Rrëfimi i Nexhmije Hoxhës: Si më propozoi Enveri për martesë

Rrëfimi i Nexhmije Hoxhës: Si më propozoi Enveri për martesë

“Enver, shoku im i luftës dhe i jetës”, intervista 38-minutëshe e gazetareve italiane, Caterina Gerardi dhe Ada Donno, për gati 6 dekada histori të Shqipërisë.

Bashkëshortja e ish-udhëheqësit komunist, e shtrin rrëfimin e saj nga dita kur pa për herë të parë atë që do të bëhej udhëheqësi absolut i vendit, deri në ditën e ndarjes nga jeta, duke na sjellë anën intime të një çifti bashkëshortësh, që do të ndanin bashkë gjithçka, në krye të vendit, nga viti 1945 deri në 1985-ën.

Një rrëfim në italisht, i bërë disa vite më parë, në shtëpinë ku banon ende në Laprakë, për luftën, jetën e pasçlirimit, arritjet dhe dështime e sistemit komunist, keqardhjen për degradimin e Shqipërisë dhe të “njeriut të ri” pas hyrjes së pluralizmit politik dhe së ardhmes së pasigurt.

“Unë e kam njohur shokun tim të jetës, bashkëshortin tim, si të thuash, në zemër të betejës. Ishte 28 tetori 1941 dhe ishte një festë, më duket “Marshimi drejt Romës” dhe të gjitha grupet komuniste, kishin organizuar një protestë, edhe si aksion për formimin e Partisë Komuniste.

Dhe për të treguar se ishim të gjithë të bashkuar për të formuar Partinë Komuniste. Në këtë demonstratë pashë që në një pikë kishte përleshje më të ndezura dhe aty shoh një person, një kokë më lart se të tjerët.

Pyeta kush është dhe më thanë se është një profesor i Liceut të Korçës, Enver Hoxha. Në atë kohë ne ishim të grupeve të ndryshme. Unë bëja pjesë në grupin komunist të Shkodrës, ndërsa Enveri ishte i grupit komunist të Korçës, kështu që deri atëherë nuk njiheshim.

Pas dy javësh u formua Partia Komuniste dhe dy javë të tjera më pas u mblodh Konferenca e Rinisë Komuniste, ku unë isha e vetmja femër. Isha vetëm 20 vjeçe dhe në atë mbledhje Enveri erdhi si delegat i Komitetit Qendror të PKSH-së.

Mua më bëri përshtypje, sepse ishte një burrë i pjekur, i dashur, edhe i bukur dhe unë isha krenare pse partia kishte një drejtues të tillë. Në këtë mbledhje unë u zgjodha anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë dhe ne ishim atëherë vetëm pesë.

Enveri vinte shpesh në mbledhjet tona. Kishte filluar të interesohej, të vinte “vërdallë”. Sigurisht në atë kohë unë nuk mund të mendoja asgjë, sepse si të thuash, unë atëherë isha 20 vjeçe, nuk dija se sa vjeç ishte ai, nëse ishte i martuar apo jo.

Pak nga pak, në të gjitha mbledhjet, ai bënte të pamundurën për të shfaqur simpatinë e tij, ndërsa unë bëja sikur nuk kish ndodhur gjë. Kështu, deri një ditë, kur pas një mbledhjeje të partisë, ku ishin drejtuesit e të gjitha rretheve dhe ku ishim edhe ne të Komitetit të Rinisë. Në këto ditë unë kisha ikur nga shtëpia e familjes sime, sepse erdhën të më arrestojnë.

Pas formimit të Partisë Komuniste kishin gjetur listat e pjesëmarrësve të parë dhe kështu Enveri u dënua me vdekje dhe unë me 13 vite burg dhe erdhën të më arrestojnë. Në mbrëmje, pas mbledhjes, nuk dija ku të shkoja. Atëherë Enveri më tha: “Hajde të të strehoj unë” për të më çuar atje ku fshihej vetë.

Në këtë kohë edhe unë isha ilegale dhe mbulohesha, ndonjëherë me kapele, ose me turban dhe me syze të errëta. Enver më tregoi biçikletën dhe më tha: Hip këtu!”. “Si”?- i thashë unë.

