi në Durrës”

Dëshmia e plotë e të penduarit të drejtësisë(Shekulli)

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23192. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23192