Rojteri ne Fermen e Pulave

Rojteri ne Fermen e Pulave

Agjensia Rojter

shekulli
..
E veja e Enver Hoxhës e quan qesharak faktin që nuk i japin dëshminë e veteranit për të shoqin

Nexhmija-Moisiut: Enveri fjeti nën një batanije me Spiron


Benet Koleka*

E veja e diktatorit të fundmë, Enver Hoxha e ka quajtur qesharak faktin që qeveria shqiptare kërkon prova para se t’i japë titullin e veteranit të luftës njeriut që luftoi kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Kjo është absurde. Roli i tij është njohur botërisht”, - tha Nexhmije Hoxha për “Rojterin”. Ajo shtoi se kishte refuzuar të kërkonte tre vërtetime të shkruara nga ish-partizanë, të cilët do të provonin se Enver Hoxha ka qenë një luftëtar, siç e kërkojnë rregullat. E njohur vetë si veterane lufte, Nexhmija tha se i vinte shumë keq që burri i saj nuk do të dekorohej me titullin e veteranit të luftës, përpara se burrat që ai udhëhoqi njëherë e një kohë, të festonin 60-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, në 29 nëntor.
Por e veja e Hoxhës, qeverisja ekstreme staliniste e të cilit e ktheu vendin e tij në një nga shtetet më të izoluara dhe paranojake në botë, tha se nuk mund të pranonte poshtërimin e kërkimit të disa letrave si prova. “Eshtë absurde t’u kërkosh ushtarëve që të vërtetojnë luftën e gjeneralit të tyre. Asnjë nuk mund ta ndryshojë historinë”, - tha me krenari 82-vjeçarja. “U kam shkruar të gjitha strukturave të shtetit që t’i japin burrit tim statusin e veteranit të luftës, të cilin e kanë marrë mijëra luftëtarë që kanë luftuar nën udhëheqjen e tij”,-shtoi ajo.
As presidenti Alfred Moisiu, babai i të cilit ka qenë shok armësh me Enver Hoxhën gjatë luftës së viteve 1939-1945, si një nga udhëheqësit shqiptarë më të rëndësishëm ushtarakë, nuk është përgjigjur.
“I shkrova presidentit duke i treguar që babai i tij dhe Enver Hoxha kanë fjetur bashkë nën të njëjtën batanije, mbi dëborë”.
Ashtu si në vendet e tjera ish-komuniste, simbolet e regjimit të vjetër totalitarist janë hequr. Madje, në mes të viteve ‘90, për të prishur emrin e Enver Hoxhës shkruar me gërma të mëdha prej guri të bardhë në një faqe mali, është përdorur napalm.
Në Luftën e Dytë Botërore, Enver Hoxha ishte komisar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimitare dhe komandant-gjeneral. Pas luftës kundër nazifashistëve, ai vazhdoi duke qeverisur Shqipërinë me një grusht të hekurt, që nga viti 1944 derisa vdiq, në 1985. Komunizmi, në Shqipëri u rrëzua në 1991 dhe qeveria e parë jokomuniste i hoqi eshtrat e tij nga varrezat e dëshmorëve dhe i varrosi ato në një varrezë publike.
Nexhmija tani jeton diku në periferi të Tiranës, brenda territorit të një ferme pulash.

ROJTER


20/11/2004
 
Top