Të hipje përpara një burri në biçikletë nuk ishte e mundur në atë kohë në Shqipëri dhe unë qeshja. Por ai më tha shpejt dhe duhej nxituar se fillonte ndalimqarkullimi dhe shtëpia ishte larg.

Unë kisha vendosur që gjatë luftës të mos bija në dashuri, të mos martohesha dhe bëja sikur nuk i vija re këto sjellje që bënte Enveri, por një ditë ai e vendosi dhe më tha: “Do të martohesh me mua apo jo?”. Unë mbeta e ngrirë dhe i thashë se nuk doja që të martohesha gjatë luftës.

“Kush të tha që do të martohemi tani, mund të mos martohemi gjatë luftës,” – më tha ai. Por nuk dua që të tjerët ta marrin vesh. Iu përgjigja se këtë nuk mund ta bëja. Më pas, familjet tona, ku ai ishte djalë i vetëm dhe unë vajzë e vetme, e morën vesh, ashtu si dhe shokët.

Gjatë kohës që ai ishte në Tiranë ne takoheshim shpesh. Më pas ai doli në mal, unë mbeta këtu në Tiranë edhe dy vite të tjera dhe më pas edhe unë dola malit si delegate politike e rinisë komuniste dhe e grave.

Në atë kohë unë marshova në gati gjysmën e Shqipërisë. U takova më Enverin gjatë mbledhjeve të ndryshme që u bënë në ato kohë dhe më pas të dy punonin të larguar nga njëri-tjetri.

Më pas u takuam pas çlirimit të Shqipërisë, më 29 nëntor 1944 dhe në vitin e ri 1945 u martuam. Mund të them se Enveri ishte burri ideal, nuk mund të kërkosh më tepër. Në fakt, përputheshim si karaktere.

Unë isha romantike, ndoshta edhe nga mosha, ai jo dhe aq shumë, ndoshta pse ishte 33 vjeç dhe kishte gjithë ato përgjegjësi për qeverinë në një situatë tepër të vështirë. Kjo duket edhe në korrespondencën tonë, sepse unë kërkoja gjithnjë e më tepër ndonjë gjë sentimentale.

Unë shkruaja letra të gjata, ai më të shkurtra. Kam një korrespondencë që e mbaj shumë të shtrenjtë, Ai e njihte karakterin tim dhe bënte të pamundurën për të kënaqur romantizmin tim dhe për këtë më shkruante shpesh.

Pas martesës unë isha kryetare e Lidhjes së Grave Antifashiste, një punë vullnetare, por zyrtarisht isha përgjegjëse për kulturën në Ministrinë e Kulturës, ku kujdesesha për radion dhe për shtypin, në ato kohë të para.

Kështu, deri në 1948-ën dhe më pas, u zgjodha anëtare e Komitetit Qendror të Partisë dhe punova si drejtore në Drejtorinë e Agjitacionit dhe Propagandës dhe në fund si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-leniniste.

Unë nuk kam patur detyra shtetërore. Kam qenë deputete e Parlamentit. Dhe pas vdekjes së bashkëshortit tim, isha kryetare e Frontit Demokratik, që ishte një funksion shumë i nderuar.

Pas çlirimit, që të dy ishim të zënë me punë, por ndërkohë kishim krijuar familjen tonë. Enveri i donte shumë fëmijët tanë, por pas çlirimit unë nuk isha ende gati, sepse isha mjaft e dobët, anemike dhe ai i respektoi vendimet e mia.

Kështu, në 1949-ën unë pata fëmijën e parë dhe pas dy vjetësh, djalin e dytë dhe pas tre viteve, vajzën. Të gjithë lindën të shëndetshëm edhe pse unë punova deri në momentet e fundit. Enveri më krijonte një ambient të tillë, atmosferë dhe ai thoshte: “dua një skuadër futbolli”.

Ai ma linte mua punën e vështirë, dhe vetë donte të ishte i mirë me fëmijët, të cilët u rritën me shumë modesti dhe treguan shumë kurajë në momentet e vështira që kaloi familja jonë. Ata u diplomuan, morën tituj shkencorë. Kemi qenë të kënaqur me ta. Na dhanë 7 nipër e mbesa.

Unë mendoj se për të ndihmuar Enverin në punën e tij, kam sakrifikuar me fëmijët, kam bërë gjithçka për shokun dhe burrin tim dhe në 10 vitet e fundit të jetës së tij, pas 40 viteve si diabetik dhe vuajtjeve nga zemra.

Nga ana tjetër, në punën time unë merresha me dokumentet e partisë, ku bënte pjesë edhe vepra e Enverit dhe unë merresha me redaktimin e tyre. Nga kjo anë, Enveri ishte shumë i kënaqur, ai kishte besim te unë, dhe unë njoha jetën e vendit, të partisë.

Dua të them atë që është përfolur shumë vitet e fundit, se ai ishte i sëmurë dhe se unë kisha një rol parësor në drejtimin e vendit. Kjo nuk është aspak e vërtetë.

Unë isha një shoqe e tij prej dekadash dhe bëja të pamundurën për ta ndihmuar, si të thuash, si sekretarja e tij, të gjithë shokët më njihnin, kishin besim te unë dhe ai sigurisht. Ne bënin çdo orë një jetë politike dhe ai ishte shumë racional në punën e tij.

Kurrë nuk u tregua në punën e tij me ankth, i nervozuar, ishte gjithnjë i qetë dhe kur duhej të vendoste, merrte vendime për probleme që ishin shumë të vështirë dhe duheshin marrë vendime të menjëhershme.

Ishte edhe një njeri që reflektonte, kur kishte kohë për të reflektuar. Mund të them se orët tona në shtëpi, pas pune, ishte një bisedë e qetë dhe miqësore.

Dhe këtë nuk e kishte vetëm me mua, por edhe me shokët e tij. Shokët e tij, nuk e di, nëse duhet ta them, sepse nuk më pëlqen, propozuan për të më zgjedhur anëtare të Byrosë Politike. As unë, por as ai nuk donte.

Ai vinte dhe më thoshte: “Shokët propozuan këtë, ti si mendon?” Unë e dija se çfarë mendonte edhe ai dhe nuk ishte mirë që të bënim siç kishin bërë të tjerët, në vende të tjera dhe nuk më pëlqente kjo.

Jo vetëm ai, me të cilin kisha një jetë, por edhe shokët e tij më trajtonin shumë miqësisht, kur ai ishte i sëmurë dhe mjekët nuk lejonin që të bëheshin vizita, ndërsa ai vazhdonte të punonte. Unë bëja ndërmjetësen.

Përgjithësisht, unë nuk e kam shoqëruar në vizitat jashtë. Kam qenë, p.sh., jashtë në një delegacion qeveritar në Çekosllovaki dhe në Gjermaninë Lindore në 1959-ën dhe dy herë në Bashkimin Sovjetik, me rastin e Kongresit të 20-të dhe kam qenë disa herë në takime të ndryshme parlamentare.

Kam qenë në Kinë, ku jam takuar me Mao Ce Dunin, por nuk kam qenë as First Lady, as first Çaushesku, as first Çin Çin. Nuk më pëlqenin këto gjëra, i kam shmangur gjithmonë. Por vitet e fundit, kur ai ishte sëmurë nga zemra, unë kam qenë me të në Gjirokastër dhe në Sarandë.

Nëse do të flisja për veten time, nuk e di, nuk pendohem për diçka që nuk e kam bërë. Bëra të pamundurën, dhashë gjithçka për burrin tim, deri në ditët e fundit. Isha afër tij, me gjithë zemër.

Më pas më ndodhi të përballohem me vështirësitë që vinin prej emrit që mbaja. U detyrova që të bëj burgun, t’u nënshtrohem persekutimeve dhe kam qenë gjithnjë krenare që mbaja këtë emër dhe gjithë atë që kisha bërë.

Mendoj se kemi qenë shumë idealistë, dhe jo materialistë, më shumë se çfarë duhej. Kishim shumë besim në punën tonë, unë punova shumë me propagandën dhe besonim se do të ndërtonim njeriun e ri. Mendonim se ia kishim arritur, por gjithçka u përmbys.

Ky mentalitet i pronës dhe për përfitimin personal do të thotë se për një shoqëri të re, për të cilën mendonim ne, nuk kishim patur aq kohë, as 50 vite te ne, as 70 vite në Bashkimin Sovjetik.

Shumë e akuzojnë Enverin, regjimin tonë, vendimet tona të ashpra ndaj njerëzve që kishin idetë e tyre. Ne kishim deklaruar se ishim një vend i diktaturës së proletariatit, që mendonte për shumicën, kundër këtyre që donin të dëmtonin pushtetin popullor, por të gjitha vendimet janë marrë mbi bazën e ligjeve të miratuara.

Arritëm të kishim një jetë të sigurt, modeste, por të sigurt, të qetë. Të gjitha familjet kishin gjërat më të nevojshme, rinia kishte objektivat e saj të qarta. Kur e çliruam Shqipërinë ishte vendi më i varfër i Europës, i pazhvilluar dhe në pak kohë u industrializua, bujqësia u modernizua, për rininë jo vetëm që nuk kishim papunësi, por kishim një ligj që dënonte parazitët.

Nuk mund të lejonim që, qoftë edhe një të mos punonte, sepse përfundonte keq dhe i dërgonim nëpër ndërmarrje për të punuar. U elektrifikua gjithë vendi dhe këtë tani e harrojnë, ndërsa tani ne në kryeqytet nuk kemi drita, nuk kemi ujë.

Është e vështirë të them se çfarë mendoj për të ardhmen e Shqipërisë, sepse të ardhmen e shikoj me dyshim, sepse asgjë nuk është në duart e popullit tonë, as në duart e politikanëve tanë, mund të thuash, gjithçka bën pjesë në planet e forcave europiane dhe atlantike dhe ata mendojnë ta shfrytëzojnë këtë vend, si një pozicion për planet e tyre strategjike në Ballkan, sepse këtu kalojnë rrugët e tre kontinenteve.

Ata e shkatërruan Shqipërinë për t’u hakmarrë, sepse nuk mundën ta bëjnë këtë për 50 vite, e kanë vënë në gjunjë dhe e mbajnë ashtu dhe shfrytëzojnë grindjet mes partive për të bërë punët e tyre. Vendi është një protektorat i tyre, varet nga Fondi Monetar, Banka Botërore, nga Amerika dhe institucionet europiane.

Por nga ana materiale, unë them se Shqipëria po bëhet. Ja rrugët, pallatet, jeta materiale, sepse siç e dimë, kapitalizmi nuk mund të rrojë pa investimet. Por kjo që humbëm shpirtërisht nga shqiptarët nuk mund të rikuperohet më. Humbi uniteti mes njerëzve, për të cilin bëmë kaq shumë.

Me emigrantët ju e dini më mirë, janë shfrytëzuar keq, në Greqi më keq. Por edhe kanë mësuar, morën një mësim të mirë. Dihej për shqiptarët dikur se ishin krenarë dhe të ndershëm, por sot kjo nuk mund të thuhet.

E ardhmja ime? Nuk ka mbetur dhe aq e ardhme (qesh). Unë e kam marrë jetën gjithnjë siç më ka ardhur. Kam mësuar ta zbuloj jetën, Me shëndet jam mirë.

Kam mbaruar kujtimet që ishin angazhimi im personal kundrejt burrit tim, në dy vëllime, por kam përpara projekte të reja dhe njëri që kam shumë për zemër është ai i jetës sime partizane, apo si guerile në qytet, por edhe jeta personale, me gratë apo me kulturën, sepse kam patur kontakte me shumë seksione kulturore.

Edhe pleqëria ka momentet e saj të lumtura, tani me nipërit që martohen. Jam bërë stërgjyshe dhe kjo është shumë mirë, sepse siç thotë populli, stërnipi është mjalti i mjaltit.(Shekulli)

NY3XNVm5tG0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22677. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22677

Top